Fjala e kryeministrit Rama në prezantimin e portalit unik të korrupsionit

Më në fund jemi gati për këtë sfidë të re, e cila është një sfidë e përbashkët. Mesazhi i sotëm është i qartë: Kushdo që gjendet përballë korrupsionit, në cilëndo formë, cilindo nivel, ka në dispozicion një platformë lufte të përbashkët me ne. Kushdo që nuk pranon që atë që i takon, ta marrë duke ju nënshtruar korrupsionit, ka në dispozicion një armë, të cilën ne i ftojmë të gjithë për ta përdorur bashkërisht.

Në një vit e gjysmë, ne kemi hapur një front të gjerë reformash dhe në funksion të çdo sektori kemi çelur kantiere të mëdha transformimi rrënjësor. E nëse ka një veçori të përbashkët të të gjithë këtyre kantiereve, që kanë të bëjnë me riorganizimin dhe mirëqeverisjen e territorit; me riorganizimin dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor; me riorganizimin dhe rritjen e cilësisë së edukimit e me radhë, me bujqësinë, me turizmin, me kulturën, pa dyshim me gjithë mekanizmin e mbledhjes së të ardhurave të shtetit, kjo veçori është se këto reforma do t’i japin rezultatet e tyre në afat të mesëm dhe në afat të gjatë. Pa asnjë dyshim është një front i gjerë i një përpjekje për të modernizuar shtetin dhe për ta bërë Shqipërinë një shtet funksional.

E nëse kjo punë në vazhdim do të na sjelle në afat të mesëm, në kushtet kur do të kemi në çdonjërin nga sektorët, sisteme që do të jenë në gjendje ta zmbrapsin në një masë të konsiderueshme korrupsionin, kjo nuk e bën të lehtë përplasjen e përditshme të qytetarëve me korrupsionin, në ndërkohë që rezultatet e pritshme të reformave do të vijnë më vonë. Prandaj kemi nevojë të ecim në dy binarë paralel. Nga njëra anë të thellojmë reformat, të transformojmë sektorët, të bëjmë të mundur që sektorët të vihen në funksion të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe nga ana tjetër të ndërtojmë çdo ditë një aleancë gjithmonë e më të gjerë me qytetarët, për t’u përballur rast pas rasti me korrupsionin.

Nëse janë 1 milion e 300 e ca mijë përdorues të kësaj arme, kjo do të thotë që në këtë moment, ne kemi 1 milion e 300 e ca mijë luftëtarë potencialë, për ta zmbrapsur korrupsionin, mjafton që gjithsekush të marri përsipër pjesën e tij, duke refuzuar atë që i del përballë dhe që i kërkon ryshfet, apo që e detyron a përpiqet ta detyrojë, të përfshihet në një marrëveshje të paligjshme, në funksion të marrjes së një shërbimi.

Sigurisht që kjo nuk është e thjeshtë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Dhe kjo është arsyeja pse u ndërtua kjo platformë. Gjithashtu, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, sot dhe do të vazhdojmë ta promovojmë këtë platformë, sepse besimi i qytetarit tek shteti është rrënuar në një mënyrë tragjike, për vite të tëra, sepse besimi i qytetarit, që merr përsipër të denoncojë një akt apo një ofertë korruptive tek instancat që duhet të adresojnë denoncimin, është bërë copë-copë, për vite të tëra. Sepse në këtë përpjekje të dëshpëruar, deri më sot, të qytetarëve për të bashkëpunuar me shtetin dhe për t’ju kundërvënë një akti apo një oferte korruptive, kanë munguar jo vetëm vullnetet, por edhe instrumentet, duke filluar nga fakti që shumë nga denoncimet, shumë nga ankesat, shumë nga shqetësimet bien në vesh të shurdhët, duke rënë në një gropë të madhe të mbushur me letra, me shkresa, me burokraci.

Kjo platformë kapërcen burokracinë. E kjo platformë ka përgjegjës të drejtpërdrejtë dhe që nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë së tyre. Sepse në momentin kur qytetari merr përsipër të bëjë denoncimin, ky denoncim nuk shkon në një dorë të vetme, gjë që e bën qytetarin jo vetëm mosbesues, por edhe të ndrojtur për shkak se mund të marrë jo vetëm atë që mos të ketë përgjigje, por edhe reagimin e të denoncuarit, për shkak të lidhjes së shkurtër me burimin ku ka shkuar informacioni. Ndërkohë që kjo platformë bën të mundur që ankesa apo denoncimi të shkojë në të njëjtën kohë, në katër drejtime të ndryshme. Të katërt këto drejtime janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përgjegjësia për të trajtuar denoncimin shkon në nivelin më të lartë, tek zyra e Kryeministrit, tek ministri përgjegjës, tek Departamenti Antikorrupsion dhe tek salla operacionale e këtij mjeti të ri, që vihet sot, në dispozicion për qytetarët.

Është e pamundur që ne t’ia dalim pa këtë bashkëpunim. Është e pamundur që ne ta lëmë Shqipërinë të vazhdojë të jetë pre e një perceptimi të tmerrshëm, të cilin e ushqejmë nga pak të gjithë së bashku, duke u ankuar për korrupsionin, duke folur për korrupsionin, duke e trajtuar korrupsionin si pengesën tonë më të madhe, duke pasur të gjithë prirjen që të themi “kërkojnë lekë”, por pa arritur deri më sot ta godasim korrupsionin, duke vepruar bashkërisht dhe ta adresojmë problemin e korrupsionit aty ku ai shfaqet. E për këtë arsye, ne i besojmë kësaj platforme, si një mundësi për të ndarë gjithë atë mori fjalësh dhe thashethemesh që ushqejnë perceptimin, nga fakte konkrete dhe shfaqe konkrete të korrupsionit në jetën e përditshme të qytetarëve.

Unë i siguroj të gjithë se ne kemi bërë një përpjekje të posaçme, nga unë tek të gjithë ministrat, për ta ndjekur çdo ankesë dhe me shumë keqardhje kemi konstatuar që në një numër shumë të madh rastesh, kur çështjes i është shkuar, ose komunikimit i është shkuar drejtpërdrejtë tek qytetari, reagimi është që “jo, nuk mi kanë kërkuar mua lekët, por kështu kam dëgjuar”. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kur vjen puna tek faktet konkrete, kemi vënë re një droje dhe një shmangie, çka na ka bërë të mendojmë se krijimi i një mundësie për të denoncuar, duke ruajtur anonimitetin, mund të ndihmojë që kushdo që dëshiron apo ka vullnetin ta denoncoj një fakt apo një akt konkret dhe nuk ka dëshirë dhe kurajë të shfaqet me emrin e tij, të mund ta bëjë këtë gjë.

Ajo që e shoqëron këtë portal është një skuadër e tërë operacionale, e cila do të punojë me dy turne, për të siguruar ndjekjen e të gjitha denoncimeve dhe për të pasur nën kontroll të gjithë procesin 30 ditor të trajtimit të çdo denoncimi. 30 ditë është maksimumi, ndërkohë, në rast se ka denoncime që janë haptazi dhe qartazi flagrante, reagimi do të jetë i menjëhershëm. Kjo do të bëjë nga ana tjetër, që të fillojë të krijohet edhe brenda administratës, vetëdija se përballë në sportel nuk janë njerëz të nënshtruar e të nënshtrueshëm përmes një kushti korruptiv, por janë qytetarë që potencialisht, secili prej tyre, mund të jetë denoncuesi i radhës i një kushtëzimi korruptiv të dhënies së shërbimit.

Sot, ne regjistrojmë mbi 500 zyrtarë të të gjitha niveleve, që janë në proces penal për korrupsion dhe një numër ende më të lartë masash administrative, për këtë shkak, për zyrtarë të tjerë, pa llogaritur këtu se vetëm brenda Policisë së Shtetit kemi mbi 1200 punonjës, rreth 11% të gjithë trupës së Policisë së Shtetit, që ose janë proceduar penalisht, pasi janë ndaluar për korrupsion, ose janë proceduar administrativisht për shfaqe që bien ndesh me etikën dhe me ligjin.

Nga ana tjetër, sot, ne kemi arritur të vendosim një standard të ri transparence dhe respekti për ligjin dhe për procedurat ligjore, por edhe më shumë se kaq, për raportet etike me të tretët në të gjithë marrëdhëniet e qeverisë sonë. Sot është e paimagjinueshme për shembull, ajo që ndodhte deri dje, që një ministër të mund të shpërndajë si pasurinë e të atit, lejet për të bërë hidrocentrale, apo që një qeveri të bëjë atë që është e paimagjinueshme sot, të japi mbi 200 leje minerare jashtë të gjitha rregullave teknike. Të gjitha këto, tanimë të pezulluara, por që kanë lënë një seri andrallash mbas, për administratën dhe për burimet natyrore të vendit.

Nga ana tjetër besoj se është qartë që nëse ne sot kemi 65% më shumë referime për vepra penale të korrupsionit dhe krime të kësaj natyre për zyrtarë në detyrë, kjo nuk mjafton. Sado t’i rrisim shifrat në këtë drejtim, kjo do të jetë e pamjaftueshme, nëse ne nuk krijojmë një trysni sociale të përgjithshme dhe të vazhdueshme ndaj korrupsionit. Trysni që jam i bindur dhe jemi të bindur që bashkëpunimi në këtë platformë na e garanton. Trysni që mund të krijohet vetëm nëse qeveria dhe qytetarët bëhen një, në këtë betejë, vetëm nëse çdo qytetar, të cilit i shfaqet korrupsioni ballë për ballë, merr përsipër ta përdorë këtë armë dhe pastaj, cilido ministër që ka përgjegjësinë të ndjekë denoncimin e qytetarit vihet menjëherë në dispozicion të çështjes dhe bashkë me qytetarin i shkojnë deri në fund çështjes, duke përfshirë edhe të tjerët, sipas rastit dhe natyrës së denoncimit të bërë.

Nuk është aspak e pamundur, përkundrazi, ne besojmë që kjo është një rrugë e re dhe është një rrugë e sigurt për të luftuar sëbashku korrupsionin.

Por arsyeja pse sot, një pjesë e ministrave dhe zëvendësministrave dolën njëri pas tjetrit dhe pse unë jam këtu, është shumë e thjeshtë, jo për të mbajtur një seri fjalimesh se ç’është korrupsioni, sa shumë të këqija na vijnë nga korrupsioni, sa shumë vullnet kemi për ta luftuar korrupsionit, por për t’ju thënë të gjithë qytetarëve anembanë vendit, që nëse sot keni në dorë një aparat telefoni celular, nga sot keni në dorë përmes këtij aparati, një armë për ta luftuar konkretisht korrupsionin, sëbashku me ne. Dhe jo vetëm kaq, por për t’ju thënë po ashtu, që nëse ju nuk do ta përdorni këtë armë dhe nëse ju do të mjaftoheni duke u ankuar në mënyrë të përgjithshme, apo duke ushqyer perceptimin e korrupsionit dhe për pasojë të një Shqipërie të korruptuar nga të katër anët, pa marrë përsipër të luani rolin ruaj, nuk ka shanse që lufta kundër korrupsionit të na japë rezultate të shpejta, në ndërkohë qe ne presim me plot të drejtë, rezultate të mëdha e të qëndrueshme, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, si rezultat i reformave.

Po ju jap shembullin konkret, të korrupsionit në emërimet e mësuesve. Është një fenomen, i cili u zhvillua dhe u bë i papërmbajtshëm për vite me radhë, për shkak të një sistemi të ndërtuar krejt gabim. Thjesht ndryshimi i këtij sistemi dhe heqja e mundësisë për të bërë emërimet, të individëve që kanë përgjegjësinë e drejtimit të drejtorive dhe të zyrave arsimore dhe krijimi i një sistemi konkurrence ku përmes provimit, çdo kandidat për të punuar si mësues e përcakton vetë pozicionin në radhën e pritjes, na ka sjellë një goditje shumë efikase kundër korrupsionit, në këtë aspekt. Por kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllim sytë dhe të flemë rehat se e zgjidhëm problemin, pasi mënyra sesi korrupsioni shfaqet në të gjitha ato aspekte që i preku ministrja e Arsimit na detyron që krahas ndryshimit të vazhdueshëm të të gjithë mekanizmave brenda sistemit, të bëjmë këtë luftë. E kjo vlen për të gjithë e për të gjitha rastet. Kjo vlen për arsimin, kjo vlen për shëndetësinë, kjo vlen për legalizimet, kjo vlen për hipotekën, që është një nga gangrenat më të mëdha që kemi trashëguar dhe ku ne jemi të vetëdijshëm se sot e gjithë ditën vazhdon e njëjta histori, por ku thyerja e menjëhershme mund të vijë në rast se qytetarët që shkojnë në zyrën e hipotekës përdorin në momentin që u shkelet e drejta për të marrë përgjigje, apo që i kalon afati, këtë armë. Mjafton të lidhen me ketë platformë dhe të çojnë denoncimin e tyre, për ta kthyer çështjen e tyre me hipotekën nga një çështje mes tyre dhe hipotekës, në një çështje që është mes nesh, bashkërisht, qeverisë dhe tyre me korrupsionin dhe për të dhënë mesazhin e qartë tek çdo punonjës i hipotekës, që në rast se qytetari do të vonohet, atëherë nuk do të jetë më vetëm qytetari që do të zvarritet ditë për ditë, duke pritur me sytë nga qielli që t’i vijë përgjigja, por do të jetë qytetari dhe qeveria, ballë për ballë me punonjësin në fjalë. Dhe punonjësi në fjalë do të jetë i detyruar të japi shpjegime shumë të qarta dhe shumë bindëse që ky nuk është një akt korruptiv, sepse përndryshe do të duhet të kalojë nga ajo anë e sportelit, tek ana tjetër, e bankës së të akuzuarve për shpërdorim me detyrën.

I patë rastet e tmerrshme të vjedhjeve së parave të qytetarëve nëpër zona të varfra, nga punonjës të postës që mblidhnin pagesat e energjisë. Të gjithë ata punonjës të postës që sot janë në ndjekje penale, janë aty sepse qytetarët denoncuan, përndryshe, askush nuk do të kishte marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Por në atë rast, qytetarët denoncuan, sepse OSHEE u kërkoi të ripaguajnë atë që ata kishin paguar. Nuk duhet lënë të shkojë deri këtu.

Nëse dje qytetarët nuk e kanë pasur këtë mundësi, nga sot e kanë këtë mundësi. Nga sot dhe këtë e them me bindje, çdo qytetar që ka një aparat celulari ka në dorë armën për të luftuar edhe korrupsionin, ka në dorë armën për t’u mbrojtur nga çdo punonjës i hipotekës, i ALUIZNI-t, i policisë, i tatimeve, i doganave, i spitalit, i shkollës, i kujtdo sektori dhe sporteli, që tenton ta nënshtrojë duke i vendosur si kusht një pagesë të paligjshme. Mjafton që qytetarët të marrin thjesht mundimin dhe për këtë të njoftojë drejtpërdrejt zyrën e Kryeministrit, ministrin përkatës, Departamentin Antikorrupion dhe sallën operative të kësaj platforme.

Besoj se përmes këtij inovacioni dhe falë teknologjisë së re, ne sot kemi në dorë një instrument që të tjera vende që kanë bërë beteja të tilla më parë dhe që sot janë në familjen europiane nuk e kanë pasur, sepse sot teknologjia ne na e jep këtë mundësi.

Duke qenë i vetëdijshëm se problemi ynë kryesor në drejtimin e kësaj aleance të madhe kundër korrupsionit është besimi, po përsëris atë që e përsëriti më shumë se një herë, Koordinatori ynë Kombëtar kundër Korrupsionit, ministri i Çështjeve Vendore, të nderuar qytetarë dhe qytetare na vini në këtë provë. Na vini në provë, vini në provë vullnetin tonë, vini në provë seriozitetin tonë, vini në provë efikasitetin tonë për të luftuar krah për krah me ju, individualisht dhe për të mos qenë vetëm, as ju dhe as ne, në betejën me korrupsionin, që nuk është një mallkim nga Zoti, as nuk është një sëmundje që nuk i dihet se ku e ka origjinën, por për ju, kur e ndeshni ka një fytyrë, ka një emër, ka një vend ku shfaqet dhe ju mjafton që t’ia tregoni fytyrën, emrin dhe vendin dhe pastaj, pjesën tjetër na e lini neve. Na e lini ne, që sëbashku me ju t’i ndryshojmë fytyrën një herë e përgjithmonë Shqipërisë dhe t’ia heqim këtë njollë të tmerrshme, që për vite të tëra ka ardhur duke u nxirë dhe duke e nxirë imazhin e vendit tonë, si vendi që është atdheu i korrupsionit. Shqipëria nuk është atdheu i korrupsionit dhe Shqipëria, kurrë nuk mund të jetë atdheu i korrupsionit!

Por, që kjo të kthehet nga një e vërtetë e dëshiruar, në një të vërtetë të prekshme për të gjithë, ne duhet të luftojmë sëbashku për ta hequr një orë e më parë, këtë njollë nga fytyra e vendit tonë dhe për ta çliruar një orë e më parë, imazhin tonë. E për ta çliruar imazhin tonë, duhet të zgjidhim problemin dhe jo të bëjmë truke dhe makijazhe. Armën nga sot e keni në dispozicion, unë shpresoj shumë që ta përdorni sa më shumë dhe me sa më shumë besim.

Ne jemi këtu dhe do të japim përditë provën se sëbashku, hap pas hapi do ta bëjmë të pamundur që punonjësit e shtetit të kërkojnë ryshfet, sepse përsa kohë reformat do të vazhdojnë me pjesën e tyre më të vështirë, që është pjesa e operacionit dhe e dhimbjes, na duhet që frika të ruajë vreshtin dhe frika që prodhon vetëdija e krijuar tek çdo nëpunës, që qytetari që kanë përballë nuk është i çarmatosur, por ka në xhepin e vet këtë armë, të jeni të sigurt që shumë shpejt do ta ruajë gjithë vreshtin.
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?