Më 13 Janar të vitit 1913, 102 vjet më parë, Qeveria shqiptare krahas masave të tjera për ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar, krijoi edhe forcat e policisë, për të mbrojtur jetën, pronën e sigurinë e qytetarëve dhe rendin publik.
Historia e zhvillimit dhe veprimtarise së policisë shqiptare, mbart në vetvete veçoritë e zhvillimit të faktorëve politik, ekonomik e kulturor sipas periudhave të shoqërisë shqiptare.
Me këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë per gjithë punonjësit e Policise ndër vite, që kanë kontribuar për zhvillimin e këtij institucioni të rëndesishëm të shtetit e shoqërise si dhe për mbrojtjen e rendit publik e luftën kundër krimit.
Mirënjohja dhe nderimi më i madh në këtë feste është për punonjësit e Policisë që kanë dhënë jetën në përmbushjen e detyrës për të mbrojtur ligjin, jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, si dhe për familjet e tyre.
Policia e shtetit si gjithë institucionet e tjera shtetërore është modeluar e funksionon sipas parimeve të policimit demokratik. Ajo krahas masave për të përafruar standardet e policimit me ato Europerendimor dhe konsoliduar organizaten, po punon me përkushtim për forcimin e zbatimit të ligjit, kontrollin ndaj krimit dhe mbrojtjen e rendit publik.
Treguesit e punës në luftën kundër paligjeshmërisë dhe goditjen e krimit gjatë vitit që u mbyll, janë pozitive dhe na inkurajojne për të rritur efektivitetin e veprimtarisë në të gjitha shërbimet e policimit për të ardhmen.
Bazuar në vlerat e shoqërisë shqiptare, nevojat e saj për siguri e mirëqenie si dhe në vlerat e punonjësve të organizatës tonë, ne do të punojmë me përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve, mbrojtur të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, në bashkëpunim me komunitetin dhe njëherësh për tu siguruar punonjësve tanë trajtim të njëllojtë, kualifikim, mbrojtje dhe karrierë të suksesshme.
Ne do të vazhdojmë të zbatojmë filozofinë e policimit në komunitet, duke vendosur standarde për komunikimin, transparencën e llogaridhënien me punonjësit e policisë dhe qytetarët; krijuar partneritete dhe sinergji midis grupeve të ndryshme për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e sigurisë publike.
Motoja e Policisë së Shtetit do të jetë: “Së bashku për një mjedis të sigurtë dhe jetë cilësore në komunitet”.
Zonja e zotërinj,
Në këtë festim, dëshiroj t’u shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë partnerëve tanë ndërkombëtare te PAMECA, ICITAP, OSBE etj, të cilët vazhdojnë të ndihmojnë për zhvillimin e standardeve të policimit në Shqipëri.
Ne i njohim sfidat që kemi për të mbrojtur ligjëshmërinë e qytetarët; luftuar krimin në përgjithesi e veçanti atë të organizuar e korrupsionin dhe jemi të bindur se do t’i përballojmë me sukses, sepse kemi vlerat dhe mundësitë, si dhe mbështetjen e pakursyer të qeverisë, partnerëve ndërkombëtare dhe qytetarëve shqiptarë.
Duke përfunduar, Ju garantoj të nderuar zotërinj, kolegë, miq e të ftuar se, Policia e Shtetit do të zbatojë me ndershmëri e drejtësi,Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë; si dhe do të permbushë me besnikëri e devocion të lartë detyrat e ngarkuara duke bashkëpunuar me komunitetin.
Duke u përshëndetur, Ju uroj “Gëzuar festen e Policisë, suksese, shëndet dhe mirësi në familjet tuaja!”
Ju faleminderit.