Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta 

Të nderuar kolegë,

Ndonëse ne nuk jemi prekur ende nga flukset e tanishme të refugjatëve, në kuadër të një qasjeje të përbashkët europiane, dëshiroj t’ju rikonfirmoj se Shqipëria do të kontribuojë në përputhje me rrethanat, siç kërkohet nga partnerët tanë europianë dhe brenda kapaciteteve tona modeste.

Jemi në komunikim të vazhdueshëm me fqinjët tanë, për të monitoruar zhvillimet e mundshme, që mund të çojnë në një ndryshim të rrugës së Ballkanit përmes Shqipërisë;
Përvoja jonë e fundit, kur mëse një milion refugjatë të zhvendosur dhe viktima të luftës nga Kosova vërshuan në Shqipëri, na siguron se edhe me mundësi modeste, mund të menaxhohen flukset e papritura migratore.

Nga ana jonë janë marrë një sërë masash, përfshi një plan kontingjence dhe një “Njësi të Emergjencave Civile” me funksione raportuese.
Shqipëria ka forcuar gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme bashkëpunimin e saj të ngushtë me autoritetet italiane për parandalimin dhe menaxhimin e flukseve migratore, të finalizuar me një Memorandum Mirëkuptimi.

Bashkëpunimi ynë i ngushtë me Greqinë është gjithashtu i çmuar dhe i vazhdueshëm, pasi ata janë prekur shumë nga kjo krizë, dhe mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kufinjtë tanë.

Gjatë një dreke pune në Tiranë me Komisionerin e BE-së për Migracionin, z. Dimitris Avramopoulos, ndamë mendimin e përbashkët se për zgjidhjen e krizës së migracionit nevojitet një qasje europiane plotësisht e koordinuar dhe një reagim i mirë-integruar.

Nëse BE-ja ia lë flukset migratore një sërë vendeve individuale, do të krijojë kushtet e nevojshme për pasoja të mundshme destabilizimi dhe do të nxisë rrjetet e trafikut që lulëzojnë në mjedise të pasigurta.

Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në qasjen tonë krijojnë çorientim për migrantët dhe pasiguri për shoqëritë tona.

Ndërkohë ne duhet të sigurohemi se qytetarët europianë kanë besim në kapacitetet tona të përbashkëta europiane të menaxhimit të krizës, në vend që të vendosin për të mbështetur masivisht alternativat politike të nacionalizmit ekstrem dhe ksenofobisë, siç sot po dëshmohet në një sërë vendesh të BE-së.
Kjo do të thotë se duhet të japim zgjidhje konkrete, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme për këtë krizë të paprecedentë.

Si përfaqësues të parlamenteve, ne duhet t’u ushtrojmë presion qeverive tona që të jenë më konkrete në lidhje me masat e përbashkëta që ndërmarrim, të tilla si forcimi i kapaciteteve tona të shqyrtimit të imtësishëm, ekzaminimit dhe regjistrimit, ndërkohë që duhet të rrisim në mënyrë drastike bashkëpunimin tone, sa i takon strukturave të inteligjencës dhe sigurisë.

Kjo do të thotë se nevojitet një koordinim akoma më i fortë për parandalimin dhe zbulimin e kontrabandistëve, trafikantëve dhe elementëve keqdashës me një rrezik të mundshëm terrorist.

Ndaj është e rëndësishme që të gjitha vendet të forcojnë kapacitetet e tyre në pikat hyrëse, të garantojnë një regjistrim të plotë dhe proces shqyrtimi të imtësishëm dhe një bashkëpunim të mirë për sigurinë e kufijve.

Migrimi mund të duket si një sfidë e dhimbshme për sigurinë tonë të përbashkët, por unë besoj se ajo ofron një mundësi për BE-në, që në kohë të rënies demografike duhet trajtuar përmes strategjive më të zgjuara dhe më koherente të migracionit dhe punësimit.

Faleminderit për këtë mundësi

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar