Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën plenare në Kuvend

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën plenare në Kuvend:

Nëse do të ndodhte sot, çudia, që Saliu të mos fliste, do të flisja unë për Saliun. Do doja t’i uroja përpara parlamentit dhe para popullit shqiptar, një arritje që nuk besoj se tjetër figurë e politikës shqiptare do ta arrijë ndonjëherë, futjen në Hollivud. Të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin dhe sugjeroj që atë zyrën e avokatisë që ke, ta vësh në veprim për të drejtat e autorit, sepse filmi “War dogs”, pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi. Je një “war dog” i vërtetë dhe fakti që nami mbërriti deri në Hollivud është vërtet një arritje e suksesshme.

Duhet një kurajë shumë e madhe, gati-gati hollivudiane, që vetëm Saliut nuk i mungon, për të dalë këtu e për të folur siç flet, pasi e ka bërë Shqipërinë objekt dhe subjekt të një filmi hollivudian. Në trajlerin e të cilit, personazhi i dëshpëruar thotë ”qentë kanë dalë jashtë kontrollit”.

Dibra ishte një mesazh që na ka dhënë më shumë vetëdije për sa shumë detyrime kemi ndaj atyre njerëzve, ndërsa Partinë Demokratike e ka nxjerrë krejtësisht zbuluar, në mungesën e plotë të lidhjes me realitetin, të lidhjes me njerëzit dhe me sfidat e detyrat që ka opozita.

Unë kam shkëmbyer shumë mesazhe gjatë kohës së fushatës me njerëzit në Dibër dhe meqë këtu u vazhdua me alibinë e turpshme të Dibrës të mbuluar nga kanabisi dhe të trajtimit të shumicës dërrmuese të popullit sovran të Dibrës, si një tufë bagëtish të nxjerrë nga parcelat me kanabis për të votuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, e vetmja përgjigje që mund t’i jepet Saliut për mesazhet është se porosia ime ka qenë e prerë, fusni nëntokë parcelat, në çdo vend ku shfaqet cirku i Partisë Demokratike.

Një muaj rresht, Partia Demokratike, e cila u nis për në Dibër njësoj si ajo armata që shkoi drejt Waterloo-së, nuk pa dhe nuk tregoi jo një parcelë, por asnjë gjethe. Ashtu sikundër Partia Demokratike shpalli fitoren kur u mbyllën kutitë e votimit dhe përmes zonjës Tabaku na bëri thirrje të pranojmë rezultatin. Saliu dhe të gjithë bashkë kapen si i mbyturi pas gjethes së kanabisit, kur thonë që ne e dinim që kështu do të ndodhte. Nëse e dinit që kështu do ndodhte, vetëm të keni luajtur mendsh që të dilni e të shpallini fitoren, pasi mbyllen kutitë e votimit.

Nga ana tjetër nuk është një çështje që mund ta zgjidhim me debat midis nesh se është bërë kështu apo ashtu, janë mbjellë kaq apo janë mbjellë aq. Është një çështje, për të cilën është e nevojshme t’i referohemi të tretëve të besueshëm.

Unë nuk e di se çfarë mendoni ju, - ose mund ta imagjinoj se çfarë mendoni, por përderisa nuk e thoni, nuk kam të drejtë t’ju akuzoj, - për Departamentin e Shtetit, pasi kaloi këtu, paketa kushtetuese e reformës në drejtësi. Por ma ha mendja që nuk keni dot kurajë të çoheni këtu e të thoni që raportet e Departamentit të Shtetit janë të orkestruara nga karteli i drogës në Shqipëri.

Departamenti i Shtetit thotë diçka krejt tjetër nga ajo që thoni ju lidhur me luftën kundër kanabisit. E nuk e thotë në një deklaratë spontane dhe që e dimë shumë mirë, që deklaratat e Departamentit të Shtetit vetëm spontane nuk janë. Por e thotë në tre raporte rresht, të vitit 2013, 2014 dhe 2015!

Në vitin 2013, kur kanabisi u mboll nën hundët e qeverisë suaj, Departamenti i Shtetit thotë se prodhimi vendas i marijuanës mbeti i lartë për të tretin vit radhazi. Edhe pse nuk ka vlerësime zyrtare të totalit të kultivuar. Nuk thotë specifikisht për Lazaratin, por thotë prodhimi vendas në një territor si Shqipëria.

Ju lexova herën e kaluar, komunikatat e policisë, të cilat mund t’i lexojmë ne sot, por ju i kishit sekrete. Në kohën kur në Shqipëri përhapej kanabisi nga veriu në jug, ju e dini si i bënit komunikatat zyrtare. 

Në vitin 2014, kur qeveria jonë ishte përgjegjëse, ja çfarë thotë Departamenti i Shtetit për kanabisin: “Rritje dramatike e sekuestrimit të lëndëve narkotike dhe sekuestrime. Kjo i atribuohet intensifikimit të bashkëpunimit me partnerët rajonalë, sidomos me njësitë e vëzhgimit të policisë italiane, kombinuar me një angazhim më të madh nga ana e lidershipit politik dhe autoriteteve ligjzbatuese, për t’u përballur me prodhimin dhe trafikimin e marijuanës, çka çoi në një rritje të aksioneve në një rang kombëtar.”

Ju kujtoj që këtë betejë absurde këtu, që as mendjet më të sofistikuara të fantazisë hollivudiane nuk do ta konceptonin dot, e keni nisur që ditën e parë, duke u përpjekur çdo ditë të kriminalizoni Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm, mua, qeverinë, koalicionin e të gjithë bashkë.

Në vitin 2015, Departamenti thotë: “Autoritetet shqiptare kanë shënuar një vazhdimësi mbresëlënëse.”

Po flasim për Departamentin e Shtetit Amerikan, që është avangarda botërore e luftës kundër karteleve dhe kundër kultivimit të drogës në mbarë rruzullin tokësor. Ai shtet ka marrë udhëheqës me helikopter dhe i ka ngritur në ajër dhe nuk i ka lënë më të shkelin në tokën e tyre, për parcela droge. 

“Ky sukses”, - thotë Departamentit i Shtetit, - “mund t’i atribuohet bashkëpunimit të vazhdueshëm rajonal me policinë italiane dhe një përkushtimi maksimal nga lidershipi politik dhe policor për të përcaktuar përparësitë në luftën kundër drogës.”

Në kohën tuaj, ju bëtë publik dhe i vutë vulën e një republike autonome, një fenomeni që u quajt Lazarat. Ndërkohë, gjithë pjesën tjetër të territorit ku u shtri vit pas viti, siç thotë Departamenti i Shtetit, tre vjet radhazi deri në vitin 2013, kultivimi i marijuanës, e mbajtët sekret, në komunikata sekrete të Policisë së Shtetit. Çka bëri që gjithçka të ishte larg vëmendjes së publikut, larg syve të mediave dhe larg debatit.

Ne goditëm Lazaratin, rrafshuam për tokë, bankën tuaj të parasë së zezë dhe hapëm kutinë e Pandorës. Ne nuk kemi sekrete ndaj shqiptarëve. Ne kemi komunikata policie të përditshme, transparente, për gjithë këtë fenomen, si për çdo gjë tjetër.

Ju arritët në qeverinë tuaj, në mandatin tuaj të dytë, që kur njerëzit vinin e denonconin në polici për vjedhje shtëpie, vjedhje sendesh, biçiklete, motori etj., ju as nuk i shënonit fare. Ju i quanit këto, pjesë e jetës. Ndërsa ne shënojmë çdo gjë dhe e ndajmë çdo gjë me publikun. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë; Jemi ndryshe nga ju!

Ne nuk shohim deri tek hunda jonë. Për ne, ato karrige aty nuk janë vende për të ndenjur rehat, për të vegjetuar dhe për t’i shkelur syrin, majtas e djathtas, në çdo sektor, shkelësve të ligjit, apo në tërësi për të bërë atë që bëtë ju, asnjë reformë strukturore reale, duke e lënë çdo sektor në mjerimin më të madh dhe duke e çuar Shqipërinë në prag të një falimenti financiar.

Ne kemi bërë një zgjedhje tjetër.

Në zgjedhjen që kemi bërë, ne do të vazhdojmë të përballemi edhe me baltën tuaj, sepse ne kemi një besim tjetër tek shqiptarët.

Jua kam thënë që ditën e parë se problemi juaj më i madh është që shqiptarët i merrni për budallenj. E problemi juaj shtrihet më tutje, kur ju, jo vetëm që e mendoni, por edhe e thoni që, kur shqiptarët nuk votojnë siç keni qejf ju, e kanë fajin ata. Dhe arritët kulmin me Dibrën.

Për drogën ka edhe të dhëna krahasimore. Nuk janë të dhënat krahasimore të administratës së Ministrisë së Brendshme, por të Guardia di Finanza, të cilën nuk besoj ta përfshini në organizatat e kapura nga karteli i drogës, e cila bashkëpunon ngushtësisht në luftën kundër drogës me DEA-n amerikane dhe me të gjitha institucionet e tjera të luftës kundër këtij fenomeni në rajonin tonë. 

Guardia di Finanza raporton shprehimisht: “Një sipërfaqe të kultivuar në 2015-n, me bimë narkotike, 8 herë më pak sesa sipërfaqja e viti 2013.”

 

8 herë më pak! Dhe e dini çdo me thënë 8 herë më pak se sipërfaqja e viti 2013, e cila nga Departamenti i Shtetit  konsiderohet vazhdë e vitit 2012 dhe vitit 2011. 

E pastaj, Guardia di Finanza raporton që në këtë sipërfaqe, 8 herë më pak sesa ajo e vitit 2013, janë shkatërruar nga Policia e Shteti, 99.6% e sipërfaqes.

Këto nuk janë shifra që prodhohen, siç prodhohej rritja dyshifrore në INSTAT-in e Saliut. Këto janë shifra që prodhohen bazuar mbi fotografime ajrore. Fotografime të bëra përpara, fotografime të bëra mbrapa. Ndërkohë që, nëse sipërfaqja, thotë Guardia di Finanza, “në 2015-ën ishte 44 hektarë”, e dini sa ishte në vitin 2013, sipërfaqja e mbjellë në kohën kur qeverisnit ju? 323 hektarë. E nëse në 44 hektarë, Policia e Shtetit shkatërroi 99.6%, në 2013-ën faktikisht u shkatërrua vetëm 7.5%.

Vetëm Guardia di Finanza, në 2 vitet e para të qeverisjes sonë, - ata nuk thonë qeverisja jonë, por flasin për këtë qeverisje – u asgjësuan mbi 46% më shumë bimë narkotike, krahasuar me të gjitha vitet e qeverisjes Berisha, të marra së bashku.

Po ju them edhe se për pak ditë do të dalë raporti zyrtar i Guardia di Finanza. Po jap një shifër dhe pastaj të sfidoj [zonja Topalli], siç të sfidova me fotografinë e maturantes që tregove këtu dhe dole blof – mirë që dole blof, por nuk e pate atë kurajën që të karakterizon kur lufton me komunizmin, që të thoshe “këtë herë e pata unë gabim”. Mbaje mend këtë shifër, shënoje.

Guardia di Finanza do të raportojë që sasia e drogës e kultivuar këtë vit është 10 herë më pak sesa vitin e kaluar, si sasi, jo si sipërfaqe. Por këto janë detaje që i shpjegon vetë Guardia di Finanza.

Për arsye se, të terrorizuar nga lufta e përditshme, sistematike e Policisë së Shtetit, ata që merren me këtë punë kanë menduar të ndryshojnë farën, duke shpresuar se do të mund ta kultivojnë më shpejt dhe duke pranuar të marrin më pak. Ky është një detaj.

“Qeshu rini, qeshu se bota është e jotja”, - thoshte Musa Ulqini në kohën kur lexonte Migjenin. Kështu që të presim Guardia di Finanza, që të mos e zgjasim më këtë punën e kanabisit, se me ju është e kotë. Shikoni një avion atje në fotografi, - është e vërtetë, ka rënë, - dëgjon Flamurin [Noka] që thotë ishte plot. Ku e pa Flamuri, se Flamuri ishte këtu me ty, zonja Topalli. Ishte plot, thotë dhe fillon e tund. Lëre Flamurin të tundi flamurin.

Përsa i përket Dibrës, nuk keni lënë rast, në mënyrën më të ulët, pa nxjerrë shpatën e përçarjes veri-jug. E nuk keni lënë rast,  pa thënë që Edi Rama fyeu veriorët këtu, fyeu veriorët atje, duke shtrembëruar, ndërkohë që keni dalë zyrtarisht, me gojën e drejtuesit të partisë suaj pas shuplakës spektakolare që ju dha populli i Dibrës dhe keni fyer një popull të tërë, duke e trajtuar si të lidhur me krimin.

Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë këtë. Të paktën memoria ime nuk ma kujton që pas një palë zgjedhjeje, një forcë politike, - as ju nuk e keni bërë, siç kujtoj unë, as ne nuk e kemi bërë ndonjë herë, - të thotë “falënderojmë votuesit tanë” dhe t’i thotë me numër dhe pastaj të mbajë një ligjëratë të tërë, duke ofenduar votuesit e tjerë. Duke i trajtuar sikur të ishin të gjithë skllevër, apo bashkëpunëtorë, apo punëtorë me mëditje, apo bagëti në parcelat e drogës. Akoma nuk ju kam dëgjuar të thoni asnjë fjalë për këtë dhe nuk do të thoni. Por ju siguroj që edhe për këtë, shumë shpejt, në qershor do ta merrni përgjigjen, jo nga unë –  se as unë dhe askush nga ne këtu nuk i ka bërë ditët, kur thotë populli, të verë në vend dinjitetin e atij populli atje. Do ta shikoni me sytë e tuaj në qershor të 2017-ës, sesi do ta merrni përgjigjen për këtë fyerje masive, që i bëtë popullit të Dibrës.

Sikur Shqipëria të ishte ky vend, ose të ngjante me këtë vend që ju përpiqeni të tregoni përditë, si do të ishte e mundur që SHBA, fuqia pararojë e luftës globale kundër drogës, të nxirrte raporte të tilla, miratuese, për betejën tonë dhe të mos shprehte asnjë shqetësim tjetër, përveç shqetësimit si të thellohet më tutje kjo luftë?!

Si do të ishte e mundur që ne të ishim në Bruksel, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, me Komisionerin Hahn, pak ditë përpara dhe kur nga përfaqësuesja juaj u përmend kanabisi, të vinte vërtet zor të shihje të tjerët të shikonin njëri-tjetrin dhe të buzëqeshnin, ndërkohë që pjesa serioze e bisedës ishte e qartë: Shqipëria meriton të marrë një mbështetje të plotë për ato që ka bërë dhe ne me plot të drejtë presim rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në, në një kohë kaq të vështirë, kaq të ngatërruar, kaq komplekse. Një kohë kur për arsye krejt të veta, Bashkimi Europian mund të thoshte ju mirë e keni bërë këtë punë, por ne nuk jemi këtu, në kohën që diskutojmë zgjerimin e mëtejshëm, se ju e dini kemi hallet tona dhe nuk do ishte asnjë lloj skandali.

Si lidhen këto të dyja bashkë?! Si është e mundur që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, që nuk të falin as për gjëra shumë më të vogla se kaq, të mund të jenë kaq indiferentë, përballë kësaj kataklizmoje me të cilën ju përpiqeni t’u hidhni trutë e gomarit shqiptarëve, çdo ditë!

Një fjalë, një shqetësim, një prononcim, qoftë edhe spontan, që ky është një fenomen, i cili po bëhet shqetësues në Shqipëri, as nuk e kemi dëgjuar dhe as mos prit ta dëgjosh. Ne jemi kushtet, kur realisht kemi një shans historik për të marrë rekomandimin dhe për të filluar të përgatitemi seriozisht që vitin e ardhshëm të ulemi në tavolinë dhe të negociojmë me Bashkimin Europian, hyrjen tonë në familjen europiane.

Çfarë mund t’i kërkohet më shumë një koalicioni qeverisës, i cili e nisi tek refuzimi i plotë për të diskutuar statusin e kandidatit dhe që e mbyll me rekomandim për të hapur negociatat! Midis këtyre të dyjave është një rrugë e tërë me përpjekje, me punë, me arritje, që tregojnë pa as më të voglin dyshim që Shqipëria shkon në drejtimin e duhur, por sigurisht pa as më të voglin dyshim ka plot gropa të hapura në të shkuarën, ka plot probleme të trashëguara, me të cilët ne do të vazhdojmë të përballemi, ka plot halle dhe dhimbje, të cilat ne nuk kemi mundur t’i kurojmë.

Por këto mund të na i thonë ata që gdhihen dhe ngrysen me dhimbje. Këto nuk mund të na i tregoni ju. Nuk mund të na i tregojë ai zotëria që dukej sikur kishte dalë nga ndonjë pikë bastesh, pasi i kishte lënë të gjitha paratë, duke ëndërruar fitoren e pamundur të ndonjë skuadre andej nga Azia. Këto nuk mund të na i thoni ju, që vazhdoni flisni e flisni dhe ende jetoni me bindjen se në vitin 2013, populli gaboi.

Vazhdoni të flisni e të flisni dhe një herë nuk morët përsipër të thoshit një gjë të vetme, se ku gabuat ju, por kaloni nga goditja në goditje. Vetë popullit i thatë në 2013-n se nuk morën vesh shqiptarët se për kë votuan dhe i thatë sërish të dielën se ju që votuat jeni të gjithë pjesë e një grafiku kriminal. Bëtë për bashkëpunëtorë të krimit, familje të persekutuara denbabaden, në zona të thella të Dibrës, që për herë të parë na votuan neve, sepse ju ka ardhur shpirti në majë të hundës nga ju. Familjeve që kanë bërë nga 300 vjet burg për shtëpi do u thoni që u bashkuan me krimin?! Do i thoni që përfitojnë nga droga, apo se i nxjerrin të ardhurat nga parcelat?!

Ia thatë të gjitha këto përmes personalisht drejtuesit të partisë suaj.

Ka një nen rregullorja, neni 67, që thotë se deputetët gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe në seancë zyrtare të paraqiten me veshje zyrtare. Përtej të gjitha lirive të shfrenuara dhe lirive të pakufizuara që ka marrë krahu këtej, i cili ka pafytyrësinë të çohet këtu dhe të lëshojë njëmijë e një akuza dhe ofendime, me libër shtëpie, të paktën të kufizojmë shfaqen në këtë sallë të parlamentit, të trupave të pavetëdijshëm se ku janë dhe që vijnë tamam sikur janë në ndonjë nga ato parlamentet e Kolumbisë së dikurshme dhe shfaqen aty me forcën e pakufishme të të shëmtuarës. Kjo nuk duhet të ndodhë!

Duke e mbyllur, edhe dy fjalë për 1200 punëtorët e rafinerisë në Fier, që kanë ardhur në mënyrë të përsëritur edhe tek dera e Kryetarit të Kuvendit, edhe tek dera ime. Janë shtrirë në rrugë përpara Kryeministrisë, janë shtrirë në rrugë edhe para Parlamentit, sepse nuk merrnin rrogat. Dëshmia e dyqaneve të bukës në atë zonë është dëshmia më rrëqethëse që mund të gjendet për katandisjen e një grupi të tërë shoqëror, për shkak të privatizimeve kriminale dhe për shkak të dorëzimit kriminal të pasurisë kombëtare në duar të zhytura fund e krye, në llumin e krimit ndërkombëtar financiar.

Ne sot jemi shumë krenarë, që ata punëtorë, ata prindër janë në punë. Jemi shumë krenarë që jo vetëm janë në punë, por që marrin një më një, çdo qindarkë të prapambetur nga rrogat e së kaluarës.

Ndërkohë që është e pabesueshme që Partia Demokratike, e cila ka pasur qeverinë dhe e ktheu atë zonë “mish për top”, e rrënoi atë qendër prodhimi duke e privatizuar, vjen këtu dhe kërkon llogari tek qeveria, pse ajo është në dorë të privatit. Në dorë të kujt të jetë! Është në dorë të investitorëve që kanë shlyer një më një, borxhet ndaj bankave, sepse kishte mbetur në derën e bankave me një likuiditet marramendës të munguar dhe rrezikonte të merrte me vete edhe banka ku janë shumë e shumë të tjerë që kanë paratë dhe interesat  e  tyre.

Ja në këtë botë skizofrenike jetojmë ne, në politikën shqiptare, midis realitetit të gjerave dhe gjithë propagandës së shfrenuar të atyre që i dhanë titullin filmit të Hollivudit, “War Dogs”, nga dita e parë deri sot. “War dogs” pa asnjë lloj lidhje me realitetin, me njerëzit, me problemet, lëre më për të ardhur këtu dhe për të dhënë zgjidhje. Si mund të jetë opozitë, një forcë politike që normalisht mund të shprehë mosdakortësi me mënyrën sesi u zgjidh problemi i qendrës prodhuese në Ballsh, por, minimalisht, së pari nuk duhet të gënjejë në mënyrë aq vulgare mbi të vërtetën, mbi faktin që ajo ishte në duar privatësh që ikën në drejtim të paditur e që sot janë në kërkim dhe nga ana tjetër të thotë si mund të bëhej më mirë kjo punë. Por nga ta dinë këta sesi bëhet më mirë! Mos nuk e patën këta në dorë Shqipërinë dhe nuk e treguan se çfarë dinë të bëjnë! Ata dinë të bëjnë shtetin “rrush e kumbulla” dhe historia e këtyre 25 viteve flet shumë qartë. Këta vijnë në pushtet për të shkatërruar dhe pastaj, pjesa tjetër rikthehet për të rindërtuar.

Ky është një proces rindërtimi që nuk ndalet dhe keqardhja e madhe është që sigurisht, nëse ne do të kishim një opozitë reale, do të ishim të sfiduar realisht, por nuk kemi opozitë reale që na sfidon realisht. Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli, puna jonë nuk është një punë pa të sharë. Puna jonë ka shumë arsye për t’u kritikuar, por as kjo opozitë dhe as opozita embrionale, lart e poshtë, nuk kanë lidhje me realitetin. Prandaj ne duhet të jemi jo vetëm qeveria, por edhe opozita më serioze e vetvetes, duke nisur nga Dibra ku duhet të marrim vetëm një mesazh, sa më shumë përkushtim, sa më shumë shërbim dhe sa më shumë bashkëpunim me Dibrën, për të çliruar Dibrën që nga ryshfeti i vogël, deri tek izolimi i madh i gjithë këtyre viteve, për shkak të mungesës së rrugës së Arbrit.

Ju faleminderit! 

* * *

Nuk e kuptoj që një njeri i lirë të thotë atë që do dhe më pas të mos dëgjojë mbi atë që tha. Do i thosha Astritit [Patozit] që në përshkrimin që bëri mes të madhit të të mëdhenjve e të voglit të të vegjëlve, çdo analist teksti do ta kapte në një mëkat frojdjan, sepse e parafytyroi veten si Gjergj Elez Alia, duke më dhënë mua benefitin e Bajlozit. Por, në fakt, gjithçka tha ishte vetëm një vetëlavdërim si Gjergji me 9 plagë, që nxori topuzin këtu në Parlament, duke thënë gjëra që realisht më konfuzojnë për inteligjencën e tij.

Unë fola me fakte, jo fakte me autorësinë time, apo fakte me autorësinë e Ministrit të Brendshëm apo të Policisë së Shtetit. Por fakte me autorësinë e Departamentit Amerikan të Shtetit. E përsëri më duhet ta nënvizoj, e Departamentit të Shtetit që është pararoja botërore e luftës globale kundër fenomenit të drogës.

Çfarë arsye në botë ka DASH, që të shkruajë për dy vite radhazi, për vitin 2014 dhe vitin 2015, raporte ku në adresë të qeverisë shqiptare, lidhur me luftën kundër kanabisit përdoret fjala mbresëlënëse? Apo ku nënvizohet nga DASH, në raportin e vitit 2015, përkushtimi maksimal i lidershipit politik.

Ku qëndron e vërteta midis këtyre dy skajeve? Sepse i madhi i të mëdhenjve në këtë punë nuk jam unë, është Departamenti i Shtetit. Ai është i madhi i të mëdhenjve në luftën globale kundër drogës. Dhe Astriti, si më i vogli i të vegjëlve, në fakt foli siç flet më i madhi i të vegjëlve, nuk tha asgjë ndryshe. Lirinë e tij nuk e pashë asgjëkund, sepse nuk pashë asnjë dallim midis çfarë tha Astriti e çfarë tha Saliu dhe çfarë tha Luli, edhe pse Luli, në fakt, mes Astriti e Saliut është ai që ha përshesh.

Përmendët Korçën. Ka një shprehje në strategjinë e komunikimit, që thotë “Fake it until you make it”, pra, falsifikoje deri sa ta bësh reale. Domethënë, përsërite e përsërite një gënjeshtër, deri sa të gjithë ta besojnë që ajo është e vërtetë. E kjo është ajo që përpiqet të bëjë Partia Demokratike, prej tre vitesh. Përsërisin pa pushim akuzat, që populli të fillojë të besojë se po thonë të vërtetën. Korça është një fakt i qartë dhe i vërtetuar. Nuk jepeshin para për të blerë vota. Paguhej udhëtimi i eurosocialistëve korçare, për të ardhur në Korçë, nga Tirana, për të votuar.

 Astriti si njeri i lirë le ta thotë lirisht. Kur Partia Demokratike mbledh njerëzit nëpër mitingje, ata që vijnë me dy gishta lart në Tiranë, paguajnë biletën e autobusit? Janë pasagjerë që nxjerrin lekë nga xhepi, që të vijnë të luftojnë me krimin këtu në Tiranë?

Dhe e rendit si një nga krimet elektorale, diçka që është gjëja më banale që ndodh në Shqipëri, prej 25 vitesh.

Kanë ardhur në Dibër, votues dibranë nga zona rreth Tiranës, edhe për Muharrem Ramën, edhe për Sherefedin Shehun. Mund të thotë dikush nga ju, që ata që erdhën për Sherefedinin, paguan biletën nga pasioni për të mbështetur kandidatin intelektualo-akademik, të importuar nga Tirana, duke i prishur edhe qetësinë familjare, të ndjekur mbrapa nga qindra njerëz, që atje në Dibër pyesnin po këta kush janë? Kanë ardhur me mjete të paguara nga Partia Demokratike.

Nga ana tjetër, Astriti bëri një thirrje solemne për vullnet kombëtar. Çfarë vullneti kombëtar mund të ngrihet mbi gënjeshtrat, mbi shpifjet, mbi të vërtetat abuzive që përsëriten çdo ditë! Si mund të ngresh një vullnet kombëtar, kur, se çfarë ka brenda një avion që bie, e përcakton Flamur Noka, këtu! Si mund të ngresh një vullnet kombëtar të përbashkët, me një opozitë që bën vetëm një gjë, nxjerr çdo mëngjes thikën dhe ia rrotullon shqiptarëve në plagë! Njësoj si një mjek me një të sëmurë, që në vend që ta ndihmojë, ta kurojë, ta shpëtojë, i thotë, prit se do shkosh më keq.

Sali, foli Astriti në emrin tënd, por mos ki merak, foli njësoj si ty. Ai tha jam njeri i lirë, por është e qartë se lirinë e tij e mat ti me kilometrazh.

Akuza të ngritura në hava, apo të bazuara tek komuniteti i qytetarëve dixhitalë, që kanë zbuluar një sport. Disa nga maturantët kur i takova në Kryeministri më treguan ato që i shkruanin Saliut për estradë dhe që ai u përgjigjej: rezisto. Ndërkohë ata kishin fituar shkollën.

Këto akuza janë thjesht dhe vetëm një degjenerim i vazhdueshëm i kësaj opozite. Astriti tha që ne do kishim bërë mirë të mos e fitonim Dibrën, pra, ta bënim me qëllim, t’i linim këta ta fitonin, që ne t’u thoshim që kur ju fitoni, fitoni.

A ka njeri që më ndihmon, çfarë logjike është kjo! Ashtu sikundër, a ka njeri të më thotë se për çfarë duhet ta votonte Dibra, Partinë Demokratike! Këta nuk ia bëjnë vetes këtë pyetje: Për çfarë duhet ta votojë Dibra Partinë Demokratike? Një arsye pse dibranët duhet të votonin Partinë Demokratike dhe kandidatin e importuar nga Tirana. Do të besonin në çfarë? Që Sherefedini do të ndërtonte stadiumin, jo me lekë, por me vizion, në bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin Basha?  

Do besonin në faktin që Bashkia e Dibrës do ua paguante faturat e energjisë të gjithë dibranëve, siç premtoi kandidati, ndërkohë që Lulzimi rrihte shpatullat! Do besonin që ata do paguanin tarifa zero për pastrim, për gjelbërim, për ndriçim dhe për të gjitha shërbimet, se këto do i paguante Sherefedini dhe bashkia me vizion! Për çfarë do ta votonin dibranët, Partinë Demokratike?!

Edhe sikur pjesa e akuzave të kishte një bazë të vërtete, ashtu sikundër unë nuk e kuptoj, si ka mundësi që vazhdojnë dhe besojnë që shqiptarët do budallallepsen deri në pikën që vërtetë të fillojnë të mendojnë që Shqipëria është bërë Kolumbi. Ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur udhëheqës, - nuk kanë qenë bashkëmoshatarë të mi, kanë qenë bashkëmoshatarë të Saliut, - kështu tha Astriti, Sali, mos e keqkupto, - nga xhaketa, me helikopter dhe i ka nxjerrë jashtë, kur vendet e tyre janë kërcënuar nga fenomeni i drogës.

Si ka mundësi që Departamenti Amerikan i Shtetit është kaq pozitiv në raportet e tij për luftën tonë kundër kanabisit! Si ka mundësi që Guardia di Finanza jep shifra konkrete, ku thotë që sipërfaqja e mbjellë në kohën e Saliut ishte 323 hektarë në gjithë Shqipërinë, ndërsa sipërfaqja e mbjellë në vitin 2015 ishte 8 herë më pak, 44 hektarë.

Sali, këto nuk i themi ne, nuk i them unë. Janë shifra të institucioneve. Ti ke një avantazh, që flet me shërbimet sekrete. Ne flasim me institucionet zyrtare. Ti pretendon që shërbimet sekrete të qahen ty dhe qajnë hallet me ty. E kuptoni se çfarë absurdi është e gjithë kjo!

Nuk është se mua më vjen keq, madje nuk më vjen keq fare. Përkundrazi! Unë nuk hyj tek ata që mund të them se jam i shenjtë dhe dua që të jeni mirë e më mirë politikisht. Këtë s’e them dot. Por sigurisht është keqardhje e madhe që ju jeni keq e më keq; poshtë e më poshtë dhe nuk keni kurajën të ndaloni një moment e të merrni frymë. Nuk është puna se po mundeni se në zgjedhjet vendore, kur në qeveri është njëra palë dhe pala tjetër në opozitë, e kemi parë edhe në të kaluarën që qeveria ka gjithmonë një avantazh, sepse njerëzit kanë prakticitetin për të thënë ne duam të zgjidhim problemet tani, nuk duam të bëjmë referendume politike, po çfarë ju duhej ai referendum në Dibër, për çfarë e shpallët?

Vërtet ju kemi mundur, por kjo s’është e mundur. Dibra nuk ju mund ju, Dibra ju nxori jashtë, ju përzuri.

Astriti flet për banda. Flamuri [Noka] shqetësohet për finesat në fjalorin tim dhe pretendon që unë të mos përkthej asnjë titull të filmit hollivudian për Saliun, ndërkohë që vetë fjalën kriminel, fjalën vrasës, fjalën mafioz, fjalët më ekstreme i kanë si buka që hanë. E këto nuk i konsiderojnë fyerje.

Kush ishin bandat në Dibër?

Në qoftë se një parti politike merr me radhë gjithë protagonistë e palës tjetër, i fut në një kallëzim dhe thotë këta janë grupi i strukturuar kriminal, ia çon prokurorisë me shpresën apo sebepin që prokuroria t’i vendosë të gjithë në përgjim dhe mbi këtë bazë të ngrihet alibia se këtu kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, ky është një skandal i paimagjinueshëm. Është njësoj si përpara çdo fushate, çdo parti të thotë “grupi i strukturuar kriminal” i Shkodrës, Jozefina Topalli, Voltana Ademi etj. dhe pastaj në fushatë, të gjithë këta të vihen në përgjim. E këta të ulen të shkruajnë “grupi kriminal i strukturuar”, se i kanë edhe gati dhe këtu të bëhet një lesh e li, që se merr vesh i pari, të dytin. Ky është grupi i strukturuar kriminal?

Në Dibër, unë shkova 3 herë. Dje flisja me njerëzit dhe e di ç’më thanë; Mirë që në çdo komunë na erdhën me njerëz që nuk i njihnim e s’i kishim parë asnjëherë, që nuk ishin as dibranë Dibre, as dibranë Tirane, as dibranë Amerike, po ato falanga të veshura me të zeza, çfarë i kishin, që xhironin gomat në bulevardin e Peshkopisë e vinin vërdallë, duke kërcënuar njerëzit rrugëve të fshatrave; Mirë se ishte mbledh çeta e ish-zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike, që Dibra shkurt e shkoqur i quan hajdutë, po të tjerë e të tjerë, ish-shefa policie, ish-shefa shërbimi e ish-shefa ushtrie, çfarë donin atje?! Çfarë ishte ai, grup i strukturuar kriminal?

E vetmi shqetësim ka qenë, nga dita e parë tek e fundit, të shmangim incidentet me këtë lloj konglomerati që fillonte me Lulin dhe mbaronte me ata të veshur me të zeza, e me lloj-lloj njerëzish që dilnin nga ferrat natën, nëpër fshatra, e kërcënonin dynjanë. Janë shmangur disa incidente, që Dibra i di. Kush e sakatoi në dru kryetarin e Njësisë Administrative të Tominit? Ishit ju, sepse dolët dhe e bëtë edhe deklaratë. Ku ka parti politike në botë të dalë e të thotë se ai meritonte më shumë, por për sot e lëmë me kaq!

Kujt ia tregoni këto, dibranëve!

Pastaj e patë “opingën e Sheros” që morët në Tomin. “Opingën e Sheros” që morët në Dibër. Kurse në 2017-ën nuk do merrni 1, por do merrni një mal me opinga të Sheros, po vazhduat me këtë histori të ulët, që është një turp i madh për këtë sallë; turp i madh për këtë politikë; turp i madh për një forcë politike, që ishte forca që lindi nga gjiri i rinisë dhe që sot rininë e ka të identifikuar me një çetë të veshur me të zeza, kokë e këmbë, me një flamur të zi, që nuk e di se çfarë është, se di çfarë janë. Rinia e Partisë Demokratike që sot rri gjithë ditën, duke u munduar të sjellë vërdallë maturantët me lloj-lloj gënjeshtrash. E talleshin maturantët atje, nuk u besonin veshëve me ato që dëgjonin nga ju. Sali, tani, opinga është për ty. ​

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen