Fjala e plotë e kreut të Kuvendit, Ilir Meta në prezantimin e kandidatëve

 
Përshëndetje të gjithëve!

Një përshëndetje të veçantë 61 kandidateve dhe kandidatëve tanë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për zgjedhjet e 21 qershorit. Një përshëndetje e veçantë fare për kandidatet tona, sepse jemi krenarë si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, që kemi treguar vizionin dhe lidershipin përsa i takon avancimit të çështjes shumë të madhe për shoqërinë tonë dhe familjen tonë shqiptare, që ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e vajzës dhe gruas shqiptare në jetën politike dhe shoqërore. Jam i bindur se zgjedhjet e 21 qershorit janë historike në këtë drejtim dhe do të jenë akoma më shumë të tilla duke i çuar të gjitha këto zonja që janë sot këtu në krye të bashkive ku kandidojnë në të gjithë Shqipërinë.

Të 61 kandidatët tanë janë me fat sepse po konkurrojnë në këto zgjedhje të cilat janë historike sepse për herë të parë Shqipëria do të ketë 61 bashki nga 400 komuna dhe bashki që kishte deri më tani. Do të jenë me fat sepse do të kenë falë një reforme historike si ajo administrative-territoriale, shumë më tepër mundësi se sa deri më tani për të treguar vizionin e tyre dhe vizionin tonë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në nivelin vendor, sepse do të kenë falë kësaj reforme shumë më tepër resurse, kapacitete, instrumente për të realizuar ato politika që garantojnë më shumë shërbime dhe më shumë punësim për komunitetin e tyre. Por sigurisht që do të jenë me fat sepse do të kenë edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të qeverisë dhe të mazhorancës. Natyrisht që ky nuk është kërcënim dhe as presion ndaj votuesve për të mos votuar kandidatët e Partisë Demokratike. Absolutisht jo. Por Partia Demokratike për fat të keq nuk e ka kurajën për të qenë e sinqertë me qytetarët shqiptarë dhe përpiqet të deformojë mesazhet e dhëna nga kryeministri dhe nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës. Sepse Partia Demokratike nuk del dot të thotë që nuk i do bashkitë për t’i përdorur kundër qeverisë. Përkundrazi. I gjithë thelbi i fushatës së saj, për fat të keq jo konstruktive, sepse nuk paraqet asnjë alternativë, është shumë i thjeshtë: “I duam bashkitë për konflikt me qeverinë, me qëllim përfitimin politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Ndërkohë që, siç e tha shumë qartë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës Erion Veliaj, qëllimi ynë është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë. Ne i duam bashkitë për të ofruar më shumë shërbime ndaj qytetarëve tanë, për problemet e përditshme që ata kanë, në zbatimin të funksioneve që kanë bashkitë ndaj qytetarëve. Ndaj mesazhi ynë sot është shumë i qartë për të gjithë shqiptarët. Për të ecur më shpejt në rrugën jo vetëm të integrimit, por edhe të modernizimit të vendit tonë, por edhe të realizimit të programit tonë si Shqipëri, si “Aleancë për Shqipërinë Europiane. Ne besojmë se duke fituar në mënyrë bindëse në 21 qershor me kandidatët tanë të shkëlqyer në krye të bashkive do të kemi mundësi që me një bashkëpunim të ngushtë të qeverisë me kryebashkiaket dhe kryebashkiakët e rinj, të gjitha energjitë tona t’i investojmë për realizimin e programit tonë të përbashkët i cili synon më shumë shërbime dhe më shumë punësim për qytetarët tanë. Opozita nuk ka përse t’i kërkojë bashkitë për të bërë luftë politike me qeverinë sepse nuk mund të jetë kjo kurrsesi alternativa e saj. Përkundrazi, opozitës ia kemi krijuar të gjitha hapësirat në Parlament për ta zhvilluar luftën politike sa të dojë edhe si të dojë. Bashkitë i kemi për t’i shërbyer qytetarëve 24 orë pa ndërprerje, nuk i kime për konferenca shtypi.
Ndaj unë besoj shumë nga Shkodra në Sarandë me Keti Bazhdarin dhe Floriana Kokën, nga Kukësi në Gjirokastër, me Hasan Halimin dhe Zamira Ramin dhe natyrisht me Erion Veliajn në Tiranë, me Vangjush Dakon në Durrës dhe me të gjithë kandidatët dhe kandidatet tanë, anembanë vendit, ne do të drejtojmë se jemi “Aleanca e Shqipërisë Europiane”, jemi aleanca e së sotmes, jemi aleanca e së ardhmes, jemi një aleancë pa paragjykime, jemi një aleancë që punon me të gjithë ata që duan progresin dhe të gjithë ata që duan mirëqenien e familjeve të tyre, me të gjithë ata që duan punën dhe mundësi për të punuar. Ne do t’i krijojmë këto mundësi sepse tashmë do të kemi një aleancë të fortë me 61 kryebashkiakët e rinj të Shqipërisë të cilët gjithashtu, ashtu sikurse qeveria, do të kenë si prioritet të tyre për të rritur kontributin e pushtetit vendor në drejtim të punësimit.

Unë jam i bindur se jemi në rrugën e duhur, sepse kemi kandidatët e duhur, por mbi të gjitha kemi filozofinë e duhur, atë të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Kjo është arsyeja që kjo aleancë zgjerohet, kjo aleancë shtohet, kjo aleancë ecën përtej ideologjive të ngushta partiake sepse është një aleancë në shërbim të vendit dhe mbi të gjitha në shërbim të njerëzve, ashtu siç do të jenë 61 kryebashkiaket dhe kryebashkiakët e rinj të Shqipërisë në 21 qershor. Le t’u urojmë punë të mbarë kandidateve dhe kandidatëve tanë për kryetar të bashkive të Shqipërisë në zgjedhjet e 21 qershorit dhe le t’i mbështesim ata fuqimisht përmes një fushate pozitive shembullore, ashtu siç dimë ta bëjmë ne dhe sikurse e kemi treguar gjithmonë. Dhe le t’i ftojmë dhe të tjerët të mos hedhin baltë mbi kandidatët dhe kandidatët tanë, por të japin alternativa në shërbim të qytetarëve. Sepse në fund fare do të jenë ata që do të gjykojnë, dhe ne kemi besim se gjykimi i tyre do të jetë i pagabuar, ashtu sikurse jemi të bindur se ne jemi në drejtimin e duhur me kandidatët e duhur. Fitore dhe suksese të gjithë kandidatëve tanë! Fitore dhe suksese “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. 

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Renditja/ Korabi fiton 5-1 kundër Luzit në ndeshjen e prapambetur, Kategoria e Parë mëson skuadrat që luftojnë për elitën