Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e Panairit të parë Kombëtar të Shkollave Profesionale:

Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e Panairit të parë Kombëtar të Shkollave Profesionale:

Përshëndetje të gjithëve!

Përpara disa kohësh kur ne filluam detyrën, zhvilluam një anketim me një shënjestër të përcaktuar për të kuptuar se çfarë shikonin investitorët në Shqipëri, si pengesat e tyre kryesore. E për surprizën e shumëkujt, pengesën e parë për zhvillimin e mëtejshëm të punës dhe për zgjerimin e investimeve të tyre, sipërmarrësit shikonin mungesën e krahut të kualifikuar të punës. Pastaj vinin me radhë gjykata dhe burokracia, titujt e pronësisë dhe një pjesë fare e vogël shënonin edhe barrën e taksave. Ishte momenti kur ne nisëm edhe me më shumë bindje atë çka kishim përcaktuar në programin tonë për një rilindje shqiptare, -reformën tërësore të sistemit tonë arsimor.​

Trashëgimia mbetet ende shumë e rëndë sepse për shumë vite arsimi profesional u braktis dhe u kthye faktikisht në një korsi jashtë rrugës së zhvillimit dhe të motivimit të të rinjve. Në një rrugë qorre me një frekuentim shumë të ulët dhe pa asnjë lidhje me tregun e punës. Shkolla profesionale të degraduara, të cilat në të shumtën e herës, nuk kishin asnjë lloj baze materiale.

Reforma në arsim nisi pikërisht me një ndarje mes arsimit të përgjithshëm që vazhdon të jetë nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe arsimit profesional që kaloi në kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Sigurisht që këto nuk janë të ndara nga njëra-tjetra në kuptimin e sfidës së përbashkët për të rritur mundësitë për punësim, sepse edukimi është politika më e mirë dhe e vetmja politikë afatgjatë për të rritur punësimin.

Nga njëra anë, në sistemin e arsimit të përgjithshëm kemi ndryshuar rrënjësisht situatën e teksteve shkollore. Kemi vendosur në fokus domosdoshmërinë për të pasur qëndrueshmëri në trupën mësimore dhe për të zhvilluar trajnimin në vazhdim të mësuesve, duke shkëputur nga kthetrat e korrupsionit pjesën më delikate, rekrutimin e mësuesve.

Po ashtu kemi bazuar të gjithë procesin në domosdoshmërinë për të nxitur konkurrencën dhe për të përcaktuar meritën si kriterin kryesor, duke mos u thënë më vajzave dhe djemve të këtij vendi që e vetmja rrugë për ju është që të shkoni në universitet, por duke çelur korsinë paralele në të njëjtën rrugë zhvillimi dhe motivimi të rinisë për arsimin profesional.

Faktikisht, nëse ne do të kishim hyrë prej vitesh në këtë rrugë, sot problemi i papunësisë së të rinjve do të ishte shumë më i zbutur. Aktualisht, sipas statistikave zyrtare, 55% më shumë se gjysma e punëkërkuesve të regjistruar, nuk kanë asnjë profesion ose janë vetëm me arsim, deri 9-vjeçar. Cila është perspektiva e punësimit për këta njerëz?! Cilat janë ndërmarrjet që mund të punësojnë gjithë këtë masë njerëzisht, që nuk kanë asnjë profesion dhe shpeshherë kanë vetëm arsimin 9 vjeçar?! Është e pamundur! E nga ana tjetër kemi kudo në të gjithë aksin nga Tirana në Durrës, çdo sipërmarrje - ashtu sikundër në të gjithë territorin e Shqipërisë - që ka nevoje për të punësuar të tjerë, nga 1 më shumë, deri tek 50-100 e më shumë se 100 dhe nuk ia del dot. Sepse kërkon punonjës të kualifikuar dhe punonjësit e kualifikuar mungojnë. Sepse për 20 e kusur vite, në Shqipëri nuk u mendua për të kualifikuar krahun e punës dhe për të ndërtuar një shtresë të tërë profesionistësh, të cilët nuk vijnë nga universiteti, por vijnë nga rruga e arsimit profesional.

Morëm modelin gjerman për një arsye shumë të thjeshtë. Jo se jemi të dytët pas Gjermanisë dhe tani na ka ngelur vetëm të kalojmë Gjermaninë siç na thuhej deri përpara disa vitesh me gojën plot nga kryeministri dhe nga qeveria, por sepse modeli gjerman është modeli që kanë adaptuar me sukses shumë vende të tjera, qoftë në BE, qoftë jashtë Europës për të nxitur punësimin përmes nxitjes së arsimit profesional, ku 60% e kohës kalohet në klasë dhe 40 % e kohës kalohet në sipërmarrje. 

Po të shohim shifrat në Bashkimin Europian, ashtu sikundër mund të konstatojmë edhe në nivel global, papunësia në vendet e BE-së është në proporcion me zhvillimin e arsimit profesional. Vendet që kanë një sistem arsimi profesional më të zhvilluar, kanë papunësi më të ulët. Vendet që kanë një sistem arsimi më të pazhvilluar kanë papunësi më të lartë, sidomos në shtresën e papunësinë rinore. Kjo është arsyeja pse Gjermania papunësinë rinore e ka ndër më të ulëtat, në mos më të ulëtën, në Europë apo pse në vendet ku arsimi profesional është i zhvilluar, papunësia rinore është më pak problem sesa në vendet e tjera.

E vetmja zgjidhje që të përputhen kërkesa më ofertën në tregun punës është një sistem i shëndetshëm dhe funksional i arsimit profesional.

Merrni thjeshtë me mend që një nxënës që mbaron arsimin profesional ka statistikisht, dyfishin e shanseve për t’u punësuar menjëherë, sesa një student që mbaron universitetin.

Sepse ne nuk do lodhemi së përsërituri, pavarësisht cinikëve apo shakaxhinjve të përparimit se në Shqipëri nuk mungon kërkesa për punë të kualifikuar. Problemi i madh është se tregu nuk ka punonjës të kualifikuar. Ne jemi krenarë për çfarë kemi bërë, por jemi të vetëdijshëm se çka kemi ndërtuar në dy vjet nuk mjafton për të mbushur një hendek të hapur në 20 e kusur vite.

Kjo është një reformë themelore që çdo vit po jep rezultate dhe që ka qartësisht potencialin që vit pas viti, të rrisë rezultatet në drejtimin e duhur, por është një reformë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ata që sot janë 35-40 vjeç, janë një gjeneratë e djegur nga mungesa e kësaj mundësie që ka sot gjenerata e 15 vjeçarëve, që mund të zgjedhë arsimin profesional dhe përmes arsimit profesional mund të punësohet më shpejt. Por arsimi profesional siç tregon qartësisht Gjermania, por edhe të gjithë vendet e tjera, - po e përsëris Gjermaninë që të kuptoni pse ambasadori gjerman nuk mungon në asnjë takim publik për arsimin profesional, - është edhe një mundësi tjetër më shumë për të nxitur vetëpunësimin. Nuk është  thjeshtë instrumenti për të gjetur një punë tek dikush, por është potenciali për t’u vetëpunësuar.

Sapo pamë një gjeni nga një shkollë e arsimin profesional që sot është 18 vjeç, por mund të konsiderohet pa as më të voglin dyshim një sipërmarrës. Është një sipërmarrës, i cili sot 18 vjeç, falë aftësisë së tij të zhvilluar në shkollën profesionale “Petro Sota”, në Fier ka nisur të bëjë biznes. E nëse 18 vjeç bën këtë hap e gjithë jeta e tij është përcaktuar si jeta e një novatori që, jo vetëm ka siguruar punën për veten e tij, por do të punësojë shumë njerëz të tjerë.

Një statistike e fundit shumë interesante, lidhur  më futjen e teknologjisë se re dhe vënien në shfrytëzim të sistemeve informatike që faktikisht mbyllin vende pune sepse zëvendësojnë krahun e punës përmes teknologjisë, tregon diçka shumë interesante. Një vend pune i mbyllur për shkak të zhvillimit teknologjik përkthehet përmes zhvillimit teknologjik në tre mundësi të reja për punë, për shoqërinë.

Ajo që vlen për tu theksuar, sot në këtë olimpiade të parë të aftësive është mesazhi i qartë se kush ndjek arsimin profesional nuk është i destinuar domosdoshmërisht që të jetë një punonjës i kualifikuar në sipërmarrjen e dikujt tjetër, por ka mundësinë që të jetë ai vetë një sipërmarrës.

Biznesi i vogël në Gjermani zhvillohet nga njerëzit që vijnë nga arsimi profesional, përveç atyre që e kanë të trashëguar nga familja apo atyre që vijnë nga rrugët e tjera të jetës. Sepse një hidraulik, një rrobaqepës i  talentuar, një elektricist dhe kështu me radhë, nëse ka edhe shpirtin e sipërmarrjes, përveçse kapacitetin për të vënë në shërbim të një sipërmarrje aftësinë e vet, është i gatshëm që te jetë ai vete iniciuesi i një sipërmarrje të re. E në këtë olimpiadë idesh ku faktikisht, nëse i besojmë shifrave dhe s’kemi arsye pse jo, do të jenë 440 vajza dhe djem të përzgjedhur për idetë e tyre që do të merren dhe do të trajnohen dhe 200 prej tyre do trajnohen sesi të hartojnë një biznes-plan, sesi ta kthejnë idenë e tyre në një plan-biznesi. Çdo ide e vlefshme është një potencial për të bërë një plan biznesi. Kjo është arsyeja pse ne duhet dhe do vazhdojmë të këmbëngulim. Nuk është shteti dhe puna në shtet zgjidhja për të luftuar në rrugën kundër papunësisë, por është rritja e kapaciteteve të individit për të kuptuar në radhë të parë, që i vogël, që në shkollë, se e ka ai vetë brenda potencialin për tu bërë i pasur. E ka ai vetë brenda mundësinë për ta ndërtuar  rrugën e jetës, duke bërë zgjedhjen e tij dhe duke udhëhequr ai vetë një sipërmarrje.

Ideja që e vetmja punë e denjë është puna në shtet është një ide sunduese në Shqipëri dhe fatkeqësisht në gjithë rajonin tonë. Është shëmbëlltyra më kuptimplotë e prapambetjes së një mendësie, për të cilën në gjithë këto vite, jo vetëm nuk u bë asgjë që të shfarosej, por përkundrazi u bë gjithçka që të ushqehej.

Një punë në shtet e kërkuar duke pritur në kafene nuk është një punë, por është thjesht një pension që në moshë të re për të mos bërë në fakt asnjë punë. Kjo dëmton shtetin dhe kjo shkatërron shoqërinë.

Kush punon në administratë duhet të kalojë tanimë një test jashtëzakonisht impenjativ sepse kështu imponon ligji i ri administratës publike që ne e kemi ndërtuar, bazuar në standardet më të mira europiane. Por nga ana tjetër, kush zgjedh rrugën e sipërmarrjes, natyrisht që zgjedh një rrugë më të vështirë në dukje, dhe patjetër edhe një rrugë më të vështirë, në fakt, nëse hyn në betejën e madhe të konkurrencës së lirë, por ama mundësitë e zhvillimit të tij financiar dhe mundësitë e kontributit të tij për shoqërinë i ka të pafundme.

Ne nuk kemi thënë kurrë që shqiptarët janë dembelë. Këtë mundohen të na e faturojnë ata të cilët na kërkojnë ne llogari për faktin që në Shqipëri papunësia është ende një problem shumë i madh.

Ne kemi thënë dhe nuk do pushojmë së thëni një gjë tjetër, që për 20 e kusur vite këtu u promovua dembelizmi, sepse u promovuan rrugët e lehta të sukseseve imagjinare. Rrugët e lehta të universiteteve që jepnin diploma pa shkuar fare në shkollë. Rrugët e lehta të notave që merreshin pa i merituar. Rrugët e lehta të punësimit që garantohej në shtigje nga më të ndryshme, por jo nëpërmjet meritës. E nga ana tjetër, u lanë pa asnjë mbështetje sipërmarrjet që nga shteti kanë të drejtë të kërkojnë punonjës të kualifikuar e që me shtetin duhet të bashkëpunojnë për të kualifikuar punonjësit.

Kjo është rruga e re që ne kemi zgjedhur. Nuk është një shëtitje, është një e përpjetë. Nuk është një rrugë që sa hap e mbyll sytë do na nxjerri matanë detit plot dallgë të papunësisë dhe vështirësive, por është e vetmja rrugë e sigurtë, për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

E në fund të fundit, ajo që po bën kjo qeveri është të vëmë themelet e qëndrueshme të një sistemi që i garanton gjeneratës tjetër që të mos digjet, siç u dogj një gjeneratë e tërë e atyre që për shkak mungesës së plotë të një sistemi të qëndrueshëm, sot gjenden të papunë, por edhe rëndom të pashpresë për shkak se nuk kanë aftësitë profesionale. E nga ana tjetër, për shkak se sistemi nuk iu garanton ende gjë që ne po përpiqemi ta fillojmë ta ndërtojmë, mundësinë e trajnimit edhe në një moshë, përtej moshës së shkollës.

Sot, në Gjermani po dhe në vende e tjera të BE, edhe një njeri që ka dalë në pension mund të trajnohet për të bërë një punë. Mundësitë janë për të gjithë. Këtu, kjo as nuk ka qenë ndonjëherë temë. Ne e kemi kthyer në një temë, por sigurisht për ta zhvilluar si temë, kërkohen shumë elementë të tjerë, nuk mjafton vetëm vullneti.

Është padyshim edhe çështje dije, është padyshim edhe çështje buxheti, është padyshim edhe çështje partneritetesh.

Duke e mbyllur, unë dua të falënderoj ambasadorin gjerman. Jam i bindur që ambasadori italian nuk bëhet xheloz për këtë, edhe pse bashkë me ambasadorin gjerman dua të falënderoj edhe ambasadorin italian e të gjithë të tjerët që janë të pranishëm, sepse falë kurajës dhe këmbënguljes së ministrit për ta çuar më tej një proces të nisur, është krijuar një aleancë shumë e rëndësishme për të ndërtuar rrjetin e shkollave profesionale të ekselencës, të cilat falë binjakëzimit me një shkollë të ngjashme të standardeve europiane, në Gjermani apo në Itali, në Finlandë apo në vende të tjera, do të bëjë të mundur që njerëzit tanë të marrin maksimumin nga pikëpamja e cilësisë së dijeve që jepen në shkollën profesionale.

Sigurisht që nga ana jonë, ne duhet të bëjmë më shumë për ta mbështetur financiarisht këtë sistem dhe për ta stimuluar më shumë biznesin që merr pjesë në procesin e dualizimit, pra në atë 40% e kohës që nxënësit duhet ta kalojnë në sipërmarrje.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Shumë faleminderit për mbështetjen!

Shpresojmë që edhe BE, do të na mbështesë duke na e dhënë sa më shpejt mbështetjen buxhetore të premtuar në këtë drejtim, si një mbështetje që garanton rritjen e kapaciteteve tona për të luftuar papunësinë e të rinjve, por që garanton njëkohësisht dhe forcimin sa më shpejt të bazave të këtij sistemi që sapo kemi filluar të ndërtojmë.

Atyre që presin që puna t’u vijë tek shtëpia, t’i bjeri derës, t’i çojë nga gjumi, t’i thotë hajde zbresim pak poshtë tek kafja e të flasim se si ne të dy do bëhemi një, - ju them që nuk do të ndodhë që gjumin t’ua prishë puna që vjen tek shtëpia. Puna kërkohet me këmbëngulje, e mbi të gjitha për ta gjetur, duhen edhe disa kapacitete profesionale.

Kush i ka këto kapacitete profesionale e kush këmbëngul për të kërkuar punë, siç dëshmojnë mijëra rastet konkrete të këtyre dy viteve e gjysmë, e gjen punën.

Ashtu sikundër, kush ka kurajën të përballet me sfidën e të jetuarit me punë të ndershme edhe e krijon punën përmes vetëpunësimit. Kemi bërë zero taksat për të hapur e për të pasur një biznes të vogël. Që do të thotë që gjithsecili mund dhe e ka absolutisht të sigurtë që duke luftuar mund t’ia krijojë vetes mundësinë që të jetojë me punë të ndershme.

Qeveria nuk mund ta bëjë dot këtë për asnjërin individualisht. Secili individualisht duhet ta kërkojë punën me këmbëngulje e të jetë i sigurtë që po e kërkoi me këmbëngulje do ta gjejë siç e kanë gjetur mijëra e mijëra, siç do ta gjejnë mijëra e mijëra të tjerë që nuk e presin punën t’ua sjellë qeveria tek krevati kur zgjohen në ora 11 të mëngjesit, pasi kanë ndenjur deri në ora 5 të mëngjesit nëpër pub-e.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar