Katër muaj më parë, i dhamë jetë operacionit intensiv shtetformues për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Strukturat e shtetit i erdhën në ndihmë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për ti dhënë fund vjedhjes së energjisë, një prej fenomeneve më kërcënuese për stabilitetin ekonomik të vendit.
Sot, konstatoj me kënaqësi se qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur pozitivisht këtij angazhimi të guximshëm të OSHEE-së dhe të qeverisë shqiptare. Gjej rastin të shpreh falenderimin tim për të gjithë ata qytetarë që po zgjedhin të bashkëpunojnë me OSHEE-në dhe Policinë e Shtetit për të verifikuar ligjshmërinë e tyre në konsumin e energjisë.
Falënderoj të gjithë qytetarët që vendosën ti japin fund abuzimit me energjinë, lidhën kontratat e reja me OSHEE-në duke ju bashkuar shumicës së qytetarëve të ndershëm që kanë paguar rregullisht për energjinë e konsumuar.
Duke dashur tu vijmë në ndihmë qytetarëve debitorë, për ta bërë të përballueshme shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, qeveria dhe OSHEE ofruan një skemë tejet lehtësuese. Nga hyrja në fuqi e kësaj skeme, janë mbi 233 mijë abonentë që kanë firmosur aktmarrëveshjet dhe më shumë se gjysma e tyre kanë përfituar uljen me 80% të kamatëvonesave.
Afrimi i ditës së fundit të vlefshmërisë së kësaj skeme lehtësuese ka shtuar ndjeshëm radhët në zyrat e OSHEE-së në të gjitha rrethet. Pavarësisht masave të marra nga kompania për shtimin e sporteleve dhe zgjatjen e orareve, ka qenë e pamundur përballimi i këtij fluksi të madh, që natyrshëm ka krijuar edhe situata jo normale.
Pikërisht duke parë këtë shqetësim dhe duke dëgjuar kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në lidhje me dhënien e një kohe shtesë për të lehtësuar pagesat dhe për t’iu përgjigjur këtij fluksi
të njerëzve, shoqëria ka marrë vendim që afati të shtyhet deri në 31 Mars. Pra, të gjithë qytetarët që rezultojnë debitorë ndaj OSHEE-së do të kenë mundësinë që deri në 31 Mars të paraqiten në zyrat e kompanisë për të lidhur aktmarrëveshjet me kushtet tejet lehtësuese që kanë qenë në fuqi deri tashti.
Vjedhjes dhe abuzimit me energjinë elektrike i ka ardhur fundi. Koha shtesë deri në 31 Mars dhe dua ta theksoj është afati i fundit, mundësia fundit, që ju bëhet qytetarëve, për ta plotësuar këtë detyrim, ndryshe do të fillojnë tarifat e zakonshme, do të fillojnë masat e tjera që i japin përfundimisht fund kësaj skeme lehtësuese, sepse kjo skemë lehtësuese nuk mund të shtrihet në mënyrë permanente.
Kush është rezultati i kësaj, edhe i pagesave të shtuara, edhe i kontratave që po lidhin qytetarët. Ju e keni dëgjuar edhe përmes deklarimeve publike, të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë të cilët e kanë mbështetur qeverinë shqiptare në këto hapa dhe në këtë reformë të thellë të sektorit energjetik. Masat e marra vitin e fundit kanë sjellë mbi 100 milion USD më shumë arkëtime dhe 7.3% më pak humbje janë fakte që flasin qartë. Duke sjellë të ardhura më të shumta për kompaninë, njëkohësisht duke e ekspozuar më pak Buxhetin e Shtetit ndaj një sektori që vazhdimisht thithte fonde aq të nevojshme, të cilat duhet të shkonin diku tjetër.
Gjithashtu rikthimi i besimit në sektorin energjetik, materializohet edhe nga interesi i kompanive prestigjioze siç ishte ai i Max Streicher, një nga kompanitë më të fuqishme gjermane të interesuara për projektet e infrastrukturës energjetike, për të lidhur Shqipërinë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, pra me kabëll nënujor me Italinë. Firmosja e kësaj marrëveshje bashkëpunimi e cila do të bëjë të mundur në vitet në vijim që të realizohet kjo vepër është kthim i besimit tek potencialet energjetike të Shqipërisë dhe tek mbarëvajtja e kësaj reforme të thellë energjetike.
Marrëdhënia e re që po ndërtojmë me qytetarët shqiptarë padyshim e vendos OSHEE-në përballë sfidave të mëdha dhe për një shërbim sa më cilësor. Anulimi i mijëra faturave të trashëguara abuzive të vendosura ndaj qytetarëve dhe ndëshkimet e vazhdueshme në radhët e nëpunësve të OSHEE-së që shkelin ligjin, janë prova se sjellja e kompanisë ka filluar të ndryshojë.
Rikthimi i ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike nuk është beteja e një kompanie, as e një ministri apo një qeverie. Është beteja e qytetarëve të ndershëm që kërkojnë të trajtohen të barabartë. Secili duhet të paguajë atë që konsumon, askush nuk duhet të paguajë për ata që vjedhin. Kjo do të jetë motoja e kësaj qeverie përsa i përket ligjshmërisë së konsumit të energjisë elektrike.
Do të dëshiroja t’ia kaloja fjalën administratorit të OSHEE-së për të ndarë me publikun disa të dhëna mbi rezultatet e skemës lehtësuese të pagesave. Duke e falënderuar njëkohësisht për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në kushte shumë të vështira, në një situatë jo normale, sepse situata sidomos në periudhën e dimrit ka pasur emergjenca të paparashikuara.
Faleminderit!