Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në prezantimin e kandidatëve

Së pari besoj se na takon që ne dy partitë, që bëjmë një force, t’i shprehim falenderimin dhe mirënjohjen për besimin dhe për praninë e tyre këtu, aleatëve tanë, të cilët me përfshirjen në “Aleancën për Shqipërinë Europiane” përçojnë dhe forcojnë mesazhin qytetar të projektit qytetar për 21 qershorin. Për këtë arsye, unë dua që të falenderoj për praninë e tij Presidentin Bamir Topi, kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi, kryetarin e Demokracisë Sociale Paskal Milo, mikun tonë Petro Koçi, dhe të pashtershmin Nard Ndoka.

Së bashku, me gjithë aleatët e tjerë, me të cilët jam i bindur që, në 21 qershor do të bëjmë që në çdo bashki të Shqipërisë të triumfojë fryma qytetare dhe projekti qytetar.

“Përpara sesa të kultivosh një kopsht, duhet të dish diçka rreth kopshtarisë. Duhet t’u krijosh farërave tokën e duhur, që ato të rriten. Duhet të sigurohesh që të ketë diell dhe të mos mungojë ajri. Duhet t’u japësh hapësirën dhe mundësinë që ato të shtrijnë rrënjët e tyre. Dhe, gjithnjë nuk duhet të harrosh se duhet të luftosh me barërat e këqija. Kurrë s’ke për të pasur një kopsht, nëse lejon që barërat e këqija ta pushtojnë atë. E pra, nëse duam ta bëjmë një vend si një kopsht për fëmijët tanë, në radhë të parë duhet të ndjekim mësimet e kopshtarisë.”

E shkëputa këtë frazë nga një fjalim i famshëm i një gruaje që flet për mundin dhe për sakrificat e betejës për ndryshimin e mendësisë.

Sot, në fakt, që ditën e parë që ne jemi në detyrë janë plot ata që kërkojnë me zhurmë nga ne, fruta nga të gjitha pemët e jetës ekonomike dhe sociale të kopshtit tonë.

Ndërkohë që, vetëm 18 muaj më parë kopshti ynë ishte i pushtuar nga barërat e këqija të rrënimit; Pemët e mbjella ishin të molepsura nga sëmundjet e keqqeverisjes; Rrezet e dritës të penguara nga rrjetat e merimangave të krimit dhe të korrupsionit; Ajri i rënduar nga barra e rëndë e borxheve dhe rënia e fuqisë blerëse. Ndërsa mësimet e kopshtarisë ishin kthyer përmbys prej nevojës për ta shtyrë jetën e pushtetit, duke shkatërruar shtetin.

Le të marrim energjinë. Një miliard euro borxh nga 2007 në 2013. Vetëm nga janari në gusht të 2013-s, 220 milionë euro borxh. Gjysma paguante, gjysma tjetër jo. Edhe ata që paguanin për dritat e gjysmës tjetër, që vidhte, abuzonte, shpenzonte drita shumë herë më tepër se ç’kishte nevojë, paguanin edhe për të mbushur një gropë prej 150 milionë eurosh çdo vit.

Sot mbas 18 muajsh, a kemi arritur ne të kemi një sistem shpërndarjeje të energjisë siç e meritojnë të gjithë ata që e paguajnë? Sigurisht që jo! Por, pas 18 muajsh dhe pasi më shumë se 300 mijë konsumatorë, që deri dje refuzonin të paguanin, kanë lidhur aktmarrëveshjet dhe pasi për herë të parë në prillin e shkuar, në historinë e vet, kompania doli me të vetat, pa nevojën për të futur duart në xhepa e shqiptarëve, a jemi ne, në drejtimin e duhur?

Le të marrim arsimin. 18 universitete përtej binarëve të ligjit dhe 13 gjimnaze. Fabrika dhe ofiçina diplomash pa asnjë vlerë, që thithnin paratë e prindërve, kursimet e familjeve shqiptarë për të bërë realitet ëndrrat e fëmijëve të tyre, njësoj si piramidat e Sudes, Vehbiut, Xhaferrit, Saliut, të cilat bënë të njëjtën gjë, me një ndryshim të vetëm, nëse rënia e atyre piramidave shkërmoqi të gjithë shtetin tonë, diplomat e këtyre piramidave shkërmoqin ëndrrat e mijëra e dhjetëra mijëra studentëve dhe familjeve shqiptare, që kishin investuar gjithçka për vajzat dhe për djemtë e tyre.

Ne i mbyllëm të gjitha këto fabrika dhe ofiçina. Ashtu sikundër, qysh në vitin e parë hoqëm 120 tekste absurde nga qarkullimi. Kemi hapur një proces për ta pastruar tërësisht nga barërat e këqija kopshtin ku mësojnë fëmijët dhe nxënësit, duke pastruar njëherë e mirë qindra e qindra tekste të tjera, të cilat janë një fyerje për inteligjencën e fëmijëve tanë dhe janë një turp për shoqërinë tonë, ashtu si dhe për shtetin tonë.

Mund të vazhdoj me të tjera, por po e mbyll duke thënë që, nëse deri përpara 18 muajsh, për t’u bërë mësues duhet të paguaje drejtorin e zyrës apo të drejtorisë rajonale, kjo histori brenda këtyre 18 muajve mori fund. Tanimë, të gjithë ata që duan të bëhen mësues janë të klasifikuar sipas pikëve që kanë marrë në testin kombëtar dhe asnjë drejtor dhe asnjë bakshish nuk bën më fajde, sepse detyrimi për çdo vend të lirë është që të merret gjithmonë ai që ka radhën i pari, për të zënë vendin, sipas pikëve që ka marrë në provimin kombëtar.

A është shkolla jonë, sot, a janë universitetet tona, sot, shkollat dhe universitetet që Rilindja do t’i japë Shqipërisë? Jo, nuk janë ende shkollat dhe universitetet që Rilindja duhet dhe do t’i japë Shqipërisë. Janë ende larg së qeni të tilla, por në vetëm 18 muaj, me gjithçka që kemi bërë jemi në drejtimin e duhur apo jo?

Le të marrim spitalet. Askush nuk duhet ta këtë harruar, sepse nuk është para 800 vjetësh, as para 80 vjetësh, as para 8 vjetësh, është vetëm përpara 18 muajsh, pamjen në të gjithat ekranet e televizioneve të njerëzve nëpër dyert e spitaleve. Duke ulëritur, duke qarë, duke u ankuar të lebetitur se nuk kishin ilaçe dhe me receta në dorë duke vrapuar nëpër farmacitë rreth e rrotull spitaleve, për të blerë ilaçet 30% më të shtrenjta sesa në vendet e origjinës në Bashkimin Europian.

Sot që nuk ka më mungesë ilaçesh, sot që ka 85 barna më shumë në listën e rimbursimit, nga të cilat kanë përfituar 150 mijë qytetarë, sot që ilaçet janë 30% më të lira, a janë zgjidhur të gjitha problemet e shëndetësisë dhe a është ky shërbimi spitalor për të cilin ne u zotuam dhe për të cilin shqiptarët votuan? Jo, ende shumë për të bërë. Por, a jemi në drejtimin e duhur?

Le të marrim me radhë pronën publike, mënyrën se si masakrohej nga ndërtimtaria pa leje, kudo ku njerëzit pa shtet gjenin shesh për të bërë përsheshin e tyre.

Për të vazhduar me aksidentet, me bilancin e luftës në rrugët pa standarde. Përfytyroni, nëse do të shikoni në hartë rrugën nga Hani i Hotit deri në Kakavijë, ajo është një rrugë që ka 18 standarde, njësoj si të qepësh për të njëjtin njeri një kostum me 18 masa të ndryshme.

Ne sot kemi frenuar ndërtimet pa leje, kemi filluar të çlirojmë hapësirat që ju takojnë të gjithëve, kemi ulur aksidentet më shumë se 20% dhe ndërkohë vazhdojmë të përfundojmë rrugët e lëna rrugëve nga Saliu, duke paguar dhe borxhet e Saliut.

