Fjala e Kryeministrit Rama në takimin “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” në Lezhë

Ministrja bëri një pasqyrë shumë të gjerë të asaj çka ka ndodhur në këto dy vite me reformën në arsim. Po përpiqem të them në mënyrë pak më të përmbledhur disa gjëra që besoj se janë të rëndësishme, jo për atë që është bërë, por për atë që duhet të bëjmë. Atë që duhet të bëjmë ne si Parti Socialiste, në një proces që ashtu sikundër jemi përfshirë përmes qeverisjes në reforma të një rëndësie të madhe për vendin, duhet të çojmë përpara, jo thjesht punën për të çuar numrin e anëtarësisë në objektivin që kemi përcaktuar për 25-vjetorin e Partisë Socialiste, në 150 mijë anëtarë, por për ta zgjeruar Partinë Socialiste, për ta hapur atë, për ta bërë atë një hapësirë, ku ka vend jo thjesht për të gjithë, por ka vend për të gjithë ata që përfaqësojnë Shqipërinë që punon, Shqipërinë që përpiqet përditë dhe që e gjejnë veten, jo siç e meritojnë të përfaqësuar në Partinë Socialiste.
Ta themi hapur dhe të shikojmë njëri-tjetrin në sy, që Partia Socialiste nuk mund të jetë hapësira ku tema dominuese është si të gjejmë një punë në shtet.
Partia Socialiste nuk mund të jetë hapësira ku të mund të diskutohet se kush është ky dhe kush është ai, “ky është i PD, ky është i dikujt tjetër, duhet të shkoj unë e ti zë vendin”, etj. Këto janë gjëra që i takojnë një epoke me të cilën nuk ka punë kjo forcë, që ka marrë në 23 qershor një besim shumë të madh për të bërë një transformim shumë të madh.
Nuk ka dyshim që problemi i meritës është një problem, larg së qeni i zgjidhur në Shqipërinë tonë dhe për këtë shkak, njerëzit kanë të drejtë dhe kjo, jo vetëm brenda Partisë Socialiste, kur ngrenë zërin dhe sipas rasteve nënvizojnë se dikush tjetër që nuk e ka atë arsim, nuk e ka atë eksperiencë, nuk e ka atë meritë që kërkon një vend i caktuar pune  - ka vendin e punës.
Por, nga ana tjetër, ajo që ka rëndësi themelore është që ne kemi marrë një besim të madh për të bërë një transformim që në radhë të parë duhet të jetë një garanci për gjeneratën tjetër.
Kanë kaluar më shumë se 10 vjet, janë 12 vjet që kur unë kam ardhur këtu, në këtë sallë si rishtar në Partinë Socialiste, në atë që atëherë ishte një proces, përpara një zgjedhjeje për lidershipin e Partisë Socialiste.
Kanë kaluar 25 vjet nga dita, kur shqiptarët morën në dorë fatin e tyre dhe vendosën që të ndërtojnë vendin në demokraci dhe shikoni ku jemi! Jemi në kushtet kur bëjmë debat publik dhe përplasemi politikisht për gjëra që duhet të ishin zgjidhur shumë e shumë vite më parë.
Jemi në kushtet kur nisim një operacion për informalitetin dhe në 45 ditë regjistrohen 32 mijë biznese, që nuk janë sigurisht biznese që lindën në ato 45 ditë.
Jemi në kushtet kur duhet të përballemi me qindra, mijëra ndërtime pa leje që u kthyen në një epidemi.
Jemi në kushtet kur duhet të përballemi me dhjetëra, mijëra të rinj të gjymtuar nga një sistem arsimor fals.
Jemi në kushtet kur duhet të përballemi me trashëgiminë e tmerrshme të një Policie Shteti që vetëm e shtetit nuk mund të quhej dhe vetëm polici nuk ishte dhe për të gjitha këto vazhdon debati, a thua se po zbulojmë Amerikën, ndërkohë që këto janë gjëra, të cilat duhet të ishin zgjidhur shumë e shumë vite më parë. Janë gjëra, që për të cilat nuk mund të digjej një gjeneratë e tërë për të ardhur në ditët e sotme, ku kemi ende problem madhor titujt e pronësisë.
Sot, 25 vjet, pasi kanë marrë me ligj të drejtën që të gëzojnë tokën, njerëzit në fshat nuk kanë akoma titujt e pronësisë në dorë. Ne vazhdojmë bëjmë diskutime, përfshihemi me pahir në debate të kota dhe harrojmë që gjithçka, ne bëjmë sot dhe gjithçka që sot nuk bëhet, është një kosto për ata, që sot janë fëmijë, por që shumë më shpejt nga ç’na duket do të bëhen 25 vjeç. Siç kaluan 25 vjet kur unë, Gjokë Jaku, Lindita e shumë të tjerë në këtë sallë ishim fare të rinj në momentin e ndryshimit.
Faktikisht, sot ne na duhet të kuptojmë të gjithë së bashku se Partia Socialiste ka në dorë fatin e 25 viteve të ardhme, ka në dorë atë se si do të jetë Shqipëria pas 25 vitesh, jo në kuptimin që pas 25 vitesh do të vazhdojë të jetë në pushtet Partia Socialiste dhe duhet të jetë kjo qeveri, por në kuptimin që ajo që po përpiqemi të bëjmë sot do të përcaktojë 25 vitet e ardhshme.
Reformat që ne po bëjmë sot janë reforma që duhet të ishin bërë shumë e shumë vite më parë, janë operacione që duhet të ishin zhvilluar shumë e shumë vite më parë, kur problemet në organizimin e ekonomisë dhe shoqërisë sonë sapo kishin filluar të shfaqeshin.
Janë operacione që duheshin zhvilluar pa u shfaqur agresivisht kanceri në të gjithë organizimin e shoqërisë sonë, në të gjithë organizmin e ekonomisë sonë, në të gjithë organizmin e shtetit tonë. 
Më tregoni një sektor, një të vetëm në këtë vend që dy vjet më parë nuk ishte i kapur plotësisht nga kanceri! 
Energjinë?!  Në vendin ku energjia duhet të jetë burimi kryesor i fitimit për të gjithë popullin shqiptar dhe që u kthye në problemin më të madh të shqiptarëve dhe në problemin më të madh të shtetit shqiptar.
Bujqësinë?! Në një vend ku mjafton të shkojë uji në arë për të pasur një histori komplet tjetër për qindra mijëra familje dhe uji në arë, ende sot është një problem shumë i madh.
Arsimin?! Arsimi në një vend ku sot kemi një ushtri të tërë të papunësh me diploma që nuk i duhen dreqit dhe që janë, as më shumë, e sa më pak si ato faturat e Sudes, kur Sudja doli tek penxherja dhe tha kjo ishte loja. Investime pa fund prindërish për t’i bërë fëmijët ekonomistë, juristë, inxhinierë dhe për t’i pasur sot në derë. Burra nga 30 vjeç që i kërkojnë lekë nga prindërit për të dalë të pinë kafe se s’kanë mundësi të bëjnë asgjë me atë diplomë që kanë marrë.
Shëndetësinë?! Një sistem komplet i zënë brenda, ku deri përpara dy vitesh ishin të përditshme talljet me njerëz të dëshpëruar që vareshin tek hekurat e spitalit “Nënë Tereza” sepse s’kishin më mundësi të gjenin ilaçe, me receta në dorë që thoshin ku t’i gjejmë ilaçet ne apo që vinin me çarçafë e batanije, në një spital që kur hyje ishte si një pazar i madh ku gjeje çdo gjë përveç mjekut. Gjeje çfarë të doje vetëm mjek nuk gjeje. Flasim për deri dy vjet më parë.
Rrogat?! Rrogat që rriteshin me gjasme dhe që propagandohej si një rritje e madhe ndërkohë që vetëm me heqjen e taksës së sheshtë ne i kemi rritur rrogat 7,5%. Çfarë është 7,5%? Asgjë nuk është përballë nevojave, për të mos llogaritur dëshirat, ëndrrat, shpresat e njerëzve, por ajo që është e rëndësishme, është të kuptojmë që nuk ka rrugë tjetër.
