Fjala e plotë e Ministri Gjiknuri në seminarin me temë “Eficienca e Energjisë në Banesa për një Zhvillim të Qëndrueshëm"

Fjala e mbajtur nga Ministri Gjiknuri në seminarin me temë “Eficienca e Energjisë në Banesa për një Zhvillim të Qëndrueshëm"

Faleminderit për ftesën,

Falënderoj të gjithë të ftuarit, edhe përfaqësitë që na nderojnë këtu për mbështetjen që i kanë dhënë këtij programi. Siç e tha edhe kolegia ime Eglantina, ashtu siç e kanë thënë edhe shumë njerëz, efiçenca e energjisë është një nga ato burimet akoma të pashfrytëzuara mirë, vërtet një burim alternativ energjie, në mënyrë indirekte. Pse?! Sepse kursimi kthehet në një burim.

Në kushtet kur konsumi i energjisë elektrike pritet të rritet, kjo sjell problem për shoqërinë, problem për klimën, sjell shumë kosto dhe kërkon padyshim gjenerime të reja. Një nga mënyrat më të mira dhe alternative për ta zbutur këtë konsum në rritje të energjisë është pikërisht kursimi. Por, ka disa mënyra kursimi, kursimi mund të jetë edhe të ndryshosh stilin e jetesës. Kursimi mund të jetë të konsumosh shumë pak energji dhe të kufizosh aktivitetet e tua. Por, ka edhe forma që menaxhon aktivitetet e tua e njëkohësisht arrin të kursesh energji. Pikërisht, këtu hyn efiçenca. Patjetër, efiçenca në godina, në ndërtim është një nga burimet e pashfrytëzuara, për të cilën realisht Shqipëria duhet të kushtojë vëmendjen e saj. Duhet të tregojë shumë vëmendje, shumë kujdes dhe duhet t’i shfrytëzojë këto burime. Pse e them këtë?! Nuk po i rri këtij fjalimi standard, strikt, që të ndalem tek çfarë do të sjellë ligji i ri me të cilin po punohet, për të cilin jam i sigurt që shumë ekspertë të tjerë do ta shpjegojnë se çfarë janë ato që synohet për efiçencën. Dua të them disa gjëra që unë i shikoj si objektiva të rëndësishëm, që janë synime politike, jo vetëm për çdo qeveri, por mbi të gjitha për shoqërinë në vetvete. Pse them ka mundësi?! Sepse ne shqiptarët duhet të themi të vërtetën: kemi qenë shumë pak koshient për efiçencën e energjisë. Pse?! Sepse energjinë e kemi pasur të lirë dhe energjinë e kemi shpërdorur. Në momentin kur nuk ndjen koston e energjisë, nuk ke nevojë që të performosh në aspekte të tjera për të kursyer nga ana financiare, në godina, në materiale ndërtimi dhe në shumë elementë të tjerë.

Ky është realiteti, këtu jemi dëshmitarë të gjithë. Shikojmë mënyrat sesi është ndërtuar në Shqipëri, janë ndërtesa të cilat vërtet nuk të lënë vend për kursim, përkundrazi konsumojmë energji më tepër se ç’duhet. Kjo nuk mund të vazhdojë gjithmonë! Shqipëria ka qenë në një situatë të vështirë financiare përsa i përket sektorit të energjisë elektrike dhe këto vështirësi sa vijnë dhe shtohen, realiteti nuk është shumë i mirë, prandaj kërkohen edhe reforma të thella në sektorin energjik. Kjo duhet të ecë paralel edhe me uljen e konsumit të energjisë elektrike.
Një nga mënyrat, që edhe kjo mund të ketë koston e saj që vërtet paguan në terma afatgjatë, është imponimi strikt i kodeve të tilla të banesave, imponimi i standardeve të tilla që fillojnë edhe ulin konsumin e energjisë elektrike. Pikërisht, ligji i ri që do të prezantohet nga përfaqësues të Ministrisë së Energjisë në këtë aktivitet, por edhe nga
pjesëmarrës të tjerë, synon që të fillojë të imponojë disa standarde në këtë drejtim.

Kjo është një sfidë. Nuk është që të bësh një ligj dhe automatikisht do të thotë zbatohet, përkundrazi kërkon edhe pjesëmarrjen e shtetit. Unë kur them shteti shpresoj edhe organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, donatorët të mund të krijojnë për herë të parë një fond që të bëjnë të mundur këtë makineri të fillojë të lëvizi, në mënyrë që të fillojnë të incentivohen këto iniciativa që kanë të bëjnë me standarde të tilla që ndikojnë në standarde më të mira përsa i përket efiçencës energjetike.

Ne, si Ministri jemi përpjekur kohët e fundit ta incentivojmë këtë fushë. Kemi promovuar politika të caktuara, programe të caktuara. Kemi filluar një program me KfW-në si dhe një program me Komisionin Evropian për efiçencën në godina. E kemi bërë kryesisht në godina publike, në shkolla, duam ta bëjmë në ‘Qytetin Studenti’, në vende të tjera, sepse është krejt normale, shteti do ta fillojë nga objektet publike. Shteti është në pozicionin më të mirë për të pilotuar, për të promovuar këto standarde në godina publike. Kam biseduar në planin bilateral edhe me shtete të cilat kanë qenë të gatshme. Norvegjia ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur, ashtu si edhe Kombet e Bashkuara me programet e tyre për të incentivuar politika të caktuara apo për të marrë projekte të caktuara kryesisht publike për të promovuar efiçencën energjetike.

Ashtu si shembujt e sotëm, dhe ne duhet të shkojmë në këtë drejtim, nëpërmjet ‘project financing , pra me projekte të mirëfillta financiare që i intereson edhe biznesit. Sidomos në sektorë të industrisë ka shumë leverdi imponimi i efiçencës së energjisë elektrike, aty mund të nxirren shumë fitime. Përmirësimi i ventilimit, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi i materialeve në shumë vende industriale, megjithëse këtu po flasim për banesat, por le ta fillojmë dhe nga komplekset industriale. Ka shumë programe që bëjnë auditin e efiçencës energjetike dhe nxjerr realisht kosto/përfitimin e saj. Do të thotë që vërtet do të shpenzosh disa para për të përmirësuar infrastrukturën tënde aty, por në terma afatgjatë do ta nxjerrë fitimin. Jemi duke punuar në këtë drejtim dhe unë shoh të ardhme.

Duke adresuar një pjesë të kompleksit industrial, fillojmë dhe krijojmë shembujt e mirë që fillojnë shtrihen edhe në njësi më të vogla ekonomike, sepse shembulli i mirë është kollaj të replikohet kur kosbenefiti është aty.

Energjia elektrike në Shqipëri, po e përsëris, nuk do të jetë më një mall i lirë dhe që vidhet kollaj, sepse është shpërdoruar kollaj. Këtë ne e dimë edhe të ftuarit, mbase nuk na vjen mirë kur e themi, por realisht kushdo që shikon lajme për sektorin energjetik e kupton nivelin e lartë të humbjeve të energjisë në Shqipëri që janë humbje jo teknike dhe që kryesisht vijnë nga abuzimi. Kur energjia ka kosto reale, njerëzit janë të detyruar të gjejnë mënyra alternative dhe unë shikoj efiçencën në godina, efiçencën në të gjitha këto standarde që kanë të bëjnë me ndërtimin, si një burim vërtet shumë i mirë për të kursyer energjinë elektrike dhe për të kontribuar direkt në mbarëvajtjen e sektorit energjetik.

Drejtori të bëjë prezantimin e projektligjit, këtu janë një sërë masash që ne synojmë, por që ky projektligj të marrë jetë, patjetër do të dojë në fillim mbështetje financiare. Megjithë se në kushte të vështira ne si qeveri po punojmë që të krijojmë fondin e parë për të incentivuar disa programe që kanë të bëjnë me standardet e godinave, standardet e ndërtimit në mënyrë që ky proces të fillojë.

Të krijojmë pikërisht atë shembullin e mirë në mënyrë që ta përhapim në mënyrë zinxhir në të gjithë vendin dhe që realisht mbas disa vitesh edhe Shqipëria të fillojë të ndjejë impaktet pozitive të efiçencës energjetike.

Ju uroj sukses në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Do kem kënaqësinë gjithmonë që kur vjen biseda për problemet e efiçencës energjetike të jem i pari që të vija këtu, sepse vërtet e shikoj një burim shumë të rëndësishëm energjetik, thashë në mënyrë indirekte, dhe Shqipëria ka shumë nevojë për të.

Ju falënderoj shumë dhe suksese!
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Punëtori ra në makinerinë e inerteve dhe humbi jetën, arrestohet një nga bashkëpronarët! Hoqi edhe DVR e kamerës, 2 ende në kërkim (EMRI)