Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

Gjenevë 13 tetor 2014

Zoti President,

Të dashur Kolegë,

Të nderuar Miq,

Zonja dhe Zotërinj,

Është nder për mua personalisht dhe për Delegacionin Parlamentar Shqiptar që kemi mundësinë të marrim pjesë dhe të marrim fjalën në këtë Debat të Përgjithshëm të Unionit Ndër-Parlamentar këtu në Gjenevë, për një çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë me të gjitha shoqëritë tona.

Unë besoj se jemi të gjithë dakord që nuk ka asnjë vend në botë që mund të pretendoje se ka arritur të ketë barazi të plotë gjinore dhe asnjë nga shoqëritë tona nuk ka mundur që t’i japë fund dhunës ndaj grave. Lidhja mes të dyjave është komplekse dhe kërkon një sërë aksionesh politike paralele dhe angazhim të fortë shoqëror.

Më lejoni të ndaj me ju gjendjen aktuale në Shqipëri dhe se si Parlamenti dhe Qeveria janë të angazhuar plotësisht për të promovuar barazinë gjinore, të ç’rrënjosin dhunën me bazë gjinore dhe të avancojnë të drejtat e grave.

Shqipëria e ka shtrirë punën e saj për barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore në disa nivele, duke filluar nga përmirësimi i politikave dhe legjislacionit në përputhje me konventat ndërkombëtare; duke forcuar kapacitetet zbatuese në nivel qendror dhe lokal; duke përmirësuar mbledhjen e të dhënave dhe mekanizmat e monitorimit; dhe duke zgjeruar fushën e veprimit dhe të shërbimeve shoqërore drejt të gjithë segmenteve të shoqërisë.

Ne mendojmë se Parlamenti, jo vetëm luan një funksion kyç në këtë aspekt, por edhe që deputetët duhet të marrin një rol drejtues për të siguruar ndërmarrjen e veprimeve politike konkrete në të gjitha këto shtresa, në mënyrë që të ketë rezultate të prekshme.

***

Ne jemi krenarë që kemi nënshkruar CEDAË-në (Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit të Grave) dhe që jemi një nga vendet e para në botë që kemi nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e Stambollit, nga e cila burojnë një sërë veprimesh dhe masash.

Jemi të bindur se diskutimet tona në IPU duhet të nxisin një klimë veprimi konkrete në mënyrë që t'i largohemi fazës së retorikës dhe të fillojmë të punojmë për zbatimin në vend të angazhimeve tona ndërkombëtare. Në këtë frymë, në Shqipëri është krijuar Udhërrëfyesi për zbatimin e Konventës së Stambollit, si dhe janë zhvilluar disa takime teknike për të siguruar pajtueshmërinë.

Natyrisht, Kuvendi i Shqipërisë vazhdon të punojë në mënyrë proaktive për të përmirësuar dhe përditësuar të gjithë kuadrin tonë ligjor në përputhje me Acquis Communautaire, ndërkohë që ecim përpara në rrugën tonë të integrimit evropian. Tashmë si vend kandidat për anëtarësim në BE, mendojmë se këtë vit përgjegjësitë tona janë trefishuar.

Më konkretisht, Shqipëria ka miratuar ligjin për “Barazinë Gjinore në Shoqëri”, që pasqyron përcaktimet bashkëkohore të elementëve të barazisë gjinore, si dhe ligjin për “Masat kundër Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”.

Për më tepër, së fundmi është ndryshuar Kodi Penal për të adresuar më mirë sfidat aktuale që kanë të bëjnë me dhunën gjinore dhe dhunën në familje. Me hyrjen në fuqi të amendamenteve, kemi vërejtur një rritje inkurajuese të rasteve të raportuara dhe të ndjekjeve penale, përveç urdhrave të mbrojtjes civile.

Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur të inkurajojë integrimin gjinor në të gjitha fushat e politikave dhe veçanërisht në çdo projektligj të ri që diskutojmë apo miratojmë.

***

Ndërsa jemi mbledhur rreth një platforme ndërkombëtare shumë prestigjioze, besoj se barazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë çështje që duhen trajtuar në nivel lokal.

Duke pasur parasysh këtë, Shqipëria po i kushton një vëmendje më të fokusuar forcimit të kapaciteteve, jo vetëm në nivel të qeverisjes qendrore dhe në nivel parlamentar, por ç’është më e rëndësishmja, duke e kaluar veprimin tonë në një nivel të administrimit lokal.

Një nga reformat e mëdha historike që kemi kaluar këtë vit në Kuvend është “Reforma Territoriale dhe Administrative”, përmes së cilës kemi në plan të reduktojmë në mënyrë drastike numrin shumë të madh dhe të panevojshëm të autoriteteve lokale.

Këtë e kemi bërë me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë me një qëllim kryesor: për të rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimeve që autoritetet lokale i ofrojnë qytetarëve tanë.

Dhuna ndaj grave është një nga ato shqetësime që do të trajtohen në mënyrë më efektive me konfigurimin e ri të vendit, pasi presim të ketë një funksionim më të mirë të mekanizmave lokalë të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit. Më lejoni që të shpreh këtu mirënjohjen tonë të veçantë për të gjitha organizatat ndërkombëtare që punojnë në vend, veçanërisht për PNUD-in dhe OSBE-në.

***

Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë në ngritjen dhe fuqizimin e strukturave lokale që merren me barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave, duke nxitur bashkëpunimin me strukturat qendrore. Qeveria qendrore, falë një sistemi të ri online të ndjekjes të të gjitha rasteve të dhunës në familje, mund të monitorojë nga afër zbatimin e legjislacionit për dhunën gjinore dhe të ndërhyjë kur ka nevojë për përmirësime.

Tashmë, disa muaj pas krijimit të kësaj baze të dhënash kombëtare online për rastet e dhunës në familje, është rritur ndjeshëm ndjenja e përgjegjësisë ndërmjet autoriteteve të ndryshme publike, gjë që ka përmirësuar reagimin e tyre ndaj nevojave të të mbijetuarve.

Kjo bazë të dhënash elektronike, me informacion të bollshëm, i gatshëm në kohë reale, ka mundësuar gjithashtu që Kuvendi të luajë më mirë rolin e tij mbikëqyrës dhe të mundësojë dhënien e llogarisë të qeverisjes qendrore dhe lokale. Më e rëndësishmja, përhapja e mekanizmave të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit në të gjithë vendin po vërteton se kjo strategji ndërhyrjeje mund të japë rezultate të rëndësishme të prekshme.

Veç kësaj, ne tashmë ofrojmë një rrjet të sigurisë sociale për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në familje, përmes asistencës financiare dhe mbulimit shëndetësor falas.

Kuvendi do t’i ofrojë Qeverisë mbështetjen e saj të plotë për vendosjen e një linje telefonike kombëtare, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e dhunës gjinore dhe të dhunës në familje dhe të kërkojnë ndihmë në çdo orë të ditës dhe të natës.

***

Por, aksioni politik do të jetë i pavlefshëm nëse nuk ka një angazhim publik dhe një ndryshim tërësor në sistemin e vlerave ku ne bëjmë pjesë dhe unë besoj se është përgjegjësia jonë si politikanë të nxisim klimën e nevojshme për të forcuar një angazhim të tillë.

Veçanërisht në dy vitet e fundit, Kuvendi, Qeveria, por dhe shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare kanë mbështetur një evolucion në fushatat për ndërgjegjësimin publik, duke i parë burrat dhe djemtë jo thjeshtë si pjesë të problemit, por edhe si pjesë të zgjidhjes, si partnerë të grave dhe vajzave për të

sfiduar stereotipet gjinore, si dhe për të luftuar dhunën gjinore dhe atë në familje.

Ndërkohë që reagimi publik ndaj rasteve të dhunës gjinore është përmirësuar dukshëm gjatë viteve, kemi parë që gratë janë shumë më të hapura për të thyer heshtjen e tyre dhe për të raportuar rastet e tyre. Si rezultat, vërejmë një tendencë në rritje të rasteve të raportimit tek agjencitë ligjzbatuese, por dhe tek aktorë të tjerë jo-qeveritarë, të tilla si shoqëria civile dhe media.

Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë beson fort se aksioni politik duhet të ndodhë njëkohësisht me aktivizimin shoqëror dhe pjesëmarrjen qytetare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut. Ka qenë angazhimi i koalicionit tonë të ri qeverisës që fushatat për barazi gjinore dhe dhunën në familje të synojnë jo vetëm segmentet femërore të shoqërisë tonë, por këto çështje të trajtohen si një shqetësim për të gjithë shoqërinë. Sepse barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me gratë; ajo prek dhe burrat dhe është një qëllim i përbashkët për të gjithë shoqërinë.

Zonja dhe Zotërinj,

Ne e konsiderojmë barazinë gjinore dhe dhunën gjinore, jo vetëm si një çështje të të drejtave të njeriut, por si një faktor kryesor që ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe progresin social të vendit tonë.

Unë ndodhem këtu për të rikonfirmuar angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të siguruar ushtrimin e vazhdueshëm të rolit të një mbikëqyrjeje të plotë ndaj të gjitha institucioneve tona publike, si dhe për të siguruar që ligjet tona përfaqësojnë plotësisht barazinë gjinore dhe të heqim çdo dispozitë diskriminuese të mbetur.

Duke pasur parasysh që kemi rritur përfaqësimin e grave në parlament pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhe me një Aleancë të Grave Deputete në Kuvend, një grup shumë aktiv këtë vit, mbetemi të angazhuar për fuqizimin e të gjitha grave deputete që të ushtrojnë presion në partitë e tyre politike për të rritur përfaqësimin femëror, veçanërisht sa i takon zgjedhjeve të ardhshme lokale, vitin e ardhshëm.

Për më tepër, Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me grupet e shoqërisë civile, duke u dhënë atyre më shumë hapësirë këshillimore

në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Nën Komisionin e Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje.

Së fundmi, unë i bëj thirrje të gjithë kolegëve tanë të shtojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar që qëllimi për barazi gjinore dhe për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, të mbahen në lartësinë e axhendave tona parlamentare ndërkombëtare dhe kombëtare.

Shqipëria sigurisht që do vazhdojë të mbetet e angazhuar në këtë drejtim.

Ju falenderoj për mundësinë që më dhatë t’i drejtohem këtij Debati të Përgjithshëm të Unionit Ndër-Parlamentar.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë