Fjala e plotë e Kryetarit të LSI-së
Ilir Meta në mbledhjen e KDK-së

Dëshiroj të ndaj disa qëndrime për disa nga çështjet më të rëndësishme të aktualitetit politik dhe të perspektivës, ku natyrisht në radhë të parë do të mbetet Reforma në Drejtësi, derisa ajo të miratohet përfundimisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Do të doja të ritheksoja edhe njëherë qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për reformën në drejtësi, i cili ka qenë i qartë në mbështetje të saj që nga fillimi i procesit.
Me këtë rast dua të përshëndes dhe të mbështes plotësisht deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimit Europian, z. Hahn , i cili pasi ka vlerësuar punën e rëndësishme që është kryer deri më tani nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, punën e bërë nga EURALIUS, OPDAT dhe nga Komisioni i Venecias, kërkon dhe nxit gjithë klasën politike shqiptare që të përfundojë edhe kilometrin fundit, që natyrisht është edhe më i rëndësishmi për miratimin në Parlament në ditët e ardhshme dhe në javët e ardhshme të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi.
Në këtë drejtim, unë dëshiroj që të theksoj se miratimi i shpejtë i saj dhe njëkohësisht edhe angazhimi për zbatimin e plotë dhe efektiv dhe të shpejtë të kësaj reforme, mbeten prioriteti ynë më i rëndësishëm.
Për këtë qëllim, angazhimi dhe vullneti i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe i grupit të saj parlamentar janë të palëkundur dhe janë në vijën e parë të miratimit, jo të vonimit, jo të preteksteve, jo të vonesave dhe jo të kalkulimeve partiake politike apo elektorale, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim mendon dhe beson që miratimi i kësaj reforme është një detyrë kombëtare.
Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme që duhet përmbushur me shpejtësi në radhë të parë për interesin e qytetarëve tanë, për interesin e forcimit të ligjit në vend dhe të rritjes të besimit tek shteti ligjor, tek drejtësia dhe tek institucionet, për të goditur në mënyrë të vendosur dhe dërrmuese korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë një shqetësim mjaft serioz për qytetarët tanë, për shërbimet që ata duhet të marrin, por njëkohësisht edhe një pengesë mjaft serioze për zhvillimin më të shpejtë të vendit dhe për vetë procesin e integrimit europian.
Mesazhi i Komisionerit Hahn besoj se ishte shumë i qartë dhe ishte dhe shumë dashamirës, ishte edhe pak sportiv që të kuptohet më thjeshtë nga të gjithë qytetarët shqiptarë në prag të Kampionatit Europian të futbollit, pra që Shqipëria të mos mbetet vetëm në fazën e grupeve, por të kalojë më tej.
Dhe kjo do të thotë që nuk mund të ketë një rekomandim dhe një hap tjetër përpara të Shqipërisë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në rast se kjo reformë nuk miratohet dhe nuk miratohet tani.
Ne mbajmë përgjegjësi në radhë të parë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të gjithë ata që kanë votuar për ne dhe që besojnë tek ne dhe që janë shumë më të shumtë se sa tre vite më parë.
Por natyrisht që mbajmë përgjegjësi edhe ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët në një shumicë dërrmuese e kërkojnë këtë reformë.
Prandaj edhe unë theksoj se 20 votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk janë vetëm nga sot për këtë reformë.
Ato janë në mbështetje të reformës prej javësh, që kur misionet e EURALIUS dhe OPDAT dorëzuan në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi, opinionet e tyre për ato çështje të cilat nuk ishin specifikuar në mënyrë përfundimtare nga Komisioni i Venecias, i cili gjithashtu bëri një punë të shkëlqyer.
Ndaj, shpresojmë, sikurse thekson edhe Komisioneri Hahn, që të gjitha forcat politike dhe palët politike të miratojnë këtë reformë.
Për LSI, certifikimi i kësaj reforme nga Komisioni i Venecias dhe nga EURALIUS dhe OPDAT është i mjaftueshëm që të marrë të gjitha votat tona , por pse jo, të të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, sepse kemi të bëjmë me institucione ndërkombëtare që nuk janë pjesë e interesave politike dhe partiake në vendin tonë.
Është një pengesë e madhe mosbesimi që ekziston midis palëve, shqetësimi për përdorimin e drejtësisë deri më tani apo të institucioneve që do të krijohen, për qëllime partiake.
Unë besoj se standardet që ofron Komisioni i Venecias dhe standardet që ofrojnë zgjidhjet e propozuara edhe nga EURALIUS-i e ODPAT-i janë tërësisht të besueshme për t’i dhënë jetë kësaj reforme në parlament mundësisht brenda muajit qershorit, sepse çdo vonesë tjetër do të ishte mjaft e kushtueshme për rrugëtimin e mëtejshëm të vendit tonë drejt Bashkimit evropian.
Ndaj edhe njëherë tjetër e nënvizoj vendosmërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të votuar këtë reformë sipas standardeve të Komisionit të Venecias sipas zgjidhjeve që janë dhënë nga EURALIUS dhe OPDAT- që tani.
Njëkohësisht shpreh bindjen edhe tuajën se reforma në drejtësi përveçse do të hapë një faqe të re në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve publike, pa asnjë diskutim që do të krijojë kushte shumë më të mira për zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të përmirësojë ndjeshëm klimën e biznesit që është vendimtare për mirëqenien e çdo qytetari shqiptar për të hapur vende të reja pune dhe për të luftuar varfërinë.
Sigurisht që reforma në drejtësi vjen pas miratimit të legjislacionit për dekriminalizimin i cili ka dhënë efektet e para dhe për të cilin qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet i prerë dhe i qartë për zbatimin e plotë, të thellë, dhe pa asnjë ekuivok të këtij legjislacioni ndaj cilitdo, cilido qoftë në LSI, apo në forcat e tjera politike dhe kudo. Elementë me rekorde kriminale nuk kanë vend në zyrat dhe postet publike.
Shqipëria meriton të hyjë në një fazë të re të standardeve të integritetit të përfaqësuesve publik.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë, sulm i ri rus me dron në Kiev