Është një kënaqësi shumë të veçantë që e marr fjalën këtu.
Do të përsëris Ministrin e Ekonomisë duke e filluar me një falenderim jo formal, as protokollar, por shumë të sinqertë për ambasadorin Gaiani. I cili, pa as më të voglin dyshim ka një rol të pa diskutueshëm në rritjen e intensitetit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë qysh se ne kemi filluar punën në krye të vendit dhe qysh se qeveria e re ka shprehur vullnetin për ta intensifikuar këtë marrëdhënie sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike e tregtare.
Dua ta falenderoj ambasadorin edhe për organizimin e kësaj jave të parë italiane në Shqipëri që dëshmon nga njëra anë vullnetin tonë të përbashkët për të hapur një faqe të re në rrugën e bashkëpunimit dhe nga ana tjetër edhe vonesën, sepse sigurisht në Shqipëri operojnë jo pak ndërmarrje italiane qoftë me kapital italian, qoftë me kapital të përbashkët dhe në jo pak sektorë. E, po të shohim lidhjet e Shqipërisë me Italinë, lidhjen e shqiptarëve me Italinë, dhe vullnetin apo dëshirën e mirë për bashkëpunim mes dy palëve dhe nga ana tjetër shifrat e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes Italisë dhe vendeve të tjera të rajonit jemi të fundit. Jemi të parët në dashurinë me Italinë dhe jemi të fundit në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike me Italinë. Jemi vendi më i afërt me Italinë, të tjerët duhet të kalojnë përmes nesh dhe jemi vendi më i largët në rangun e vendeve që shkëmbejnë mallra dhe kapital me Italinë.
Unë dua të shpresoj shumë që Italia e rreth 170 sipërmarrjeve këtu, për këtë javë të rëndësishme italiane, është një gur themeli për të rritur, në një rrugë të re bashkëpunimi, këtë volum. Për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë realisht vendi ku një fluks i ri investimesh italiane do të derdhen në interesin reciprok. Në Shqipëri mund të fitohet më shumë se në Itali. Në Shqipëri paguan shumë më pak taksa se në Itali. Në Shqipëri ka shumë më pak burokraci se në Itali. Sigurisht, që nga ana tjetër në Shqipëri ka shumë më tepër nevojë për punë dhe shumë më pak kosto të punës se në Itali. Kështu që, besoj më shumë, që nëse do të arrijmë të kapërcejmë murin e paragjykimeve dhe sigurisht nëse do të arrimë të vendosim në radhë të gjitha shkallët, që i duhen një sipërmarrjeje për të kaluar më lehtë nga ideja tek realizimi, ne do të kemi në vitet e ardhshme një transformim rrënjësor të këtij volumi, domethënë një rritje të tij. Puna që kemi filluar me ambasadorin në radhë të parë, si interlokutori më i afërt, por më lejoni ta them dhe më kompetent për problematikat e dyanshme nga njëra anë të burokracisë dhe të administrimit në Shqipëri dhe nga ana tjetër të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri, ka qenë e fokusuar, tek çfarë është detyra jonë. Detyra e qeverisë shqiptare, në radhë të parë, për të marrë një e nga një dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e vjetra, jo të vështira, por që duhen zgjidhur.
Kemi një problem, sepse është një problem i vjetër, që ne kemi me Italinë për shembull, që daton në vitin 1958. Unë e fola edhe me Presidentin e Senatit, e kemi folur edhe me Kryeministrin edhe Presidentin, i të ashtuquajturit “Diritto Fisso”. Asaj taksës diskriminuese për Shqipërinë, që është mbartur vit pas viti, dekadë pas dekade nga regjimi i kaluar tek shpatulla e të gjitha qeverive demokratike në Shqipëri e Itali dhe sot e gjithë ditën qëndron aty. Si një pengesë shumë e madhe për të gjithë investitorët shqiptarë apo italianë apo italo-shqiptarë, që transportojnë mall në Itali, që duhet të paguajnë një taksë 4 - 5 herë më të lartë se të gjithë transportuesit e tjerë në rajon apo në Evropë. Një taksë, që e paguajnë përveç nesh, Irani, Siria dhe Gandia. Një gjë e mbetur nga burokracia, që besoj që do t’a zgjidhim, por problemet e mbetura nga burokracia nga ana jonë ka plot dhe për këtë arsye ne kemi ngritur disa struktura.
Kemi ngritur Këshillin Ekonomik Kombëtar, si një forum i lartë ku ulen bashkarisht të gjitha palët; qeveria, biznesi, administrata, bankat. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është aty, Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe një grup ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe në mënyrë të përmuajshme, diskutojmë dhe vendosim lidhur me çështjet strategjike të zhvillimit me fokus në radhë të parë, biznesin, klimën e biznesit, lehtësimin e procedurave për biznesin dhe hapjen e perspektivave të reja për biznesin.
Këshilli Kombëtar i Investimeve është në krijim e sipër. Po ashtu kemi krijuar grupin e nxitjes dhe mbështetjes së biznesit italian, të përbërë nga deputetë të Kuvendit, të cilët janë një lloj “eskorte politike”, për të lehtësuar komunikimin mes çdo investitori dhe administratës, duke ushtruar presion pozitiv mbi qeverinë dhe mbi zyrën e Kryeministrit, për të gjitha ato raste kur duhen përgjigje që vonojnë. Praktikisht, besoj që e kemi rritur maksimalisht, për kohën që kemi pasur në dispozicion, shpejtësinë e përgjigjes.
Ndërkohë po reformojmë Agjencinë tonë të Investimeve të Huaja, e cila do të jetë shumë shpejt dera e hapur që jo vetëm do të presë, por do të shoqërojë me procedura shumë të shpejta e shumë të lehtësuara, gjithë investitorët e huaj, në çdo derë të administratës, për të bërë të mundur që përgjigjet të vijnë sa më shpejt. Nga ana tjetër, do të bëjmë edhe një procedurë speciale, një “fast track procedure”, ku përkundër një pagese zyrtare do të mund të merret një përgjigje në një kohë rekord. Është një praktikë e njohur ndërkombëtare, që ne do ta adoptojmë edhe në Shqipëri.
Dua të ndaj me ju një shifër që gjithë importuesit dhe eksportuesit e kuptojnë fare mirë, rritjen e madhe të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Në këtë periudhë relativisht të shkurtër që ne kemi pasur në dispozicion, por duke nënvizuar se, nëse krahasuar me një vit më parë, për të njëjtën periudhë, këto të ardhura janë të rritura ndjeshëm - dhe nuk po hyj në lojën e shifrave, - ka një zë të rëndësishëm në të ardhurat që ka ndryshuar rrënjësit. Një vit më parë, 10% e të ardhurave të buxhetit vinin nga gjobat, që në 90% të tyre ishin arbitrare dhe në dëm të biznesit, për të mundur që të mbushej arka e shtetit, pa llogaritur gjobat e korrupsionit.
Sot, në gjithë këta muaj, zëri i gjobave është inekzistent. Pra, nëse krahasojmë dy periudhat kemi edhe 10% më shumë sesa përqindja në dukje e të ardhurave të rritura. E, nëse mesatarja e të ardhurave nga TVSH-ja në të njëjtën periudhë të një vitit më parë ka variuar 5 dhe 6%, sot mesatarja e të ardhurave nga TVSH-ja është 20%. Pra, flasim për të ardhurat që mblidhen nga TVSH-ja, që do të thotë përpjekje shumë më e efektshme kundër informalitet dhe evazionit, e cila do të vazhdojë dhe do të sjellë një rezultat ende më të lartë në fund të vitit, sipas parashikimit tonë. Por, gjithmonë, në kushtet e një klime miqësore me biznesin, në kushtet e një klime ku sipërmarrja ndjehet gjithmonë e më shumë e shërbyer dhe gjithmonë e më pak e rrëmbyer.
Duke parë interesimin e posaçëm që vjen edhe nga Italia, për sektorin e manifakturës dhe duke synuar që të kalojmë nga një fazë ende, le të themi, latante në këtë sektor, në një fazë më të lartë, ku të punohet me cikël të mbyllur, në mënyrë që të ardhurat të jenë shumë më të mëdha për sipërmarrjet, ne kemi zhvilluar për tre muaj rresht, një dialog intensiv me gjithë aktorët e sektorit të manifakturës. Praktikisht, bashkërisht me sipërmarrjen kemi arritur në një paketë të plotë të mbështetjes dhe të lehtësimit të këtij sektori, nga ku presim të rrisim në mënyrë të ndjeshme numrin e vendeve të reja të punës dhe investimet, dhe posaçërisht nga Italia të shumëfishohen në tre vitet e ardhshme. Mos e harroni që ky është vendi ku kostoja e punës është më e ulëta në Europë, është më e ulëta në rajon dhe është më e ulët edhe e krahasuar me Kinën, sot që flasim.
Duke llogaritur që kostoja e transportit, në rast se Qeveria Italiane dhe Parlamenti Italian do të veprojnë shpejt, për të hequr diskriminimin mbi atë taksën për të cilën fola, është më e ulëta dhe është fakt që edhe nga vende të Azisë dhe nga Kina posaçërisht kemi filluar të kemi kërkesa për spostime të fabrikave në sektorin e manifakturës, ekzaktësisht për të përfituar nga kostoja e ulët e punës dhe kostoja shumë e ulët e transportit.
Ambasadori theksoi që nuk është vetëm manifaktura ku ne, si pjesë të paketës sonë kemi edhe pagën direkte, me 4 paga minimale dhe pagën direkte të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës të ri që merret në harkun e një viti, por edhe sektori i energjisë, i minierave, i turizmit, i bujqësisë, padyshim.
Këtu te bujqësia dua të ndalem për të theksuar se momenti kur investitorët italianë do t’i kthejnë realisht sytë nga bujqësia dhe do të shohin nga afër potencialin e madh të zhvillimit dhe të përfitimit në këtë sektor, ne jemi të bindur se do të kemi të njëjtin efekt zinxhir, siç kemi filluar ta shohim në sektorin e manifakturës. Pak a shumë për të njëjtat arsye. E mos harroni që qoftë në njërën, qoftë në tjetrën, qoftë në njërin, qoftë në tjetrin sektor, kemi sot një lehtësim absolutisht unikal për rajonin dhe për Europën, të aksesit tek terreni apo tek ngrehina për të vendosur kompaninë, vetëm me 1 euro në vit, përkundër investimit dhe vendeve të reja të punës. Kemi hequr procedurën e qerasë së përmuajshme dhe kemi kaluar në një procedurë tjetër, të shpejtë dhe efektive.
Për sa i përket energjisë, ne shpresojmë shumë që Italia do ta kapërcejë pengesën që i është shfaqur lidhur me çlirimin e gjithë rrugës ku do të kalojë gazsjellësi Trans-Adriatik. Kemi shumë besim që ashtu sikundër projekti “Alterenergy” që lidh sipërmarrjet mes lokaliteteve në Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi, ashtu edhe gazsjellësi, në një masë shumë herë më të lartë do të sjellë mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve tona dhe mundësi të reja ndërveprimi me sipërmarrjet italiane, sipërmarrje të mesme dhe të mëdha.
Shumica e sipërmarrjeve italiane sot operojnë në Tiranë dhe rreth Tiranës, një numër më i reduktuar është në Shkodër, në Durrës dhe në Fier, por mundësitë dhe avantazhet edhe të zonave të tjera, krahasuar me këto zona, janë në disa aspekte ende më të mëdha. Ndaj unë do t’ju ftoja që t’i shikoni edhe zonat e tjera, sepse edhe mes zonave brenda për brenda Shqipërisë, ka mundësi.
E fundit, por jo për nga rëndësia. Shqipëria ka probleme, Shqipëria ka të meta, Shqipëria ka mundësi të të japë shumë arsye për të mos qenë i kënaqur, por me siguri Shqipëria ka një virtyt që edhe Italia që kishte deri para ca kohësh, e ka humbur. Shqipëria nuk është asnjëherë e mërzitshme. Është pak, po e sigurt, që kush vjen në Shqipëri për herë të parë, gjithmonë do të vijë prapë. E themi shpesh me ambasadorin, - si i bëhet për herën e parë, se për herën e dytë, të gjithë rrugën e gjejnë vetë dhe e gjejnë me kënaqësi. Njerëz që s’duan të vijnë në Shqipëri apo njerëz që janë shumë skeptikë kur u thua hajde në Shqipëri, unë kam parë shumë, por akoma, deri sot, nuk e kam njohur një që nuk do të kthehet prapë në Shqipëri, pasi ka ardhur një herë. Sigurisht, jo të gjitha arsyet janë tek puna, ka edhe arsye të tjera, që unë ju ftoj t’i zbuloni duke ardhur shpesh e më shpesh në Shqipëri. Madje, ato nganjëherë janë edhe më të rëndësishmet, që bëjnë që edhe puna kur ka vështirësi, të mos ndjehet kaq e vështirë. Është Italia e gjyshërve tuaj. Ajo Italia e bukur që ka Matteo Renzi në mend, kur thotë “la bella addormentata”. tha Rama