Të nderuar pjesëmarrës
Në fakt, edhe më vjen keq, por edhe ka anën e mirë të vetën, konstatimi që bëmë kur morëm detyrën, lidhur me dimensionin e informalitetit, paligjshmërisë dhe tendencave korruptive, qoftë për bakshish, qoftë për më shumë, të cilat ishin në përmasa fare të paimagjinueshme në momentin që morëm detyrën. Kjo për shkak, nga njëra anë, të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe nga ana tjetër, mungesa e reformave për ta bërë për qytetarin marrjen e shërbimit në mënyrë të ligjshme, rrugë më të shkurtër sesa rruga e korrupsionit.
U angazhuam që në fillim për t’u bërë të ditur shqiptarëve inventarizimin e institucioneve që morëm në përgjegjësi, duke bërë transparencën dhe auditimin e plotë financiar.
Në institucionin që kam përgjegjësinë të drejtoj, janë konstatuar deri sot që flasim, 655 shkelje financiare, me një dëm ekonomik që është diçka më shumë sesa 29 milionë USD.
Ju kujtoj këtu që borxhi i trashëguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme është diku te 31 milionë USD. Pra sikur të mendoni që eficienca në administrimin e fondeve publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të ishte e plotë, nuk do kishim as këtë borxh, qoftë kundrejt sipërmarrjes, qoftë kundrejt qytetarëve lidhur me shërbimet e marra dhe të papaguara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sot që flasim janë 9 kallëzime penale në Prokurori për 33 persona të identifikuar me përgjegjësi penale për këtë dëm financiar. Dhe ne jemi shpresëplotë ende në pritje për t’u konkluduar hetimet nga Prokuroria që të shohim dënimet e para.
Jemi angazhuar për rritjen, - ju kërkoj ndjesë paraprakisht për matjen me shifra, por është kjo e vetmja mënyrë për ta bërë të qartë – rritjen me 5% të referimeve në prokurori të operacioneve policore proaktive, me teknika speciale për rastet e korrupsionit.
Gjatë kësaj periudhe nuk janë rritur 5%. Janë rritur me 65% referimet në prokurori për veprat penale të korrupsionit dhe krime të zyrtarëve ose administratorëve publikë në detyrë.
Eshtë rritur me 45.5% ndjekja penale për korrupsion.
Janë 59% më shumë operacione policore dhe 42% prej tyre janë operacione me teknikë speciale ose proaktive.
Ndërkohë që i kemi vënë theksin bashkëpunimit institucional, sepse ne mendojmë që në rast se nuk ka rakordim ose koordinim intensiv, të përditshëm, sistematik ndërmjet institucioneve që ndajnë përgjegjësi të caktuara në luftën kundër korrupsionit, është e pamundur vetëm për Policinë të bëjë një detyrë të cilën mund ta bënim shumë më mirë bashkë.
Dhe është për këtë arsye që me iniciativën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorit të Përgjithshëm, institucione të tilla si Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Financave me të gjitha institucionet e varësisë kryesore, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe institucione të tjera të cilat kanë zë kryesor dhe kyç në luftën kundër korrupsionit, u bëmë bashkë për të hartuar një protokoll pune të standardizuar, për shkëmbimin permanent të informacionit dhe për ndjekjen bashkërisht të operacioneve, të cilat mund të na çojnë në rezultate më të forta dhe solide në luftën kundër korrupsionit.
Nuk është për t’u harruar këtu dimensioni korruptiv i veprimtarive të tjera kriminale që në pamje të parë duket sikur nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me korrupsionin.
Aksioni kundër lojërave të fatit, jo vetëm hoqi nga tregu sipërmarrje të paligjshme, të cilat çonin para në duart e botës së krimit, para nga lojërat e fatit, por ndërkohë hoqën potencialin korruptiv për punonjësit e policisë, të cilët paguheshin nën dorë, për të lejuar ose për të mbyllur sytë, apo edhe për të mbrojtur veprimtari të tilla të paligjshme, siç ishin lojërat e fatit.
E njëjta gjë edhe me operacionin kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Lazarati, Dukagjini, apo çdo metër katror i Republikës së Shqipërisë. Ajo sipërmarrje lulëzoi pikërisht pse kishte punonjës policie që mbyllnin sytë, me dorën në xhep, për të lejuar paligjshmëri të atyre përmasave, të ndodhte!
Duke pasur sukses në operacionin kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kemi hequr nga duart e punonjësve të policisë kapacitetin për t’u korruptuar dhe për të lejuar të tillë veprimtari të zhvillohej.
E njëjta gjë ndodh sot me operacionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Unë e thashë edhe në takimin që bëmë me punonjësit e OSHEE dhe punonjësit e Policisë. Ishim mbledhur në atë sallë pikërisht se auditori i asaj salle kishte dështuar sistematikisht të bënte detyrën të cilën po e bëjmë ne sot.
Sepse punonjës të OSHEE, siç edhe punonjës të policisë, kishin lejuar vjedhjen sistematike të energjisë elektrike. Gjë që ndodhe edhe sot! Ndodh edhe sot, madje deri në pikën kur na duhet të riverifikojmë dy, tri apo katër herë të njëjtën rrugë që shkelim njëherë me grupet e përbashkëta të punës për vjedhjen e energjisë. Dhe unë jam shumë i ndërgjegjshëm, - bashkë me Ministrin e Energjisë Gjiknuri e kemi diskutuar, me Kryeministrin dhe nën vëmendjen e tij të veçantë e kemi diskutuar shumë shpesh, - jemi shumë të ndërgjegjshëm që lufta jonë është e dyfishtë! Ndaj atyre që vjedhin energjinë, por me më shumë forcë ndaj atyre që deri dje, por edhe sot, vazhdojnë të mbyllin sytë, duke vjedhur shtetin, duke vjedhur qytetarët e ndershëm dhe duke lejuar hajdutët e energjisë të vazhdojnë të vjedhin energjinë elektrike. Dhe në qoftë se ka një sukses real, në këtë pikëpamje, është zhdukja njëherë e përgjithmonë, e punonjësit publik që mbyll sytë dhe lejon hajdutin e energjisë elektrike të bëjë atë që ka bërë, është mësuar të bëjë deri më sot, pikërisht sepse ka ekzistuar kjo lloj race!
Ne mendojmë që asgjë nga veprimtaria operacionale e Policisë së Shtetit apo e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk do kishte sukses të qëndrueshëm në rast se nuk do kishte një reformë të plotë të sektorit të sigurisë. Dhe është për këtë arsye që, qysh në vitin e parë të detyrës, qeveria dhe më pas parlamenti ka miratuar paketën më të plotë reformuese në sektorin e sigurisë. Duke filluar me ligjin për Policinë e Shtetit që është shtylla kurrizore e arkitekturës së sigurisë në këtë sektor dhe pastaj me një sërë ligjesh të tjera që nga njëra anë reformojnë sektorin e sigurisë duke forcuar kapacitetin e Policisë së Shtetit për të përballur sfidën, por nga ana tjetër kufizojnë në maksimum mundësinë për të korruptuar apo për t’u korruptuar brenda sistemit, apo për të mbyllur sytë përballë korrupsionit si fenomen.
Gjithashtu kemi reformuar dhe mekanizmat e brendshëm të kontrollit siç është SHKB, të kontrollit dhe luftës kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit.
Deri dje ky mekanizëm ishte thuajse një kamxhik politik, i cili përdorej nga eprorët për të bërë shërbime të tjera përtej atyre që përcakton ligji. Sot ligji i ri për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm siç njihet cilësisht e ka kthyer këtë shërbim në një mekanizëm thellbësisht në shërbim të qytetarit, madje kryesisht në shërbim të qytetarit, nëpërmjet shumë mënyrave, të cilat ofrojnë një platformë permanente dhe shumë të thjeshtë për të aksesuar shërbimin e kontrollit të brendshëm si një mënyre për të luftuar fenomenin e korrupsionit apo sjelljes së padëshiruar të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ne besojmë se nuk do jemi kurrë në gjendje të luftojmë korrupsionin në shoqëri në rast se nuk luftojmë korrupsionin brenda vetes dhe është kjo arsyeja pse në kaq pak kohë janë afërsisht 300 kallëzime penale për 316 punonjës policie, të cilët sot nuk janë më në detyrë për shkak të veprave penale lidhur me korrupsionin apo shpërdorimin e detyrës.
Ndërkohë kemi miratuar me akte nënligjore një paketë të plotë për të garantuar punonjësin e Policisë së Shtetit në detyrë duke synuar largimin nga shtesat që i bën përditshmëria për t’u korruptuar apo për të korruptuar, duke krijuar mbrojtje të veçantë për përfitimet që krijohen gjatë ushtrimit të detyrës, përfitimet suplementare, kohën e punës dhe pushimin e kështu me radhë. Është për këtë shkak që qeveria e filloi vitin e parë buxhetor me rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit me 25% duke filluar me rritjen e pagave për punonjësit e policisë në bazë, sepse janë ata të parët që përballen me qytetarin, janë ata të parët që kanë kontaktin e parë me publikun, sepse janë ata të parët që rrezikohen më shumë nga tentativa për korrupsion.
Ka një linjë të gjelbër për denoncimin e korrupsionit, gjatë kohës që është në funksionim janë mbi 2500 telefonata nga publiku, të cilave ju përgjigjemi dhe 24 orë në 24, të cilat verifikohen menjëherë me të gjitha mekanizmat që ka Ministria e Punëve të Brendshme dhe për të cilat i kthehet përgjigje qytetarit në kohë imediate në mënyrë që shërbimi që kërkon qytetari nga mekanizmi kontrollit për korrupsion apo sjellje jo të dëshiruar të punonjësit të policisë, të jetë aty në shërbim të publikut.
Ndërkohë që ka edhe mekanizma të tjera denoncimi, kryesisht në rrjetet sociale siç nga janari e tutje do të bëhen gati edhe mekanizma të tjerë teknologjik që do e bëjnë shumë më të thjeshtë aksesin e qytetarit ndaj këtij shërbimi.
Ndërkohë kemi ngritur thuajse në çdo drejtori dhe komisariat Zyrat e Shërbimit Unik për qytetarët ose One Stop Shop i shërbimeve policore, të konceptuara si hapësira ku qytetari mund të marri shërbimin në Policinë e Shtetit dhe këtu flas për shërbime administrative dhe shërbime policore, të cilat ofrojnë shërbim në mënyrë të shpejtë, me një pikë kontakti e cila nuk është punonjësi i policisë që duhet të japër shërbimin, por një operator në desk dhe ndërkohë nuk ka asnjë mundësi për vonesa në kohë për sa kohë si sistem i dixhitalizuar kontrollon punonjësin e policisë që duhet të japë shërbimin.
I kemi dhënë qytetarëve një platformë për të marrë shërbim, pa korrupsion, pa burokraci, pa ju dashur të trokasë derë më derë, pra me një pikë kontakti dhe sigurisht në kohë. Teknologjia për ne është shpëtimi nga praktikat korruptive, është kjo arsyeja pse ne kemi filluar një projekt pilot me patrullat e policisë për instalimin e kamerave, duke synuar nga njëra anë evitimin total të korrupsionit dhe nga na tjetër mbrojtjen e qytetarit dhe kapacitetin tonë për të provuar çdo ankesë, por do punojmë deri kur të arrijmë që çdo punonjës policie të ketë në trupin e tij një kamera e cila do të shërbejë si garanci për të dy palët, si për punonjësin e policisë, por mbi të gjitha për qytetarin nga abuzimi me detyrën nga korrupsioni apo sjellja jo e duhur e punonjësit të policisë.
Për ta mbyllur sigurisht unë nuk mund të them që nuk ka punonjës policie të korruptuar, ka sigurisht, por ata që sot e marrin përsipër të zhvillojnë sipërmarrje korruptive në Policinë e Shtetit e bëjnë me koston e tyre personale. Vullneti politik këtë ndan që korrupsioni sot nuk është një sistem që pulmon deri në nivelet me të larta që ishte dje. Sot ata që e marrin përsipër të korruptohen apo të korruptojnë e bëjnë me koston e tyre dhe kjo ka një afat, afati deri në ditën kur duhet të dalin para drejtësisë dhe ne do mundet ta çojmë përpara këtë betejë deri kur të provojmë që korrupsioni është i ndëshkueshëm, pra nuk ka më pandëshkueshmëri dhe deri kur nëpërmjet reformave ta bëjmë rrugën ligjore për të dhënë shërbime për qytetarët shumë më shkurtër sesa rruga korruptive.
Ju faleminderit!