Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend

Sali, i detyrohem avokatit, në mungesë, një replikë. Po të ishte këtu, do të të kishte recituar K.TH Spiri që thoshte: O ditëzi i punëtuar, bam me këmbë e bam me duar.  

Por unë kam pyetjen e mërzitshme: Reformën në drejtësi, Sali, do ta lejosh apo nuk do ta Partinë Demokratike ta votojë?
Dhe mos shiko çfarë të shkruan qytetari dixhital, se ia fute këtë mikrob edhe të tjerëve, që rrinë me qytetarin dixhital në xhep dhe vijnë e nxjerrin në parlament.

Më shiko në sy dhe më thuaj, përse nuk thua asnjë fjalë për reformën në drejtësi dhe përse Partia Demokratike nuk është në tryezën e komisionit, për të votuar draftin e miratuar nga Komisioni i Venecias?

Në fakt, kjo pyetje është retorike. Mjafton të shikosh se çfarë ndodh në gjykatë me atë malin e betonit, që u dha leja nga kryetari në detyrë i partisë tënde, për të kuptuar se pse ti i pari, personalisht, je krejtësisht i painteresuar që gjyqtarët dhe prokurorët në këtë vend të kalojnë në skanerin e  vetingut dhe të përgjigjen një për një, sipas normave të përcaktuar nga projekti i reformës, për të kaluarën e tyre, për vendimet, pasurinë dhe aftësinë e tyre. Si mund ta pranosh këtë, kur ke nxitur, mbështetur dhe mban në këmbë, sot  e gjithë ditën, duke penguar reformën në drejtësi, një sistem të korruptuar që bën shërbime për ty, personalisht, për njerëzit e tu, personalisht, për tarafin tënd, personalisht!

Një turp i pashoq! Një gjykatë e kapur me presh në duar, që refuzon të zbatojë më minimalen, të marrë në konsideratë konfliktin e interesit dhe të krijojë trupën për të gjykuar mbi turpin më të pashembullt që në historinë e bashkisë së Tiranës, një kryetar bashkie ka guxuar të bëjë, një mal betoni mbi digën e liqenit, që kërcënon jo vetëm parkun, por jetën e një lagjeje të tërë dhe që është konsideruar i rrezikshëm nga një komitet shtetëror specialistësh.

Edhe sot, kur gjykata kishte vendosur që me forcë të merrte vendim, u detyrua përsëri të tërhiqet, sepse një tjetër gjykatës doli klient drejtpërdrejtë, blerës i drejtpërdrejtë nga personi paditës i shtetit, kompani paditëse e shtetit. Ju që u angazhuat deri edhe me armë, për të penguar ndërtimin e një parku lodrash, nuk bëzani, përkundrazi, angazhuat presidentin e republikës, të cilin e keni kthyer në një kryetar komplementar të Partisë Demokratike, për të dalë publikisht e për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të parafytyrojë mendja normale, po të lexojë ligjin dhe po të shikojë  konfliktin e  interesit të të gjithë pjesëtarëve të saj. Si ka mundësi kjo!

Pastaj vini kujën, pse doli në protestë kryetari i bashkisë. Doli në protestë dhe bëri gjënë e duhur, se po të mos të kishte bërë atë protestë dhe po të mos e kishte ndarë me opinionin publik atë thagmë që ishte përgatitur, sot, gjykata do ta kishte zbardhur vendimin, me firmën e një trupe qartësisht të molepsur në konfliktin e  interesit.

Është çudi e madhe, sepse këtu në këtë sallë bëni të paditurin dhe mbi të gjitha në këtë mjedis ku keni vetëm një armë, kriminalizimin e  përditshëm të çdo gjëje që bën apo përpiqet të bëjë qeveria. Jeni krejtësisht hipokritë dhe në tradhti të plotë e të përditshme me popullin shqiptar. U tregoni shqiptarëve përditë broçkulla. Ndërkohë që nuk keni asnjë kapacitet për t’iu kundërvënë me alternativë, me ide liberale të djathta apo me propozime të kundërta reformave që bën qeveria, ju ka mbirë në majë të gjuhës fjala skandal. Të gjitha të ngritura mbi një hipokrizi dhe një përpjekje të përbindshme për të manipuluar opinionin publik.

Me drogën, Sali, ti më ke lidhur që kur mbolla kumbullat e kuqe. Këtu, kujtesa është e shkurtër. Këtu ka shumë njerëz që dëgjojnë dhe me të drejtë nuk mbajnë mend shumëçka. Ka qenë një kohë tjetër, kur nuk ka pasur kaq shumë televizione, nuk ka pasur kaq shumë akses në informacion të njerëzve, nuk kanë ekzistuar as rrjetet sociale dhe as qytetarët dixhitalë; Qoftë në kohën kur ti dilje si president i republikës dhe për një grup deputetësh të gjakosur në Libofshë me hu nga ty, deklaroje se “Libofsha, sot i dha tufën më të bukur me lule demokracisë”, apo qoftë edhe kur ti dilje dhe thoshe që kumbullat e kuqe që unë mbillja në rrugën e Kavajës, duke filluar përpjekjen titanike për të rikthyer erën e qytetit në Tiranë, “janë paratë e dogës”; “një kumbull e kuqe pastron 50 mijë euro të fituara nga droga”, - janë fjalët e tua këto.

Këto nuk janë fantazia ime. Unë kam fantazi, por nuk e kam atë për të përbaltur kë më del përpara dhe as për t’u marrë me gjithë familjen e kundërshtarëve. Unë fantazinë e kam për të bërë punë që ti as nuk i imagjinon dot, jo më t’i realizosh.  

Për ty,  lidhjet e mia me drogën janë shumë të vjetra. Ato i kanë rrënjët te kumbullat e kuqe në rrugën e Kavajës dhe në çdo veprimtari, në çdo punë e në çdo përpjekje tjetër që unë kam bërë dhe që ty të ka lënë në vështirësi dhe ke dashur ta përbaltësh e vetëm ta përbaltësh. Ndaj nuk më impresionon fare kjo.

Ajo që ka rëndësi për mua është që në këtë moment, kur shqiptarët, partnerët tanë, fëmijët tanë, gjenerata tjetër për të cilët unë punoj, kanë nevojë ta marrin sot, jo nesër, përgjigjen nga ky parlament, nga kjo parti, se pse nuk votohet sot, reforma në drejtësi dhe ballafaqohen me ty, me partinë tënde, me të gjithë ju këtu. Me ty që je origjinali dhe të gjitha kopjet që flasin si ty dhe që nuk sjellin asgjë të re, përveçse përsërisin këngën tënde të vjetër. Këngën e njeriut që, i dalë nga ajo shkolla e partisë tënde të parë, nuk njeh kundërshtar, por njeh vetëm armiq. Për ty dhe për shkollën tënde, cilido që del përballë nuk është një kundërshtar me të cilin mund të debatosh, por është një armik, të cilin duhet me çdo kusht e me çdo mjet ta degjenerosh. Të mungon vetëm mjeti i fundit, gjyqi për të dënuar pa avokat, atë që ke përballë.

Nuk është as e re, as e fundit dhe shumë e vjetër, e vërteta që ti je një gënjeshtar patologjik. Ja ku e ke deklaratën e EUROPOL-it dhe në anglisht. Por mund ta google-osh, meqenëse nuk më sheh dot në sy. Lexoje! Por edhe sesi lexon, të kam parë vetë, kur unë dhe ti kemi dalë bashkë këtu në këtë foltore dhe t’i shtoje e hiqje mbi tekstin si mbas nevojave të partisë.

Kjo është deklarata e EUROPOL-it dhe thotë: “Në 9 maj 2016, 17 individë, 11 grekë dhe 6 shqiptarë nga një rrjet kriminal i organizuar, i përfshirë në një trafik në shkallë të gjerë, u arrestuan në një operacion të koordinuar të agjencive ligjzbatuese, të udhëhequr nga Greqia dhe të mbështetur nga Shqipëria Belgjika dhe EUROPOL-i.”

