Thënë kjo, dëshiroj që t’i falënderoj të gjithë organizatorët e Konventës edhe të falënderoj edhe parafolësit, për faktin se është e qartë që kjo Konventë nuk është një konferencë e radhës, por një moment për të bërë një bilanc të rëndësishëm me disa rezultate të rëndësishme dhe nga ana tjetër, për të konsoliduar një instrument shumë të rëndësishëm për shoqërinë, në luftën me varfërinë dhe me përjashtimin social, siç janë shërbimet sociale.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm që, ashtu si në fushat e tjera, edhe në këtë fushë trashëgimia është tmerrësisht e rëndë. Po të shohim energjinë, territorin, Lazaratin e me radhë, të gjitha plagët e hapura që kemi trashëguar në organizmin e vendit dhe të shoqërisë, mikrobi është i njëjtë. Është mikrobi i pushtetit që synon vetëm ripërtëritjen e vetvetes, duke blerë kohë në kurriz të shtetit dhe të shoqërisë. Dhe në këtë fushë, pavarësisht se është fusha më e pazëshme, pasi në këtë fushë janë edhe njerëzit më të papërfaqësuar dhe më të dobët të shoqërisë, jemi të gjithë të vetëdijshëm se kemi trashëguar një situatë që po ta vizualizonim s’do të kishte asnjë dallim nga lidhjet e paligjshme në sistemin e elektroenergjitik, nga bimët e paligjshme në territor dhe nga gjithë paligjshmëritë në të gjitha fushat e jetës së vendit.
Mjafton një fakt shumë i thjeshtë që, në një vit, nga 27 000 dosje të qëmtuara prej jush në lidhje me aftësinë e kufizuar 20 % e tyre, 5 400 dosje, kanë rezultuar me dokumentacion abuziv, me qëllim përfitimin e pamerituar për aftësi të kufizuar nga persona që, në fakt, aftësitë i kanë të pakufizuara. Dhe 20 % në 27 000 dosje është jashtëzakonisht shumë.
Më kujtohet në vitin e kaluar, në të njëjtën kohë, kemi qenë bashkë me Ministrin në një takim me përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar dhe ka qenë një nga momentet kur jemi ndjerë në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Sepse nga njëra anë kishim trashëguar një borxh prej 54 milionë dollarë, ishte një borxh i akumuluar i shtetit ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me ndihmë ekonomike, pasi paratë që figuronin për ta ishin drejtuar gjetkë dhe nga ana tjetër, një situatë ku historikisht këta persona nuk e merrnin asnjëherë pagesën në kohë.
E, në prag të Vitit të Ri, faktikisht, ne nuk kishim para për t’i paguar.
Sot një vit jemi në kushte rrënjësisht të ndryshme. Jo për të shënuar një progres formal, por për të nënvizuar një fakt: Sot jemi në kushtet kur kemi mbyllur plotësisht gropën prej 6.2 miliardë lekësh, 62 milionë dollarë, vetëm me pagesat e aftësisë së kufizuar. E, praktikisht, jemi pa borxhe dhe kemi çelur një buxhet të ri për vitin e ardhshëm që është i pari buxheti në historinë e këtij vendi që në lidhje me këtë kategori nuk bazohet mbi borxhin, por bazohet mbi një start të ri, pa asnjë qindarkë borxh. Kjo do të thotë që kemi çdo qindarkë që na duhet për të paguar personat me aftësi të kufizuar dhe njerëzit në ndihmë ekonomike qindarkë për qindarkë dhe në kohën e duhur. Kjo mund të duket diçka e rëndomtë, por është e para herë në Shqipëri që ndodh.
Nga ana tjetër, sigurisht që për ambicien që kemi nuk mundet të mbetemi këtu dhe nuk mund t’i referohemi të shkuarës për të shënuar progres. Pasi s’kemi fare se kujt t’i referohemi dhe s’kemi fare se me kë referohemi. Nuk ka qenë një situatë e pranueshme nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja etike, nga pikëpamja morale që ne t’i referohemi si pikë për të shënuar progresin tonë. Progresi ynë duhet të fillojë nga e ardhmja dhe llogaria jonë duhet bërë me të ardhmen! Ndaj dhe synimi është krijimi i shërbimeve që i shërbejnë një vizioni të ri të së ardhmes. Një vizioni që ndan përfundimisht një epokë nga një epokë tjetër. Epokën nga kur për 20 vjet me radhë edhe në këtë fushë, - në mënyrë shumë më spektakolare se në fushat e tjera, por në fakt në të gjitha fushat ka qenë e njëjta qasje, - është preferuar politika e lëmoshës për të shtyrë ditën në vend të ditës së operacioneve për të rimëkëmbur trupin. Është preferuar politika e mbijetesës në vend të politikës së ambicieve që kërkojnë, sigurisht, disa sakrifica dhe një mund më shumë sesa mundi pa mund i të qëndruarit shtrirë dhe i të marrit të tabletave të mbijetesës. Varfëria është një plagë sigurisht shumë e madhe, por është e shumëllojshme. Dhe varfëria më e madhe, që është nëna e të gjitha varfërive, është varfëria e aspiratave. Ajo çka e ka karakterizuar politikën tonë në raport me këto shtresa, ajo çka e ka karakterizuar politikën tonë në raport me nevojën e qytetarëve për të pasur një shtet në krah të tyre ka qenë varfëria e aspiratave dhe të mjaftuarit me kapërcimin, apo siç i thonë shqip, me shtyrjen e ditës. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër, unë nuk di të ketë, shprehjen që kemi ne: “-Hë mo çfarë po bën? – Hiç, ja po e shtyjmë.” Kjo është shprehja që, në fakt, mund të karakterizojë gjithë politikën tonë në raport me shtresat në nevojë dhe në raport me të gjithë ata sektorë ku ka qenë prej kohësh nevoja për të bërë operacione të thella dhe të dhimbshme. Nuk ka dalje nga një situatë lëngate pa dhimbje dhe pa sakrificat e rehabilitimit.
Në rrugën që na çon drejt jetësimit të këtij vizioni besoj që kanë 3 hapa themelorë që janë hedhur:
Së pari, prioritetet në të cilat është fokusuar Shërbimi Social këtë vit, si rrjedhojë e situatës së trashëguar, duke ndërhyrë për një përmirësim me urgjencë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të individëve, duke përmirësuar me efekte të dukshme dhe të menjëhershme shërbimin në institucionet e përkujdesjes dhe duke përmirësuar në mënyrë të dukshme e të ndjeshme shërbimin ndaj grupeve më të rrezikuara, siç janë gratë dhe fëmijët.
Hapi i dytë ka të bëjë me konsolidimin dhe zgjerimin e këtyre përmirësimeve me anë të buxhetit të ri të vitit 215, që i kushton 27 % të shpenzimeve shtresave në nevojë. Një shembull i kësaj është dyfishimi i fondit të ndihmës ekonomike, nga 10 milionë dollarë në 19 milionë dollarë këtë vit, pa borxhe. Kjo është shumë e rëndësishme. Dhe rreth 20 milionë dollarë për vitin 2015, duke i siguruar mbështetje 169 mijë personave dhe 88 mijë familjeve të ndihmës ekonomike. Shembulli tjetër është 16 milionë dollarë ekstra të vendosura në dispozicion pikërisht të personave me aftësi të kufizuar dhe të familjeve në ndihmë ekonomike, plus të pensionistëve kryefamiljarë për të përballuar efektin e heqjes së fashës mbrojtëse 300 kilovat, në raport me konsumin e energjisë elektrike.
Hapi i tretë për mirëqenien sociale është reforma e shërbimeve sociale në tërësi, e cila nuk mund të shihet dhe ne nuk e kemi parë të ndarë nga i gjithë kuadri i përgjithshëm i reformave. Në këtë kuptim, kemi kaluar edhe këtu nga një qasje e bazuar tek lëmosha për të mbijetuar, në një qasje aktive e bazuar te krijimi i kushteve që do të jenë gjithmonë e më strikte, për të ndarë personat që e kanë të pamundur të punojnë nga personat që e kanë një mundësi të punojnë. Reforma në arsimin profesional, të mos harrojmë që ne e kaluam arsimin profesional nën ombrellën e përgjegjësive të kësaj Ministrie dhe Strategjia e Punësimit që është e para strategji realiste për nxitjen e punësimit, sëbashku me Reformën Administrative-Territoriale përbëjnë një hap kompleks në raport me atë që ne duhet të bëjmë, duke ecur më tutje, duke ecur më shpejtë dhe duke e thelluar reformën.
Janë disa shifra që nuk bëjnë zhurmë, por që janë shumë domethënëse, që shpjegojnë edhe çfarë ka ndodhur. Ulja 25 % e numrit të familjeve në ndihmë ekonomike është drejtpërdrejtë rezultat i pastrimit të skemës nga abuzimi. Ka akoma abuzim. Ka akoma familje që marrin ndihmë ekonomike në mënyrë të pamerituar, por do të vazhdojë operacioni i pastrimit të skemës në një situatë ku, ju jeni dëshmitarë okularë dhe të përditshëm, trashëgimia dhe ngatërrimi i fijeve është jashtëzakonisht pengues. Kalimi i ndihmës ekonomike tek gratë. Ministri foli me pasion në këtë aspekt. Unë po me kaq pasion mund të mbroj idenë se këtë vend e ‘çmendën’ burrat dhe mund ta shpëtojnë vetëm gratë, por në rastin konkret, të ndihmës ekonomike, është fakt që ndihma ekonomike e çuar te kryefamiljarë në mbipeshë edhe të dhënë pas basteve dhe pas pijeve, jo vetëm ka bërë që ajo ndihmë ekonomike të mos shkojë për mirëushqimin e fëmijëve, të mos shkojë për vaksinimin e fëmijëve, të mos shkojë për çuarjen e fëmijëve në shkollë e kështu me radhë, por ka rritur në mënyrë eksponenciale dhunën në familje.
Duke pasur jo vetëm një kryefamiljar të papunë, jo vetëm një kryefamiljar të mësuar të rrijë papunë dhe mos kërkojë punë, por edhe një kryefamiljar që nën ndikimin e lëndëve helmuese luftarake kthehet nga kafeneja dhe rreh gruan e çfarë gjen përpara. Në fakt, të dhënat e para të efektit të ndryshimit të kahjes janë shumë inkurajuese dhe kalimi i ndihmës ekonomike të gratë është një hap revolucionarizues për të gjithë skemën. Po ashtu edhe bonusi shtesë, si inkurajim për ndjekjen e shkollës dhe vaksinimin e fëmijëve është një tjetër hap komplementar, shumë i rëndësishëm, që është fakt sot që flasim.
Nga ana tjetër, besoj që ulja 56 % e numrit të fëmijëve të vendosur në Shtëpi Fëmije në krahasim me vitin 2013, pasi është punuar për të fuqizuar familjet më të varfra, si dhe për të forcuar shërbimin e kujdestarisë brenda familjes, duke e rritur me 300 % krahasuar me vitin 2013, është një hap tjetër shumë i rëndësishëm përpara. Ne duhet të punojmë intensivisht për të larguar sa më shumë fëmijë nga rruga e institucioneve dhe rezidencave dhe për të afruar sa më shumë fëmijë pranë kujdesit të familjeve, duke përdorur mekanizmin e stimulimit për këto familje që kujdesen për fëmijët, të rrethit familjar apo të tjerë, duke bërë kështu një aleancë me njerëz në nevojë për të pasur kujdes më të mirë për fëmijë në nevojë.
Kthimi i 20 % të fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës, pranë familjeve të tyre biologjike është një tjetër shifër domethënëse lidhur me ndryshimin që po ndodh.
Po ashtu ulja 30 % e numrit të të moshuarve që janë të vendosur në Shtëpitë e të Moshuarve, pasi për ta janë gjetur zgjidhje dhe shërbime komunitare, shkon po në këtë drejtim.
Edhe rritja me 30 % e raportimit të rasteve të dhunës dhe adresimi i këtyre rasteve është një tjetër hap që shkon në këtë drejtim. Për të mos ju marrë më shumë kohë për gjëra që i dini, do të ndalesha edhe në 2 aspekte të tjera:
Në aspektin e formalizimit të punës, që është një aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kemi, praktikisht, një shifër që as në ëndrrën më optimiste, t’ju them të drejtën, ne nuk e kemi parë si një shifër të arritshme që në vitin e parë të qeverisjes sonë që flet për 81 mijë 352 të punësuar të rinj të regjistruar. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të punësuar rishtazi, falë skemave të mbështetjes së punësimit, por falë edhe investimeve private. Një pjesë tjetër e rëndësishme janë njerëz të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë në të zezë. Janë një shifër jashtëzakonisht e konsiderueshme që tregon se ka shumë hapësirë ende për të zgjeruar bazën e personave të siguruar dhe të mbrojtur nga pikëpamja sociale, dhe për të zgjeruar bazën e punësimit në vend. Kam dëgjuar shumë cinikë që thonë: “Jo s’janë hapur vende pune; Jo këto s’janë vende pune; Jo ç’është kjo punë, etj., etj..”. Por fakti është që janë 81 mijë e 352 të punësuar të rinj, të regjistruar në librat e llogarive të këtij vendi, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat. Dhe në gjuhën e botës normale këto quhen vende pune. Sikundër, në gjuhën botën normale, puna në të zezë konsiderohet absolutisht veprimtari e dënueshme penalisht. Për këtë arsye, edhe në një ndërhyrje të re që ne po bëjmë në legjislacion, qoftë shmangia e përsëritur nga tatimet, qoftë edhe gjetja e përsëritur e një punonjësi në të zezë në një biznes do të jetë e barabartë me ndjekjen penale dhe çuarjen prapa hekurave të personit përkatës, apo të drejtuesit të kopanisë përkatëse. Sepse nuk mund të vazhdojmë në historinë e shmangieve pafund dhe e skllavërimit zinxhir që e kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pranishëm.
Tjetra lidhet me Reformën Administrative-Territoriale, që unë besoj është riformulimi më themelor dhe më i thellë që i është bërë strukturës organizative të këtij vendi në këto 20 vjet dhe që do të sjellë një transformim rrënjësor në cilësinë e shërbimit shoqëror të shtetit si supervizor, si promotor i inovacionit, si nxitës i modernizimit, si partner social në rang kombëtar, por edhe në rang vendor, dhe një ndryshim rrënjësor të territorit të veprimtarisë së shërbimeve sociale që do të jetë shumë më pranë komuniteteve dhe që do të garantojë një cilësi të re në raport me burimet e financimit, qofshin ato burime publike, qofshin ato burime private.
Duke e mbyllur, ju falënderoj nga zemra, pa lënë së nënvizuari një fakt që në fund të fundit ka një ndryshim themelor që po ndodh në Shqipëri gjatë gjithë këtij viti dhe që do të thellohet në vijim që është kalimi nga një politikë e letrave në një politike të rezultateve; nga një politikë e ligjeve dhe e prodhimit apo e superprodhimit të ligjeve në Parlament, por pa impakt në jetën e përditshme të qytetarëve, në një politike me impakt të drejtpërdrejtë në jetën përditshme të qytetarëve, duke kërkuar zbatimin rigoroz të çdo ligji që miratojmë vetë; nga një politikë që ka ardhur për vite me radhë si rezultat i nevojës për të mbajtur pushtetin dhe për të ricikluar pushtetin, në një politikë që ka në bazën e vetë konsumin e pushtetet në funksion të rezultateve dhe në funksion të interesave të qytetarëve.
Ky është një ndryshim radikal në Shqipëri!
Në Shqipëri pushtetet kanë konsumuar vetveten, por nuk janë konsumuar për t’ju dhënë qytetarëve atë që shteti mund të japë kur pushteti konsumohet në funksion të interesave kombëtare dhe të interesave të qytetarëve.
Sot po ndodh radikalisht e kundërta. Unë besoj shumë që ne jemi shumë të qartë dhe qartësia na jep vendosmërinë për ta konsumuar pushtetin në funksion të rezultateve. Këto rezultate nuk vijnë pa dhimbje, nuk vijë pa kosto, nuk vijnë pa bërë njerëz të pakënaqur, por këto rezultate janë të vetmet që na duhen. Sepse janë rezultate që flasin drejtpërdrejtë për ripërtëritjen e organizmit të shoqërisë sonë dhe për ripërtëritjen e një vendi që e kemi gjetur të shtrirë përtokë nga një kancer që ka lëshuar metastazat në gjithë sektorët. Kanceri nuk mund të shërohet me kozmetikë, nuk mund të shërohet me aspirina, as me tetraciklina, as me masazh, as duke bërë, për më keq, sikur s’ekziston. Kanceri shërohet me operacione të guximshme, me terapi intensive, me rrezatime që padyshim sjellin edhe si pasojë në momentin e parë pafuqi, por ama, rruga është e qartë dhe ngritja në këmbë e sistemit është e vetmja rrugë që ne kemi.
Nuk ndryshojmë dot popullin. Populli sillet ndryshe në sisteme të ndryshme. Nuk janë shqiptarët nga genet apo nga klima më të korruptueshëm se zviceranët, por janë sistemet e ndryshme që i bëjnë zviceranët të duken sikur janë më të ndershmit në Evropë dhe ne që të dukemi sikur jemi hajdutët e Europës. Mjafton të bënim një eksperiment; të sillnim nga 20 zviceranë dhe t’i fusim te OSHE edhe do shikonit ju se çfarë do të bënin zviceranët pas një muaji. Merrni 20 hajdutë të OSHE dhe çojini në Koorporatën e Shpërndarjes së Energjisë në Zvicër, as do t’u shkojë ndonjëherë mendja për të bërë ndonjë lidhje të paligjshme apo të marrin ndonjë lekë për të lexuar sahatin gabim. Ky është dallimi dhe këtë do të bëjmë ne. Ne do të ndryshojmë sistemin. Njerëzit i kemi dhe mjafton të kemi një sistem që inteligjencën natyrale të shqiptarëve për të zgjedhur rrugët e veta dhe shtigjet e veta në xhungël ta fusin në një rrugë ku secili të ketë mundësinë të konkurrojë dhe të fitojë me meritën e vetë.
Faleminderit!