A është kjo gjithçka që njerëzit kanë ëndërruar pritur dhe kanë pritur nga ne më 23 qershor? Nuk është dhe nuk ka se si të jetë. Sepse janë vetëm 18 muaj, por çka ne kemi bërë në 18 muaj, a është e mjaftueshme për të pasur besimin se jemi në drejtimin e duhur?

Shikoni legalizimet, që ishin kali i betejës i dikujt që ndër shumë marrëzitë që tha si kryeministër i këtij vendi, ka thënë një marrëzi që do të kishte llahtarisur të gjithë botën universitare të arkitekturës dhe të urbanizmit, do të kishte llahtarisur të gjithë botën e drejtësisë dhe të gjithë njerëzit që kanë sensin e të drejtës. Shkoi atje në bathore dhe tha, ”Ajo që keni bërë ju, mund të konsiderohet si mrekullia e tetë e botës. Bota mbahet që ka 7 mrekulli, ju keni bërë të tetën, sepse ju keni ndërtuar një qytet komplet pa leje.”

Ata i jepnin votën, sepse mendonin që qyteti i tyre pa leje do të kthehej në një qytet të legalizuar, se shtëpitë e tyre të bëra me aq mundim, me aq sakrifica dhe me kursime në emigracion apo kursime të punës së vështirë këtu, do të ktheheshin në kapitale, duke u regjistruar.

Në tetë vjet 21 mijë legalizime. Në vetëm një vit, jo në 18 muaj, sepse 6 muaj na u deshën për të sistemuar dosjet dhe letrat në strofullën e Shabanit. Pasi u sistemuan, - në një vit të vetëm, ne kemi bërë 32 mijë legalizime, domethënë 11 mijë më shumë se ata, në tetë vjet.

A ka mbaruar procesin i legalizimeve?

Është shumë larg së qeni i mbaruar. A i kemi zgjidhur ne me këto 32 mijë legalizime, problemet e kaq shumë familjeve, e shumë më shumë se 32 mijë, që lidhen me dokumentin e pronësisë. Absolutisht jo. Por a mjaftojnë këto 32 mijë legalizime në 18 muaj për të thënë me bindje se po, ne jemi në drejtimin e duhur?

Më kujtohet që policia deri 18 muaj më parë u bë barsoletë dhe u bë objekti i shfrimit të talentit të shumë kalamajve në Facebook. Polic duke shtyrë veturat, polic duke luajtur në kazino, polic duke ngrënë tre lloj farash që i hidhnin në kapele, polic që rrinin në trafik dhe që fiknin vetë semaforin. Një polici, që ishte policia më injorante në të gjithë Europën, me nivelin më të ulët arsimor, 60% me shkollë të mesme dhe jo me shkollë të mesme, po përveç se me shkollë të mesme dhe bishti i fundit i kavallit të flamurit të Kukësit, që i fuste policë ata, të cilët i përdorte për të fishkëllyer kur shkonte Saliu në Kukës. Kjo ishte policia!

Pa llogaritur “Republikën e Lazaratit”, “San Marinon e Saliut”, pa llogaritur vrasjet dhe eksplozivët e me radhë.

Nga janari deri në fund të prillit të këtij viti është regjistruar numri më i vogël i vrasjeve në Shqipëri, që ekziston në regjistrin e regjistrave nga 1991.

Por a janë zgjidhur problemet me krimin; a ka mbaruar puna jonë; a është kjo policia për të cilën u zotuam dhe për të cilën shqiptarët na besuan në 23 qershor? Ende jo! Ende shumë për të bërë! Sepse ne e kemi thënë dhe unë e përsëris; për ne, policia që duam nuk është një polici më e mirë sesa ajo e Saliut, por është policia më e mirë në rajonin ku jetojmë. Dhe, një polici në mesataren e policive të Bashkimit Europian. Kjo është ambicia jonë. Por kush na e kërkon këtë për 18 muaj, është njësoj si ata policët e barsoletave, me të cilët qesh i gjithë mileti, se janë të fundit që e kuptojnë se ku është drejtimi i duhur.

Ata kanë shumë qejf të merren me punësimin. Patjetër të merren më punësimin. Shqipëria, 18 muaj më parë na solli ne në detyrë, sepse ishte e papunë, na solli ne në detyrë, sepse ishin të varfër, na solli ne në detyrë, sepse ishte e pashpresë. Sigurisht nuk ishim ne 18 muaj më parë që sollëm me vete papunësinë, që sollëm me vete varfërinë, që sollëm me vete mungesën e shpresës. Ne ishim ata që në 18 muaj i hapëm një luftë të betuar të skllavërisë së punës në të zezë. Ne ishim ata që në 18 muaj bëmë që 93 mijë e 392 njerëz, - deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar është kjo shifër, - nga njerëz të padukshëm që shfrytëzoheshin si mish për top nëpër ndërmarrje, sot janë njerëz që kontribuojnë me taksat e tyre, sepse janë të punësuar njësoj si çdokush në vendet e Europës.

Ndërkohë, meqë ata i referohen INSTAT-it, kur thonë është rritur papunësia me 7%, po INSTAT-it po i referohem edhe unë. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 2014-ës, sipas INSTAT-it, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2013-ës kishte 82 mijë e 629 të punësuar më shumë, domethënë, 8% më shumë.

Sigurisht që, ka më shumë njerëz sot të regjistruar si të papunë, sepse ka shumë më tepër njerëz sot, që shkojnë tek zyrat e punës, pasi ju ka lindur shpresa se mund ta gjejnë një punë. Sepse, kemi bërë zyra pune për të pritur njerëz që kërkojnë punë dhe për të ndërmjetësuar punësimin e tyre. Jo si zyrat e punës së Saliut, që ishin në katin e tretë të një pallati, tek kthesa e një rrugice, ku duhet të kaloje dy gropa dhe kur shkoje në katin e tretë, e gjeje derën mbyllur.

Nga ana tjetër të marrim taksat. Është momenti për ta thënë dhe për ta përsëritur; Të gjithë duhet ta dinë që ne, me të marrë detyrën, pavarësisht gjithë atyre që trashëguam dhe pavarësisht atij malit me 720 milionë dollarë borxhe, që nuk na e kishin treguar dhe nuk ia kishin treguar shqiptarëve, borxh i fshehur, i ulëm taksat për vitin 2014, 97.5 milionë dollarë. Pra, 97.5 milionë dollarë, që deri 18 muaj më parë shkonin si taksë nga fitimi mbi rrogën, me atë taksën e sheshtë të padrejtësisë, ne i kthyem në xhepat e shqiptarëve. Për këtë nuk ka nevojë që të lodhen shumë ata të cilët bëjnë komentatorin midis shifrave tona dhe shifrave të Saliut. Mjafton të pyesin një polic, sa paguaje para 18 muajsh dhe sa paguan sot taksa nga rroga jote? Mjafton të pyesin një infermiere, mjafton të pyesin një mjek, mjafton të pyesin një mësuese, mjafton ty pyesin këdo që ka më pak se 1 milionë në muaj, pagë, për të marrë vesh se në xhepat e gjithë kësaj shtrese të mesme dhe të varfër kanë shkuar 97.5 milionë dollarë.

Nuk mund të rri pa thënë që mjerë ata që ju ra të dilnin në pension me Saliun. Sepse, duke mos dashur kurrë të bëjë një reformë për pensionet dhe duke e zgjeruar edhe tek pensionet, si në çdo sektor tjetër, gropën e borxheve, për t’ia lënë atyre që do të vinin mbrapa bashkë me qametin, kur të ikte zotëria, u mjaftua me ato gënjeshtrat e indeksimit të inflacionit, që i quante rritje pensioni.

E vërteta është që me reformën tonë, rritja e pensioneve për të gjithë ata që kanë filluar të dalin në pension nga 1 janari i këtij viti është nga 2 deri në 40%.

Me reformën tonë janë të shpërblyer sipas viteve të punës, deri në 40% më shumë sesa çfarë do të merrnin po të kishin dalë një vit më parë në pension, të gjithë ata që përndryshe do të kishin vdekur nën atë tavanin e tmerrshëm 240 mijë lekë. Le të kesh punuar sa të duash, vetëm 240 mijë lekë.

Me reformën tonë, këtë vit janë 20 mijë gra që kanë përfituar pensione të rritura nga 2 deri në 40%. Jo vetëm kaq, por janë 5000 gjyshe, gra shtëpiake që i kanë shërbyer burrave tërë jetën, që nuk kanë vajtur në punë, nuk kanë qenë të siguruara dhe që në atë botën tjetër të Saliut do të ishin pa kokërr leku, nga ky vit e përgjithmonë do të marrin 67 mijë lekë pension social.

Le të marrim ndihmën ekonomike. I kam dëgjuar që janë të lebetitur dhe bëjnë sikur ju lebetitet shpirti për të varfrit, se ju paskemi prerë ndihmën ekonomike. Ndihmën ekonomike nuk ia kemi prerë të varfërve. Ndihmën ekonomike ia kemi prerë gjithë atij rezervuarit të mitingashëve dhe të militantëve, që merrnin ndihmë ekonomike nga kryetar bashkish e komunash dhe që ishin kthyer në skllevër elektoralë. Ndërkohë, jo vetëm nuk e meritonin ndihmën ekonomike, por zotëronin edhe pasuri. Ndërkohë që, për ata që e meritonin ndihmën ekonomike sepse janë vërtetë të varfër ne e kemi trefishuar ndihmën ekonomike. Deri para 18 muajsh ishte nga 15 mijë deri në 30 mijë lekë. Sot është nga 45 mijë deri në 80 mijë lekë.

A është maksimumi, qoftë ajo që kemi bërë për pensionet, qoftë ajo që kemi bërë për ndihmën ekonomike, qoftë ajo që kemi bërë për të përndjekurit, që i la tek kësti i parë, Saliu me Jozefinën? Apo qoftë ajo që kemi bërë edhe duke shlyer borxhin për bebet, sepse ka një detyrim qeveria që t’ju çojë bashkive, bonusin e bebeve dhe për çdo bebe që lind në këtë vend, të paguajë 50 mijë lekë të vjetra.

5.999.000 dollarë e kishte Saliu borxhin ndaj bebeve të këtij vendi.

Të gjitha këto nuk mjaftojnë. Por, e para, besoj se nuk kanë të krahasuar 18 muaj me më parë dhe e dyta, besoj se mjaftojnë për të thënë që po, në këto 18 muaj, ne duke vënë në dispozicion të shtresës së mesme dhe më të varfërve, paketën më të madhe financiare që një qeveria ka vënë në këto 25 vjet, jemi kthyer në drejtimin e duhur.

Po e mbyll me pjesën e qyteteve. Unë nuk kuptoj një gjë. Çfarë kanë me qendrat e qyteteve! Pse këta e urrejnë qendrën e qytetit! Si ka mundësi që përveçse qendrën historike të Tiranës e bënë si kartodrom për të bërë xhiro me vetura, nuk financuan asnjë projekt për të ndërhyrë në zemrën e qytetit. Në asnjë qytet! Mirë që nuk e bënë, por tani çfarë kanë! Ndërtohet qendra e Lezhës, e një qyteti për të cilin kujtohen vetëm kur duan që të maten me hijen e Skënderbeut. Kur shkonte atje për të festuar Besëlidhjen e Lezhës dhe e imagjinonte Saliu veten si Skënderbeun dhe thoshte “mos u mërzit se unë ty do ta kaloj”. Ngaqë e kishte mendjen tek Skënderbeu dhe tek dueli me Skënderbeun, nuk i binin në sy as plehrat që ishin rreth e rrotull memorialit të Besëlidhjes, as delet që hanin plehra. 


Mirë delet, se me delet ai ka një raport të veçantë, por si nuk i binte në sy që qendra e qytetit, ngjitur me memorialin ishte një parking me gropa, dhe me makina dhe me tym dhe me ndotje, që vetëm qytet historie nuk ishte Lezha.

Po me Beratin çfarë kanë? Se çfarë kanë me Beratin ne e dimë. Tetë vjet “rrugë, rrugë, rrugë” e vetmja rrugë ku nuk tentoi ta priste shiritin - se rrugë deri në fund nuk ka bërë asgjëkundi, - por e vetmja rrugë ku nuk shkoi të priste as shiritin ishte rruga që lidh Beratin me Shqipërinë.

Ne, jo vetëm që po e lidhim Shqipërinë me Beratin, por po bëjmë një transformim të të gjithë atij aksi që ne jemi të bindur do të sjellë një rritje të atillë të turizmit, që me padiskutim do të rrisë ekonominë familjare dhe lokale në gjithë atë zonë, ashtu siç sot, as nuk e imagjinojmë dot.

Dëgjova këtë, si e ka, Fatmir Mediun, - “Ç’është kjo - tha, do vijnë kaq shumë turistë, se ai kujton ngaqë i pakësohen ata anëtarët e Partisë Republikane, nuk e imagjinon dot se si mund të shtohen njerëz në një aktivitet.

E me radhë Gjirokastrën, këta patriotë të mëdhenj, këta njerëz që të marrin gjak në vetull për flamur. Lezhën e lanë copë-copë. Beratin copë-copë. Gjirokastrën, duke rënë nga dita në ditë me një urrejtje që edhe pse nuk e thonë, është e ndjeshme, - se duhet ta urresh një qytet, që është një nga vlerat më të mëdha të trashëgimisë tonë kombëtare dhe një vlerë e shkruar e trashëgimisë botërore, - për ta lënë të bjerë dhe të kalbet, në atë farë feje.

Ndërkohë që ne, Gjirokastrës, jo vetëm i kemi rikthyer frymën, por Gjirokastrës do t’i kthejmë shkëlqimin. Jemi të bindur se edhe Gjirokastrën do ta transformojmë në një motor të zhvillimit ekonomik dhe social, jo vetëm për njerëzit në Gjirokastër, por për gjithë rajonin dhe për gjithë Shqipërinë.

Po me palmat çfarë ka ky? Çfarë ka me palmat? Po të shikoni çdo gjë që i afron shumë qytetin, e tmerron. Mirë tmerron atë, e do të thoni ju pse po merresh akoma me atë, - kush mendon se ai ka ikur, duhet të pyesë ata tek SHQUP-i dhe me siguri do t’u thonë, ‘jo vetëm nuk ka ikur, por është në formë dhe është i pari dhe i fundit që kemi’.

Tani lidhur me kërcënimin. Ne i kërcënojmë?! Unë e them hapur dhe ky s’është kërcënim. I them njerëzve pse do votoni për këta kandidatët e PD-së, për çfarë? Ju jap një shembull: Më çon një mesazh një kryetar bashkie i PD-së: “Zoti kryeministër kam një urgjencë, problemet e komunitetit tim janë urgjente, dua takim urgjent”. Unë i përgjigjem: “Nesër në zyrë”. Edhe ai ma kthen: “Jo në zyrë se më shohin”. Tani çfarë pune mund të bëjë qeveria me një kryetar bashkie që ka frikë se e shohin. E pse ka frikë se e shohin? Ka frikë se e shohin sepse ata kanë drejtim tjetër. Drejtimi i tyre është “te sheshi, te sheshi”, jo për sheshin. I duan vetëm për t’i përdorur si zëdhënës që të dalin dhe të thonë “qeveria po na pengon”, “qeveria po na bllokon”, “Rama-Meta, Rama-Meta”. Dhe, doni ujë? Po, - hajde të kapim ata të dy. Doni punë? Po, - hajde t’i rrëzojmë ata të dy. Doni zhvillim? Po, - hajde t’i varrosin ata të dy.

Tani njerëzit vetëm budallenj nuk janë dhe vetëm budallenj s’duhet të bëhen. Po ju them shumë thjeshtë; ja ta zëmë se nuk është kjo, po kush është, kush është modeli i tyre?

Më i miri që kanë është ky që kishin këtu në Tiranë, më i miri.

Ishte ministër transporti, për çfarë mbahet mend? Po, vetëm për atë mbahet mend, që i ikën në drejtim të paditur 230 milionë euro rrugës. Ishte ministër i jashtëm, për çfarë mbahet mend? iku në drejtim të paditur 300 kilometra katrorë deti i Shqipërisë. Ishte ministër i brendshëm dhe ka katër të vrarë në kurriz.

Si kryetar bashkie nuk mund t’i numërojmë gjë se nuk ka bërë absolutisht asnjë gjë.

Prandaj mesazhi është shumë i qartë; Duke parë projektin tonë, duke e prekur projektin tonë, sepse në 18 muaj ne bëmë qendrën e Lezhës, bëmë qendrën e Lushnjës, qendrën e Durrësit, qendrën e Beratit e me radhë e me radhë, po në muajt e në vite të tjera, ajo që ne bëjmë do të shtrihet kudo, do të prekë të gjithë komunat që përbëjnë bashkitë e reja, do të prekë të gjithë fshatrat, do të prekë jetën e çdo familje. Pyetja që duhet të bëjnë njerëzit në shtëpinë e tyre është për kë do të votojmë në 21 qershor? Për ujin? S’ka ujë, kush do na e sjellë? Këta, kudo ku kanë ujësjellësin, e duan vetëm për një gjë, që t’ju shkarkojë punëtorët e ujësjellësit kur kanë miting, se ujë mazallah. Plehrat? Kush do t’i pastrojë, se ju e dini mirë që këta me plehrat kanë një raport të pamundur, sepse këtyre plehra ju duken vetëm kundërshtarët, kurse plehrat që janë problem i përbashkët iu duken peizazh, ju duken pjesë e natyrës. Po transportin? Kush do e rregullojë transportin? Këta?! Këta dy lloj transportesh kanë, o furgon me të nxjerrë shpirtin, o tram që s’vjen kurrë. Pa folur për çerdhe, për shkolla, për mjedise të gjelbra.

Unë dua t’jua kujtoj mirë, të gjithë atyre që e votuan këtë katër vjet më parë dhe të gjithë atyre që sot i shkojnë nga mbrapa, aty te diga e Liqenit. Përpiqet të imitojë edhe atë tjetrin, ka trashur edhe zërin, ka bërë edhe një betim; unë ju betohem, - nuk e di në nderin e kujt - se sa të jem unë këtu, asnjë shenjë betoni, vetëm gjelbërim dhe vetëm sport. Jo gjelbërim dhe sport. Po gropa më e madhe që është hapur në Tiranë? Saliu mbante rekordin me gropën e Hajdinit, tani e theu rekordin gropa e Lulit. Mu aty!

Prandaj, të dashur miq, drejtimi i duhur shihet, drejtimi i duhur dihet, drejtimi i duhur zgjidhet. Besoj që Keti Bazhdari është drejtimi i duhur për Shkodrën; besoj që Viktor Tusha është drejtimi i duhur për Lezhën; as nuk e diskutoj fare që Hasani është drejtimi i duhur për Kukësin; jam i bindur që Vangjush Dako është drejtimi i duhur për Durrësin; jam i bindur që Qazim Sejdini është drejtimi i duhur për Elbasanin.

Dhe para se të numëroj burra të tjerë, unë ju them vetëm një gjë, mes gjithë këtyre grave dhe gjithë atyre burrave që kanë përballë, turp kush zgjedh burrin. Sepse zgjedh një nga ata që nën hije lozin kuvendojnë dhe pika që s’u bie se nga SHQUP-i rrojnë.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tjetërsimi i 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Fran Frrokajn