Po i mëson keq edhe kopjet e tua. Origjinali je vetëm ti, por në duar ke vetëm produkte të falsifikuara.

Unë mbaj përgjegjësi të plotë për këtë. Deklaratën e ke të printuar direkt nga website i EUROPOL-it.

Besoj që me të mbaruar prokuroria, hetimin për mjetin e përgjimit, përsëri në gjuhë të huaj do të lexosh të vërtetën.

Të tjerët që na dëgjojnë, ndërkohë e verifikojnë vetë këtë që thashë. Nuk ka asgjë origjinale në duart e Saliut. Është vetëm Saliu origjinali, gjithçka tjetër është produkt i falsifikuar dhe për këtë, e përsëris, jam dëshmitar, pasi kemi qenë të dy këtu dhe kam lexuar bashkë me ty të njëjtin tekst dhe të pashë sesi e lexon. Gjithsesi ka të tretë që gjykojnë dhe kjo është shumë e thjeshtë, mjafton të shkojnë në website-n e EUROPOL-it dhe të kuptojnë se kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen.

Nuk është vetëm kjo, është më shumë se kaq. Në çdo gjë, vetëm gënjeni, vetëm shpifni dhe vetëm baltosni. Flisni këtu për drejtorët; ky drejtori këtu, ai drejtori atje, ndërkohë që vetëm një propozim kemi bërë ne për ligjin e dekriminalizimin; përfshirjen në ligj edhe të të gjithë administratës publike ose shtetërore. E kemi kërkuar ne, përfshirjen në ligj të të gjithë administratës publike ose shtetërore, pra, shërbimin civil ose jo, që të jetë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Përpjekjet tuaja për të kriminalizuar Partinë Socialiste, për ta treguar Partinë Socialiste si vendin ku gëlojnë kriminelët, janë përpjekje të dëshpëruara, që mund të përfshijnë vetëm të dëshpëruarit, jo njerëzit e arsyeshëm.

Unë besoj që populli shqiptar nuk ka nevojë për ndihmën tonë për të kuptuar se kush është e vërteta kur flet ti, kur flasin kopjet e tua, apo kur flasim ne. Ne i marrim kohë, energji dhe e rraskapitim në një të enjte që është ditë e zezë për të vërtetën, ditë e zezë për çdo moral njerëzor, qytetar, politik. Ditë e zezë për çdokënd që ka marrë nga populli qoftë edhe një votë dhe që ushqen çdo të enjte, këtë batërdi të pashembullt, që na tregon ne si njerëz me bisht, jo si deputetë, jo si të zgjedhur  të shqiptarëve për të çuar përpara axhendën e reformave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Ti nuk e do reformën në drejtësi. Ti dhe këta, por këta janë më të pafajshëm se nuk mbajnë përgjegjësi për atë që thonë. Ata e kanë bërë paktin me ty dhe e kanë treguar në rrugën e tyre drejt ngjitjes, se çfarë kostoje ju është dashur të paguajnë me ndërgjegjen e tyre, me raportin e tyre me të vërtetën dhe me mekanizmin e arsyetimit të qenies së gjallë, për të marrë mbështetjen tënde dhe për t’u bërë këtu, përfaqësues të të gjithë atyre që duan një të djathtë, por që ju kujtoni se mund t’i mbani vetëm me djathë. Është turp!

Nuk ka më turp që flisni e vetëm flisni për kriminelët, banditët, krimi, droga dhe nuk bëni gjënë e parë që bën kushdo qoftë individ, grup, shoqatë, komunitet, parti, që ndihet nën kërcënimin e padrejtësisë të krimit e korrupsionit: Reformën në Drejtësi.

Ju nuk kërkoni të forcohet ai pushtet që i jep fund spekulimeve dhe që merr vendime mbi bazës e Kushtetutës e ligjit, për të thënë se kush janë ata që duhet të jenë të lirë dhe kush janë ata që meritojnë të ndëshkohen, apo të shkojnë në burg. Juve ju pëlqen ky kaos, kjo kënetë e ky batak që e keni krijuar për vite të tëra dhe ku pjesa më e zymtë dhe më e zezë është pikërisht sistemi i drejtësisë.

Nëse sistemi i drejtësisë del nga bataku e këneta dhe bëhet realisht, vendi ku i jepet përgjigje të gjitha akuzave, pretendimeve, shpifjeve e fyerjeve, ju mbeteni pa punë dhe do të ndryshoni katërçipërisht, mënyrën e të kuptuarit dhe të të bërit të politikës. Jo vetëm kaq, por ju mbeteni plotësisht të ekspozuar përballë rrezikut që të përballeni me të kaluarën tuaj. Një të kaluar që në aq shumë vite sa qëndruat në qeveri keni plot për të fshehur dhe për të qenë të trembur.

Historia midis nesh është shumë e thjeshtë, ne bëjmë reforma, ju flisni për skandale. Unë e kam thënë dhe e përsëris: Një parti politike, një shumicë qeverisëse, një qeveri nuk gjykohet nga sjellja e një individi apo e një individi tjetër, por gjykohet nga kapaciteti i tyre reagues ndaj çdo sjelljeje dhe ndaj çdo vepre që cenon parimësinë, qoftë morale, pa diskutim edhe ligjore, kur është cenuar vetë ligji.

Vini këtu dhe numëroni të kapurit. A thua se i kapët ju! Vini këtu e numëroni ata që ne, me kapacitetin tonë reagues, i kemi çuar përpara bankës së të akuzuarve, apo i kemi sikterisur nga Partia Socialiste. Për çfarë i gjykoni? Përgjegjësia e gjithkujt është individuale. Nuk ka përgjegjësi kolektive. Mbi të gjitha, baltosje e kundërshtarëve për shkak të një “X” apo “Y”, ndaj të cilëve, kundërshtarët kanë reaguar siç ju as nuk do t’u shkonte mendja.

Ke mbajtur në detyrë drejtorin e Tatimeve, me arrest shtëpie dhe ke thënë se “ky është shteti i gjykatave. Unë pres vendimin përfundimtar të gjykatës”. Me arrest shtëpie, me pranga dhe e mbaje akoma në detyrë!  Madje ka pasur edhe raste, - shumë pak për fat të keq, dy apo tre, në mijëra raste që ju keni marrë nëpër gojë e nuk keni lënë njeri pa shpifur e akuzuar, - që kur janë verifikuar si të vërteta, i kemi sikterisur ne nga detyrat shtetërore. Por kur e bëjmë ne, jemi Stalini, kur flisni ju, jeni demokracia.

Harrojeni se ka shqiptar me mend në kokë që të lidhë trafiqet e drogës dhe heronjtë e zinj të botës së narkotrafikut me mua. Por ju, që e keni filluar me kumbullat e kuqe, vazhdoni ecni përpara dhe çdo person që shpallet në kërkim, që kapet apo arrestohet nga policia, çdo person për të cilin policia bashkëpunon me partnerët konsiderojeni drejtpërdrejt të lidhur me mua. Në fakt provoni vetëm një gjë, atë që e kam thënë gjithmonë dhe nuk e kam nga vetja: Kur dikush të akuzon për diçka që se ke bërë, është në gjendje ta bëjë vetë. Mua nuk do më shkonte fantazia që dikujt mund t’i futen 5 mijë euro në gojë. Ti që e thua, kushedi sa herë e ke bërë këtë punë.

Kam shumë frikë se ju nuk e doni reformën edhe për një arsye tjetër. Ju e dini shumë mirë që miratimi i paketës kushtetuese dhe fillimi i implementimit të reformës hap dyert për negociatat.

Dëgjova këtu zonjën Topalli që paturpësisht tha sikur unë paskam thënë të mos jepen viza për shqiptarët, se shqiptarët janë kriminelë dhe sikur 1 milionë kriminelë shqiptarë do ju vijnë atje. Në fakt do të kisha dashur që të kishit bërë për Shqipërinë në sytë e botës, aq sa po bëj unë, jo më shumë. Do kisha qenë vërtet shumë i lumtur që, pavarësisht ndasive e hendekut që na ndan, të kishit bërë për Shqipërinë në sytë e botës, aq sa po bëj unë.

Reforma në drejtësi është mbi të gjithë ne, si një imperativ për të cilin jo vetëm jemi të detyruar dhe jam i detyruar t’ju dëgjoj më shumë sesa zakonisht, të rri në këtë sallë më shumë se zakonisht. Madje ju kemi bërë dhe po jua përsëris edhe sot, një ftesë dhe është e hapur: Uluni një orë e më parë të zgjidhim këtë ngërç, që është një tradhti e madhe ndaj Shqipërisë dhe gjeneratës tjetër, në qoftë do të mbysë reformën.

Dua t’ua bëj të qartë të gjithëve atyre që thonë referendum për reformën. Referendumi nuk bëhet vetëm me votat e shumicës. Pavarësisht se kemi shumicë të cilësuar, nuk kemi shumicën kushtetuese për të bërë referendumin. Kjo është arsyeja pse ju bëni kokëfortësisht të fortin, duke e penguar dhe zvarritur reformën në drejtësi. Kjo është arsyeja, pse ju nuk e fshihni dot pathosin entuziast, kur ju del diçka që të kapeni dhe kapeni me çdo gjë që del përpara, duke u munduar ta ktheni në një kauzë të madhe që të shtyni javën. Pastaj të prisni javën tjetër që të dalë një gjë tjetër dhe pastaj një tjetër. Ndërkohë, këto janë javët për të bërë reformën në drejtësi.

Ato që ju quani skandale, neve nuk na del asnjë skandal, sepse, nëse është skandal që ne të bashkëpunojmë me partnerët për të neutralizuar një rrjet trafiku, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandale të tilla; nëse është skandal që ne të mbajmë qëndrim të menjëhershëm ndaj kujtdo që shkel vijën, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandale të tilla; nëse është skandal që ne të bashkëpunojmë me partnerët tanë më të ngushtë në çështjet e rritjes së kapaciteteve të policisë qysh nga viti 1991, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandale të tilla. Ju i quani skandale, ne këto i quajmë detyra.

Prandaj Sali bëhu burrë, çohu këtu e fol për reformën në drejtësi. Thuaj ç’të duash, por hape gojën - që e ke 360 gradë - edhe për reformën në drejtësi. Nuk lë gjë, pikë e presje në 360 gradë pa nënvizuar këtu, por sesi të rrëshqet dhe nuk ta kap gjuha reformën në drejtësi! Dil këtu e thuaj, a do ta bësh apo nuk do ta bësh të mundur që partia jote që e ke lënë rrugëve, siç le rrugët e Shqipërisë, të votojë reformën në drejtësi?

Për të gjitha të tjerat, sa më shumë të flasësh ti e kopjet e tua, aq më shumë tregoni vetëm dëshpërimin, ngërçin e katandisjen tuaj. Ngritët një Shqipëri të tërë në këmbë se po përgjoheni. Ju duket sikur përgjoheni, por në fakt është e gjitha një flluskë nga to flluskat tuaja, që janë ofendim për ata që ju kanë votuar, ju dëgjojnë dhe që kanë detyrimin e  brendshëm t’ju besojnë edhe kur flisni broçkulla.

Një burrë i vjetër në Vlorë ishte mërzitur shumë për faktin që Saliu doli këtu seancën e shkuar dhe përgojoi Ali Asllanin. Ai më kërkonte llogari se pse unë nuk i isha përgjigjur. Për çfarë t’i përgjigjem përpara!

Në fund i thashë se çfarë do donte që t’i them në rrugë jo dixhitale, se unë nuk përdor rrugët dixhitale për të dalë e për t’u qaravitur para parlamentit. Më porositi të të citoj Ali Asllanin, ty personalisht. E ke telegram nga një burrë i vjetër nga Vlora: Dhe zotrote kapardise, diç kujton e diç pandeh kundër njerëzve të vërtetë zë e vjell e zë e leh.​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar