Përshëndetje të gjithëve!Ky është një takim i pazakontë, për një situatë të jashtëzakonshme. Asnjëherë më parë Policia e Shtetit nuk është angazhuar drejtpërdrejt kundër formës më të egër dhe me pasoja më të rënda në afatgjatë të kriminalitetit, që është kriminaliteti mjedisor.
Por, sot, ne jemi këtu, sepse Qeveria shqiptare ka sanksionuar falë mbështetjes që ka marrë në Kuvendin e Shqipërisë, detyrimin e Policisë së Shtetit për të përfshirë në protokollin e punës së vet, krimin mjedisor dhe detyrimin e çdo punonjësi policie dhe çdo salle operative në gjithë territorin Shqipërisë për t’u marrë drejtpërdrejt me krimin mjedisor si me çdo krim tjetër, si në çdo krim tjetër të rëndë, që parashihet nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
Dua ta shfrytëzoj këtë rast, për ta filluar me një falenderim për të gjitha forcat e policisë që janë angazhuar gjatë sezonit turistik. Jo vetëm shifrat, por edhe dëshmitë e shumta të qytetarëve, të marrë në mënyrë spontane apo përmes anketimeve tona, dëshmojnë se ky angazhim, bashkë me angazhimin e një sërë agjencish të tjera na kanë dhënë rezultate konkrete, duke e bërë këtë sezon turistik, një sezon me 30% më pak vrasje se e njëjta e periudhë e një viti më parë dhe 40% më pak sesa e njëjta periudhë e dy viteve më parë. Për më tepër, ai vlen përsëritja, krahasuar me një vit më parë ka një ulje me 75% të vjedhjeve me dhunë dhe armë të turistëve në zonat turistike dhe akset rrugore.
E duke folur për akset rrugore, kemi hedhur një hap të parë, por të pamjaftueshëm, për të transformuar kufirin që ndan Shqipërinë me Kosovën, në një kufi inekzistent gjatë periudhës së sezonit turistik. Është bërë një punë goxha voluminoze nga policia e angazhuar në këtë drejtim, por duhet përgatitemi që vitin e ardhshëm, kufiri të jetë tërësisht i lirë dhe mjetet që qarkullojnë në atë kufi në funksion të prurjeve të turistëve nga Kosova të qarkullojnë pa asnjë kontroll.
Nga ana tjetër, aksidentet rrugore janë ulur me 22%. Është një shifër shpresëdhënëse. Ka ende shumë për të bërë, sidomos përsa i përket përmirësimit të mëtejshëm të sinjalistikës rrugore, që deri një vit më parë ishte ku thërret kiameti, por edhe përmirësimit të mëtejshëm të punës së Policisë së Shtetit, qoftë për të sensibilizuar gjithë drejtuesit e automjeteve, siç po ndodh prej disa muajsh, qoftë edhe për të marrë masat imediatisht në vend. Jam i bindur që këtu, teknologjia do të luajë një rol të dorë së parë. E, faktikisht, numri i viktimave të aksidenteve është ulur me 29%, ndërsa numri i të plagosurve rëndë në aksidente është ulur me 39%. Dhe, në tërësi, kemi pasur një rritje me 14% të fluksit të vizitorëve. Ndërkohë që, duke iu referuar numrit total të vizitorëve të huaj jo rezident, jemi tani në mbi 1 milion e 200 mijë. Unë besoj se ka një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm, që ende nuk është marrë në konsideratë në masën dhe në formën e duhur. Ky faktor ka të bëjë me përpjekjen tonë të përbashkët si shoqëri, por edhe me përpjekjen e re të Policisë së Shtetit si një strukturë e pazëvendësueshme, për të mbrojtur Shqipërinë nga shëmtimi. Pasuria më e madhe e Shqipërisë është bukuria e saj dhe goditja më e rëndë që i bëhet asaj vjen nga krimi mjedisor.
Synimi ynë strategjik është të kalojmë nga një zhvillim i paqëndrueshëm, kaotik dhe rrënues i territorit të vendit në një zhvillim të qëndrueshëm, duke pasur parasysh se kapitali i dytë për nga rëndësia, për Shqipërinë, pas kapitalit njerëzor, është pikërisht territori, bukuria, larmia dhe gjithë pasuritë që ky territor ka dhe ofron. Ne kemi ardhur në qeverisje me një vizion të qartë për një qasje të re ndaj zhvillimit, për një model të ri zhvillimi ekonomik e social dhe sigurisht, edhe për një model të ri të kontrollit dhe administrimit të territorit. Por, sot është dita për të hapur një faqe të re, për të hyrë në një kapitull të ri lufte me krimin dhe kriminalitetin mjedisor, në gjithë përmasat e veta. E, kjo ka qenë dhe arsyeja që pse qysh në programin tonë, por edhe më pas, në ligjin për Policinë e Shtetit kemi jetësuar pikërisht kompetencën e patjetërsueshme të Policisë së Shtetit, për t’u marrë drejtpërdrejt me këtë krim.
Deri tani arrin në afro 1 mijë numri i objekteve të kundërligjshme që janë goditur nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, por është një numër sa mbresëlënës, aq edhe tërësisht jo domethënës, në raport me përmasën dhe thellësinë e problemit që duhet të përballim dhe zgjidhim sëbashku. Problemit të krimit mjedisor. Për këtë arsye, edhe vetë Inspektorati Kombëtar Urbanistik do të njohë me shpejtësi një tjetërsim të plotë. Do të kalohet nga një Inspektorat, i cili nuk na përgjigjet përsa i përket asaj që ne presim në luftën me krimin mjedisor, për shkak të mënyrës sesi është i strukturuar dhe për shkak të varësisë që ka, në një inspektorat për mbrojtjen e territorit të vendit tonë, që do të kalojë në varësinë e Ministrisë së Brendshme. Jo vetëm kaq, por Inspektorati si tillë do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe gjithë burimet njerëzore të këtij Inspektorati do të transformohen rrënjësisht, nga burime njerëzore tërësisht të pamjaftueshme për të përballur problematikën nga pikëpamja juridike dhe teknike, në burime njerëzore që do të merren drejtpërdrejt me këtë problematikë, në funksion të punës së Policisë së Shtetit për zbulimin, shoqërimin dhe arrestimin e çdo krimineli, se i tillë quhet, ai që cenon qoftë edhe një metër katror të përbashkët, pa gjithë autorizimet përkatëse të shtetit.
Deri tani kemi vepruar në katër drejtime kryesore.
Kemi transformuar tërësisht strukturën organizative të Shqipërisë përmes një Reforme Administrativo-Territoriale, që na jep mundësinë që të kalojmë nga një vend i copëtuar organizativisht dhe i kafshuar nga qindra e qindra struktura të korruptuara në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm të korruptuara, por edhe të pa pajisura me burimet njerëzore e financiare dhe instrumentet përkatëse për të bërë punën e tyre, në një Shqipëri në ndarë në vetëm 61 njësi vendore. 58 prej të cilave janë bashki të reja, të krijuara mbi bazë të kritereve të reformës dhe 3 prej të cilave janë njësi të ngritura jashtë kritereve, në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të lirive dhe të drejtave të minoriteteve.
Së dyti, kemi kaluar në një fazë përfundimtare zgjidhjeje, të problemit shumëvjeçar të legalizimeve, duke ndërtuar një proces ku legalizimet falas shënojnë jo vetëm fundin e kalvarit për mijëra e dhjetëra mijëra familje që i presin legalizimet prej vitesh, por edhe domosdoshmërinë për t’i dhënë fund ndërtimit pa leje. E këtu, duhet të hap një parantezë. Ka sot autorë ndërtimesh pa leje, që vazhdojnë të hedhin llaç e vënë tulla, me pretendimin se jemi në proces legalizimi. Këto ndërtime janë të paligjshme dhe duhen trajtuar si të tilla dhe duhen përplasur përtokë si të tilla. Autorët e këtyre ndërtimeve duhen ndaluar e shoqëruar në polici, duhen arrestuar e çuar përpara gjyqit si pjesëmarrës në krim. Sepse legalizimi si proces, përsa i përket kërkuesit përfundon në momentin kur ka dorëzuar dokumentet dhe Agjencia legalizon atë çka shkruhet në dokument, jo atë çka vazhdon në territor.
Së treti, kemi marrë masa për çlirimin e territorit nga vendndodhjet e plehrave në të gjitha akset rrugore, si vendndodhje të pacertifikuara, por të imponuara prej vitesh të tëra lënie Shqipërie në mes të pisllëkut dhe për rigjenerimin e hapësirave publike, e hapësirave të gjelbra dhe e hapësirave të përbashkëta natyrore të zonave turistike.
Së katërti, kemi nisur një program investimesh strategjike, pikërisht në funksion të rigjenerimit urban, që do të jetësohet hap pas hapi në muajt e mbetur të vitit.
Por duhet të jemi të vetëdijshëm, ky është një aksion shumëplanësh, që në fund të fundit konsiston nga njëra anë, në vendosjen në kontroll të plotë të territorit dhe në luftën pa kompromis ndaj çdo krimi mjedisor. Por, nga ana tjetër, në një luftë që mund të specifikohet me një fjali të vetme; Ndaj informalitetit që mban peng një kapital prej miliarda dollarësh, që sot hyn tek ai që quhet kapital i vdekur dhe i paqarkullueshëm. Pikërisht, sepse jemi në një hapësirë informaliteti total. Dëmi që i ka bërë gjithë këto vite, ndërtimtaria pa leje, këtij vendi, është i pallogaritshëm. Por i pallogaritshëm është dëmi që i bëhet çdo ditë këtij vendi përmes zinxhirit të ndërtimeve pa leje, që është kthyer në një tel me gjemba përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, fjala vjen, apo në një zinxhir minash të vendosura në gjithë territoret e tokës bujqësore.
Për të gjitha këto arsye, Qeveria ka vendosur çeljen e menjëhershme të fazës së dytë të betejës dhe vendosjen në vijën e parë të kësaj beteje, të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në terren dhe të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në sallë operative, që në bashkëpunim të ngushtë me çdo qytetar që ankohet për një ndërtim pa leje aty pranë, duhet të vënë në lëvizje menjëherë, të gjitha strukturat e komisariateve, për të vepruar në teren siç veprohet kur lajmërohet një vrasje, kur lajmërohet një aksident, kur lajmërohet një grabitje, apo kur lajmërohet një përplasje që rrezikon të përfundojë me vdekje. Ky është dimensioni i krimit mjedisor, që të gjithë ju, në radhë të parë, duhet që ta qasni me po atë shpejtësi, me apo atë vendosmëri, me po atë vullnet, siç qasni çdo krim tjetër të rëndë me të cilin jeni mësuar të përballeni ditë pas dite. Dhe për t’i dalë Zot plotësisht, territorit të Republikës së Shqipërisë na duhet ky kalim përfundimtar në duart e Policisë së Shtetit, i përgjegjësisë për të mbrojtur integritetin e pronës publike dhe private.Nuk mund ta mbrojë integritetin e pronës publike dhe private asnjë inspektoriat dhe asnjë agjenci tjetër, ashtu siç mund dhe duhet ta mbrojë Policia e Shtetit shqiptar, për vetë faktin se cenimi i integritetit të pronës publike dhe private shënohet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë si një vepër e rëndë, kriminale.
Është e papërfytyrueshme që të vazhdojë shkatërrimi i pronës në rrugët kombëtare. Ku ka qenë deri më sot Policia e Shtetit për 20 vite me radhë, ndërkohë që në të dy anët e rrugëve tona kombëtare i është hapur rrugë me leje abuzive, në kundërshtim me ligjin, nga autoritet vendore, por dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, por edhe tërësisht pa leje, një zhvillimi skandaloz që nuk e gjejmë në asnjë vend të rajonit, në asnjë vend të Europës dhe që i ka kthyer rrugët tona nacionale në korridore pasigurie, aksidentesh dhe kriminaliteti dhe pamundësie për policinë për të pasur kontroll të plotë?!
Si mundet uniforma blu të lëvizë indiferente më tutje, kur shikon se ne anë të rrugës shkatërrohet prona e shtetit, e cila është e sanksionuar ligjërisht që gjendet 20 metra në dy anë nga aksi dhe krijohen hyrje pas hyrjesh, pas hyrjesh në kundërshtim me çdo kod rrugor, në kundërshtim me çdo normë sigurie, duke i bërë rrugët tona praktikisht, tërësisht jashtë çdo standardi ndërkombëtar, por dhe jashtë çdo standardi kombëtar?!
Si mundet që grabitësit të bëjnë ligjin nëpër akset kombëtare, duke vjedhur sinjalistikën, duke vjedhur kabllot e ndriçimit, duke vjedhur shtyllat dhe duke bërë çfarë duan përballë indiferencës së plotë të policisë së shtetit?! Munden, sepse kjo e gjitha ka qenë strukturore dhe fatkeqësisht askush si ka kërkuar ashtu siç duhet, aq sa duhet dhe njëkohësisht s’e ka mbështetur me format dhe instrumentet që duhen Policinë e Shtetit për të marrë përsipër këtë rol.
Shpërndarja e kësaj përgjegjësie nëpër dhjetëra inspektorate, që njëri merret me zhavorrin, tjetri merret me gjelbërimin, tjetri merret me ndërtimet pa leje, tjetri merret me zhurmat etj..., ka bërë që praktikisht askush të mos mbajë përgjegjësi.
Për këtë arsye, në radhë të parë ne kemi pezulluar të gjitha lejet zhvillimore nga njësitë vendore, bazuar në planet e tyre deri në zgjedhjet e ardhshme vendore për të parandaluar atë që tradita na mëson se është bumi parazgjedhor i papërgjegjshmërisë së plotë dhe i korrupsionit që shpërthen bazuar mbi motivin e thjeshtë të autoriteteve të papërgjegjshme “pas meje le të bëhet kiameti”.
E nga ana tjetër do të çelim menjëherë procedurat për konkurrimin ndërkombëtar për pesë projekte zhvillimi në zonën Tiranë-Durrës, që nuk mund më të shkallmohet nga gjithfarë lloje ndërtimesh me leje apo pa leje, jashtë çdo lloj konsiderate për atë që është metropoli i nesërm, jo vetëm i Shqipërisë, por dhe një nga metropolet më të rëndësishme të rajonit, si metropol zhvillimi ekonomik. E pastaj për të gjithë vijën bregdetare të Jonit, jemi duke u përgatitur për të vazhduar më tej me pjesën tjetër të vijës bregdetare. Por çdo të thotë kjo?! Na rrofshin konkurset, na rrofshin planet dhe projektet, na rrofshin qëllimet e mira dhe paratë që shpenzojmë, nga xhepat e taksapaguesve për t’i dhënë jetë një vizioni tjetër për Shqipërinë Europiane, nëse në ndërkohën që ne bëjmë gati projektet, atje kafshohet territori në të cilin këto projekte do të jetësohen. Nëse në ndërkohën që ne investojmë paratë e taksapaguesve për infrastrukturë, na duhet nesër të ndeshemi me gjithfarëlloj falsifikatorësh, gjithfarëlloj grabitësish të pronës, gjithfarëlloj bashkëpunëtorësh në agjencitë shtetërore përmes kanaleve të korrupsionit, që kërkojnë shpronësim.
Janë të panumërta rastet kur duhet të shpronësojmë me paratë e popullit shqiptar, ndërtesa që janë legalizuar në mënyrë të paligjshme, tërësisht të paligjshme, buzë rrugëve kombëtare, mbi plazhe, mbi rërë, në shtretër lumenjsh. Kush mban përgjegjësi për këto? Ligjërisht përgjegjësinë e mban sigurisht grabitësi, por sot më shumë se kurrë moralisht dhe shtetërisht përgjegjësinë e mban Prokuroria dhe Gjykata që nuk kanë bërë asgjë, deri më sot për t’i vënë fre këtij fenomeni, që i kanë trajtuar dhunuesit e pronës “si mish për topat e korrupsionit”. E që në mbi 1000 raste që për herë të parë në historinë e vetë Policia e Shtetit ka denoncuar, nuk kanë arritur të gjejnë kurajën ligjore dhe morale që të mbajnë në burg qoftë dhe një të vetëm, me atë teorinë e ndjekjes në gjendje të lirë që nuk është gjë tjetër, veçse kthim në vendin e krimit të grabitësit të tokës dhe ndërtuesit të paligjshëm, për të vazhduar ndërtimin e vet të paligjshëm.
Unë i kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm angazhimin e plotë të institucionit të prokurorisë dhe kam gjetur dëgjimin e vëmendshëm dhe shprehjen e vullnetit të tij të plotë për ta vënë Prokurorinë e Republikës në dispozicion të kësaj beteje që nuk është një betejë për sot, por është një betejë për 100 vitet të ardhshme. Një betejë për Shqipërinë, që do t’u lëmë fëmijëve tanë dhe për potencialet e zhvillimit që do t’u lëmë fëmijëve tanë. Sepse kjo që ndodh nuk shkatërron vetëm atë që shohim, por shkatërron potencialet e zhvillimit. E bën Shqipërinë nga një vend i bekuar që mundtë zhvillohet dhe të transformohet, në një nga vendet më atraktive të Mesdheut, - në një shkretëtirë mundësisht, ku në çdo hap do të gjesh abuzuesin, do të gjesh atë që e ka kthyer detin në shesh ndërtimi, parkingje në det, gurë pa fund të grabitur diku, të shkulur diku, duke vandalizuar male e kodra dhe të hedhur në bregun e detit, për të bërë pista, për të bërë hotele, për të bërë parkingje, përpara syve tërësisht qorra dhe barkut deri në fyt të autoriteteve që nuk kanë dashur për asnjë moment të ndërhyjnë, por kanë marrë pjesën e tyre në këtë proces. Kush mban përgjegjësi për këto? Kush i jep llogari fëmijëve tanë për këto? Që ne ta bëjmë llogaridhënien të qartë, ne na duhet sot dhe përgjithmonë më pas, që Policia e Shtetit të vendoset në vijën e parë në këtë proces.
Do të vazhdojmë goditjen e objekteve të paligjshme, por goditja do të jetë shumëpalëshe dhe goditja do të vazhdojë me të njëjtin intensitet kudo, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, derisa vendosja e një tulle pa leje të jetë një ëndërr e keqe e së kaluarës.
Jam i bindur se të gjitha këto që themi sot kanë një peshë tjetër se nuk janë fjalë që dëgjohen e thuhen për herë të parë, por kanë një peshë tjetër se në këtë betejë do të futet e gjitha Policia e Shtetit, me të njëjtin vullnet, me të njëjtën kurajo, me të njëjtën vendosmëri, qëndrueshmëri e këmbëngulje të përditshme siç është futur në Lazarat, siç është futur në Dukagjin, siç po bën spastrimin e Shqipërisë nga tumoret e kudondodhura të kanceri të drogës, në mënyrë që të spastrojmë Shqipërinë, organizmin e saj, nga ky kancer rraskapitës i ndërtimtarisë pa leje.
U bënë 23 vjet që gëlon nga të katër anët në të gjitha format, në trajtën e një tërbimi postideologjik, ndërtimtaria pa leje dhe krimi ndaj mjedisit. Kemi shkatërruar si asnjë popull tjetër në fundshekullin e XX-të dhe në fillimshekullin e XXI-të lumenjtë tanë, pyjet tona, bregdetin tonë, tokën tonë bujqësore, si asnjë shoqëri tjetër jemi bërë të gjithë pjesë e një shpartallimi që asnjë pushtues nuk do t’ja bënte një vendi dhe që asnjë popull armik nuk do t’ja bënte një populli tjetër.
Si askush dhe si asnjëherë në historinë e Europës jemi bërë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes në 20 vite, duke goditur të përbashkëtën për të përfituar diçka për vete. Është koha që kjo të marrë fund dhe unë jam i bindur që kjo Polici Shteti që ka dhënë prova spektakolare të Rilindjes së vet dhe të aftësisë së vet për t’u përballur me fenomene që duken të pamundura për t’u mundur, mund ta bëjë këtë.
Ka një protokoll të ri të punës së policisë ndaj krimit policor bazuar në ligjin e ri të policisë së shtetit.
Krimi mjedisor identifikohet dhe ndiqet nga Policia e Shtetit, si çdo krim tjetër i rëndë dhe përgjegjësia penale për veprat e krimit mjedisor është e pashmangshme. Prandaj mbi bazën e këtij protokolli të ri, unë dua ta apeloj dhe inkurajoj Drejtorin e Përgjithshëm dhe dua ta apeloj dhe inkurajoj të gjitha strukturat e policisë që do të përballen në vijën e parë me këtë fenomen për të filluar betejën me këtë fenomen që sot. Që sot. Sot dhe çdo ditë për të qenë në krah të qytetarëve, në krah të familjeve, në krah të komuniteteve që vuajnë në mënyrë sistematike në të gjithë territorin e Shqipërisë nga ata të cilët i japin vetes të drejtën të bëhen dhunues, të bëhen të dhunues të pronës së përbashkët dhe të përfitojnë nga dhuna, të pasurohen nga dhuna, të bëhen pronarë vilash nga dhuna, të bëhen pronarë pallatesh nga dhuna. Këta dhunues duhet t’i zmbrapsim dhe gjithë procesin e ndërtimtarisë në Shqipëri do ta fusim në shinat e përcaktuara nga ligjet e Republikës së Shqipërisë.
Besoj që fjalët më tutje janë të tepërta, besoj që mesazhi është i qartë, besoj që thirrja ulëritëse e çdo lumi, për kë ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar atdheun e vet, është kumbuese; e çdo pylli që po masakrohet, është kumbuese; e çdo metri vije bregdetare që dhunohet apo mund të behët objekt i dhunës, është kumbuese; e çdo ane rruge kombëtare, është kumbuese dhe mjafton që secili prej jush ta shohë këtë përpëlitje të territorit të atdheut tonë dhe ta dëgjojë këtë thirrje kumbuese që vjen nëpërmjet zërave të dëshpëruar të qytetarëve që i bien telefonave të 129-tës dhe deri më sot janë mësuar që të marrin mbrapsht përgjigjen që “nuk e kemi ne”, “shko atje”, pastaj ai tjetri i thotë “dil këtej”, pastaj “hajde këtu ta shikojmë njëherë”. E derisa qytetari i shkretë rraskapitet, krimi është kryer, dhe krimineli ka marrë përfitimet nga krimi që ka bërë.
Kjo është një betejë e egër, sepse është një betejë me paranë, me paranë e zezë të ryshfetit me të cilin do të përballeni të gjithë ju. Është detyrë e secilit prej jush ta zmbrapsë paranë e zezë të ryshfetit, por është detyrë e gjithë drejtuesve të policisë së shtetit që në këtë proces t’i mbajnë sytë hapur në të dy anët dhe të mos tolerojnë asnjë rast korrupsioni brenda policisë së shtetit dhe asnjë rast patrullash që shkojnë për të ndaluar kriminelin dhe ikin nga vendi i krimit, duke e lënë atë të vazhdojë të ndërtojë pa leje pasi kanë marrë ryshfetin e kriminelit. Është krim i rëndë dhe duhet trajtuar si i tillë. E me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtën shtytje të menjëhershme mekanike në çdo komisariat kur vjen sinjali për një vrasje apo për një tentativë për vrasje, për një plagosje, apo konflikt ose aksident, gjithë trupa duhet të dalë nga dyert e komisariatit, ashtu siç del për krimet e rënda, duhet të shkojë, në vendin e krimit, duhet të ndalojë dhe të shoqërojë në polici atë që ndërton pa leje dhe duhet të bëjë letrat për ta çuar përpara drejtësisë me akuzën për kryerjen e një vepre penale që në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet me burg.
Ju faleminderit shumë!