Në përfundim të shqyrtimit të projektbuxhetit dhe të paketës fiskale edhe në fazën e dytë, pra nen për nen dhe në tërësi në komisionet parlamentare të Kuvendit, do të doja të bëj një përmbledhje jo vetëm të asaj që ofron paketa fiskale dhe buxheti i shtetit për vitin 2015, por t’ju tregoj edhe një herë të gjitha përmirësimet që u bënë në Komisionin e Ekonomisë me propozim edhe të komisioneve të tjera, të cilat morën në shqyrtim paketën fiskale dhe projektbuxhetin.
Së pari, për buxhetin dua të ritheksoj edhe një herë se të ardhurat totale për vitin 2015 rriten me 470 milionë dollarë, një rritje shumë e fortë që pason rritjen po të fortë gjatë vitit korrent që jemi, pra gjatë vitit 2014. Të ardhurat tatimore rriten përsëri me të njëjtin trend, me 410 milionë dollarë. Ndërkohë, nga këto 410 milionë dollarë, vetëm 160 milionë dollarë vijnë për shkak të taksave të reja; 250 milionë dollarë vijnë si rezultat i miradministrimit dhe i rritjes ekonomike.
Në dy vjet kemi arkëtuar, pra në vitin 2014 dhe do të arkëtojmë në vitin 2015, 870 milionë dollarë më shumë të ardhura. Nga këto 870 milionë dollarë, vetëm 360 milionë dollarë u atribuoen taksave të reja; 510 milionë dollarë janë të gjitha para që qytetarët e Republikës së Shqipërisë i kanë paguar në kohë të ndryshme si taksa dhe tatime, por ose kanë përfunduar në xhepat e mëdhenj të evazionit fiskal, pra të tregtarëve dhe të sipërmarrësve që kanë pasur detyrimin të bëjnë agjentin tatimor të qeverisë në arkëtimin e këtyre parave dhe nuk i kanë paguar, ose kanë shkuar drejtpërdrejt si ryshfet për organet e administratës fiskale në vitet që kanë paraprirë qeverisjen tonë.
Dua të them se gjatë vitit që po lëmë pas, në bazë të të cilit është edhe buxheti i vitit 2015, është shtrirë totalisht efekti i tatimit progresiv mbi pagat. Nuk ka qenë pak, por deri në muajin korrent që ne verifikuam, pra deri në fund të tetorit, janë gati 20 milionë dollarë më pak tatim mbi të ardhurat nga paga, që u ka shkuar drejtpërdrejt të gjithë atyre të punësuarve në sektorin publik dhe në sektorin privat. Pra, është shtrirë i plotë efekti në 95% të pagave, që sot paguhen në sektorin publik dhe në atë privat, ashtu siç është shtrirë i plotë i gjithë favori fiskal që ne bëmë pas heqjes së taksës mbi biznesin e vogël, e verifikuar e gjitha edhe gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë të drejtoreshës së Tatimeve dhe të drejtoreshës së Doganave.
Ndërkohë, dua të theksoj se për këtë vit rritja e madhe e të ardhurave nga tatimet dhe nga taksat kanë ardhur drejtpërdrejt nga TVSH-ja dhe nga sigurimet shoqërore. TVSH-ja dëshmon shumë qartë në rritjen e saj, që është rritur konsumi dhe formalizimi i të gjitha transaksioneve tregtare të kryera në treg dhe, në anën tjetër, rritja e sigurimeve shoqërore dëshmon shumë qartë rritjen e punësimit dhe formalizimin e vendeve të punës, të cilat deri dje kanë qenë jo-legale dhe jo nën efektin e sigurimeve shoqërore për të gjithë punëtorët në Republikën e Shqipërisë.
Në anën tjetër, në krahun e shpenzimeve: për vitin e ardhshëm shpenzimet në total rriten vetëm me 180 milionë dollarë, duke ulur trendin e fortë të rritjes së shpenzimeve që kemi ndjekur gjatë 8 viteve të qeverisjes së shkuar, e shoqëruar kjo me deficite shumë të mëdha fiskale dhe me rritje të borxhit publik. Pra, për vitin e ardhshëm kemi vetëm 180 milionë dollarë më shumë shpenzime. Pavarësisht këtij fakti, llogaria sociale mbetet shumë e fortë dhe arrin në 167 miliardë lekë ose 1,6 miliardë dollarë dhe reflekton qartësisht reformën e re të pensioneve, pagesat e tyre, një rritje përtej indeksit të inflacionit dhe natyrisht pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e paaftësisë së kufizuar dhe shpenzimet të tjera, që janë: për të përndjekurit politikë, ish-pronarët e kështu me radhë.
Ndërkohë, llogaria kapitale, pra ajo e investimeve publike (kjo besoj që ka interesin më të madh për qytetarët e Republikës së Shqipërisë) shkon apo rritet sërish deri në 800 milionë dollarë. Pra, 800 milionë dollarë do të investohen drejtpërdrejt në sektorët jetikë të ekonomisë kombëtare. Kësaj llogarie natyrisht që i shtohen edhe 200 milionë dollarë të tjerë borxhe, të cilat ne do të vazhdojmë t’i shlyejmë kundrejt sipërmarrjes në bazë të kontratave dhe cilësisë së punëve të kryera edhe për vitin 2015. Dua t’ju kujtoj këtu që deri në fund të vitit 2015 borxhi i shlyer do të arrijë në 630 milionë dollarë. Kemi shlyer 90 milionë dollarë që tre muajt e parë të qeverisjes sonë, të cilat ishin pagesa të vonuara dhe të prapambetura në thesarin e shtetit. Deri tani që flasim kemi shlyer 250 milionë dollarë. Me përfundimin e auditit mbi këto pagesa të kryera, që nuk zbuloi asnjë shkelje të kryer nga Ministria e Financave deri tani në shlyerjen e këtyre borxheve, në fund të këtij viti do të arrijmë në 350 milionë dollarë dhe vitin e ardhshëm do të shlyejmë edhe 200 milionë dollarë të tjerë. 630 milionë dollarë në total. Këtë shifër duhet ta dëgjojë mirë jo vetëm opozita e sotme, e cila mban përgjegjësi si ish-qeveri, por edhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të kuptuar kostot reale të asaj qeverisjeje, të cilat jemi të detyruar t’i paguajmë ne sot.
Pra, në shpenzime si këtë vit, edhe vitin e ardhshëm, i kemi injektuar ekonomisë kombëtare vetëm nga llogaria kapitale në shlyerjen e borxheve gati 1 miliard dollarë do të shkojnë këtë vit dhe 1 miliard dollarë të tjerë do të jenë për vitin e ardhshëm. Pra, për dy vjet po i injektojmë ekonomisë kombëtare 2 miliardë dollarë.
Të gjithë atyre që flasin për barrë fiskale, dua t’u kujtoj edhe njëherë tjetër që këtë vit ato që quhen taksa të reja apo barrë e shtuar fiskale janë vetëm 16% e parave që ne po i injektojmë ekonomisë kombëtare. Janë 160 milionë lekë në 1 miliard dollarë që ne do t’i japim ekonomisë kombëtare për vitin 2015. Në total për dy vjet, ajo që po e quajmë taksa të reja apo barrë e shtuar fiskale, është vetëm 18% e 2 miliardë dollarëve që ne po i japim ekonomisë kombëtare. Pra, i japim 2 miliardë dollarë, ndërkohë që barra e shtuar është vetëm 18%.
Thënë të gjitha këto, dua të ndalem vetëm në tri tregues kryesorë, që natyrisht të çojnë të mendosh edhe disiplinën fiskale që po vendosim këtë vit. Deficiti buxhetor për vitin 2015 ulet me 280 milionë dollarë në krahasim me vitin që po lemë pas. Pra, deficiti buxhetor ngushtohet.
Po jua them edhe një herë tjetër, në këtë shifër ndikojnë edhe një herë borxhet e prapambetura që ne kemi marrë përsipër t’i shlyejmë për vitin e ardhshëm. Ndërkohë që deficiti primar ulet në mënyrë të ndjeshme, do të jetë vetëm 90 milionë dollarë, nga 460 milionë dollarë që është në vitin korent për të cilin po flasim. Pra, deficiti primar ulet nga 3,3% e GDP-së që është sot, me vetëm 0,6% e GDP-së në vitin 2015. Kjo demonstron qartë përgjegjshmërinë fiskale në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
Nga ana tjetër, kursimi publik kthehet në terma tërësisht pozitivë. Në rast se sot, ashtu si në 2013-n dhe më tutje, e kishim në terma tërësisht negativë, kursimi publik me të paktën 200 milionë dollarë të tjerë kthehet në terma tërësisht pozitivë. Për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ata të zakonshmit, që nuk e kuptojnë këtë fakt, dua të shpjegoj qartësisht se me këta tregues qeveria e Republikës së Shqipërisë po demonstron se nuk po abuzon, qoftë me tatimet, qoftë edhe me huamarrjen. Po merr hua vetëm për të investuar, jo për të paguar shpenzimet qeveritare, rrogat, pensionet e të tjerë me radhë, të cilat po përballohen gjerësisht nga tatimet dhe taksat. Përkundrazi, për vitin 2015, përtej huave që po merren për të investuar, do të përdoren për herë të parë, pas kaq vitesh, paratë e tatimeve dhe taksave për të investuar drejtpërdrejt në sektorët më të rëndësishëm jetik për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Pra, po marrim tatimet dhe taksat për të investuar drejtpërdrejt dhe për t’ia kthyer pas qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Për herë të parë, po e theksoj, pas kaq vitesh kthejmë kursimin publik në terma tërësisht pozitivë, duke shmangur tërësisht abuzimin me shpenzimet publike, me huamarrjen dhe të ardhurat. Në fund të kësaj paraqitjeje për buxhetin do të doja të theksoja dy gjëra.
Së pari, e mbi të gjitha, po kthejmë rritjen ekonomike. Nëse këtë vit presim që rritja ekonomike të arrijë 2%, për vitin e ardhshëm po shkojmë drejt trendeve mesatare, për të synuar trende më të larta, e po kthejmë rritjen ekonomike në 3%. Buxheti i shtetit ka pjesën e vet, me ato para që ju thashë, për t’i injektuar në ekonomi, ashtu si edhe me Paketën Fiskale, për të nxitur fort investimet private në ekonominë kombëtare dhe, mbi të gjitha, edhe eksportin.
Kur po e bëjmë këtë? Për dy vjet. Nga viti 2014 deri në vitin 2017 do të shlyhen 204 miliardë lekë, ose mbi dy miliardë dollarë interesa të borxheve që kemi trashëguar nga qeverisja e Sali Berishës. Kësaj shifre i shtohen edhe 630 milionë dollarë, që deri në fund të vitit tjetër do t’ia paguajmë sipërmarrjes si borxhe të pashlyera. Pra, kuptoni se në çfarë kushtet po operojmë dhe çfarë kostoje të tmerrshme kemi trashëguar nga ajo qeveri! Interesat e borxhit po vijnë në rritje, për shkak të maturimit të tij.
Nga ana tjetër, Paketa Fiskale mbështet shumë fort prodhimin. Ajo Paketë Fiskale që erdhi nga qeveria, me këtë fokus të posaçëm për të mbështetur prodhimin në sektorë kyç të ekonomisë kombëtare u përmirësua edhe më tej në Komisionin e Ekonomisë. Kështu, Paketa Fiskale mbështeti me uljen e rentës minerare për mineralet e përpunuara në vend. Erdhi në fokus industria e madhe e kromit, u përmirësua në Komisionin e Ekonomisë me favorin e uljes me 25% të rentës minerare, për të gjitha mineralet metalore të përpunuara në vend, përfshirë bakrin, nikelin dhe çdo mineral tjetër, për të nxitur përpunimin e këtyre mineraleve në vend, pra, për të nxitur edhe punësimin.
Në anën tjetër, me Paketën Fiskale u bë edhe rregullimi për njohjen e firove të të gjithë prodhuesve, me qëllim që të mos kenë kosto shtesë, nga ky efekt, me organet fiskale e me radhë.
Te industria përpunuese kemi dhënë përfundimisht edhe favorin e heqjes së tarifës doganore për të gjithë naftën bruto që vjen për t’u përpunuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Te bujqësia kemi bërë përmirësimet e rëndësishme, duke u dhënë të drejtën të gjithë grumbulluesve të autofaturimit, me qëllim që fermerit t’i kthehet mbrapsht 20% e tatimit mbi vlerën e shtuar, nga 6% që ishte, deri në këtë moment, por e pathënë asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndërkohë, synojmë shumë qartë grumbullimin dhe përpunimin e çdo produkti që prodhohet në territorin Republikës së Shqipërisë, qoftë në planin e bujqësisë, qoftë në planin e blegtorisë. Pikërisht për bujqësinë kemi shtrirë të gjitha përjashtimet për makineritë dhe pajisjet bujqësore, në total, me një listë shumë më të zgjeruar për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, të njëjtën gjë kemi bërë edhe për kafshët që importohen për mbarështim, ato që quhen bagëti të trasha, por përmirësimi në Komisionin e Ekonomisë solli edhe faktin tjetër që të hiqet tarifa doganore për të gjithë shpendët e importuar dhe ushqimi për to. Meqenëse ka filluar një romuz i madh në çmimin e vezëve po i them mbrapsht se kjo masë që ne po marrin, uljen e tarifës së importit, pikërisht të shpendëve që përdoren edhe në këtë industri dhe të ushqimit për to, synon të ndikojë edhe te çmimi i vezëve që po flitet gjerësisht gjatë këtyre ditëve të fundit.
Përsëri te bujqësia qëndruam fort për të nxitur apo për të legalizuar të gjithë fermerët. Me ligjin që miratuam në seancën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe që është bërë efektiv dhe po përdoret gjerësisht gjatë javëve të fundit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, kemi arritur të falim kamatëvonesat për sigurimet shoqërore të të gjithë të vetëpunësuarve në bujqësi duke u dhënë një stimul të ri të gjithë atyre, para se të hyjë në fuqi reforma e pensioneve për vitin 2015.
Peshkimi është shumë i qartë për të gjithë. Kemi hequr taksën e qarkullimit, atë të karbonit dhe atë pjesë të TVSH-së që llogaritej mbi to, duke ulur ndjeshëm çmimin e karburanteve për peshkimin për të rigjallëruar dhe rivitalizuar të gjithë sektorin e peshkimit që për vite e vite me radhë, jo vetëm që u ngarkua me këto tatime dhe taksa, por u la edhe në ditë të hallit.
Në fund fare është manifaktura. Jo vetëm që ka hyrë në fuqi paketa e ndihmës për manifakturën, por këtë vit bëhet i vlefshëm edhe angazhimi ynë i qartë për atë paketë: për kthimin mbrapsht të 5% tatim mbi fitimin për vendet e punës së hapura të reja në sektorin e manifakturës.
Të gjitha këto masa ashtu si edhe buxheti në tërësinë e tij synojnë të mbështesin shumë fort me investime publike, por edhe me këto masa fiskale bujqësinë, sektorin e transportit, veçanërisht infrastrukturën rrugore që vjen në rritje, sektorin e ujit të pijshëm që vjen përsëri me rritje, arsimin dhe shëndetësinë që kanë trendin e tyre rritës, pavarësisht se më të lehtë sesa dy sektorët e parë. Rritje më të lehtë sesa transporti dhe bujqësia që kanë dhe vijojnë të mbajnë një rritje shumë të fortë të shpenzimeve publike për vitin 2015.
Komisioni i Ekonomisë bëri përmirësimet e veta edhe në buxhetin e shtetit.
Së pari, vendosi një rritje të fondeve përsëri, përtej 26% rritje që ka në krahasim me një vit më parë, rriti edhe me 70 milionë lekë të rinj buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, veçanërisht për atë që gjatë këtij viti ishte problem themelor për sëmundjet e përhapura në bujqësi, ato të ardhura prej insekteve të ndryshme, si karkaleci, gjuha blu, minjtë e arrave e kështu me radhë me qëllim që në fillim të vitit të merren masat për të goditur fort të gjitha elementet që shkaktojnë këto sëmundje.
Ashtu siç mbështeti fort institucionet e pavarura, përfshirë buxhetin e Zyrës së Administrimit Gjyqësor, buxhetin e Prokurorisë, atë të ILDKP-së.
Në fund fare, mbështeti buxhetin e pushtetit vendor, një formatim tërësisht sipas propozimit të ardhur nga Komisioni i Ligjeve dhe në funksion të reformës administrativo- territoriale që hyn në fuqi gjatë vitit të ardhshëm.
Në fund Komisioni vendosi të mbështesë edhe Ministrinë e Mjedisit për krijimin e një agjencie të zonave të mbrojtura dhe për të rikthyer qartësisht rivitalizimin e parqeve kombëtare të dëmtuara fort gjatë gjithë viteve të fundit, posaçërisht gjatë 8 vjetve të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
I gjithë buxheti dhe paketa fiskale mbështesin qartësisht reformën e ndarjes administrative, që është jetike për ne gjatë vitit të ardhshëm. Mbështesim shumë fort reformën e pensioneve që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2015 dhe do të shtrihet në vijim gjatë viteve të ardhshme, ashtu siç mbështesim shumë fort reformën në sektorin e energjisë. Do të doja t’ju kujtoja se buxheti ka ndarë 200 milionë dollarë për reformën në sektorin e energjisë elektrike, që është jetike jo vetëm për ekonominë kombëtare, por edhe për risqet që i vijnë buxhetit të shtetit pikërisht nga kjo reformë dhe në fund fare mbështet shumë fort edhe atë që ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë, legalizimet falas përgjatë gjithë vitit 2015.
Do të doja t’ju thosha se vetëm në harkun nga hyrja në fuqi e ligjit deri tani janë bërë gati 12100 legalizime dhe ritmi mujor ka arritur në 1500 legalizime në muaj. Natyrisht, me mbështetjen buxhetore që duam t’i japim këtij prioriteti, për vitin e ardhshëm synojmë të rrisim pikërisht trendet e legalizimit falas përgjatë gjithë vitit 2015 me ritme të përshpejtuara dhe natyrisht me shërbim komplet ndryshe përkundrejt qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Këto ishin çështjet që unë doja të ndaja me ju.
Çfarë keni pyetje lidhur me gjithçka, edhe me paketën fiskale dhe me buxhetin, edhe me ato shqetësime që ne adresuam qartësisht edhe në Komisionin e Ekonomisë përkundrejt ministrave të veçantë që mbulojnë fusha prioritare në qeverinë e Kryeministrit Rama, jam i gatshëm t’ju përgjigjem.
Urdhëroni!
Gazetare e “Scan TV” – A do të ndikojë vendosja apo taksimi i depozitave të shqiptarëve negativisht ndaj tregtarëve dhe familjeve shqiptare që kanë depozita në banka?
Erion Braçe – E para dhe mbi të gjitha, ne nuk taksojmë depozitat. Do të taksohen interesat që burojnë nga depozitat, po jo depozitat, sepse e kam hasur këtë gjë edhe në deklarimet e opozitës dhe natyrisht e konsideroj një abuzim shumë të madh t’u thuash shqiptarëve: do të taksojmë depozitat tuaja.
Jo! Do të taksohen interesat e depozitave dhe mbi të gjitha interesat e depozitave janë të taksuara sot. Nuk po vendoset taksë e re për interesat e depozitave. Janë të taksuara dhe taksohen me 10%, ndërkohë që kemi një fenomen që është tërësisht i dëmshëm, që 1% e depozituesve zotërojnë deri në 40% të vlerës së gjithë depozitave në total. Pra, diku te 4 miliardë dollarë sot që flasim vetëm 1% e depozituesve, që do të thotë se taksa e re mbi interesat e depozitave nuk prek masivisht qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Rritja për ta dhe për ato depozita që shkojnë deri në 3,5 milionë lekë të rinj nuk arrin as në 2900 lekë të vjetër, ndërkohë që do të prekë të gjithë ata që kanë depozita të larta dhe që për shkak të depozitave të larta përfitojnë interesa shumë më të mëdha nga ato depozita.
Kjo është e vërteta dhe po e përsëris edhe një herë, nuk tatohen depozitat, tatohen interesat mbi to. Nuk është taksë e re, është taksë që arkëtohet sot.
E treta që është edhe më e rëndësishme, nuk prek qytetarët me depozita të ulëta, sepse për ta rritja do të jetë fare-fare minimale në harkun e një viti. Natyrisht, prek atë 1% që zotëron 40% të vlerës në total të të gjitha depozitave ose 4 miliardë dollarë.
Gazetare e Ora News - Ju keni insistuar për të rishikuar këto katër koncesione. Rishikimi i këtyre koncesioneve a do të jetë një kosto për buxhetin?
Erion Braçe – Deri tani është verifikuar qartë kontesti që kompania që ka marrë koncesionin e kontenierëve, e ka marrë me arbitrazh. Natyrisht, qeveria ka marrë masat e veta për t’u mbrojtur kundrejt kësaj padie të këtij koncesionari. Për hir të së vërtetës, kanë ndodhur gjëra të çuditshme me atë koncesion. Ende pa filluar, janë transferuar aksionet në atë koncesion, pra janë ndryshuar pronarët e koncesionit dhe në anën tjetër, Autoriteti i Konkurrencës e ka gjykuar këtë koncesion, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare e veprimtarëve veçanërisht që ne kemi me BE-në, e ka konsideruar një monopol të pastër dhe në anën tjetër e ka konsideruar me kosto të madhe për sipërmarrjen dhe për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Këto janë ato që për ne përbëjnë interesin publik, në raport me këtë koncesion dhe unë besoj edhe me koncesionet e tjera që përmenda.
Kështu që për shkak sesi janë nënshkruar ato kontrata nga ana e qeverisë së shkuar, natyrisht që ka një hapësirë të madhe për përfituesit e këtyre koncesioneve për të goditur qeverinë e Republikës së Shqipërisë në një vendimmarrje të drejtë, ligjore përkundrejt tyre, por në anën tjetër duhet të dimë që këto koncesione kanë një kosto të jashtëzakonshme për sipërmarrjen dhe për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Për të gjithë ata që na dëgjojnë, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, dua të theksoj dhe një herë atë që kam theksuar në opozitë: ky njeri ka vendosur, pra Sali Berisha vendosi në fund të mandatit të tij me këto 5 koncesione se sa ne do të paguajmë për 15 vjetët e ardhshëm. Pra, duke ikur vendosi për detyrimet që ne duhet të paguajmë për 15 vjetët e ardhshëm. Dhe po ju theksoj që janë para të gjitha që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit; janë para që shkojnë në xhepat e koncesionarëve, klientë të Sali Berishës dhe të atyre ministrave që i lobuan, i mbështetën, dhe në fund fare i nënshkruan këto kontrata koncesionare në dëm të interesit publik, në dëm të interesit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe në favor të këtyre koncesionarëve që edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të arkëtojnë para në xhepat e tyre.
Gazetare e TVSH – Kam një pyetje për sa i përket energjisë. Është bërë privatizimi i HEC-ve në vitet 2012-2013, çka ka pasur dhe vazhdon të ketë një kosto financiare për sistemin energjetik. I është lënë ndonjë detyrë Ministrisë së Energjetikës për rikuperimin ose për rishikimin e kontratave?
Erion Braçe – Nuk janë vetëm HEC-et që kanë sjellë një kosto të jashtëzakonshme në bilancin energjetik të vendit dhe pastaj edhe në bilancin financiar të sektorit elektroenergjetik në vend, sepse u nxorën nga sistemi, ku kishin edhe një kosto, edhe një çmim të caktuar brenda Korporatës Elektroenergjetike këto 4 HEC-e, dolën jashtë sistemit, ku ne jemi të detyruar të blejmë tek ta me çmim tregu energjinë elektrike. Kjo është e para.
Më lejoni t’ju referoj një mori kronikash të bëra nga të gjithë ju, nga gazetarë të specializuar, që e njohin këtë fushë gjatë viteve kur u ndërmorën këto masa të qeverisë së Sali Berishës. Përtej kësaj, ka masa të tjera, ka vendime të Këshillit të Ministrave të asaj periudhe të Sali Berishës, që e përcaktojnë qartë sasinë që duhet të blihet nga energjia e koncesionarëve të vegjël, më lejoni t’ju them se kjo sasi është tejkaluar me dy herë dhe me tre herë në harkun e 2 vjetëve të fundit, dhe çmimit të subvencionuar me të cilin qeveria ose Korporata Elektroenergjetike duhet t’u blinte këtyre. Çmimi është çmim tregu, plus 10% e vlerës së importit. Pra, 10% më shumë sesa çmimi i importit. Ndërkohë që në anën tjetër KESH-i, sipas një vendimi tjetër të diktuar nga Sali Berisha, por të ERE-s, duhet t’i shiste OSHE-së këtë energji të blerë nga këto koncesione me vetëm 2,2 lekë për kilovat. Pra, janë një mori vendimesh të ndërmarra, që e kanë shkatërruar sistemin dhe që tani i kanë hedhur një barrë shumë të madhe jo vetëm korporatave publike, por kanë pjesën e konsiderueshme në ato propozime që të tria korporatat i kanë çuar në erë. Pra, janë këto vendime që jo vetëm kanë përkeqësuar në mënyrë dramatike bilancin e të gjithë sistemit elektroenergjetik, po flas për bilancin financiar, por në anën tjetër kanë sjellë dhe një barrë shumë të madhe për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. E vërtetë është, Sali Berisha nuk e rriti çmimin e energjisë elektrike në 2013-n, siç është e vërtetë që Sali Berisha e mori prej nesh në vitin 2004 energjinë elektrike me fashën e mbrojtur prej 4.50 lekësh, dhe për fashën përtej 220 kilovatëve, me 9 lekë për kilovat. E hoqi fashën fare në vitin 2006 dhe e çoi çmimin e energjisë elektrike në 7 lekë, dhe e riktheu në vitin 2008 – 2008 me çmimin 7 lekë për fashën e mbrojtur. Pra, kini parasysh: nga 4. 50 në 7 lekë në fillim, dhe për fashën jo të mbrojtur në 12 lekë, ashtu siç e çoi më pas në 7.7 lekë çmimin për fashën e mbrojtur dhe në 13. 5 lekë. Një rritje nga 4. 50 në 7. 7 dhe nga 9 në 13. 50 lekë për kilovat/orë. Ky është trendi i këtij luftëtari të madh kundër ristrukturimit të çmimit të energjisë elektrike dhe e këtij luftëtari të madh të mbrojtjes së fashës. Ky që e ka hequr vetë më 2006, një vit pas zgjedhjeve.
Pavarësisht kësaj, pavarësisht edhe asaj të vërtete që ju thashë, që nuk e ka rritur çmimin e energjisë elektrike në 2013-ën e në 2012-ën, e ka mbajtur si kosto të drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, kur e rëndoi mbi korporatën elektro – energjetike shqiptare, që ka marrë pastaj financime dhe garanci të herëpashershme gjatë gjithë viteve në vijim nga buxheti i shtetit.
Pra, nuk ua mori drejtpërdrejt në faturë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë çmimin në 2012-ën e në 2013-ën, por ua ka marrë në faturë nga viti 2006 e në vijim, nga 4. 50 lekë në 7. 7 lekë, nga 9 në 13. 5 lekë, por jua mori përmes taksimit të përgjithshëm në buxhetin e shtetit. Kjo është e vërteta e këtij çmimi. Natyrisht, kjo është e vërteta e këtij çmimi në raport edhe me vendimet që ky njeri ka marrë për ta shkatërruar tërësisht sistemin elektro – energjetik dhe bilancin financiar të atij sistemi, që sot sjell këtë kosto mbi qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Por një gjë do t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë: Sali Berisha gënjen kur thotë se çmimi për familjarët do të shkojë në 12. 5 lekë. Gënjen haptas. Nuk do të ketë çmim jo mbi 12. 5 lekë, por për qytetarët nuk do të ketë çmim as mbi 10 lekë.
Gazetare e Top Channel – Sa do të jete?
Erion Braçe – Pyesni ERE-n.
Gazetare e Top Channel – Ju thoni që nuk do të rritet, atëehere sa do të jetë?
Erion Braçe - Pyesni ERE-n se sa do të jetë. Unë nuk jam Sali Berisha, që t’ia vendos çmimin. Edhe një herë tjetër, unë po ju them se nuk ka asnjë arsye që çmimi i energjisë elektrike për familjarët të jetë mbi 10 lekë. Kaq. Urdhëroni, shkoni në ERE dhe pyesni, merreni dhe këtë tabelë që tregon se si ka lëvizur çmimi i energjisë elektrike, për t’ia dhënë atij zotërisë që mbron me vetëmohim krimet e bëra edhe në sektorin elektro – energjetik shqiptar.
Për ta mbyllur, do të thosha se për vitin e ardhshëm kemi lënë disa detyra të posaçme për gjithë ministrat që preken qoftë nga paketa fiskale, qoftë për ata që drejtojnë sektorë prioritarë në ekonominë kombëtare.
Së pari, për masën e autofaturimit në bujqësi, kemi lënë detyrë në qark për administratën fiskale, për Ministrinë e Financave dhe natyrisht për Ministrinë e Bujqësisë që të krijojnë zinxhirin e përfitimit nga kjo masë, nga bujku deri tek eksportuesi. Pra, të bëjnë kujdes maksimal jo vetëm për ta publikuar këtë masë dhe për t’u shpjeguar bujqve se si mund të përfitojnë nga kjo masë, por në anën tjetër për t’i mbrojtur bujqit nga abuzimi i grumbulluesve apo edhe i eksportuesve më tutje, veçanërisht abuzim me çmimet e grumbullimit. Kjo është themelore, është një detyrë që ne do ta ndjekim përgjatë gjithë vitit 2015, qoftë në administratën fiskale, qoftë edhe me Ministrinë e Bujqësisë. Për Ministrinë e Financave kemi lënë detyrë të posaçme për 4 koncesionet e famshme, të cilat kanë rritur barrën fiskale mbi sipërmarrjen dhe që pastaj, shkon deri te qytetarët e thjeshtë të Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për koncesionin e pullave fiskale, për koncesionin e ngjyrosjes dhe të markimit të karburanteve, për koncesionin e kasave fiskale dhe në fund, për koncesionin e kontrollit të shërbimit të automjeteve.
Kemi kërkuar liberalizim të qartë të tregut. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se ato operojnë sot në kushte monopoli dhe me tarifa shumë të shtrenjta, përkundrejt sipërmarrjes dhe qytetarit.
Dua të falënderoj Autoritetin e Konkurrencës, për punën e bërë veçanërisht, me koncesionet e skanimit të kontenierëve dhe të pullave fiskale, por insistoj fort për çuarjen deri në fund të punës me këto koncesione.
Në qoftë se opozita e sotme apo ish-qeveria e djeshme, po bërtet fort sot për 160 milionë dollarë taksa të reja, dua t’u them se 80 milionë dollarë ose gjysma e vlerës së tyre është kostoja e këtyre koncesioneve, në harkun kohor të një viti, drejtpërdrejt te sipërmarrja. Duhet ta çlirojmë atë dhe qytetarët nga kjo barrë fiskale e panevojshme, që nuk sjell asnjë qindarkë të ardhur në buxhetin e shtetit dhe arkëtohet drejtpërdrejt, në xhepat e ish-klientëve të qeverisë së shkuar dhe të ish-pushtetarëve të këtij vendi.
Këto dy detyra janë shumë të rëndësishme dhe i bashkëngjiten detyrës së tretë, që kemi lënë për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Energjisë, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me kontrollin mbi tregun e karburanteve, për të reflektuar uljen e çmimit të karburantit nëpër bursa. Edhe kjo është jetike për tregun, ashtu siç vazhdoj të inkurajoj shumë fort Autoritetin e Konkurrencës për të hetuar apo për ta shtrirë deri në fund hetimin mbi tregun e karburanteve, për ta çliruar atë treg nga përqendrimi shumë i lartë që kontrollon çmimet gjithnjë në rritje, duke mos e reflektuar fare, rënien e çmimit në bursat ndërkombëtare.
Në fund, desha t’ju thosha se jo vetëm Komisioni i Ekonomisë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, por të gjitha komisionet parlamentare, i kanë dhënë një mbështetje shumë të fortë reformës në sektorin e energjisë. Mbështesim shumë fort aksionin apo operacionin e nisur për dhënien fund vjedhjes së energjisë elektrike, rikthimin e kulturës së pagesës së energjisë elektrike dhe natyrisht, s’ka si të mos shprehim pakënaqësinë tonë të thellë kundrejt një opozite që kundërshton apo nxit kulturën e mospagesës.
E përmenda në seancën dëgjimore të komisionit me ministrin e Energjisë dhe po e them edhe sot: ftoj edhe një herë luftëtarin më të madh kundër pagesës së energjisë elektrike, Sali Berishën, të tregojë kontratën e energjisë elektrike dhe faturat e paguara të energjisë elektrike. Qartësisht, t’u tregojë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë se kush e paguan energjinë që konsumon ai, me çfarë kontrate, me cilin emër dhe me cilat fatura? Le t’i bëjë publike. Jam i bindur që do të ndikojë minimalisht në një pjesë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që ta paguajnë edhe ata, si ky zotëria, energjinë elektrike. Ashtu si ai që po bërtet më shumë për ristrukturimin e çmimit të energjisë elektrike, Lulëzim Bashës, i kërkoj t’u tregojë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, se sa konsumon dhe a përfiton ai apo jo nga ristrukturimi i çmimit të energjisë elektrike.
Po nuk e bënë këta, do ta bëj unë.
Faleminderit!