Gjykata e Durrësit cakton masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili, në fundjavë, në gjendje të dehur, goditi me makinë automjetin e policisë, në tentativë për t’u larguar.
Avokati mbrojtës, Vladimir Skënderi, tha se 44-vjeçari e ka përsëritur veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur edhe dy muaj më parë dhe i ishte caktuar masa e detyrimit të paraqitjes. Në gjykatë, ai e ka pranuar veprën penale dhe ka shprehur edhe pendesë.
“Ndaj tij ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer disa vepra penale sikurse kundërshtimi me dhunë i punonjësve të rendit publik, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të automjetit. Një arsye tjetër që gjykata mbajti këtë qëndrim është sepse ai është përsëritës, të njëjtën vepër e ka kryer edhe dy muaj më parë dhe për të njëjtën vepër ai ka qenë në masën shtrënguese detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore. Për këtë shkak, gjykata me të drejtë, pavarësisht se ne si palë mbrojtëse na interesonte një masë më e lehtë, caktoi arrest në burg. I hetuari e pranoi që e ka kryer këtë vepër, pavarësisht se ai ishte nën ndikimin e alkoolit dhe shumë gjëra nuk arrinte t’i mbante mend, niveli i alkoolit ishte 1.4, shumë i lartë, por mbajti qëndrim pohues dhe pendues në seancë”, tha avokati.
Incidenti i rrezikshëm u regjistrua në qytetin bregdetar, mbrëmjen e së shtunës, në zonën e ish-Kënetës, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi aksidenti tragjik që la të vdekur dy të mitur dhe plagosi një të tretë.
Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17. Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, Abazaj ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.
Komente