Të gjitha rrugët e tjera, të gjitha shtyrjet për nesër për shkak se s’po durojmë dot dhimbjet janë vetëm një kosto më e lartë nesër. Ku ka në botë prind që shtyn për nesër një operacion që i duhet sot fëmijës së vet. Nuk ka prind në botë që do të shohë operacion në trupin e fëmijës, por kur fëmija është në rrezik nuk ka rrugë tjetër. 
Si mund të vazhdojë ky popull të tallet dhe të nëpërkëmbet, nga njerëz të cilët i bëjnë propagandë gjithë ditën, e mbysin me budadallëk dhe me lloj-lloj çudirash që i prodhon një fantazi e shfrenuar që e krijon një etje, po aq e shfrenuar për pushtet, duke i ftuar që t’i kundërvihet të ardhmes së vet. Çka po bëjmë sot është në emër të së ardhmes.
Gjithëkush dhe gjithçka që na del përpara për të argumentuar të kundërtën është e shkuara, është shumë e qartë dhe është shumë e thjeshtë. Mjafton të shohësh rezultatet, për herë të parë në histori të këtij tranzicioni mizerabël, bëjmë një buxhet për vitin e ardhshëm ku energjia nuk është më problem për buxhetin dhe ku nuk na duhet më që të marrim para nga taksat e qytetarëve, nga xhepi i qytetarëve dhe t’i heqim nga projektet për shkolla, për çerdhe, për kopshte, për spitale, për qendra shëndetësore etj, dhe t’i fusim për të mbushur gropën e hajdutërisë që të mos na mbyllen dritat dhe të mos ngelemi në errësirë.
Në 2013-n janë dashur 210 milionë dollarë për të mbajtur në këmbë sistemin. Sistemin e vjedhjes.
Para se të vija këtu, ishim me Gjokën në Dajç, për të parë një punë të hapjes së një kanali kryesor kullimi, një kanal që unë e kam parë me sytë e mi përpara dy vjetësh dhe që ishte i mbushur me plehra dhe që ishte arsyeja më elementare pse edhe prurjet më të vogla të ujit përmbysnin të gjithë zonën. Kanali ishte hapur.
Kjo nuk do të thotë që hapja e atij kanali shpëtoi bujqësinë në zonë, ashtu sikundër nuk dua të them që sot falë mbështetjes që ne i kemi dhënë këtij sektori, në radhë të parë për të çuar ujin, janë 11 mijë familje këtu në Lezhë që mund të punojnë tokën, nuk e punonin dot deri dje se nuk kishin ujë.
Ashtu sikundër janë 4 mijë familje të tjera që janë shumë më të mbrojtura nga përmbytja më e vogël se nuk po flasim për përmbytjet më të mëdha se ju e dini shumë mirë se edhe në kohën kur nuk kishte ndërtime pa leje përmbytej zona e Ultësirës. Aty më doli një zotëri dhe më tha: Na ikin dritat. Për fat, pak metra më lart ishte një shtyllë. i thashë, - çfarë moshe ka ajo shtylla? Ajo duhet të jetë pak më e vogël se unë, ai ishte 50 e ca vjeç. Shtylla ishte e 1968-s se ishte dikush tjetër që e mbante mend. Kështu si mundej ne, që të mos bënim atë që bëmë dhe si mundet ne të vazhdojmë të diskutojmë këto çështje, në mënyrë kaq të parregullt për nga ana logjike kur jemi përpara një fakti kuptimplotë në të gjithë sektorët. 
Na duhej të frenonim hemoragjinë dhe pastaj të fillonim operacionin. Nuk jemi në kushtet kur mund t’i kërkojmë pacientit “çohu dhe vrapo”. Por, nuk mund të vrapojë pacienti nëse nuk operohet deri në fund si duhet dhe nëse nuk fillon të rebabilitohet.
Për herë të parë, kompania që deri dje ishte në prag të falimentit ka filluar t’i paguajë rregullisht taksat shtetit dhe ka filluar të bëjë investime serioze për të përmirësuar rrjetin. Për  herë të parë ne shohim dritë në fund të tunelit të aforfeve. Të paguash aforfe është një skandal, por nuk mjafton ta thuash, nuk mjafton të kesh dëshirën që t’i heqësh, duhet të kesh mundësinë për ta hequr. Si hiqet aforfeja?
Duke investuar në të gjithë territorin për t’i plotësuar të gjithë me matësa dhe për të pasur një raport të besueshëm mes konsumatorit dhe kompanisë. Se në qoftë se gjysma e vjedh, nuk ka rëndësi nëse gjysmës tjetër ia mat, mund t’ia masësh dhe ti vësh më shumë, siç ka ndodhur me vite e vite të tëra dhe vitin e ardhshëm ne, sipas të gjitha gjasave do të kurorëzojmë edhe përpjekjet për të hequr aforfetë sepse kemi mundësinë të bëjmë investime dhe investimet kanë filluar. Sepse njerëzit u bashkuan dhe dhanë kontributin e tyre, sigurisht jo të gjithë me qejf. Por fakti që mbi 80% e shqiptarëve, që do të thotë edhe shumë shqiptarë që nuk e paguanin energjinë, e mbështetën fuqimisht reformën dhe vazhdojnë ta mbështesin fuqimisht, tregon se shqiptarët nuk e kanë lënë pa paguar energjinë sepse kanë qenë të dëshiruar ta bëjnë këtë gjë, por sepse kanë qenë të udhëhequr mbrapsht, sepse iu është thënë mos i paguani, sepse u është shkelur syri, sepse u është krijuar mundësia. A mund të bëjë një pabesi më të madhe se kjo një qeveri si ajo e mëparshmja që i la shqiptarët të mos paguanin dhe i krijoi idenë se mund të vazhdonin ta shtynin kështu, por ndërkohë borxhet ua la aty të gjitha.  “Ti vazhdo bëj qejf. Vazhdo ha e pi te lokali im, e unë ti mbaj shënim, por nuk ta them!” sot, vazhdon e flet.
Mund të ketë moral, mund të ketë logjikë, që ti drejtohesh sot shqiptarëve e ti thuash, “këta ju vodhën 600 mln dollarë!” Ndërkohë që kompania ishte lënë në mëshirë të fatit, e rrezikonim që të paguanim një shumë që nuk do e mbanin dot financat, sistemi ynë energjitik jo e jo, por as sistemi ynë financiar, në rast se do të humbisnim, në një gjyq që ishte qartësisht i humbur.
Ne i shpëtuam shtetit dhe shqiptarëve 802 milionë dollarë. Ka një llogari shumë të thjeshtë, sepse rimorëm mbrapsht asetet, sepse borxhet i kthyem në para me kontributin e qytetarëve dhe mbi të gjitha, sepse zgjidhëm një problematikë të tërë në disa aspekte, që mund të na kishte kushtuar lëkurën.
Për të vazhduar me shlyerjen e borxheve. Si mund të vazhdonte një vend me atë me formën që qeveria bënte tendera, bënte kontrata, hapte rrugë gjithandej e nuk paguante lekët. I thoshte kompanive, “vazhdo punën se ti kam”, e nuk i kishte! Mashtronte kompanitë, e mashtronte qytetarët.
Mashtronte kompanitë, duke mos i dhënë lekët, mashtronte qytetarët duke i thënë, “po bëjmë zhvillim të madh ekonomik”. Zhvillim të madh ekonomik, që na çoi në atë situatë para dy vjetësh, ku ishim në buzë të humnerës. Se nuk ishte vetëm energjia, ishin dhe 720 mln dollarë që qeveria ia kishte borxh të tjerëve.
Ia kishte borxh kompanive që kishin filluar rrugët, rrugët pa rrugë, gjithandej, që sot e gjithë ditën duan akoma para për tu përfunduar. 720 mln për spitalet. 40 mln në këtë 720 mln e zinte borxhi për ilaçet, për shërbimet, për materialet spitalore, që nuk ia kishin dhënë më kompanive. Kompanitë nuk i jepnin më ilaçe. Ngeli spitali që edhe aspirinat ti merrje nga shtëpia, që edhe çarçafët ti merrej nga shtëpia.  
40 mln të tjera personave me aftësi të kufizuar. Flasin këta, se si duhet të jemi zemër gjerë, si duhet të jemi të butë, si duhet të jemi njerëzorë, këta që 40 mln ia u morën personave me aftësi të kufizuar, i lanë pa paguar në 2013 komplet, e i hodhën për fushatë.
Kujt i flasin për arsimin? Për arsimin që i thanë prindërve, - çojini fëmijët në universitet e të bëhen të gjithë juristë? Arritën të thyejnë rekorde që janë të paimagjinueshëm. Shqipëria, numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë, të gjithë rrugëve. Kur kanë fat, punojnë taksi, me aq shumë sa janë. E ndërkohë asgjë për arsimin profesional, asgjë për zanatin, asgjë për të mësuar teknologjinë bujqësore, asgjë për të mësuar çfarë është toka, çfarë është fara, çfarë është fidani, çfarë janë plehrat kimike! Asgjë për të mësuar çfarë është nafta, si nxirret nafta, si përpunohet nafta,  pavarësisht se këtë pasuri të madhe ia lanë në dorë shpesh herë ca kompanive fantazmë që i bënë gjëmën, por që edhe punëtorët shkonin i merrnin në Kanada, sepse nuk kishte këtu njeri! Sepse e lanë vite të tëra, me 3-4 shkolla të arsimit profesional, që elektricistëve ia tregoni poçin në tavan. – “Ja ky është poçi, kurse teli është ai që vinte nga dritarja, që lidhte pa leje energjinë ndonjëri nga shtylla e ndriçimit publik. E nga teli, vjen tek poçi e bëhet drita.”
Si mundet ne të ndalojmë? Çfarë do të na shtynte ne të ndalonim? Vetëm marrëzia! Marrëzi sot është të ndalosh, jo të vazhdosh edhe me më shumë vendosmëri për të çuar përpara këto reforma. Gjenerata jonë, - ia them atyre të gjithëve të gjeneratës tonë këtu,- i ka hallall të gjitha dhimbjet e reformave. Sepse për vite të tëra u përfaqësua nga ata, të cilët bënë gjithë këtë  katrahurë. Por ndërkohë, nuk mund t’ia trashëgojmë dhimbjen fëmijëve tanë. Kjo është pak, por e sigurt. Nuk mund ti lëmë fëmijëve tanë mbrapa një situatë që ta paguajnë ata, çfarë bëmë sot e çfarë do të bëjmë në këto katër vite, do të përcaktojnë 25 vitet e ardhshme!
Sigurisht, që biznesi i vogël sot ka probleme. Sigurisht që ka pafuqi, por arsyeja kryesore e pafuqisë, është informaliteti! Informaliteti nuk të lë të zhvillohesh. Informaliteti nuk të lë të shohësh përpara. Informaliteti të mban, siç të mban lëmosha, sot për sot. Keni parë ju ndonjë njeri që jeton me lëmoshë, që të bëhet më i pasur nesër? Nuk bëhet dot! Keni parë ju ndonjë njeri që i kanë dhënë gjithë jetën ndihmë ekonomike, që të dali nga cikli? Nuk del dot, në qoftë se nuk ka dhe një alternativë tjetër. Sepse nuk është thjesht çështje parash, por edhe çështje rrënimi psikologjik! Për biznesin e vogël, jemi ne që hoqëm taksën e biznesit të vogël. Se kishte dy taksa biznesi i vogël. Ishte i dytaksuar në mënyrë antikushtetuese. Kishte taksën e biznesit të vogël, kishte dhe tatim fitimin. Taksën e biznesit të vogël ne e hoqëm. Tatimfitimin e përgjysmuam. Që do të thotë se nëse atë 10% ia bëmë 15% të mëdhenjve, po atë ia bëmë 7.5% të vegjëlve. E sot, i patë ata tregtarët që dalin? Dalin sepse i nxjerr aty jashtë në rrugë, paniku që iu fusin në shpirt këta spekulantë, këta shpifës që bëjnë cirk në televizor, me ndjenjat e më të varfërve dhe me ndjenjën e dobësisë të atyre që janë më të dobët. Tregojnë përralla.
Si mund të dalësh, si mund të kesh qenë një ditë të vetme në politikë, jo në qeveri, por në politikë, si mund të kesh marrë njëherë të vetme një mandat nga populli yt dhe të dalësh ti thuash njerëzve në fshat, “ mos merrni NIPT-in se do ju vënë taksa”. Ky është krim.
Sepse thjesht dhe vetëm për t’ju nxitur urrejtjen për kundërshtarin tënd, ti i lë ata të paformalizuar.
NIPT-i nuk duhet për të paguar taksa, NIPT-i duhet për të marrë mbrapsht rimbursimin e TVSH-së që e marrin sot, vetëm grumbulluesit. Sepse të gjithë ata të tjerët që çojnë prodhimin te grumbulluesit nuk janë formal. NIPT-i i jep mundësinë atij që prodhon dhe e çon te grumbulluesi, të marri mbrapsht rimbursimin e TVSH-së sepse është formal.
Përveçse kur nuk ke NIPT-in, ti nuk ekziston dhe kur nuk ekziston nuk mund të përfitosh nga asnjë lloj subvencioni, programi, mbështetje, etj. Po mund të përfitoje nga subvencionet në bujqësi në Partinë Demokratike, që ishin të gjitha thërrime elektorale që nuk i bënë bujqësisë asgjë.
Vetëm me ndryshimin politikës, pra me fillimin e reformës dhe vetëm me kthimin e vëmendjes për të çuar më shumë ujë në parcelë, ne sot keni një rritje eksportesh në bujqësi që është spektakolare po të marrim parasysh se me sa pak ka ardhur.
I lanë pa ujë, i lanë pa formalizuar, skllevër, bujkrobër, rrugëve dhe sot duan ti lënë ashtu akoma, ndërkohë që bashkë me Gjokën, që koordinon programin e ujitjes, ne sot jemi gati që Lezhës dhe disa qarqeve të tjera, ku ka mundësi të mëdha për të nxjerrë nga varfëria familje, që janë aty në fshat, që jetojnë me tokën po që se punojnë dot se nuk kanë ujë, ti vijmë në ndihmë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, me buxhetin e ri, për një transformim rrënjësor të gjendjes me kanalet ujitëse dhe kulluese.
Faktikisht, të pastrojmë pjesën dërrmuese të tyre, në mos të gjitha në ndonjë rast, nga plehra dhe sedimente që kanë 25 vjet që i mbajnë bllokuar kanalet. 25 vjet pa pastruar.
Këta janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e asaj që thoshte Kan, “ kur dikush të akuzon për diçka që ti nuk e ke bërë, pra kur shpif,  dije se është në gjendje ta bëj vetë se ndryshe nuk i shkon mendja”. Në qoftë se ti nuk e ke bërë dhe tjetri të thotë e ke vjedhur ti shpinë time, dije se është në gjendje të vjedh shtëpinë tënde, përderisa i ka shkon mendja.
Le të marrim rastin e shëndetësisë, për hemodializën. Vetëm kush e ka në trup nevojën për të bërë dializën dhe vetëm kush e ka në shtëpi dikë që ka nevojë për dializë mund ta kuptoj se çfarë ligësie dhe çfarë pashpirtesie duhet që ti kundërvihesh asaj që ne bëmë. Faktikisht, duke mos shtuar asnjë qindarkë shpenzime të shtetit për pacientët, por duke bërë të mundur që për të bërë dializën, mos të vinë njerëzit nga Tropoja e nga Korça në Tiranë, por ta kenë shumë më pranë në spitalet rajonale minimalisht shërbimin me dializë.
E siç e kanë zakon përditë u vodhën, iu shkatërruan nervat shqiptarëve me këtë muhabet përditë, çdo orë, çdo minutë.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që do të bëjmë, është ajo që vjen, sepse reformat janë në proces dhe duhen çuar deri në fund.
Nuk i sjellin rezultatet sa hap e mbyll sytë se nuk janë makijazh. Ka një problem me inspektorët e tatimeve. Inspektorët e tatimeve të cilët janë në ballë të këtij operacioni nuk janë të gjithë të edukuar, nuk janë të gjithë të ndershëm, nuk janë të gjithë profesionistë. Një pjesë e tyre, një pjesë e madhe e tyre kanë probleme. Probleme shpesh herë të rënda në këtë aspekt, por vec të tjerave s’janë mësuar kurrë, deri dje, të bëjnë punën në shërbim të qytetarëve dhe të respektojnë qytetarin, të respektojnë biznesin, të respektojnë një biznes të vogël edhe kur e kapin gabim. Mund ta kapësh në gabim, vëri gjobën, por nuk ke pse i flet si harbut. Kjo nuk zgjidhet as duke bërë moral, as duke bërë edukatë politike, do reformë. Pjesë e reformës tonë është që shumë shpejt në një periudhë të afërt, ne ti tërheqim inspektorët.  Pra të mos ketë inspektorë tatimesh në çdo qytet. Zyrat e tatimeve të jenë zyra që i shërbejnë biznesit, për këshillim, për informacion, por jo për të shkuar nëpër dyer për të vënë gjoba. Biznesi s’do ketë më çdo ditë inspektorin.
Më thoshte përsëri i njëjti zotni atje “me mua janë sjellë mira - tha, - po më kanë ardhur gjashtë herë brenda dy javësh. Por, që ti tërheqësh nga terreni duhet të kesh një sistem që të mundëson që të vazhdosh të kontrollosh.  Atëherë duhen kasat sepse përmes kasave merret informacioni online tek tatimet.  Duhet sistemi qendror i tatimeve që të jetë në gjendje që gjithë informacioni që nxjerr çdo kasë ta marrë në mënyrë kompjuterike dhe ta përmbledhë çdo darkë. Pastaj duhet programi në këtë sistem që të japë të dhëna kompjuterike, kur volumet e xhiros lëkunden dhe krijohet hapësirë për dyshim se diku ky biznes po bën evazion. Në momentin kur kompjuterikisht merret ky informacion atëherë grupi i kontrollit shkon nga Tirana drejtpërdrejt me një arsye për të bërë verifikimin. Është një grup i trajnuar dhe është një grup që nuk ka  gjasë ta ketë çun xhaje atë që është aty te dyqani.
Si mund të kontrollojnë njëri-tjetrin për standarde djemtë e axhës? Mund të ketë, por normalisht ky kontakt kaq i ngushtë dhe kjo lloj mënyre si është bërë për 20 e ca vite kulturë, është komplet e gabuar. Kjo është e bukur ta thuash dhe funksionon, po për ta bërë do kohën e vet. Për ta ndërtuar këtë sistem na është dashur 1 vit e gjysmë. Na duhet dhe pak kohë për ta konsoliduar dhe në muajt e ardhshëm ne jemi gati të bëjmë këtë lëvizje madhore. Kjo do heqë një pjesë shumë të madhe të korrupsionit të vogël, të ryshfetit. Kjo është ajo që unë them gjithmonë nuk luftohet korrupsioni “hiq Colin dhe vej Lolin”. Korrupsioni luftohet duke modernizuar shtetin dhe duke ndryshuar sistemin që sistemi të mos ta lejë Colin të bëjë çfarë të dojë.
Por duan kohë dhe durim. Kështu që miqtë e mi është me shumë rëndësi që Partia Socialiste ta ndjejë plotësisht mbi supe këtë peshë dhe këtë mision, deri në fund. Pjesë e kësaj vetëdijeje duhet të jetë dhe përpjekja për tu hapur. Për tu hapur kemi shumë më pak anëtarë, sesa ç’kemi zgjedhës të Partisë Socialiste. Sigurisht, që nuk them që të gjithë zgjedhësit duhet të bëhen anëtarë të Partisë Socialiste, por ka plot ndër ta që janë shumë më të denjë,  sesa disa ndër ne, që e konsiderojnë hapësirën e organizatës, e konsiderojnë hapësirën e strukturës si një hapësire që duhet mbrojtur nga armiku i jashtëm se nuk duhet të vijnë të futen njerëz më të ditur, njerëz më të shkolluar, njerëz më të zotë, njerëz më me eksperiencë.
Dëgjova që disa reaguan kur foli ministrja lidhur me rastin që ka thënë Eduardi. Unë nuk e di fare. Për mua nuk është ky kusht, se çfarë përkatësie ka një drejtor shkolle. Unë besoj se në radhë të parë tek shkolla dhe tek policia ne duhet të jemi të parët që të themi se këtu duhet kryer me shpejtësi ndarja nga politika në kuptimin e transformimit të këtyre strukturave, në struktura që pastaj nuk i duhen askujt.
Vendosja  e një mësuesi në emër të partisë, vetëm pse është i partisë, por nuk është mësuesi i duhur, zgjidh problemin e rrogës së njeriu, por shkatërron të ardhmen e qindra dhe mijëra nxënësve që do ti mësojë ky njeri.
Vendosja e një njeriu në forcat e sigurisë me këtë kriter, zgjidh problemin e rrogës së nje njeriu, por vë në rrezik jetën dhe sigurinë e shumë e shumë njerëzve të tjerë. Kam dëgjuar shpesh të thonë, “unë votova PS dhe akoma s’më kanë gjetur punë, prandaj unë jam i zhgënjyer nga PS.” Unë e kuptoj pjesën që njerëzit kanë shumë të drejtë të pretendojnë që të japin kontributin e tyre, dhe kanë të drejtë shpeshherë, edhe kur pretendojnë që dikush tjetër ka zënë padrejtësisht vendin ku ata synojnë. Por, votën PS të gjithë ja kemi dhënë, po fus edhe veten si votues, - për të bërë reformat dhe për të ndryshuar Shqipërinë, nuk ja kemi dhënë ngushtësisht për punën.
Unë sot jam kryeministër, nesër nuk do jem kryeministër dhe pasnesër nuk do të jem asgjë, por unë votën ndaj PS nuk do ta kushtëzoj, me veten time, përsa kohë vetja ime do të ndjehet mirë me çfarë bën qeveria e PS, me çfarë bën PS dhe nëse nuk ndihet mirë, do të debatojë.
Në këtë aspekt, ka dhe një gjë tjetër, që është një problem i shoqërisë, i mendësisë. Anketime të bëra tregojnë që mbi 70 % e atyre që duan punë, e duan në shtet. Por nuk është shteti përgjigja për punësimin e të gjithë atyre që kanë nevojë për punë.
Janë 26 mijë, e disa qindra vende të lira pune, në zyrat e punës, sot që flas. Vende të lira pune, që nga ato që kërkojnë master dhe një pjesë e konsiderueshme sigurisht që janë punë e thjeshte. E dini kush janë punëmarrësit më të mëdhenj në zyrat e punës? Janë ata që vijnë nga emigracioni, janë ata që janë mësuar të punojnë. Janë ata që kur kanë shkuar në emigracion, nuk kanë njohur as kryetarin e organizatës, as kryetarin e asamblesë, as deputetin, por kanë qënë në një vend që duhet të punonin për të mbajtur familjen. Vijnë dhe marrin punë në zyrat e punës. Shumë të tjerë thonë: ”Unë pa punë jam, por nuk jam për lëmoshë tek privati. Dua  një punë në shtet.”. D.m.th. duan një pension në shtet, pra të marrësh rrogën dhe të rrish në kafe e të bësh muhabet. Sepse nëse je realisht në nevojë për punë, do punë dhe nuk thuhet,  dua pune në shtet.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh