Fjala e plotë e Bashës në protestë

Shqiptare dhe shqiptarë, sot, një javë më parë në këtë shesh nisi lëvizja e madhe popullore, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një Republikë të Re, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni dhe padrejtësia.
 
Ushtria e Republikës së Re është këtu në këtë shesh, non-stop, deri në fitore.
Republika e vjetër po jep shpirt ditë për ditë, ditë për ditë mbi karkasën e qelbur morale. Tek kjo që po jep shpirt, shohim arsyet e vërteta se si vdiq kjo republikë.
 
E patë dje se si kjo qeveri e republikës së krimit, ky kryeministër i republikës së krimit, mbajti dhe mbrojti Armando Prengën, të dënuar me 10 identitete në Itali, kundër Kushtetutës, në parlamentin e krimit, në parlamentin e republikës së vjetër të krimit.
 
Megjithëse i shkarkuar, Elvis Rroshi i dënuar për përdhunim dhe trafik droge, i shkarkuar nga posti i kryetarit të Bashkisë, vazhdon t’i shkruajë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të republikës së vjetër, republikës së krimit dhe korrupsionit.
 
Dhe po kjo qeveri, po dje vazhdoi revanshin mbi qytetarin e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi.
 
Kam marrë qindra mesazhe nga qytetarët e thjeshtë, nga sipërmarrës të vegjël, nga punëmarrës, nga të punësuar që edhe dje janë goditur nga arroganca, nga paligjshmëria, nga harbutëria, nga padrejtësia e republikës së vjetër të krimit, të korrupsionit dhe të padrejtësisë.
 
Por këto mesazhe ndryshe nga mesazhet që kemi marrë këto tre vite e gjysëm, nuk është vetëm denoncimi, nuk është vetëm ankesa, por është edhe thirrja, kushtrimi, vendosmëria për t’u bashkuar e për ta përmbysur deri në fund republikën e krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë.
 
Konsensusi qytetar për të varrosur republikën e vjetër e për të rithemeluar një republikë të qytetarëve, të demokracisë, të lirisë e të drejtësisë së vërtetë vjen e rritet nga ora në orë.

Qytetarë të thjeshtë e të braktisur, të harruar e të goditur, zëra të fuqishëm intelektualë, kolosë të intelektit shqiptar po i bashkohen me thirrjet e tyre publike ditë për ditë misionit të popullit të lire, që ka tetë ditë që nuk e lëshon Sheshin e Lirisë. 
 
Misioni ynë nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk përfundon aty. Misioni ynë përfundon vetëm kur të kemi varrosur republikën e vjetër dhe të kemi ngritur republikën e re të qytetarëve shqiptarë.
 
Kurrë më nuk do të ketë kompromis me të drejtat themelore të qytetarëve.

Kurrë më, nuk do të lejojmë pazare të ndyra politike midis partive politike në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Ju e dini që kjo ka ndodhur shpesh këto 26 vite.
 
Ju  e dini fare mirë që partitë politike shpesh i kanë mbyllur kauzat e mëdha me pazare të vogla.
 
Unë jam këtu për t‘ju premtuar se kjo nuk do të ndodhë më!
 
Se interesat e kësaj lëvizjeje popullore, kombëtare, demokratike janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi Partinë Demokratike, përfshi
 
Lulzim Bashën, sepse janë interesat tuaja, janë interesat e shqiptarëve,
janë interesat e Shqipërisë.
 
Ndaj le t’ju kujtojmë këtë mëngjes të tetë të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohu, dhe hapi rrugë një qeverie të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme!
 
Ne nuk kthehemi në parlamentin e krimit. Atje ku janë ulur kriminelët e kanë vendin vetëm ata që i sollën aty.
 
Ne jemi këtu dhe ky është parlamenti i vërtetë nga i cili po lind republika e re që do të ketë parlamentin e qytetarëve dhe deputetët e qytetarëve.
 
Nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje fasadë në këtë vend. Partia Demokratike dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar. Zgjedhje për të kaluar radhën, zgjedhje fasadë, zgjedhje me këtë kryeministër, zgjedhje me këtë qeveri, nuk ka për të pasur. Pikë!
 
Këtu flasim dhe shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, i japim zemër njeri-tjetrit në këtë kauzë të madhe, por kjo nuk është lojë.
 
Nuk është lojë, fati i miliona shqiptarëve.
 
Nuk është lojë, brenga dhe hallet e mijëra kryefamiljarëve.
 
Nuk janë lojë, fatet e fëmijëve tanë.
 
Nuk është lojë të luftosh për të drejtat, të luftosh për demokracinë.
 
Nuk është lojë dhe unë nuk ju thirra për lojë.
 
Kjo është një luftë nga e cila do të kthehemi vetëm me fitore.
 
Ju kam pyetur, ju kam thënë se jam gati të luftoj deri në fund. Ju kam pyetur: A
jeni gati të luftojmë sëbashku?
 
Kjo është një luftë pa kthim. Në njërën anë, është një grusht njerëzish, një pakicë pushtetarësh të korruptuar koka te kembët. Një grusht kriminelësh me rekorde të zeza kriminale. Një grusht derrash oligarkë, që vjedhin dhe zhvasin ditë për ditë pasuritë e këtij vendi, paratë tuaja, taksat tuaja.
 
Ata kanë vënë një bast të madh. Basti i tyre vlen miliarda. Miliarda nga droga, po ua thotë bota. Miliardat e taksave të shqiptarëve me koncesione, me tendera, miliardat e pasurive të shqiptarëve. Ky është interesi i tyre, kjo është loja e tyre, kjo është lufta e tyre.
 
Përballë krimit, përballë miliardave të korrupsionit dhe përballë atyre që janë gati të bëjnë gjithçka për të mbrojtur miliardat e tyre, për të mbrojtur krimin e tyre; ka dhe do të ketë vetëm një forcë, bashkimi i madh i qytetarëve shqiptarë.
 
Garancia e vetme jeni ju, garancia e vetme është kjo lëvizje. Kjo është lufta, kjo është përballja. Në këtë ditë të tetë, përballja jonë me klikën e krimit dhe korrupsionit ka arritur rezultatet e para. Anembanë Shqipërisë dhe në të gjithë botën, thirrjet po vërshojnë. Radhët e ushtrisë së republikës së re po shtohen dita–ditës. Kjo është një ushtri e paqes, është një ushtri e metodave dhe durimit demokratik. Eshtë një ushtri e përballjes dhe vendosmërisë, e qëndresës dhe vendosmërisë ditë për ditë, orë për orë, minutë për minutë, deri në fitoren e kauzës tonë qytetare.
 
Por kjo nuk është lojë. Durimi ynë nuk duhet të merret për dobësi. Provokimet nuk do t’i tolerojmë, faqen tjetër nuk do ta kthejmë.
 
Na godisni me shuplakë, do t’ua kthejmë me grusht!
 
Në këtë shesh, e anembanë Shqipërisë, sa herë goditeni nga padrejtësia, arroganca, antiligjshmëria, korrupsioni, krimi i lidhur, mos u shtrini përtokë, mos ktheni faqen tjetër, bashkohuni dhe goditini me grusht!​

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë