Dy muaj pas sulmit barbar kundër oratorit të Opozitës, të orkestruar nga Edi Rama përmes banditëve të veshur me imunitet Parlamentar, nuk ka asnjë reflektim nga kjo shumicë. Dyshja Rama-Meta, në vazhdim të planit për të zaptuar institucionet e pavarura, për të shkelur kushtetutën dhe për të mos zbatuar as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku kapen në shkelje flagrante të kushtetutës, në krye të ofensivës për ti mbyllur gojën çdo zëri kundër, si dhe për të goditur përmes një grupi të strukturuar, kriminal në Parlamentin e Shqipërisë, Opozitën e vendit, kërkon të zhbëjë themelin e Demokracisë Parlamentare që është llogaridhënia.
Sot kjo qeveri ndihet se nuk mund të japë llogari as para Kushtetutës, as para gjykatave të vendit, as në Parlament, para Parlamentarëve, por se mund të vazhdojë orgjinë e saj oligarkike duke shkelmuar dhe shkelur themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Pra, të ekzistojë dhe të sundojë në një vend ku do ta nxjerrë Opozitën e tepërt. Në asnjë demokraci, Opozita nuk është kurrë e tepërt, qeveria po. Kjo është një rrugë e cila ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, përfundimin që ka çdokush që mendon se mund të dalë mbi sovranin, mbi demokracinë, mbi fatet e qytetarëve. Gjithçka që po ndodh sot në Shqipëri, ekonomia në rënie, pasiguria e madhe për të nesërmen, buka e gojës për qindra e mijëra familje shqiptare, listat e gjata nëpër dyqane, mungesa e prespektivës për rininë, nuk mund të fshihen me propagandë bajate dhe boshe, me mashtrime qeveritare. Të gjitha këto janë produkt i drejtpërdrejt i një qeverie që nuk dëgjon, nuk sheh, nuk do të japë llogari. Opozita nuk mund të pajtohet kurrë me këtë situatë e aq më pak të bëhet bashkfajtore duke iu bërë dekor oligarkisë Rama-Meta.
A e keni përkrahjen e ambasadorëve për qendrimin tuaj jashtë Parlamentit?
Me ambasadorët biseduam qartë dhe shtruar për këtë çështje, siç kemi biseduar dhe do të bisedojmë në të ardhmen. Është detyra jonë si Opozitë, është misioni që na ka besuar qytetari shqiptar në 23 qershor, është misioni i Partisë Demokratike që ditën që ka lindur. Mbrojtja e Demokracisë, e shtyllave të saj, e jetës Parlamentare si zemra e demokracisë dhe e sovranitetit të popullit mbi qeverinë dhe jo anasjalltas, ia vlejnë çdo betejë dhe ne jemi të gatshëm për çdo betejë.