Fjala e plotë e Kryetarit të LSI-së Ilir Meta

Është një kënaqësi të ritakohem me ju në këtë takim i cili edhe njëherë tjetër tregon se Lëvizja Rinore për Integrim është jo vetëm fuqia më e madhe që ka Lëvizja Socialiste për Integrim, por padiskutim është një organizatë model, shembull, jo vetëm për simotrat e saj, jo vetëm për LSI-në, por për të gjithë sepse është një lëvizje e pandalshme dhe e vazhdueshme, është gjithmonë në aksion me një shpirt të lartë dhe të iniciativës dhe të sipërmarrjes. Dhe unë jam i bindur se kështu do të dëshmohet edhe në 21 qershor, një ditë mjaft e rëndësishme , jo për arsye sepse kemi zgjedhje vendore, sepse zgjedhje të tilla kemi patur çdo katër vjet, por sepse për herë të parë do të themelohet një pushtet real vendor anembanë vendit, në bazë të reformës administrative- territoriale e cila padyshim që ishte ,dhe do të jetë një reformë historike sepse ndau vendin njëherë e përgjithmonë nga një fragmentarizimi i tejskajshëm i pushtetit vendor, i trashëguar që nga periudha e regjimit të kaluar, i cili e kishte kthyer pushtetin vendor në një pushtet fiktiv, në një pushtet të paaftë për të prodhuar shërbimet e duhura dhe cilësore ndaj qytetarëve, në një pushtet pa mundësi dhe pa kapacitete për të ndërtuar politika zhvillimi, për bashkitë apo për komunat. Ndërsa pas 21 qershorit, kemi mundësi të tjera, kemi mundësi të jashtëzakonshme për një pushtet të ri vendor në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, të këtij koncepti, . Por kjo padyshim që kërkon edhe diçka tjetër mjaft të rëndësishme, kërkon njerëz të përgjegjshëm, kërkon kandidate dhe kandidatë me integritet dhe me vizion, me përkushtim për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së deritanishme dhe për të sjellë një qeverisje të re vendore e cila do të ndihmojë komunitet tona të zhvillohen. Por jo vetëm kaq,

por edhe të shërbehen në mënyrën më të denjë që meritojnë qytetarët tanë, dhe kjo nuk kërkon vetëm kryetare dhe kryetarë të rinj bashkish. Do të ketë vetëm 61 të tillë, por padyshim që kërkon edhe këshilla bashkiakë të cilat të marrin rolin që u takon si parlamentare vendore të cilat kontrollojnë kryetaret dhe kryetarët e rinj të bashkive në emër të interesave të qytetarëve, në emër edhe të interesave të të rejave dhe të të rinjve në çdo komunitet.

Zgjedhjet e 21 qershorit bëhen historike edhe për një arritje tjetër. Meqenëse këtu është dhe deputetja Silva Caka, dua edhe atë ta falënderoj dhe të gjithë deputetet tona, por dhe të gjithë Kuvendit të Shqipërisë, për luftën e tyre për barazinë gjinore. Për herë të parë ne do të kemi në këshillat bashkiake një përfaqësim të barabartë që është një arritje mjaft pozitive dhe që shpresojmë të jetë një shembull edhe për parlamentin ardhshëm, por edhe për përfaqësim në tërësi të gjysmës më të rëndësishme të shoqërisë sonë, pasi kjo është rruga e integrimit, është rruga e modernizimit, është rruga e emancipimit, është rruga e ecjes më shpejt drejt një shoqërie të vërtetë evropiane, por është edhe rruga e zgjimit të shumë energjive të mënjanuara në mënyrë të padrejtë dhe maskiliste për fat të keq. Është edhe rruga e përgjigjes më të mirë për atë që thuhet, dekriminalizimin e politikës, sepse pjesëmarrja më e madhe e vajzave dhe e grave në këshillat bashkiake, në parlament dhe në jetën institucional, ekonomike, shoqërore. Sjell një kulturë të re, sjell një standard të ri larg arrogancës dhe për fat të keq shpeshherë edhe dhunës së politikanëve primitivë të cilët kërkojnë të imponohen me muskujt e politikës dhe pozitave që kanë e jo me forcën e argumenteve apo aq më tepër me largpamësinë e vizionit të tyre. Dhe unë besoj se LRI në zgjedhjet e 21 qershorit do të tregojë të gjithë vitalitetin e saj, fuqinë e saj, por edhe mençurinë e saj, jo vetëm përmes një fushate, ku do të spikasin prioritetet e të rinjve dhe të rejave në të gjithë vendin dhe në çdo bashki, por edhe përmes përfaqësuesve tuaj, të cilët jam i bindur do të jenë si asnjëherë tjetër më parë të ulur në parlamentet vendore që do të zgjidhen në 21 qershor.

Sepse ju keni krijuar tashmë një eksperiencë mjaft të konsoliduar të suksesit, LRI-ja është një shkollë e shkëlqyer e formimit të politikanëve të rinj, por edhe e pjesëmarrjes së gjithë të rinjve, të cilët ndajnë vlera të përbashkëta, por edhe aspirata të përbashkëta për të ardhmen. Dhe absolutisht ne jemi shumë krenarë dhe kemi shumë besim te LRI-ja, te aftësia juaj për t’u orientuar gjithmonë drejt së ardhmes dhe për të ecur gjithmonë më shpejt në një rrugë të sigurt të afirmimit jo thjesht tuajën si të rinj, por të përfaqësimit të interesave të rinisë sonë anembanë vendit në mënyrë që të rinjtë tanë të mos shohin më si alternativë largimin nga vendi. Përkundrazi të jenë besimplotë se ardhmja e tyre është në vendin e tyre në mënyrë që t’i japim fund diplomimit fiktiv të të

rinjve dhe ky ka qenë dhe mbetet një nga objektivat kryesorë edhe të reformës në arsim në përgjithësi dhe të realizohet ai angazhim që kemi pasur, arsim për punësim.

Pra reforma të cilat orientojnë dhe ndihmojnë të rinjtë për të gjetur veten sa më shpejt në tregun e punës sot, por sidomos në tregun e punës në të ardhmen. Që do të thotë se politikat e arsimit dhe strategjitë për arsimimin duhet të jenë të lidhura ngushtë me strategjitë e zhvillimit afatgjatë të qëndrueshëm të vendit. Që do të thotë se përpjekjet ambicioze që bëhen për të luftuar fiktivitetin në sistemin arsimor, gjë që i jep vlerë arsimimit të çdo të riu në çdo nivel sot dhe për të ardhmen, njëkohësisht të shoqërohen edhe me politika sociale në mbështetje të gjithë të rinjve, të cilët kanë nevojë për mbështetjen e shtetit, për mbështetjen e qeverisë, të pushtetit vendor, pasi në këtë mënyrë do të ecim më shpejt përpara të gjithë së bashku, jo vetëm një elitë e rinisë e cila padyshim që duhet të mbështet në mënyrë prioritare. Sepse talentet kudo në çdo fushë janë një frymëzim për të gjithë. Në shkollë në sport në kulturë e kështu me radhë. Unë jam i bindur se zgjedhjet e 21 qershorit do të konfirmojnë një mbështetje të gjerë për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, sepse kjo aleancë ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të adresuar problemet më të rëndësishme të vendit përmes reformave të guximshme, natyrisht edhe të vështira të cilat kanë qenë dhe mbeten të paevitueshme përderisa të gjithë synojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe afatgjatë. Eksperiencat e vendeve të tjera të cilat për arsye të ndikimit të politikës së ditës dhe të politikave populiste kanë pësuar dështime të mëdha, besoj se janë një mesazh për të gjithë për t’u larguar nga vendimmarrjet me karakter populist, që synojnë thjesht për të marrë votat e radhës dhe për të hedhur themele të qëndrueshme afatgjata.

Dhe unë mendoj se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri ka hedhur themelet të sigurta, afatgjata për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për një perspektivë të re e cila do të jetë shumë miqësore dhe atraktive për të rinjtë tanë dhe ku ata do të gjejnë vetveten për të realizuar dëshirat, ëndrrat e tyre, por edhe profesionet e tyre. Unë dua të shpreh besimin e plotë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për Lëvizjen Rinore për Integrim, jemi në mbështetje të një përfaqësimi akoma më të madh të LRI-së, jo vetëm në zgjedhjet vendore,por dhe në të gjitha sfidat që ne kemi në të ardhmen dhe kjo nuk ka të bëjë me një dëshirën tonë, por mbi të gjitha ka të bëjë me vlerësimin e një realiteti të prekshëm anembanë vendit, i cili ka të bëjë me forcën, përfaqësimin, kredibilitetin e Lëvizjes Rinore për Integrim, që natyrisht kërkon një përfaqësim akoma edhe më të merituar. Unë besoj se gjithçka që ju keni arritur deri tani, ju e keni merituar se keni treguar se dini të ecni dhe vetë dhe kjo është një nga arsyet që kemi kohë që nuk kemi patur takime të tilla, për arsye sepse unë

kam besim se ju dini të ecni vetë, dini të ecni në mënyrë të sigurtë, dinit të ecni më shpejt, dini të ecni dhe me qetësi dhe pa dyshim gjithmonë me sukses, sepse që dini të ecni dhe me dashuri kjo nuk diskutohet. Dhe këtë unë besoj që do ta tregojnë edhe zgjedhjet, jo vetëm kaq, edhe provimet sepse kemi zgjedhjet, por kemi dhe provime. Kjo nuk do të thotë se provimet duhet t’i lëmë pas dore pasi ato janë edhe më të rëndësishme se zgjedhjet dhe nuk duhet të shërbejnë si mënyrë justifikimi sidomos përpara prindërve. Dua t’ju falënderoj për mësimet që ju na jepni vazhdimisht, për mënyrën se si duhet bërë politika, për frymën e bashkëpunimit që keni me njëri tjetrin, për barazinë gjinore që e keni tejkaluar, tani duhet të vendosim kuota për djemtë në LRI, këtë e tregon edhe pjesëmarrja këtu, për bashkëpunimin me forumet e tjera rinore dhe dua t’ju përgëzoj dhe për marrëveshjen që bëtë përpara pak kohësh. Po përpiqemi dhe ne bashkë me OSBE-në që të gjithë partitë të nënshkruajnë Kodin e Etikës në Parlament. Mirëpo ju e dini se kjo nuk është shumë e lehtë se po të nënshkruhet Kodi i Etikës në Parlament i bie që një pjesë e mirë e kolegëve tanë atje do ta kenë të vështirë që ta respektojnë Kodin kështu që e kanë më kollaj të mos e firmosin fare. Por në fund të fundit është tregues i mirë që forumet rinore e bënë këtë gjë dhe shpresoj që edhe ne të gjithë të tjerët ta bëjmë shumë shpejt këtë gjë sepse ka nevojë për një etikë të re, ka nevojë për një dialog dhe bashkëpunim të ri. Shqipëria është e të gjithëve. Të jesh në pushtet do të thotë të marrësh përgjegjësi ashtu sikurse të jesh në opozitë është njëkohësisht përgjegjësi, nuk duhet trajtuar si fatkeqësi sepse demokracia i ka të dyja dhe kërkon vazhdimisht që në emër të së ardhmes së vendit të ngriheni mbi ato interesat e ditës dhe të sjellim një përgjegjësi të përbashkët për të gjithë ato sfida madhore për të cilat janë interesuar të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shqiptarët pa përjashtim, kërkojnë forcimin e sundimit të ligjit, kërkojnë më shumë siguri, kërkojnë vende të reja pune, kërkojnë një luftë edhe më efektive ndaj varfërisë, kërkojnë më shumë reforma. Unë besoj se ne do të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë sepse kjo në radhë të parë është kërkesa kryesore që vjen nga të rinjtë e Shqipërisë që duan një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Ju falënderoj. Ju uroj suksese dhe përveç zgjedhjeve shikoni dhe provimet ju lutem. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis