Sot në këtë sallë kam ardhur për shqiptarët që presin legalizimet prej jush, prej 20 vjetësh, dhe për të cilët ne do të bëjmë atë që jemi zotuar; Legalizimet Falas.
Tani, Prokurorinë e keni ende nën hijen e frikës nga ai. Gjykatat, nuk diskutohet. Presidentin e Republikës me siguri do ta kishit 100 % me vete në këtë rast, kështu që unë ju bëj një propozim; Ta mbyllim këtu këtë debat dhe të biem dakord që unë, i pari; Saliu, i dyti; adjutanti ke SHQUP-i, i treti dhe gjithë gridëria e angazhuar në këtë shfaqje të neveritshme të shkojmë një e nga një përpara prokurorëve të çështjes. E, nëse ju do të provoni, jo të gjitha, por një, qoftë edhe vetëm një nga gjithë akuzat tuaja të gjithë këtyre ditëve, që lidhin mua me trafikun e drogës, unë nuk do të jap thjeshtë dorëheqjen, por do të zhdukem përgjithmonë nga ky mikrofon dhe nga çdo mikrofon, dhe do t’i nënshtrohem vetë ndëshkimit. Ama, të biem dakord që në rast të kundërt, nëse asgjë nga gjithë këto që ju keni ngritur në këtë valë llumi dhe keni derdhur në veshët e gjithë shqiptarëve për lidhjet e mija me drogën nuk do të provohet, atëherë unë nuk kërkoj të njëjtën gjë që do të bëja vetë. Ju kërkoj vetëm që të bini dakord që Saliu dhe Jozefina të bashkohen me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë, një ditë si vullnetarë për të dezinfektuar Divjakën nga mushkonjat në prag të sezonit turistik.
***
Mbase, për shkak të moshës dhe mosqenies anëtar i Partisë së Punës, unë nuk e kujtoj që Enver Hoxha të ketë bërë një fjalim lamtumire. Se po ta kishte bërë, zotrote do të kishte vdekur nga infarkti, se Hysni Kapo po vdiste dhe t’i i ngele Vitos në prehër. Llogarite të dëgjoje Enver Hoxhën të bënte fjalim lamtumire, do të kishe vdekur në vend.
Tani, unë nuk të thashë as ty dhe as nuk ju drejtova gridërisë. Unë të them ty që e ke përbaltur Shqipërinë për 20 vjet, bëhu burrë, çohu bashkë me adjutantin e SHQUP-it, bashkë me gridërinë tënde dhe, edhe unë bashke me ju, para prokurorëve vërteto një dhe vetëm një nga akuzat e tua. Duhet ta pranosh dhe duhet ta pranoni që propozimi im ishte jashtëzakonisht dashamirës se, nëse ju e vërtetoni, unë jap dorëheqjen, zhdukem përgjithmonë dhe i nënshtrohem çdo ndëshkimi ligjor.
Ndërkohë, juve ju kërkova vetëm që ti, bashkë me Jozefinën, me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë, vullnetarisht, një ditë dezinfektim, se nuk mund të kërkoj dot unë, që të largohesh ti nga mikrofoni, se është njësoj si t’i kërkosh mizës të largohet nga shtegu i jashtëqitjes së kalit. Dhe këtë s’mund ta kërkojmë dot ty.
***
Unë vazhdoj të këmbëngul, duke qenë se përmasat e çështjes, siç ju e përshkruani, janë kaq dramatike dhe për më tepër ju pretendoni se dispononi fakte dhe dokumente, ka vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund këtij jermi kaq shumë vjeçar, në mungesë të një prokurorie që në fakt duhet ta kishte bërë prej 20 vjetësh rresht detyrën që kur politikanët bëjnë akuza të kësaj natyre për njëri – tjetrin, duhet t’i thërriste dhe t’i thoshte urdhëro, më jep provat.
Tani, nëse ju dhimbset kaq shumë Shqipëria që ju duket e mbërthyer nga narkotrafiku dhe dispononi në formë provash gjithë ato akuza që keni hedhur për të çoroditur opinionin publik, edhe njëherë po ta them dhe nuk të kushton asgjë që po nuk i provove dot, me Jozefinën, një ditë të shtunë, me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja vjen me ty, spërkasni në Divjakë se është edhe për sezonin turistik. Në rast se i provoni, unë ju siguroj se jo dorëheqjen, por gjithë sa thashë.
Çohesh këtu, merr fjalën, rimerr fjalën, vazhdon fjalën, seanca, seanca, seanca.
Bëhu burrë Sali, çohu bashku me gridërinë tënde, merr adjutantin e SHQUP-it, shko te prokurorët dhe e ke shumë thjeshtë. Vërteto një akuzë dhe shpëton njëherë e mirë nga unë. Është shumë e thjeshtë. E, lëre Enver Hoxhën, lëre Hysni Kapon, mos u merr me atë histori se kur na kujton atë histori, na kujton se sa shumë peng e ke mbajtur gjithë këto vite këtë vend, si personazhi i vetëm i mbetur këtu vërdallë, i asaj historie.
***
Atëherë, po e përsëris, nëse ke kurajë, që unë e konsideroj paturpësi, por mund të jetë kurajë, mund të jetë kurajë e një qëndrëstari antidrogë që nuk e kemi njohur. Nëse e ke kurajën e qëndrestarit antidrogë, merre gjithë gridërinë me vete dhe shkojmë tek prokurorët. Këto të tjerat janë të gjitha “dokra hini” kur thoshte At Gjergj Fishta. Shkojmë tek prokurorët, vëri në dispozicion ato dokumentet që iu thua shqiptarëve kam dokumente, ato faktet; vëri në dispozicion të gjithë ato lidhjet që ti me siguri i njeh, mes drogës dhe shtetit, sepse ke qenë Kryeministër në kohën kur bëhej gjithë kjo mbjellje e madhe, provo një lidhje të vetme timen me këtë çështje dhe e ke të zgjidhur këtë punë. S’ke nevojë të lësh ndërmarrjet e gjelbërimit pa punë dhe ujësjellësin pa punë, t’i sjellësh këtu përpara parlamentit për të bërë protestë. As atë lumëmadhin e Lazaratit. Po atë pse e solle këtu?! Po ai për çfarë erdhi?! Në emër të kultivuesve apo në emër të qëndrestarëve, se nuk e kuptova.
Çohu përgjigju këtu. Pse kurrë në jetën tende nuk patë kurajën të provosh përpara prokurorisë dhe gjykatës një akuzë që i ke bërë gjithë këtyre njerëzve 20 vjet.
Përgjigju!
Edhe një njeri që e fute në burg, Fatos Nanon.
Unë po të them, bëhu burrë, vërteto një akuzë përpara prokurorisë që ka frikë nga ty, tek gjykatat që janë me ty, me Presidentin që është gati të vijë pas teje, t’i thua shko në spital.
Hajde ta bëjmë testin tani, por ama do shkosh me Jozefinën në Divjakë për dezinfektim. Vetëm me këtë kusht.
Shkoni të dy. S’po ju them merrni Kastriotin, se mund ta ngatërroni me ndonjë mushkonjë atje.