Fjala e plotë e kryeparlamentarit Ilir Meta

Të nderuar pjesëmarrës,

I nderua z. Islami,

I nderuar z. Gjinushi, z. Pëllumbi, z. Dokle,

E nderuar znj. Topalli,

Të nderuar deputetë e akademikë, jemi mbledhur sot së bashku që të kujtojmë një moment historik, 25-vjetorin e konstituimit të të parit parlament pluralist demokratik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky moment është më shumë se një datë në kalendar, është një pikë kthese në historinë e Shqipërisë, sepse shënoi ndryshimin e historisë dhe na ndau përfundimisht nga e shkuara me nisjen në rrugën drejt së ardhmes euro-atlantike të popullit tonë. E cilësuar shpesh si një vend që nuk kishte as lindje e as perëndim, Shqipëria zgjodhi atëherë përfundimisht perëndimin.

Dinamikat e brendshme të shoqërisë shqiptare në fund të viteve ‘80, etja për ndryshim e rinisë që kishte nisur të artikulonte këtë nevojë dhe kulmimi i saj me lëvizjen studentore në dhjetor 1990, ishin përgjigja e shqiptare për çfarë po ndodhte në të gjithë vendet që gjendeshin pas ‘perdes së hekurt’.

Shembja e murit të Berlinit ishte simboli i përqafuar edhe në Shqipërinë e mureve dhe telave me gjemba, që tashmë kërkonte liri politike si hapi i parë drejt lirisë së tregut, lirisë së besimit dhe i gjithë lirive universale të njeriut që kërkon ndërtim urash, komunikimi dhe lëvizjeje.

Parlamenti i parë pluralist pati një jetë të shkurtër dhe një mandat të reduktuar, por dha një mesazh të madh lirie, i hapi rrugë perspektivës së demokracisë dhe ndryshimeve të mëdha historike. Ai i hapi rrugë një procesi të jashtëzakonshëm, të panjohur dhe me fare pak ekspertizë për të ndryshuar rrënjësisht legjislacioni ne trashëguar dhe të vërë bazat e para të legjislacionit të ri të një shteti modern dhe pluralist.

Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur rolin e tij të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset transformuese. Ai u shndërrua në institucionin më të rëndësishëm të ballafaqimit politik në vend, përmes debatit, përmes dialogut e konsensusit, por edhe bojkotit dhe bllokimeve për gjetjen e zgjidhjeve ligjore për të gjitha çështjet në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Veprimtaria legjislative është sot një nga instrument më aktive jo vetëm për konsolidimin e institucioneve të shtetit, por edhe për integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. Parlamentarizmi sot është më shumë se kurrë në vëmendjen e publikut. Është një pushtet i qortuar dhe i kritikuar, por edhe më transparent në veprimtari dhe dinamikë në vendimmarrje.

Sot jemi përballë një sfide madhore, reformës historike në drejtësi. Përfitoj nga ky rast të shpreh bindjen time të palëkundur, se kjo reformë madhore do të përmbyllet me sukses sa më parë për t’i hapur rrugë thellimit të modernizimit të institucioneve tona kushtetuese, rritjes të besimit të publikut tek sistemit i drejtësisë në vend, si edhe do të shërbejë për të përmirësuar më tej klimën e besimit të biznesit në vend, dhe sidomos tek investitorët e huaj.

Shqipëria sot ka ndryshuar. Ajo është anëtare e respektuar në arenën ndërkombëtar, është një anëtare e denjë e NATO-s dhe kandidate në Bashkimin Europian. Në maj, Kuvendi ynë do të jetë mikpritësi i një ngjarjeje të rëndësishme, mbajtjes për herë të parë në Shqipëri të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Por mbetet ende shumë për të bërë, për të çuar para reformat dhe garantuar qytetarëve tanë një demokraci më funksionale dhe një jetë më të mirë.

Në përfundim më lejoni të shpreh mirënjohjen të thellë për protagonistët e gjithë këtyre viteve për kontributin e dhënë për në parlamentarizmin dhe pluralizmin shqiptar.

Mirënjohje për ndihmën e paçmuar të dhënë nga partnerët tanë euroatlantikë, për SHBA-të dhe BE-në dhe për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme në përpjek je për forcimin të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve. Për inkurajimin e reformave të rëndësishme dhe thelbësore për të ardhmen europiane të vendit tonë, si pjesë e demokracive perëndimore, si pjesë e zgjedhjes që shoqëria shqiptare ka bërë pa asnjë mëdyshje dhe plot të drejtë një çerek shekulli më parë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime