Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin për luftën kundër informalitetit:


Përshëndetje të gjithëve!
Kjo besoj ishte një ditë e vlefshme për të përcjellë tek publiku një tërësi informacionesh që janë shumë të nevojshme, për të perceptuar impaktin e operacionit kundër informalitetit, por edhe për të kuptuar në të njëjtën kohë se në çfarë bataku ka gëluar ekonomia shqiptare për shkak të informalitetit.  

Që në fillim dua t’i kundërvihem me forcë, të gjithë atyre që predikojnë varfërinë e aspiratave, duke folur në emër të të varfërve, duke marrë përsipër të mbrojnë të varfrit me teorinë e papranueshme se po të jesh i varfër ke incentivë shkeljen e ligjit dhe për të varfrit, çdo qeveri duhet t’u mjaftoka me mbylljen e syve dhe me sigurimin e lëmoshës.
Kjo në fakt nuk zgjidh problemin e varfërisë, por, përkundrazi, krijon një rreth vicioz, ku të varfrit mbeten të varfër, ose bëhen edhe më të varfër dhe ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve shkon duke u zgjeruar.
Nuk ka asnjë teori që justifikon informalitetin, apo që pretendon se në një ekonomi informale ka një rishpërndaje më të arsyeshme dhe një ekuilibër më të arsyeshëm, në funksion të garantimit të atyre që janë më të dobët apo më të varfër. Kjo nuk ekziston. E kundërta është e vërtetë. Ekonomia informale godet në radhë të parë më të dobëtit. Ekonomia informale nuk lejon që më të dobëtit të forcohen. Ekonomia informale stimulon pasurimin marramendës të një grushti gjithmonë e më të mbledhur njerëzish dhe dizintegrimin social në tërësi, bashkë me dobësimin e vazhdueshëm të shtetit, të i institucioneve, njësoj si një organizëm që sfilitet dhe rrënohet në mënyrë të vazhdueshme nga një kancer.    
Ekonomia informale është kancer dhe kanceri nuk luftohet me predikime, as me karamele, as me aspirina. Kanceri luftohet me agresivitet maksimal, për të zmbrapsur agresivitetin që kanceri ka. Si mund të luftohet agresiviteti i ekonomisë informale, e cila nuk garanton rritjen e cilësisë së produkteve. Përkundrazi, dobëson cilësinë e produkteve, dobëson shërbimet e ofruara dhe nuk lejon që shërbimet e ofruara të rriten cilësisht. Njësoj si një në organizëm ku kanceri dobëson të gjithë pjesët përbërëse të organizmit dhe nuk i jep mundësi organizmit të performojë sipas ambicieve dhe dëshirave të njeriut.     
Si mundet të predikohet butësi dhe mbyllje sysh përpara agresivitetit të ekonomisë informale që nxit skllavërinë, nuk lejon, madje ngushton në mënyrë të vazhdueshme, hapësirat që ata që janë më të dobët të dalin në dritë dhe të përfitojnë nga rrezet e diellit. Jetojnë në errësirën e informalitetit, nuk figurojnë asgjëkund, janë njerëz që nxjerrin bukën e gojës, bukën e përditshme, por s’kanë asgjë të sigurt dhe nuk kanë asnjë perspektivë nesër për të pasur një pension. Ashtu sikundër nuk kanë absolutisht asnjë mbrojtje sociale, nëse ballafaqohen me një sëmundje.    
Si mundet që agresiviteti kancerogjen i ekonomisë informale të përballet me predikime dhe me teori, të cilat faktikisht gjenerojnë nga varfëria e aspiratave, e cila për fat të keq, në Shqipëri është kultivuar deri në nivelet më të larta të politikës dhe ka qenë flamuri i qeverive të mëparshme; ose nga interesat e atyre që janë më të fortë, që janë përfituesit e vetëm të informalitetit, që pasurohen duke shfrytëzuar gjithë zinxhirin e informalitetit dhe duke e shkarkuar gjithë presionin mbi më të dobëtit.

Si mundet që agresiviteti i ekonomisë informale, e cila e vendos biznesin legjitim në pamundësi për të siguruar financime me kosto të ulët dhe e vendos vendin në një ngërç absolut në përpjekjen për të siguruar rritjen e investimeve të huaja, të përballohet me predikime apo me kundërvënie, që materializohen edhe në kronika propagandistike të një mizerabiliteti absolut, ku shfrytëzohen më të dobëtit, të painformuarit, ata të cilët asnjëherë nuk janë parë nga asnjë qeveri, nga asnjë administratë tatimore si njerëz që duhen ndihmuar dhe mbështetur që të rriten, për t’ju vënë përpara një mikrofon dhe për të thënë “po vjen dita e kiametit”.
Si mundet që ne të pranojmë t’i nënshtrohemi këtyre lloj predikimeve dhe këtyre lloj teorive dhe këtyre lloj abuzimeve të skajshme me çdo lloj filozofie dhe shkolle të ekonomisë, që synojnë ta frenojnë këtë operacion, i cili e përball agresivitetin kancerogjen të informalitetit që nuk lejon konkurrencën dhe rivendos, - më saktë,  vendos se nuk ka pasur ndonjëherë këtu, konkurrencë të lirë dhe të ndershme, - konkurrencën e lirë dhe të ndershme si parakushtin për zhvillimin e biznesit.  
Si mundet që të mos kuptohet, ose të pranohet, - sepse ne e kuptojmë shumë mirë, - që ky  agresivitet kancerogjen i këtij informaliteti skandaloz të lejohet si pjesë e një normaliteti në emër të të varfërve, në emër të më të dobëtëve, në emër të një mëshire që s’është as kristiane, as logjike, pasi ky agresivitet e shqyen shoqërinë.

Ekonomia informale është arsyeja themelore,pse sot, ne kemi këtë polarizim dhe pse kërcënohemi nga një polarizimi i mëtejshëm. Jo e kundërta, jo formalizimi, por ekonomia informale është arsyeja pse këtu kemi një grup njerëzish shumë të vogël, që janë pasuruar me shpejtësi shumë të madhe dhe kemi një shtresë të tërë, e cila nuk arrin dot të kapërcejë përtej një kufiri. Kush e ka vënë këtë kufi? E ka vënë vallë këtë kufi, paaftësia e këtyre njerëzve për të parë të ardhmen? Jo! E kanë vënë vallë këtë kufi, pamundësia e këtyre njerëzve për të pasur ide? Jo! Këtë kufi e vë informaliteti. Nuk e lejon informaliteti, një biznes të vogël që të rritet; Nuk e lejon informaliteti, një biznes legjitim që të rritet; Nuk e lejon informaliteti, ambicien tonë për të pasur një ekonomi të shëndetshme që të materializohet. Nuk e lejon. Është parakushti i informalitetit. Ashtu si kanceri që nuk e lejon një organizëm që të rimëkëmbet dhe nuk e lejon një trup që të bëjë lëvizjet që dëshiron. Sado urdhra t’i japë truri-trupit, trupi nuk reagon. Sepse kanceri nuk e lë. Dhe sa më shumë ta lësh kancerin të bëjë të vetën, aq më pak ke në dorë vetveten.

Nga ana tjetër flasim për korrupsion. Terreni më i gjerë i korrupsioni është ekonomia informale. Ajo është nxitësja më e madhe e korrupsionit. Ajo është fertilizuesi më i fuqishëm i krimit ekonomik dhe i gjithë aktivitetit të paligjshëm në tërësi. Ajo është forca më e verbër, që dobëson në vazhdimësi shtetin, ose në rastin tonë, që kërkon ta pengojë shtetin që të bëhet dhe duke penguar shtetin që të bëhet, pengon shtetin që të jetë i gatshëm që t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve, sepse i pengon qytetarët që të marrin mbrapsht atë që investojnë. Atë që investojnë duke marrë kuponin tatimor, në radhë të parë.
Çfarë financash mund të forcojë një vend dhe një shtet dhe çfarë shërbimesh publike mund të rrisë cilësisht një vend dhe një shtet që pranon këtë predikim të madh dhe që i nënshtrohet, siç i është nënshtruar shteti shqiptar për 20 vite, varfërisë së aspiratave që “hajde le ta shtymë dhe le t’i lëmë ta shtyjnë, se nuk e shtyjnë dot, janë në pamundësi dhe nga pamundësia le të prodhojmë pamundësi dhe jo të krijojmë mundësi”.
Në cilin vend dhe në cilin popull me ambicie mund të pranohen këto predikime! Sikur të tjerët të kishin bërë kështu, sot do ishim me shumë shok dhe do kishim shumë arsye për të qenë të ngushëlluar dhe do të thoshim se kështu bëjnë të gjithë. Por kush bën kështu dhe çfarë kërkojmë ne? Kërkojmë t’i ngjajmë dhe të bëhemi si vendet e tjera të Bashkimit Europian, duke u sjellë sikur jemi një vend më vete, me ca rregulla më vete dhe duke pranuar varfërinë e aspiratave, duke pranuar që ne nuk mund të shikojmë larg dhe nuk mund të kemi ambicie të mëdha, sepse ndërkohë jemi të varfër. Po pikërisht pse jemi të varfër, ne duhet të kemi ambicie shumë më të mëdha seç kanë të tjerët. Dhe pikërisht pse jemi të varfër, ne duhet të synojmë larg dhe duhet të përballemi sot, me problemet dhe jo t’i bëjmë bisht problemeve, siç kemi bërë 20 vite. Po t’i kishim bërë këto punë që po bëhen në këto dy vjet, 20 vjet përpara, sot nuk do ishim duke bërë këto biseda.

Ajo që është më e bukura në gjithë këtë histori dhe që është stimuli më i madh për të vazhduar drejt dhe vetëm drejt në këtë rrugë është që shqiptarët që jetojnë me punë të ndershme dhe që janë shumica e duan këtë reformë.

Shumë njerëz predikonin që operacioni për formalizimin e marrëdhënieve të konsumatorit me kompaninë e shpërndarjes së energjisë do të ishte edhe fundi i kësaj qeverie. Shumë politikej u turrën për t’i thënë popullit “erdhi momenti që t’i jepni fund pa filluar, kësaj përpjekjeje”. Por fakti është se mesazhi që erdhi nga populli ishte tjetër. Sepse nuk janë ata që selektohen dhe që abuzohen njësoj siç abuzohen fëmijët, - abuzohen dhe ata që merren me biznes të vogël dhe që janë të painformuar, të pambështetur prej vitesh, të dërrmuar shpirtërisht dhe i janë nënshtruar varfërisë së aspiratave, - burimi i forcës dhe i të vërtetës së kësaj historie. Po janë ajo shumicë, e cila, siç e patë dhe nga shifrat, ju përgjigj një thirrjeje të hapur të qeverisë, për t’u formalizuar, në mënyrë marramendëse.
Sot, në vetëm 45 ditë, se praktikisht nuk kemi gjithë kalkulimet e plota deri të ditës së fundit të tetorit, kemi ato shifra që janë nga njëra anë, turpi i të gjithë atyre që kishin në dorë t’i bënin këto punë, kur kishin mandatin e popullit dhe e lanë popullin rrugëve. Siç lanë rrugëve të gjithë ata njerëz, që u thoshin vidheni energjinë dhe ndërkohë jua shënonin borxhet dhe jua linin borxhet në kurriz njësoj si Sudja; Nga ana tjetër, janë edhe treguesi më kuptimplotë që Shqipëria dhe shqiptarët në shumicë dërrmuese duan të ndodhë kjo që po ndodh.
Nëse në një rrugë tregtare, një biznes, një i vetëm, paguan çdo taksë dhe të gjithë të tjerët nuk paguajnë, qeveria ka detyrimin moral të jetë me atë që është një. E jo të shkojë mbas gjithë të tjerëve dhe t’i thotë atij që është një se “je një kokërr budallai që respekton ligjin dhe që paguan detyrimet, se këta janë të mençur dhe unë jam me të mençurit”. Këtë kanë bërë qeveritë e mëparshme. Këtë kanë bërë dhe ata që sot kanë marrë përsipër të predikojnë se ky operacion është në drejtimin e gabuar.
Ky operacion është i vetmi drejtim i duhur.

Më lejoni t’ju them që sot nuk jemi në lartësinë e ambicies dhe të së drejtës së bizneseve legjitime, për të pasur shërbimin më të mirë nga administrata tatimore apo doganore.
Ne sot nuk jemi në lartësinë  e ambicies dhe të drejtës të bizneseve legjitime, për të pasur shërbimin më të mirë nga administrata tatimore apo doganore, njësoj siç nuk ishim dhe nuk jemi akoma në lartësinë e ambicies dhe të së drejtës legjitimë të të gjithë qytetarëve që paguajnë energjinë, për të pasur shërbimin më të mirë nga kompania e energjisë.
Kjo histori nuk është “veza, pulën apo pula, vezën”, sepse dëgjoj shumë predikues që thonë “jepini njëherë njerëzve punë, rritjani njëherë njerëzve rrogat, uljani njëherë njerëzve taksat pastaj kërkojuni të paguajnë dritat dhe të paguajnë të tjerat.”

Por si bëhet kjo?! Si krijohet puna, duke pranuar informalitetin!
Si ulen taksat?! Duke pranuar që buxheti i shtetit, pra, ata që paguajnë taksa, të paguanin këtë vit, nëse nuk do të kishim bërë operacionin e energjisë, 180 milionë dollarë dhe 200 milionë dollarë të tjera plus, nëse nuk do t’i hynim këtij operacioni!

Këto 380 milionë dollarë plus, kush do t’i paguante?! Shteti nuk është shpella e Ali Babait. Arka e buxhetit të shtetit nuk është thesi i Ali Babait. Por është tërësia e kontributeve të atyre që paguajnë. E nëse ata që paguajnë trajtohen si budallenj dhe mbeten gjithmonë të patrajtuar, si në fakt janë, atëherë ku shkojmë! Shkojmë aty ku vajtëm, në buze të humnerës.
Po të mos ishin këto reforma, sot këtu nuk do të kishim drita. As këtu dhe as kudo. Po të mos ishin këto reforma, sot nuk do të ishim në gjendje të flisnim për perspektivën e uljes së taksave dhe të rritjes së rrogave, por do të ishim duke i shkurtuar rrogat. Mund të thonë çfarë të duan dhe mund të predikojnë çfarë të duan, jemi i vetmi vend i prekur nga kriza si të tjerët, që nuk ka prekur rroga, nuk ka prekur pensione. Të tjerët të gjithë kanë prekur rroga dhe pensione.

Shikojeni Serbinë sot. Reforma që ata duhet të bëjnë është të shkurtojnë 25 % të rrogave, 15 % të pensioneve dhe të shkurtojnë dhjetëra mijëra vende pune në korporata dhe kompani shtetërore, që i kanë lënë rrugëve të falimentuara.

Përse nuk ndodhi kjo? Sepse ne zgjodhëm sfidën që të mos prekim rrogat, të mos prekim pensionet, por t’u kërkojmë të gjithëve të kontribuojnë. Ne zgjodhëm sfidën që të mos prekim pensionet, por t’u kërkojmë të gjithëve të kontribuojnë. Ne zgjodhëm sfidën që të mos t’i themi atyre që paguajnë: Paguani ju edhe më shumë taksa, se ne duhet të mbushim gropën e hapur nga vjedhjet e përvitshme të energjisë. Por zgjodhëm sfidën që t’i themi të tjerëve: Ka mbaruar kjo punë, futu në lojë, se ndryshe nuk je njëri nga ne.
Përgjigja e popullit ka qenë spektakolare; 320 mijë konsumatorë që kanë nënshkruar kontrata të reja dhe 40 milionë euro që qeveria ia ka falur të gjithë atyre që kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje dhe të paguajnë menjëherë pjesën e borxhit të tyre.
Këto 40 milionë euro dolën nga formalizimi. Si mundemi të pranojmë, si mundet Shqipëria të vazhdojë me politikanë që “kidnapojnë”, - siç i thonë vëllezërit tanë në Kosovë, - tre bujq të lodhur dhe të painformuar, i detyrojnë të marrin dhe arkat me mollë me vete, i nxjerrin para parlamentit dhe mbajnë fjalime kundër  regjistrimit?!
Çfarë do të thotë ta lësh një fermer të paregjistruar?! Do të thotë ta lesh skllav të varfërisë së vet. Do të thotë t’i ndërpresësh rrugën për çdo mundësi që ai të mendojë se mund të rritet dhe të fuqizohet, pasi NIPT-i nuk i vë atij taksa. Është e turpshme që edhe gënjehet, njësoj siç mund të mendohet se gënjehet një njeri i sëmurë, për ta nxitur që të shkojë dhe të vrasë mjekun tij.
Kush regjistrohet fiton, nuk humbet, sepse nuk është më skllav, por është njeri i lirë që mund t’i vëri në punë idetë e tij, mund të bashkohet me të tjerë dhe mund të përfitojë nga grantet, nga subvencionet dhe nga projektet e kësaj qeverie apo të BE nesër.
Si do të shkojmë në BE? Me azil politik?!
Ne do të shkojmë në BE të bëhemi pjesë e një tregu që kërkon dije; e një tregu ku nuk ka informalitet; e një tregu ku nuk trajtohen si të mençur ata që nuk paguajnë dhe budallenj ata që paguajnë; e një tregu ku nuk predikohet varfëria e aspiratave dhe mbyllja e syve se duhet të ndihmojmë  këta që janë më të varfër, por predikohet pasuria e aspiratave për ti nxjerrë të varfrit nga varfëria.
Lëmosha nuk e bën të varfrin më të kamur. Lëmosha e lë të varfrin po aq të varfër ekonomikisht dhe  e degjeneron shpirtërisht dhe mendërisht.
Kush është bërë i kamur nga lypsët? Askush! Kush mund të bëhet i kamur nga politikat pseudosociale apo madje nga gjobat sociale. Se këtu në Shqipëri kemi dhe një koncept që nuk ekziston asgjëkund, gjobat sociale; “Mos ia vër gjobën aq kur shkel semaforin se është shumë e lartë, vërja pak se nuk ka lekë. Nëse nuk ka lekë, pse duhet ta shkeli semaforin? Dëgjoj vazhdimisht që “ç’domethënë kjo që një evazor duhet të shkojë në burg”. Atëherë të rrijë mes nesh dhe të vazhdojë të na vjedhë të gjithëve?! Ne duhet të ngremë klasa edukimi dhe t’i themi “pas pune hajde se kemi edukatë morale dhe politike se si ti duhet të kuptosh që nuk duhet të na vjedhësh më, se kjo është një gjë e keqe?! Përse duhet të nisemi nga fundi dhe përse nuk nisemi nga fillimi?  Pse nuk themi për çfarë arsye duhet të vjedhim? Mos vidh dhe nuk ke asnjë problem.

Për çfarë arsye ti duhet që mallin në magazinën tënde ta regjistrosh pjesërisht dhe pjesërisht ta lesh të paregjistruar e pastaj t’ia u shkarkosh të gjithë dyqaneve dhe ti fusësh dhe ata në mëkat, ti lësh dhe ata në ditë të hallit që të fitosh ti? Kush është arsyeja që ne duhet të shohim ty se si fiton në kurriz të të tjerëve dhe duhet të mbajmë në kurriz të gjithë bashkë? Në cilin vend bëhen këto debate?!
Ne kemi ndërtuar një legjislacion në vite me shumë e shumë procedura, hallka edukative, hallka politike, hallka morale dhe ja ku jemi sot.
Shumë gjoba të vogla nuk zgjidhin asnjëherë një problem të madh. Gjoba është gjobë. Kush e shkel ligjin, ta marrë përsipër dhe ta paguajë.
Nuk po pretendojmë të bëhemi si Singapori, vendi më i pastër në botë, vendi me informalitetin më të ulët në botë, vendi me komunitetin më ndërveprues në botë. Po tu them unë ju se si janë gjobat në Singapor, atëherë do tu duket mëkat i madh të merreni me këtë qeveri, do të thoni po këta qenkan shumë dobët. Por gjobat janë për ata që shkeli ligjin, nuk janë për njerëzit që nuk e shkelin. Gjobat nuk janë për pensionistët që respektojnë vijat e bardha. Gjobat janë për të fortët që nuk njohin ngjyrat e semaforëve. Madje për ata që janë të fortë fare, të cilët e kuqja i eksiton. Në qoftë se e kuqja të eksiton, kjo ka një kosto. Eksitohu, paguaj paratë.
Nga ana tjetër, nëse do të shikojmë ato që kanë ndodhur, ja ku janë këtu gjithë këta biznesmenë. Le të çohet njeri këtu dhe të thotë, deri në 2013 ka marrë një rimbursim TVSH-je, pa e ndarë kekun apo byrekun me ata të Ministrisë së Financave?

Le të çohet njëri dhe të thotë: Po mua më është rimbursuar Tvsh-ja, - në kohë nuk thotë dot, se në kohë nuk bëhej fjalë, - pa dhënë para? Le të çohet njeri këtu dhe të thotë që ka paguar një kokërr leku për të marrë rimbursimin e TVSH-së, jo në kohë dhe për ta marrë rimbursimin e TVSH-së jashtë radhe? Nuk e merr dot njeri.
Rimbursimi i TVSH-së ishte një nga problemet më të mëdha të biznesit legjitim. Kudo ku ne diskutonim, kur bënim programin tonë qeverisës, rimbursimi i TVSH-së ishte A-ja. Me të drejtë, sepse TVSH-ja ishte kthyer një kreditim i dhunshëm i qeverisë, i vetvetes, në kurriz të biznesit.

Ashtu sikundër, në mënyrë të dhunshme, qeveria kreditonte vetveten, duke mos paguar biznesin. Po ato 600 e kusur milion dollarët që morët mbrapsht? I morët mbrapsht dhe tani kërkoni të vazhdoni të bëni evazion?! Për çfarë i morët mbrapsht?! I morët mbrapsht për t’ju thëne se koha kur qeveria sillej si biznesmeni më i madh që mund ti shkrinte të gjithë të vegjlit dhe kur administrata tatimore ishte banda e këtij biznesmeni që respektonte apo nuk respektonte kontratat sipas qejfit, ka mbaruar.

Qeveria është e para që përpara se të kërkojë nga biznesi duhet ti përgjigjet biznesit. Ju kemi dhënë mbi 600 milion dollarë secilit, sipas dokumenteve dhe ju kemi thënë - ne nuk ju kemi borxh. Tani borxhet që keni ju do ti paguani një më një. Borxhet që keni, janë ato që i dini ju. Ato që i dini ju, që i keni nëpër magazina. Keni ligjin e ri, rregulloni vetëdeklarimet, risistemoni, ju kemi dhënë dhe mundësinë të risistemoni vetë. Mund të thoni na falni ashtu ishte koha, i numëronim gabim. Çuditërisht, gabimi nuk ishte asnjëherë në favor të qeverisë, ishte ne favorin tuaj. Se kush numëron gabim, mund të numërojë edhe ndonjëherë gabim që ti japi qeverisë më shumë se ç’i takon. Gabimi juaj gjithmonë numëronte në favorin tuaj. S’ka problem ashtu ishte koha, siç është ajo shprehja “ashtu ka qenë koha”. Tani e keni kohën, deri në 31 dhjetor rregullohuni vetë, por ne nuk do të presim 31 dhjetorin, në ndërkohë.
Nuk është amnisti, nuk është as shtyrje. Ne nuk bashkëjetojmë tani me asnjërin nga ju që fsheh ato që i detyrohet shqiptarëve.  Jeni dhe interesante ju, kur thoni jemi biznesmenë të mëdhenj që i mbrojmë të vegjlit. Nga kush i mbroni të vegjlit ju?  Ne duam ti mbrojmë të vegjlit nga ju. Ju nga kush i mbroni? Nga ne?! Ne  i përfaqësojmë të vegjlit. JU kë përfaqësoni? Ju përfaqësoni veten tuaj, interesat tuaja legjitime. Por, legjitimojini të gjitha interesat. Aty ku interesat tuaja legjitime financohen në rrugën e informalitetit, aty nuk keni punë me ne. Ne nuk kemi mundësi të ndërtomë klasa edukate morale dhe politike. 100 milion s’janë asgjë për ju. Çfarë janë 100 milion?! Do t’i paguani.

Dëgjova këtu që “mund të na i ketë fajin punonjësi”. Punonjësin kur ta merrni në punë, vërjani para kontratën dhe thuajini “në qoftë se në zonën tënde të përgjegjësisë kapem unë, do të përgjigjesh ti”. Kështu që me atë kontratë që ke me punonjësin, kur të shkosh në prokurori, thuaj prokurorit: nuk kam punë unë, ky e ka firmosur, ka marrë përsipër ta mbrojë mallin tim. Por që ne ta lëmë këtë në rënie të lirë që ti të thuash “mi mori roja, është roja që bën evazion, është roja që ka kredi të këqija”, sepse ka dhe roje me kredi të këqija në Shqipëri, - këtë ne nuk e lëmë dot. Ose na jepni shembuj vendesh që bëjnë gjëra të tilla. Të thoni p.sh, në Holandë ose në qoftë se nuk doni Holandën, merrni Italinë, meqë është dhe më e afërt nga këto dëshirat për të dalë jashtë binarëve të ligjit dhe na tregoni si e bën Italia. Të mos flasim për rajonin.
 
Nga ana tjetër dua të theksoj, që ju patë sot një paraqitje për dy gjëra të rëndësishme. E para që ne nuk duam t’ju lëmë mbi kokë tatimorë që janë larg së qeni ata që duhen. Ne këtë e pranojmë. Transformimi i një bande në një ushtri të rregullt, kërkon kohë. Kalimi nga ilegaliteti në legalitet, edhe për tatimorët  kërkon kohë.
 
Ne nuk duam t’jua lëmë në kurriz. Ne ju themi se nuk doni të keni kontroll tatimor, merrni kompani auditimi, ashtu siç e përcakton ligji dhe auditohuni vetë dhe ne nuk kemi punë me ju. Lërjani hallin atyre dhe ne merremi me ata. Në qoftë se ju nuk doni të shikoni asnjë tatimor tek dera, e keni të zgjidhur, e keni në ligj, thërrisni kompaninë e auditimit, jepini në dorë të gjithë magazinën, bëni auditimin dhe na thoni shkoni atje, p.sh, te Deloitte, KPMG e me radhë, se atje i keni llogaritë e mia dhe mos më shikoni fare me sy. Dhe unë ju kuptoj kur ju nuk doni të shikoni me sy, përfaqësues të administratës tatimore.

Sistemi mbi bazë risku që kemi ngritur sot dhe ne kemi punuar një vit e gjysmë për atë sistem, ju e patë, e lejon administratën t’ju shikojë pa ju parë. Vjen informacioni dhe është sistemi që nxjerr kush po na fantazon. Kjo do të sjellë që kontrollet, siç janë bërë dhe siç do të vazhdojnë të bëhen edhe për pak kohë, do të ulen në mënyrë drastike dhe targetimi do të jetë mbi bazë risku. Por duam edhe ne, kohën tonë për t’u modernizuar.

QKR e garanton regjistrimin direkt nga shtëpia. Nuk ka nevojë të shkosh tek QKR, të mbash radhë e të lodhesh me askënd. Hap telefonin, nëse e ke telefonin të zgjuar, ose kompjuterin dhe nëse nuk e di kompjuterin, mjafton t’i thuash djalit apo nipit. Çdo nip mbi katër vjeç di të regjistrohet në QKR, edhe në fshatin më të largët, mjafton të ketë një smartphone në dorë. Kjo është një gjë që ne e kemi futur, është aty.  

Nga ana tjetër, si mund të ankohet dikush që po rri në radhë, mbasi e ka lënë shtetin në pritje 20 vjet! Shteti ka 20 vjet që rri në radhë që të të takojë, nuk të takon dot. Ven për t’u formalizuar dhe nuk rri dot në radhë dy apo tre orë, ndërkohë që nuk do të përdorësh as telefonin dhe as kompjuterin. Kjo nuk shkon.

Ne kërkojmë gjëra shumë të thjeshta; Çdo biznes që ushtron aktivitet tregtar në këtë vend të jetë i regjistruar; Çdo biznes të ketë kasë fiskale; Çdo biznes të ketë punonjës të deklaruar.
Siç e tha mirë ministri i Financave, përse nuk bëjmë një pakt me ju të mëdhenjtë që mbroni të vegjlit. Jepjani të vegjëlve mallin me çmim në kosto dhe mos fitoni asgjë ju. Përse kërkoni shtetin të mbyllë sytë dhe të mos marrë nga ata taksa?! Meqë i doni kaq shumë, faljani mallin, atyre që janë të varfër. E shikoni që nuk ka mundësi, i thoni “merre dhe shit mallin tim, çoji lekët në shtëpi. Të jesh t’i mirë, po unë rregullohem.” Këtë i kërkoni ju shtetit. Por kjo nuk mund të ndodhë. Puna është që të rregullohen të gjithë. Shteti nuk është një kompani as e falimentuar dhe as që punon që të falimentojë.  
Nga ana tjetër është shumë e qartë dhe ju e dini më mirë këtë, ndaj ju keni hallin e të vegjëlve, se tek të vegjlit kapeni ju, nuk kapen të vegjlit. Të vegjlit po u kapën, kapen prej jush. Kështu që duke shkuar tek të vegjlit, ne mbyllim kanalin e atij evazioni që burimin e ka tek të mëdhenjtë, e ka tek ato magazinat ku keni harruar të numëroni, tek ato magazina ku një dhe një nuk bëjnë asnjëherë dy, por një dhe një bëjnë gjithmonë asnjë.

Nëse e marrim për të mirëqenë predikimin se të vegjlit janë të pafuqishëm, si është e mundur që tek të vegjlit ka sot, një rritje me 80 milionë dollarë të xhiros dhe si është e mundur që tek të vegjlit ka sot, një tjetër rritje me 30 milionë dollarë të xhiros që i kalon një pjesë të tyre në subjekte të TVSH-së! Nëse këta do të ishin të  pamundur, nuk do të kishin mundësi të deklaronin një xhiro më të madhe. Nga e gjejnë xhiron më të madhe që e deklaruan!  Jua them unë; po aty ku i gjetën lekët, ata që paguan energjinë, që s’kishin.

Në të gjithë këtë histori, unë nuk fajësoj ata. Nuk kanë faj as ata që s’kishin, por që kishin për të paguar energjinë, as ata që s’kanë, por kanë për t’u formalizuar. Fajin e kanë të gjithë ata përpara nesh, që këtyre shtresave u kanë thënë “hani pini e këndoni, se është këtu, lala Gjoni. Vetëm mos harroni lalën, kur votoni”. Kjo ka qenë kultura e ligjit, e shtetit, e financave, e ekonomisë të atyre që sot kanë marrë përsipër të mbrojnë viktimat e tyre. Viktimat e tyre, që ne me këtë operacion i japim dorën dhe i nxjerrim në një rrugë të madhe, ku kanë të gjitha mundësinë të ndryshojnë statusin nga viktima në protagonistë të jetës së tyre.
Nga ana tjetër është krejtësisht e pavërtetë që ne qenkemi përqendruar tek ata. Pyesni ata ndër ju, që tanimë kanë pasur rivlerësimet. Vetëm kërkojini me durim, sepse mund edhe të jenë fshehur ndërkohë, nga paniku. Nga paniku, sepse në rivlerësime, deri tani, nga një numër shumë i kufizuar subjektesh të mëdha kemi 36 milionë dollarë evazion. Dhe një numër shumë i kufizuar. Ky rivlerësim do të vazhdojë për të gjithë. Por e mira është që të gjitha bizneset e mëdha të rivlerësojnë vetveten deri në 31 dhjetor. Ne do të njohim çdo rivlerësim të vetvetes, sigurisht do ta kontrollojmë dhe rivlerësimin, por kjo do të lehtësojë shumë marrëdhëniet mes nesh dhe biznesit të madh.
Ne kemi një ambicie; duam të ulim taksat, duam të rrisim rrogat. Duam të rrisim rrogat në shërbimin publik, duam të krijojmë mundësi që të rriten rrogat edhe në kompani. Por si mund të rritet rroga në një kompani, nëse kompania është e kërcënuar nga konkurrenca e pandershme?! Po marr biznesin legjitim.

Për këtë arsye dhe kjo nuk është propagandë, por është fakt që çdo punonjës në shtet apo në privat sot, që do të rrisë rrogën e vet, duhet të marrë pjesë në këtë betejë. Dhe nuk duhet të nxjerri pushkë, por duhet thjeshtë të marrë kuponin kur blen dhe ta shohë atë, se ka filluar edhe një lojë tjetër. Ti blen 100 mijë lekë mall, makina “harron” një zero. Ndaj duhet ta shikojë kuponin.  
Ne nuk mendojmë që sot, biznesi i madh ka një presion fiskal të paarsyeshëm. Në qoftë se nuk bëjmë këtë betejë, ne duhet të rrisim presionin fiskal mbi biznesin e madh. Zgjedhja është shumë e qartë; ose do të luftojmë sëbashku për të formalizuar ekonominë dhe për të krijuar kushtet për të ulur taksat, ose 15% nuk mban më.

Ne nuk e prekim 15%. Kam dëgjuar shumë që kanë dalë lart e poshtë, me informacione të ashtuquajtura nga negociatat e brendshme me FMN-në dhe këto informacione i krijojnë dhe i shpërndajnë biznese që kanë edhe media dhe që, mesa shoh, janë në dhimbjet e rilindjes, d.m.th, të formalizimit. Pa llogaritur bizneset që kanë edhe media e që vënë gjoba. Gjoba që janë proporcionale me kërkesat e tyre të paligjshme. Por kjo është temë tjetër.

Ne nuk do të rrisim taksa. E kemi thënë qartësisht, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me shqiptarët, me të gjithë, që ne nuk mendojmë që ka vend për rritje taksash, sepse ka një potencial shumë të madh, të pashfrytëzuar, tek ekonomia informale.

Nga ana tjetër, ne do të lehtësojmë një pjesë të atyre që realisht meritojnë të lehtësohen. E para, shitësit ambulantë të mirëdefinuar - se këtu imagjinata mund ta bëjë edhe një biznes të madh të thotë unë jam ambulant, - nuk do të kenë më detyrimin e regjistrimin apo të çregjistrimit në QKR, për të marrë karton fiskal nga pushteti vendor. Ata do të paguajnë vetëm një tarifë mujore, të përcaktuar nga vetë pushteti vendor, sa të dojë  ky i fundit, që duhet t’i korrespondojë thjesht regjistrimit të tyre fizik. 

E dyta, ka ndodhur fatkeqësisht, - nuk ishte rasti i atij berberit të famshëm, se ai iu kundërvu me dhunë kontrollit tatimor  dhe për këtë arsye u ndalua nga policia, – që tatimorë, të cilët e kanë pasur të vështirë të shkojnë aty ku më përpara kanë mbyllur sytë përkundër pazarit, me shumë zell janë turrur nëpër njerëz që ne duam t’i përjashtojmë nga çdo detyrim.
Faktikisht, për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, d.m.th, të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucar, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletarregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, nuk do të paguajnë më. Zero! Për ne, janë njerëzit më të nevojshëm, janë njerëz që kanë zanat dhe me zanatin e tyre ushqejnë familjen. Ne duam ta stimulojmë më tutje fuqizimin e këtij rrjeti zanatçinjsh që i mungon Shqipërisë. Më thoni që kur më duhet rrobaqepës, ku ta gjej.    

Nga ana tjetër, ne duam që të mos shqetësojmë biznesin me ndryshime të vazhdueshme të legjislacionit tatimor. Është një angazhim që e kemi marrë dhe njëkohësisht të krijojmë një marrëdhënie dhe aty është pjesa ku biznesi është shumë i rëndësishëm, për të rritur kapacitetet reciprokisht, në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve, në vizitat informuese tek tatimpaguesit e kështu me radhë.
Ne duam që sistemin e kontrollit tatimor ta bëjmë tërësisht transparent. Do t’i bëjmë publikë treguesit e riskut që përdoren nga sistemi aktual elektronik dhe bizneset ta dinë, ta shohin në mënyrë transparente, onlinë, kur kanë hyrë tek zona që vjen zjarrfikësi. Aty ku jepet sinjali që këtu është ndezur një zjarr dhe ta shuajnë zjarrin vetë, ose në bashkëpunim, por mos ta lënë zjarrin që t’i djegë gjithë shtëpinë.
Po ashtu duam të stimulojmë procedurat e auditimit elektronik. Pas fazës së parë të këtij operacioni që do të vazhdojë deri në 31 dhjetor, ne do të kemi gati reformën e gjithë administratës tatimore dhe doganore dhe do të bëjmë një tërheqje masive të personave në terren. Sepse nuk duam të shqetësojmë biznesin në terren, biznesin e vogël apo të mesëm që është në terren, me kontrolle të vazhdueshme, apo qoftë edhe me prezencë dhe duam që puna kryesore e tatimeve të bëhet nga zyrat.

Prandaj, neve na duhet që në këtë fazë të mbyllim regjistrimin, na duhet në këtë të sistemojmë të gjithë kasat fiskale, na duhet në këtë fazë që informacioni që vjen nga gjithë xhiroja që bëhet në territor të vijë në kohë reale dhe pastaj nuk ka nevojë më që të jemi në terren, kështu siç jemi të organizuar sot, sepse do të ketë vizita në terren, por shumë të mirëorganizuara dhe të lajmëruara. Por kjo është fazë e ndërmjetshme, siç ishte ajo me energjinë.

Synimi ynë është që të sigurojmë tatimpaguesit, që standardet në procedurat e përzgjedhjes, kush kontrollohet, të kontrollit dhe në masat ndëshkuese do të aplikohen absolutisht në mënyrë të drejtë, jo selektive dhe plotësisht të monitorueshme nga gjithë komuniteti i biznesit. Pra, gjithkush ta dijë se në çfarë situate është vetë dhe në çfarë situate janë të tjerët. Do të dalin në ekran.      
Ndoshta u zgjata, por ia vlente se boll u zgjatën të tjerët dy muaj, duke u marrë me ne. Operacioni do të vazhdojë intensivisht, tërheqje nuk ka, masat nuk zbuten. Kush nuk jep kuponin duhet ta mendojë mirë. Kush ka hallin se po kapin atë në vend që të kapin shitësin, t’i tregojë e t’i vërë shitësit kontratën përpara e t’i thotë po të kapen, mbaje vetë se unë nuk di gjë. Dhe kush ka magazinat akoma për të bërë numërime, të numërojnë me shpejtësi, se vjen Viti i Ri dhe kjo është deri në 31 dhjetor dhe nuk kemi dëshirë të shikojmë ndonjë nga ju, në 1 janar të ndahet nga familje për të shkuar e për të zgjuar nga gjumi avokatin.
Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave