Se pari, ju pershëndes shume perzemersisht dhe shpreh bindjen me te thelle se me perkyshtim te madh me mencuri dhe njerezi, do te arrij ne mendjet dhe zemrat e qytetareve te tiranes, te paraqesim platformen tone ne menyren me bindese dhe te meritojme besimin e tyre per 4 vitet qe vijne. Ekipi elektoral i Tiranës është një ekip shumë premtues, ekip i përbërë nga personalitete dhe individë me histori reale, suksesi në karrierën e tyre. Ky ekip, ka dëshmuar përkushtim ndaj vlerave dhe parimeve që kanë përzgjedhur të mbrojnë. Ekip, i cili udhëheq realisht fushatën elektorale të Shqipërisë, sepse është Tirana ajo që i jep jo vetëm tonin, por entuziazmin, optimizmin dhe faktikisht suksesin e fitores elektorale në mbarë Shqipërinë. Në këtë kontekst, unë ju ftoj juve, të bëjmë gjithçka, të jemi kreativ, për të realizuar dhe organizuar fushatën më qytetare. Ne kemi një eksperiencë shumë të pasur fushatash të suksesshme të mëparshme, por ne duhet të bëjmë, që kjo fushatë për format e komunikimit të saj të jetë më intensivja, më qytetarja, më e suksesshmja. Ekipi në gjithë opinionet paraprake, në vlerësimet është pritur shumë mirë. Asnjëherë nuk ka listë ideale dhe ajo çka është e vërteta, është se vlerësimi, qoftë një nga një, qoftë si listë në memorien time është më i mirë se në të gjitha zgjedhjet e tjera. Ne në dallim nga çdo fushatë tjetër elektorale, këtë fushatë kemi të përpunuar në tërësi programin tonë elektoral, për të mos thënë që një pjesë të tij, ne e kemi shndërruar në ligje dhe vendime gjatë muajve të fundit, çka është mirëpritur shumë. Natyrisht qeveria është qeveri. Qeveria nuk mund të thotë, prit të bëhen zgjedhjet pa ti bëj këto. Qeveria ka votuar paketën e dytë fiskale më të rëndësishme në historinë e qeverisjes së vendit dhe një seri vendimesh, reformash të tjera. Përsëri, programi për disa nga fushat e rëndësishme është në përpunim. Ne jemi zotuar për plane të veçanta kombëtare, për disa fusha, të cilat kanë nevojë të dalin në përparësi në tryezë dhe i qëndrojmë zotimit tonë.

Ne i qëndrojmë zotimit tonë për një plan kombëtar për sportin, dhe atë do ta përpunojmë dhe po punojmë me sportistë, me specialistë, me ekspertë. Ne i qëndrojmë planit tonë kombëtar, po marr për artizanatin, sepse është një sektor me potencial të madh punësimi dhe nuk mund të themi se i kemi i dhënë përgjigjet më të mira, nuk mund të themi se paketat tona fiskale, janë përgjigje e njëjtë edhe për artizanatin edhe për energjetikën. Pra, në qoftë se në program kemi punuar në mënyrën më serioze se asnjëherë , prapë programi do elaborohet më tej dhe ju siguroj se shkojmë drejt finalizimit të programit më të plotë dhe më konkret. Ajo që është shumë e rëndësishme është se ne kemi program konkret.

Ne themi se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të thithur 6 miliard euro kundrejt 4.2 miliardëve, që morëm katër viteve që shkuam, e bazojmë këtë nuk e kemi të pabazuar, sepse brenda pak ditëve fillon ndërtimi i hidrocentralit të Devollit, investimi më i madh energjetik në historinë e vendit, prej 800 milion eurosh, kjo fazë dhe pastaj të tjerat, apo gjatë qershorit merret vendimi për TAP. Ne premtimet, objektivat dhe parashikimet kësaj radhe i kemi më konkret se asnjëherë. Në tërësinë tonë duhet të bëjmë gjithçka të predominojë logjika, të predominojë argumenti, të predominojë debati me qytetarin.

Unë mund t’ju them një gjë, se prej më shumë se dy muajsh zhvilloj diskutimet më të hapura me qytetarët. Çfarë del?! Asnjë prej tyre nuk mohon ato që kemi bërë. Jo, por kërkon të tjera. Me shumë të drejtë. Këtë do të bëni edhe ju. Derë më derë, shkallë më shkallë, bllok më bllok. Një gjë dua të theksoj këtu, eufori nuk duhet të ketë në mënyrë absolute, vendosmëri dhe përkushtim, por pa eufori. Se dëgjoj fjalë këtu iku z. Rama. Nuk është se ai iku se i kërcënohej mandati, se ky sistem kryetarit ia jep mandatin kudo që të shkojë. Mori Koçon, ai shkoi në pajë atje, por punët e tyre. Meqë jam këtu me takon të them dy fjalë. Kur unë e paraqisja në media si nënkryetarin e Partisë Socialiste, jo të paktë ishit ju, që nuk e pëlqenit këtë cilësim, sepse se kishit parë një ditë në selinë e Partisë Socialiste dhe kishit të drejtë, pale të kishin parë ata të Partisë Socialiste. Faktikisht, u provua, më shumë se nënkryetar. Po pse? Sepse Koço e dinte se modelin e tij Tirana e hodhi njëherë. Tirana ka memorie. Nuk i harron 12 kompanitë, nuk i harron dhjetëra e dhjetëra tendera të të gjitha shërbimeve që i fshinte me kompani të pa qëna, tavanet që ju binin nxënësve, gazetat që merreshin dhe privatizoheshin pa dhënë asnjë lek. Këto Tirana i ka në memorie dhe po ju them një gjë, që në Vlorë nuk kishte qytetar që nuk i dinte këto, atje gumëzhinte Vlora, që të gjithë e kishin të qartë se nuk shkoi Rama, por shkoi Koçoja, por me ta të mos merremi, ne të merremi me programin tonë, ne të merremi me argumentin tone me problemet e qytetarëve. Jua them publikisht fushata jonë do të jetë kryesisht pozitive, do të jetë fushatë që bazohet mbi pozitivitetin, nuk them se nuk do të ketë replika, por në tërësinë e vet fushata e vlerave është fushat e pozitivitetit.

Koalicioni. Kjo formë është forma më e ndershme dhe më organike e koalicionit. Unë e kuptoj. E kuptoj që ka njerëz zemërthyer, se kanë mbetur jo në pozicionet që e meritojnë, por kanë një gjë që shqiptarët duhet ta dinë, që demokratët duhet ta dinë. Demokratët në vitin 2009 kanë marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve dhe kjo vetëm për shkak të sistemit. Absolutisht po, sepse në rast se vota do të kishte të njëjtën peshë si për Sali Berishën ashtu edhe për Dash Shehun , Dash Shehu me koalicionin e tij mund të fuste tre deputetë. Fatmir Mediu mund të fuste tre deputet dhe ca më shumë. Ky sistem, që e nisëm për mirë dhe tani e qortojnë, që në fakt duhet modifikuar, ose të bëhet i pastër proporcional , ose të japë mazhorancë me ligj. Të japë mazhorancë me ligj, siç jepet në Spanjë ku e kemi marrë, siç jepet në Greqi ku është i ngjashëm, ose të shndërrohet i pastër proporcional dhe në këtë mënyrë je në modelin e vendeve të veriut dhe jo vetëm të veriut.

Nuk ka asnjë problem gjërat provohen, ku konstatohen pasojat dhe pastaj është në meritën e politik bërësve, por Rama nuk deshi, pasi unë insistova për mazhorancë me ligj, se vendi do qeveri,ai nuk deshi. Por edh kjo që të përjashtosh nga parlamenti një numër partish, të cilat votat për deputetë i kanë nuk është e drejtë, ndaj dhe kjo formë koalicioni e jona është më e ndershmja. Kjo formë koalicioni e qendrës dhe të djathtës, pasi është në doktrinë, koalicion pas rënies së perdes së hekurt dhe deri më sot, gjithnjë e më fitimtarë. Po. Historiku i fitoreve elektorale pas rënies së perdes së hekurt, tregon se përcaktues më shumë se çdo gjë tjetër ka qenë qendra. Krahët që kanë pasur qendrën kanë arritur të dominojnë dhe ne kemi qendrën , qendrën e djathtë , pra ka një spektër më të gjerë se asnjëherë tjetër, ky është historiku i koalicionit.

Na janë bashkangjitur në listat tona kemi deputet, të cilët në moment kritik për vendin dhe ju jam jashtëzakonisht mirënjohës, që pa asnjë lloj kushti përveç përgjegjësisë që ndien, bënë të dështojë një projekt i turpshëm, një projekt që synonte përmbysjen e një qeverie dy muaj para zgjedhjeve, futjen në një kaos, sepse kushtetuta e Shqipërisë, për këta zotërinj që nuk marrin

përsipër as për ta lexuar, nuk parashikon qeveri teknike. Kushtetuta e Shqipëri ka qeveri, ka mazhorancë politike, ky është përcaktimi i saj. Ndaj dhe jemi shumë të kënaqur dhe shumë mirënjohës për kontributin e tyre, janë njerëz me një karriere politike dhe para hyrjes në parlament të suksesshme. Kanë fluksin e tyre, sepse në fund të fundit ishin vlerta që i dallojnë. Çfarë e shtynte z. Islami të mbronte votimin e tre ligjeve, e shtynte rëndësia që kishin ato, dhe ai mund të zgjidhte dhe të thoshte të mos votohen ato, por u bë avokat i votimit të tyre dhe natyrisht u zgjuan reaksionet. Ndaj dhe shkojmë me një spektër më të gjerë se asnjëherë, më të plotë. Kurrë ndonjëherë zgjedhësit shqiptarë të qendrës, të qendrës së djathtë dhe të djathtë, nuk e kanë gjetur veten më të konfortuar se në këtë koalicion. Kjo përbën një bazë shumë të mirë. Gjithçka do ta përcaktojë puna jonë.