Fjala e plotë e Kreut të Prezencës së OSBE, Bernd Borchardt 

Është nder i madh që jam këtu sot, në ditën time të dytë në detyrë, për t’ju përgëzuar të gjithëve për diplomimin nga Shkolla e Magjistraturës dhe për t’ju uruar sa më shumë suksese në karrierat tuaja në këtë moment të rëndësishëm të historisë së sistemit gjyqësor të Shqipërisë.

Dita e sotme përbën fundin e një periudhe studimi intensiv dhe fillimin e karrierave tuaja në një nga profesionet më të vështira të botës, në një sistem të prekur nga mosbesimi i publikut te administrimi i drejtësisë. Brezi juaj është i pari brez gjyqtarësh dhe prokurorësh që do të ‘rriten’ në kohën e Reformës në Drejtësi. Ndryshimet e miratuara në muajin korrik duhet të zbresin tashmë në ligje dhe akte nënligjore dhe të reflektohen përmes rishikimit të procedurave dhe politikave të të gjithë sistemit gjyqësor. Duke qenë se mbeten afërsisht edhe 40 ligje për t’u miratuar, nga të cilat vetëm shtatë janë gati për miratim, ka shumë nevojë për njerëz si ju, me aftësi ligjore dhe me një njohje të mirë të sistemit, që t’i ndjekin debatet e vazhdueshme në Kuvend dhe të kuptojnë implikimet e ndryshimeve legjislative. Ju do të bëheni imazhi i drejtësisë dhe ligjit në komunitetet tuaja dhe duhet të bëni çmos për të përmbushur detyrat tuaja qytetare. Ju nuk jeni vetëm arbitra dhe zbatues të ligjit në sallat tuaja të gjyqit, por edhe promovues të shtetit të së drejtës në komunitetet që i rrethojnë ato.

OSBE-ja është e angazhuar t’ju ndihmojë në këtë aspekt. Shteti i së drejtës përbën themelin e veprimtarive tona të të Drejtave të Njeriut dhe Demokratizimit dhe unë jam i gëzuar që fjalimi im i parë lidhet me rëndësinë dhe, veçanërisht, me zbatimin e Reformës vendimtare të Drejtësisë, një temë që i kapërcen kufijtë kombëtarë – duke shkuar deri aty sa Shqipëria të mund të bëhet model. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një gamë të gjerë veprimtarish në këto fusha dhe ka kontribuuar tashmë me sukses, mes të tjerave, në:

·         rritjen e efiçencës së gjykatave me nismën tonë të “Drejtësisë pa vonesa” së bashku me USAID-in;

·         reformën e gjyqësorit, më këshillim dhe mbështetje teknike në çdo nivel, duke përfshirë zhvillimin e strategjisë së reformës së gjyqësorit, si dhe;

·         Strategjinë e Edukimit Ligjor të Publikut.

Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona në ndihmë të Shqipërisë në këta sektorë dhe do t’i rrisim ato në më të rëndësishmin prej tyre: Zbatimin e Reformës në Drejtësi. Pa zbatim, reforma nuk do të ishte gjë tjetër veçse një shprehje qëllimesh të mira; na duhet të gjithëve të bëhemi bashkë në këtë përpjekje, e cila duhet të vijë nga çdo sektor i shoqërisë nëse, në fund, ato duhet të jenë të prekshme për të gjithë. Vetëm kur publiku të besojë se ligji qëndron mbi çdo njeri dhe çdo institucion dhe që ai zbatohet njëlloj për të gjithë, do të kemi vërtet shtet të së drejtës në Shqipëri.

Edhe një herë, dëshiroj t’ju përgëzoj të gjithëve për vendosmërinë që keni treguar duke arritur deri këtu e duke zgjedhur të bëheni administratorë të drejtësisë në këtë moment vendimtar për shtetin e së drejtës në këtë vend. Shpresoj që të merrni shumë kënaqësi nga luajtja e rolit tuaj thelbësor në Reformën e Drejtësisë dhe ju uroj të gjithëve karriera shpërblyese dhe të suksesshme.    

Ju uroj gjithë të mirat dhe suksese në të ardhmen!

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?