Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço
në takimin “Për një drejtësi pa vonesa”‏

10.09.2014
Lënda: Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço në takimin “Për një drejtësi pa vonesa”
 
Duke përfituar nga ky takim gjej rastin të falenderoj përsëri OSBE dhe USAID për nismën e përbashkët në projektin “Për një drejtësi pa vonesa”.
 
Do të doja gjithashtu të siguroja partnerët tanë, gjyqtarët e publikun e gjerë se si Minister i Drejtësisë do të jem në krah të çdo nisme që ndikon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve.
 
Me këtë rast më lejoni të ritheksoj se Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në realizimin e reformave të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor.
 
Projekti “Për një drejtësi pa vonesa”, synon përqasjen me praktikat më të mira të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në drejtim të shpejtësisë së gjykimit dhe të efiçencës.
 
Implementimi i këtij projekti në Gjykatën e Korçës e sjell projektin në një stad tjetër sepse tashmë kalon në një gjykatë me një numër më të madh gjyqtarësh se Gjykata e Krujës. Gjithsesi implementimi i suksesshëm i projektit të regjistrimit audio të seancave gjyqësore, është një premise që më bën të besoj se me të njëjtin përkushtim do të përqafohet edhe ky projekt.
 
Eksperienca e deritanishme në gjykatën e Krujës tregon se ky projekt ka dhënë rezultate inkurajuese dhe se kjo eksperiencë pozitive duhet shtrirë edhe në gjykata të tjera. Po kështu edhe ne gjykatën e Korçës, treguesit janë premtues për të garantuar suksesin e projektit.
 
Për këtë, përveç partnerëve që na mbështesin në këtë projekt do të doja të falenderoja dhe të inkurajoja njëkohësisht gjyqtarët e këtyre gjykatave, drejtuesit e tyre dhe gjithë stafin e administratës të cilët me gadishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre po mundësojnë implementimin e këtij projekti.
 
Në këtë kuptim ky projekt kërkon që, nga stafi i gjykatave më së pari të kuptohet rëndësia jetike që ai paraqet në raport me parimin e një drejtësie efiçente, e më pas të zbatohet prej tyre pa hezitim.
 
Eksperienca në Gjykatën e Krujës na bën të kuptojmë se mobilizimi i stafit të gjykatës është një element mjaft i rëndësishëm për garancinë e projektit.
 
Ky element i kuptuar si një sfidë pozitive ndërmjet gjyqtarëve ndikon ndjeshëm në sjelljen e palëve si dhe në përgjegjshmërine e tyre përkundrejt gjykatës.
 
Kësisoj edhe rezultatet e pritshme do të jenë të shumfishta sepse nga njëra anë rritet autoriteti i gjykatës dhe i gjyqtarit në një proces gjyqësor, dhe nga ana tjetër angazhon palët në një raport më korrekt e më të përgjegjshëm me gjykatën.
 
Ε drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm është një nga të drejtat themelore të njeriut në një shoqëri të bazuar në shtetin e të drejtës.
 
Sa herë kam patur rastin të shprehem mbi fillimin nga puna të Gjykatave Administrative, i kam cilësuar ato me bindje një revolucion të vërtetë, kjo për faktin se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit ka afate të mirëpërcaktuara kohore, në respektim të të drejtave të palëve për një proces të rregullt ligjor.
 
Kohëzgjatja dhe cilësia e gjykimit janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin dhe besimin e njerëzve tek sistemi i drejtësisë.
 
Përtej perceptimit dhe besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, gjykimi brenda një afati të arsyeshëm, eshtë një detyrim kushtetues dhe ligjor për çdo gjyqtar. Në këtë kuptim kërkesa për një gjykim të shpejtë vjen jo vetëm në kuadër të efiçensës, por edhe si një detyrim kushtetues dhe kësisoj duhet të përbëjë një angazhim serioz për çdo gjyqtar të sistemit.
 
Po kështu do të duhet të kemi në vëmendje jo pak vendime të Gjykatës së Strazburgut në kuadër të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat elaborojnë shpejtësinë në gjykim si një element mjaft të rëndësishëm të procesit të rregullt ligjor.
 
Shqipëria është gjithashtu anëtare e Komisionit Evropian për efiçencën në drejtësi, një iniciativë kjo e Këshillit të Evropës, për promovimin e standardeve ndërkombëtare për një drejtësi të drejtë dhe të shpejtë.
 
Dokumenti i miratuar në 2006 nga ky Komision "Përmbledhje e praktikave të mira" për menaxhimin e kohës në procedimet gjyqësore" është një udhërrëfyes në punën tonë për reformimin e sistemit të drejtësisë për sa i përket efiçencës.
 
Gjithashtu kodet tona të procedurës ngarkojnë gjykatat dhe gjyqtarët me përgjegjësinë për të garantuar që të gjithë palët në proces gjykimi të shmangin vonesat e panevojshme.
 
Lejomëni t’ju drejtohem, por dhe t'ju bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve, që në konsideratë dhe të implementimit të programit pilot "Për një drejtësi pa vonesa", në ndryshim nga praktika e vërejtur deri më sot, të marrin një rol aktiv në përgatitjen, planifikimin dhe mbarëvajtjen e proceseve të gjykimit; duke marrë masat e nevojshme për reduktimin në minimum të zvarritjeve të proceseve gjyqësore.
 
Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në këtë kuptim ky projekt vjen si një sfidë ndaj këtij fenomeni, duke treguar se është e mundur të arrihet gjykimi i çështjeve në një kohë të shpejtë madje edhe pa ndryshime ligjore.
 
Janë të patolerueshme rastet e zvarritjes gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, apo rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi.
 
Këto shembuj jo vetëm që ndikojnë drejtpërdrejtë në percetimin negativ të publikut të gjerë tek drejtësia, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor.
 
Gjithësesi, në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mospjesëmarrje të palëve në proces apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave.
 
Kam parasysh këtu përfaqësuesit e institucioneve shtetërore palë gjykim, të cilët bëhen shkak per shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale. Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore palë në procese gjyqësore, jo vetëm të përfaqësohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhërat e vendimet e gjykatës gjatë procedurave gjyqësore.
 
Ashtu siç ka shumë problematika të cilat kërkojë ndërhyrje ligjore, dhe ne jemi të gatshëm për t'i dhënë zgjidhje, në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë; ka edhe një seri problematikash që ndikojnë në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, të cilat kërkojnë vetëm vullnetin e duhur për t’u zbatuar.
 
Planifikimi më i mirë i seancave gjyqësore, nëpërmjet konsultimit paraprak me palët, zbatimi rigoroz i sanksioneve ligjore parashikuara për mungesat e pajustifikuara seancat gjyqësore të palëve në gjykim, me qëllim zhvillimin normal të procesit gjyqësor, janë disa hapa konkrete që nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore, por vetëm një qëndrim më aktiv të gjyqtarëve.
 
Besoj se është vendi të përmend se sipas studimit të Prezencës së OSBE-së "Drejt Drejtësisë", të prezantuar në 2013, një nga tre shkaqet kryesore të numrit të lartë të seancave në proceset civile janë procedurat joefikase përgatitore nga ana e gjyqtarëve.
 
Sigurisht që me këto tregues nuk pajtohen përdoruesit e gjykatave, por nuk duhet të pajtohen gjithashtu as inspektoratet respektive të KLD-së e Ministrisë së Drejtësisë.
 
Në këtë kuptim çdo tejzgjatje dhe zvarritje e pajustifikuar e proceseve gjyqësore duhet të përbëjë objekt verifikimi dhe kontrolli.
 
Studimi i sipërpërmendur ka rekomandime shumë të vlefshme dhe Ministria e Drejtësisë do përmbushë detyrat e saj në plotësimin e tyre.
 
Po kështu, nga ana jonë do të tregohet përkushtimi maksimal që projektet për reformimin, modernizimin dhe dixhitalizimin e sistemit gjyqësor të shkojnë deri në fund.
 
Kam parasysh këtu sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore civile dhe penale, sistemin e regjistrimit të çështjeve me mjete audio e më pas me video.
 
Së fundi, dua të falënderoj edhe një herë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe USAID-in, dhe të shpreh mbështetjen pa rezerva për projektin pilot "Për një drejtësi pa vonesa".
 
Shpresoj dhe besoj që ky model të rezultojë i suksesshëm dhe të shtrihet edhe në gjykata të tjera.
 
Realizimi i seancave gjyqësore më produktive dhe efikase janë rruga e duhur drejt reformimit të sistemit të menaxhimit të seancave gjyqësore dhe garantimit të drejtës kushtetuese për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.
 
Ky do të jetë dhe emëruesi ynë në përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë duke materializuar të drejtën e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme në respektim të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtës Ndërkombëtare në përgjithësi.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Maliq, mjeti bujqësor përmbyset në rrugën e Moglicës, vdes 61-vjeçari që e drejtonte (EMRI)