Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e dhënë nga Prezenca e OSBE

Në fillim të viteve ’90, kur isha vetëm një njeri i lirë i këtij qyteti, habitesha në çdo rast që më ftonin në kremtime përfaqësish të huaja, me shpurën e pranishme qeveritare. E cila më dukej atëherë si një karvan krushqish që ndalej festë më festë dhe ambasadë më ambasadë për të bërë qokën e radhës, pa e fshehur gëzimin përpara tabakave të mbushura me prodhime tunduese që solli liria.

Më pas, kur u bëra dhe vetë pjesë e karvanit, vija gjithnjë me frikën se mos iu ngjaja unë njerëzve të këtij qyteti, njësoj siç më ngjanin mua krushqit e Qeverisë në këto lloj qokash, kur ende s’e kisha lënë lirinë peng në varësen e kostumit zyrtar.

Ndërsa që kur jam në detyrën që kryej, prania ime është krejt minimale dhe dëshira ime që të ndërpritet ky ritual provincial, që më kujton përshkrimet e Kadaresë për festat e konsullatave të huaja në Shqipërinë e viteve ’10-të, ’20-të të shekullit të kaluar, është maksimale. Dhe s’kam pas, të them të drejtën, rast më të mirë për ta nxjerrë në publik këtë sëkëlldi çerekshekullore, që s’është sekret, sidoqoftë, për asnjë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, po aq më tepër, ku më mirë se nën ombrellën e OSBE-së mund të ushtrohet e drejta e njeriut për t’i thënë gjërat. Sepse nën këtë ombrellë edhe kur s’jemi dakord me njëri-tjetrin nuk mërzitemi fare, sepse nuk jemi të detyruar të biem dakord siç ndodh për shembull me Bashkimin Europian, ku mërzitemi shpesh me njëri-tjetrin po s’ramë dakord. Për shembull, mbase më ndihmoni ju, po unë nuk mbaj mend një ambasador të OSBE-së që të jetë shpallur albanofob nga Qeveria në Tiranë, siç ka ndodhur deri vonë me një Komisioner të BE-së.

Por sidoqoftë nuk ishte rast i mirë për të nxjerrë sëkëlldinë, arsyeja pse në kundërshtim dhe me opinionin e Protokollit të Kryeministrisë, unë e pranova ftesën e Florianit, jo vetëm për të ardhur, por edhe për të folur. Është nder për mua që në një Ditë si kjo, miku ynë i përbashkët, Florian Rauning, figura padyshim më konsensuale shqipfolëse në jetën tonë politike, më kërkoi që të adresoja të ftuarit e tij. Nder, sepse në një Ditë si kjo, kushtuar botërisht të drejtave të njeriut, unë kam mundësinë jo vetëm ta falënderoj OSBE-në në emër të Qeverisë shqiptare, por edhe të rinënvizoj përkushtimin e plotë të kësaj Qeverie për rritjen e qëndrueshme të standardeve të lirisë në Shqipëri.

E panevojshme t’ju marr kohë për të shpjeguar, sepse këtë rritje të qëndrueshme të standardeve ne e shohim si një sfidë për t’u fituar përditë, pa harruar asnjëherë rolin kyç të OSBE-së.

E pagëzuar si Këshill për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, ku për herë të parë në 1975-wn pa dritën e diellit në Helsinki, kjo organizatë u rrit pa zhurmë, në vullnetin e dy “nunëve” të çuditshëm, që ndërkohë ishin në luftë të çuditshme me njëri-tjetrin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Sovjetik. Nga ai Këshill Konsultativ, të ndrojtur dhe si të thuash, fëmijë, të blloqeve të Luftës së Ftohtë, Karta e Parisit e ktheu në 1990-n OSBE-në në një institucion të ri, relevant për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europën e pas shembjes së Murit të Berlinit. Këtij institucioni i ra jo vetëm barra e ngushtimit të hendekut dhjetëra dhe më shumë vjeçar të mërive dhe dasive midis Europës Perëndimore dhe Lindore, por edhe detyra historike e ndjekjes së ecurisë demokratike në vendet kur barbaria komuniste kishte bërë hatanë politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht.

Mora prej René Cassin një frazë që mund të ishte përkufizimi i duhur për këdo që sot në botë e kremton këtë Ditë të shënuar, por besoj dhe në të njëjtën kohë karakterizimi i duhur i qasjes së OSBE-së në tërë këto vite mes Europës së kryer dhe Europës së pakryer, në mungesën gjithnjë e më të lexueshme të Europës së përkryer. Dorëshkruesi i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, të 10 dhjetorit 1948, dëshmitari i Holokaustit, ka thënë me pesimizmin e tij të kthjellët: “Prej kohësh nuk luftoj më për triumfin e drejtësisë, por çdo ditë rropatem që të ketë sa më pak padrejtësi”.

Në kohën që dy blloqet e mbollën filizin e OSBE-së së sotme, në 1975-ën, kur përveç Shqipërisë së Enver Hoxhës të gjithë shtetet e Europës dhe të NATO-s, nga Moska në Uashington dhe nga Lisbona në Varshavë, firmosën certifikatën e saj të lindjes, nuk ishin shumë ata që mendonin se krijesa e dobët do kishte jetë të gjatë. Besoj se kush e mendoi jetëshkurtër këtë filiz nuk e pa që, në fakt, motoja e jetës së tij ishte që në krye të herës “sa më shumë dinjitet njerëzor”, “sa më shumë të drejta progresivisht dhe paqësisht të konsoliduara, si në një anë të Murit dhe në tjetrën”. Pra sa më shumë, por jo aq më shumë, ose s’ka. Edhe Bashkimi sa Sovjetik aq sklerotik i Brezhnevit kishte kuptuar më në fund, në atë kohë, se promovimi i dinjitetit njerëzor dhe debati për të drejtat e tij themelore ishte në thelb dhe një çështje e sigurisë kolektive.

25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, epoka e ndrydhjes së dinjitetit njerëzor, ne na duket shumë e largët. Por, nga ana tjetër, mjafton të shohësh se ç ‘bëhet sot në Ukrainë dhe në Krime, ku njerëzit ndrydhen dhe shtypen mes farsash politike dhe bajonetash nacionaliste për të kuptuar se paqja dhe siguria janë gjithmonë në pikëpyetje dhe pazgjidhshmërisht të lidhura me dinjitetin, lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Dëshmitarë, më në fund të çliruar nga bëmat jonormale elektorale që u përsëritën mërzitshëm me vite, ne sot kemi mundësinë ta vlerësojmë lart ndihmesën jo gjithnjë të mirëkuptuar dhe as gjithnjë të mirëpritur të OSBE-së në kalvarin e gjatë që na u desh të kalonim deri në çlirimin e zgjedhjeve.

Po ashtu, ne sot kemi mundësinë të vlerësojmë dobishmërinë e madhe të OSBE-së në Kosovën fqinje, ku ndihma e organizatës në përkufizimin e kuadrit të minoriteteve dhe trajtimin e tyre dinjitoz e ka kthyer Kosovën në një shembull rrezatues europian për liritë dhe të drejtat e pakicave.

Në një moment kur fqinji ynë serb përgatitet të marrë Kryesinë e radhës së OSBE-së, një instrument më shumë na ofrohet për të bërë më shumë edhe në rajon, paçka se mbase jo dot aq shumë sa do të donim ne shqiptarët. Ndërsa së brendshmi, më shumë se për arbitrazhin e tejkaluar tanimë nga koha mes të djathtëve dhe të majtëve, OSBE-ja na është e çmuar për çka vazhdon të na përcjellë si ekspertizë, si opinion apo qoftë edhe si këshillë nëpërmjet një profili të saj që ndoshta është profil i ulët në raport me të tjerë partnerë të gjithzëshëm të Shqipërisë, por është padiskutim një profil plotësues dhe shumë i dobishëm.

OSBE-ja ka pasur qysh në krye të herës, ka edhe sot, besoj do të ketë gjithnjë një barrë jo të lehtë që të kujton barrën e urës. Dhe nuk ka vend më të përshtatshëm, besoj, për t’u këmbyer dhe për të këmbyer se a ç’është kjo urë, në këmbët e së cilës qëndrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut që bota celebron sot, duke vlerësuar çfarë është arritur dhe u përpjekur të kuptojë se sa ka ende për të bërë.Nuk e kisha pritur kurrë që ndërkohë që unë të flisja edhe përfaqësuesit e opozitës të mos bënin asgjë tjetër përveçse të dëgjonin. Dhe kjo është një gjë që mund të ndodhë jo vetëm nën ombrellën e OSBE-së. Kështu që faleminderit në radhë të parë opozitës, pastaj të gjithë të tjerëve.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?