Fjala e panjohur e Enverit: “Ta themi mes nesh, ngjarja me bandën e Xhevdet Mustafës, ku na u vranë 6 veta, neve na…”/ Mbledhja sekrete në Komitetin Qendror, 22 tetor ‘82

Fjala e panjohur e Enverit: “Ta themi mes nesh, ngjarja me bandën e Xhevdet Mustafës, ku na u vranë 6 veta, neve na…”/ Mbledhja sekrete në Komitetin Qendror, 22 tetor ‘82

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Fjala e panjohur e Enverit: “Ta themi mes nesh, ngjarja me bandën e Xhevdet Mustafës, ku na u vranë 6 veta, neve na…”/ Mbledhja sekrete në Komitetin Qendror, 22 tetor ‘82

Pjesa e tretë

Publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajt tetor të vitit 1982. Në mes të tjerash ndodhet një raport-informacion i hartuar nga grupi i instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë: “Mbi disa probleme që dolën nga analizat për ngjarjen e 25-26 shtatorit në Lushnje”, e cila bën fjalë mbi ngjarjen e të ashtuquajturës “Banda Xhevdet Mustafa”, si dhe proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i mbajtur më datën 22 tetor të atij viti, e kryesuar nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxha. U mor në analizë e gjithë ngjarja e “zbarkimit të grupit diversionist” në bregdetin e Divjakës, si dhe “masat që duheshin marrë, për mbrojtjen e pikave të mundshme të zbarkimit, në bregdetin tonë”. Dokumentet me raport-informacionin e grupit të instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme, të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku pas analizës së bërë mbi ngjarjen e zbarkimit të “Bandës Xhevdet Mustafa”, u morën masat përkatëse, ndaj disa prej drejtuesve kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes, duke filluar nga kryetari Kapllan Shehu, zv/kryetari, Mihal Loli, shefi i Policisë, Fane Xhuveli, si dhe Ismail Leskaj, që u morr nën përgjegjësi penale. Proces-verbali i takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të mbajtur më datën 22 tetor të atij viti, nën kryesinë e Enver Hoxhës, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Hekuran Isai, Simon Stefani dhe Rita Marko, të cilët pasi diskutuan deri me detaje dhe morën në analizë ngjarjen me zbarkimin e “Bandës Xhevdet Mustafa”, diskutuan dhe shtruan detyrat konkrete, për të bërë të mundur mbrojtjen e kufirit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nga ndonjë desantim i mundshëm nga jashtë. U vendos që një kontingjent me rreth 600 efektivë nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, do të kalonin në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me shërbim për ruajtjen e kufirit tokësor dhe detar, si dhe aprovimi i një shume financiare prej afro 100 milion dollarësh nga fondi rezervë i shtetit, për shpenzimet që duheshin për pajisjen e postave të kufirit, me logjistikën e nevojshme, si radarë, etj.

kimet ditore të sekretarëve të K.Q. të PPSH-së)

-TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË DATËN 22 TETOR 1982

-PËR MASAT QË DUHEN MARRË PËR MBROJTJEN E PIKAVE TË MUNDSHME TË ZBARKIMIT NË BREGDETIN TONË (PYETJE DHE DISKUTIM NGA SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.1)

-PËR MJETET E INFORMACIONIT (DISKUTIM I SHOKUT ENVER HOXHA) (Fq.4)

-PËR DEPONIMET E ARMIKUT FEÇOR SHEHU NË ADRESË TË KADRI HAZBIUT

(INFORMIM NGA SHOKU RAMIZ ALIA, SEKRETAR I K.Q. TË PPSH (Fq. 3) PËR KËTË KA NDËRHYRË DHE KA BËRË PYETJE GJATË BISEDËS, SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.3)

22.10.1982

SEKRET

Dokumenti sekret me proces-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i kryesuar nga sekretari i parë, Enver Hoxha

TAKIM DITOR I SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 

22 TETOR 1982

Në këtë takim u bisedua për masat që duhen marrë për mbrojtjen e pikave të mundshme të zbarkimit në bregdetin tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pra duhet të mendojmë se çdo të bëjmë me ta. T’ua paguajmë rrogën punëtorëve të turnit të tretë?! Po ti paguajmë dhe ata të rrinë në shtëpi, kjo nuk është e pranueshme për ne. Prandaj duhet t’i fusim ata në disa punëra. Po kemi punë ku mund t’i fusim?! Po kemi. Natyrisht punëtorët e Sarandës nuk mund të dërgohen që të hapin kanale në Gjirokastër. Ata duhet të dërgohen diku brenda rrethit dhe të punojnë në bujqësi, duke ju paguar rroga, ose tre të katërtat e saj. Një gjë e tillë, duhet bërë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Natyrisht ky fond pagash, përfaqëson një fond që nuk prodhon, d.m.th., që nuk fiton gjë nga kursimi i energjisë elektrike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Ekonomia, nuk duhet të japi gjë nga kjo masë, se s’ka prodhim.

SHOKU SIMON STEFANI: Shkurtimin e energjisë elektrike, ta bëjmë nga nevoja.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë që të kesh ca rezerva energjetike, vendos që ta ndalosh atë por duke pranuar që të paguhet rroga e punëtorëve të turnit të tretë. Veçse që të paguhen punëtorët e atij turni, duhet që dhe ata të japin diçka. Në mos tërë prodhimin që mund ta jepnin në vendin ku ishin, të paktën gjysmën e tij me qëllim që humbja të jetë sa më e vogël. Prandaj mendoj unë që këto masa, nuk duhet të ndërmerren të shkëputura se po u morën kështu, mund të dalin të gabuara.

SHOKU RAMIZ ALIA: E drejtë është ajo që thoni ju shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Të kthehemi dhe njëherë tani tek çështja e parë. Puna qëndron këtu që deri tani, diversion nga kufiri i bregdetit deri më sot ne nuk kemi pasur. Ky, është fakt. Nga bregdeti erdhi vetëm banda e Xhevdet Mustafës. Pra nga kjo anë çështja nuk është alarmante sepse, deri tani nuk na ka ndodhur gjë. Prandaj vrojtimin ta forcojmë me njerëzit që kemi veçse, ata duhet të jenë me të vërtetë kufitarë. Pse e them këtë?! Sepse banda e Xhevdet Mustafës, m’u nën hundën e ushtrisë kaloi. Po çfarë ishin këto forca?! Ato nga të cilat do të marrë tani Hekurani, d.m.th., Ministria e Punëve të Brendshme. Thyerja më duket mua, është më e madhe këtej nga kufiri tokësor.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Do të jetë më e madhe pra nga Jugosllavia dhe nga Greqia.

SHOKU RAMIZ ALIA: Unë shoku Enver, për fondin prej 60 milionë lekësh, ju dhashë shokëve një mendim të tillë. Meqenëse është fjala për një shumë të tillë të madhe, gjithçka duhet të studiohet nga burimet financiare që kemi. Kështu për shembull, hapi i parë që mund të bëjmë, duhet të jetë në drejtim të ushtarëve dhe oficerëve të specializuar për çështjet e kufirit.

SHOKU ENVER HOXHA: Dakord.

SHOKU RAMIZ ALIA: D.m.th., të merren nja 20 a 30 që në fakt i shërbejnë kësaj pune në ushtri dhe të kalojnë në një kurs tremujor në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Aty ata, do të marrin nocionet e kufitarit. Kjo përputhet dhe me atë që thoni ju shoku Enver që, nuk është çështja për të mbrojtur kufirin duke qenë ushtarët rresht, pëllëmbë e ushtar. Por duke vendosur njerëz të aftë e të përgatitur aty, nga është shtegu ku mund të vijë ose mund të kalojë armiku. Këtë detyrë mund ta kryejë mirë ushtari dhe oficeri që, i di mirë detyrat e kufitarit. Në Karaburun, nuk kalon njeri.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, s’ka kaluar asnjëherë.

SHOKU RAMIZ ALIA: S’ka kaluar asnjëherë prandaj, nuk është nevoja që aty të vësh ushtarë të përforcuar. Ka disa vende siç na ndodhi në Bugla ku, mund të kalojë ose, ka dhe vende që duhet të ruhen më mirë. Prandaj këtë ide u’a dhashë shokëve, dhe kjo është puna e parë që duhet të bëjnë ata.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë, të jetë drejtim i specializuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është Ramiz, që atë që e ke thënë ti, le ta bëjnë, por unë mendoj që oficerët që janë tani në kufi, nuk janë injorantë për çështjet e kufirit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Është fjala për ata që kanë këta të ushtrisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po edhe unë për këta të ushtrisë po flas.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këta janë kryesisht oficerë të batalioneve art-mitraliere, që shërbejnë kryesisht në këto batalione por, e kryejnë edhe shërbimin e rojës së kufirit.

SHOKU SIMON STEFANI: Repartet art-mitraliere, janë kundër zbarkimit ajror dhe detar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, e di, e di, por ata bëjnë dhe këtë detyrë tjetër.

SHOKU SIMON STEFANI: Po ashtu janë ata, stërviten dhe për atë punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë nuk e di sesa i veçantë është shërbimi kufitar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, e që duhet t’u mësohet oficerëve të batalioneve art-mitraliere.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka njëfarë specifike kufiri, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht, është çështja e metodave, e lidhjeve, e një përqendrimi të vëzhgimit në një drejtim më të afërt. Po këto, janë dhe për ushtrinë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ato janë, prandaj nuk do të çojmë të tjerë ne atje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po njësoj është të marrësh dhe të tjerë, më keq do të jenë nga këta që të paktën, kanë bërë një vit shërbim ushtarak në kufi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo shoku Enver, ushtarët po ata do të jenë, por unë po flas për oficerët. Mund t’i kualifikojmë oficerët e drejtimit.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë. Përveç kësaj duhet, të shikohen edhe pikat ku do të vendosen postat, por kjo jo duke u nisur nga ajo që thonë armiqtë, që do të vijmë nga ky apo nga ai vend e se, do të hedhin njëra pas tjetrës kaq e aq forca. Hedhja e diversantëve dhe e bandave në tokën tone, nuk është aq e lehtë.

Një mësim të mirë ne, ua dhamë atyre me shpartallimin e bandës së Xhevdet Mustafës. Ky mësim, do t’ju vlejë për shumë kohë. Mund të supozojmë se mund të vijnë përsëri dhe kjo nuk përjashtohet, vetëm se kudo ata nuk mund të futen.

SHOKËT: Jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Armiqtë, do të kërkojnë të gjejnë pikat ku, mund të futen në vendin tonë. Pikërisht këtu ne, duhet të synojmë me Kundër zbulimin tonë, d.m.th., të dimë që më përpara se ku mund të zbresin ata. Për bandën që erdhi p.sh. ne, e dinim se ajo do të dilte në Kavajë, në Durrës, a diku tjetër. Në fakt ajo zbarkoi afërsisht aty. Po të kemi një të dhënë të tillë në një rast tjetër për, vendin ku mund të orvaten të futen diversantë, atëherë në këto vende mund të lëvizim përnjëherësh forcat tona, nga pikat ku ata s’mund të vijnë, sepse janë të sigurta.

Po të veprohet kështu, do të shikohet se 600 veta që i jepen Ministrisë së Punëve të Brendshme, plus dy-tre veta për çdo fshat, janë të mjaftueshëm. Armët i kanë të gjithë këto forca. Në orën shtatë të çdo mbrëmjeje p.sh., të caktohen që ti, ti, dhe ti shokë, do të patrulloni në këtë apo në atë gjysëm kilometri terren, apo ti ushtari, do jesh këtu, e ti civili do jesh atje, e kështu me radhë mund të ruhet kufiri.

Çfarë do të na sjellë kjo?! Do të ruhen më mirë pikat delikate të kufirit, do të mësohen dhe forcat vullnetare që të jenë vigjilente dhe të gatshme, jo me fjalë e me propagandë, por duke i thënë që ti person, ngrehu pak natën dhe hajde këtu që të mbrosh atdheun, jo vetëm duke thënë jam kurdoherë gati. Në të njëjtën kohë do të pakësohen edhe shpenzimet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është shoku Enver. Pastaj është dhe çështja e përdorimit më të mirë të mjeteve teknike që kemi.

SHOKU ENVER HOXHA: Ato mjete që kemi, duhet të dimë që ti përdorim mirë.

SHOKU SIMON STEFANI: Mjetet e dëgjimit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mjetet e dëgjimit dhe sistemin e radarëve. Ndoshta do të na leverdisë më shumë, që të silleshin disa radarë të vegjël që, të përdoren për këtë qëllim dhe në tokë, ose me motoskafë të vegjël, sesa të vihen qindra njerëz për të vëzhguar detin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, mundet.

SHOKU RAMIZ ALIA: D.m.th., puna është që të tëra këto çështje të studiohen që të na leverdisë më mirë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ato duhen studiuar, dhe në interesin e mbrojtjes së atdheut dhe të ekonomisë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Drejt, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Radarët e mëdhenj, edhe mund të verbohen e të errësohen. Përveç kësaj, një varkë me katër kriminelë, mund të vijë në mënyrë ilegale nga Italia. As Italia, si di lëvizjet e një motoskafi të tillë. Po ne, mund ta shohim atë me një radar të vogël.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të kemi radarë të vegjël shoku Enver. Për këtë punë nuk është fjala për radarë të mëdhenj që të shohin në distanca të largëta, por të vegjël.

SHOKU SIMON STEFANI: Që të shohin në një distancë prej 10-15 miljesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo për 10-15 milje por. edhe për distanca më të shkurtra.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, si ai që kishim në Pogradec me një motoskaf.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, të tillë të vegjël janë ata. Nuk shikojnë më shumë se 2-3 milje larg.

SHOKU ENVER HOXHA: Aq na duhen dhe neve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për mbrojtjen e kufirit aq duhet, se për distanca të largëta, i ka ushtria radarët e vetë. Është tjetër problem ai.

SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj kështu duhet ta shohin shokët këtë çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: I’u duhet thënë që mbrojtjen e atdheut ta bëjmë sa më mirë, po jo duke shpenzuar me luhare, por me lugë kafeje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dhamë një kontingjent për kufirin tokësor.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, se kufiri tokësor është më i ngatërruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Më i ngatërruar është ky.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo është e para. E dyta, forcat e kufirit tokësor në rast emergjence si të thuash janë të parat që do të fillojnë luftën për mbrojtjen e vendit.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, me ata do të fillohet lufta për mbrojtjen e vendit. Duke komentuar shpartallimin e bandës së Xhevdet Mustafës disa gazetarë të huaj, bënin krahasime me plazhin Zhiron të Kubës. Çfarë plazhi Zhiron ! Atje imperializmi amerikan dërgoi me mijëra kundërrevolucionarë. Ai, ishte një zbarkim i tërë ndërsa, ata që erdhën këtu ishin pesë banditë.

SHOKU SIMON STEFANI: Të krimbur.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ama dhe organet tona, flinin gjumë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është shoku Enver, flinin që aq më tepër dihej kjo çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Dihej, posi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj nuk duhej të ndodhte, kështu siç ndodhi.

SHOKU SIMON STEFANI: Nuk duhej të ndodhte kështu.

SHOKU RAMIZ ALIA: U vranë 6 veta.

SHOKU ENVER HOXHA: U vranë, posi 6 veta.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ngjarje na kushtoi goxha.

SHOKU ENVER HOXHA: Ta themi këtu midis nesh, na kushtoi shtrenjtë.

SHOKËT: Ashtu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Dy me një, a tre me një, nuk na leverdis.

SHOKËT: Jo shoku Enver, nuk na leverdis. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i mjekut, a po bëhet sa duhet për të luftuar korrupsionin në sistemin shëndetësor?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e përgjithshme, mbyllen qendrat e votimit në Itali! Ja kur mësohen rezultat e para

Zgjedhjet e përgjithshme, mbyllen qendrat e votimit në Itali! Ja kur mësohen rezultat e para