"Qeveria ka paraqitur pranë Kuvendit për miratim p/buxhetin e vitit 2015, që respektivisht për MPB ka një rritje prej 14.7 % në raport me planin fillestar të buxhetit të vitit 2014. Buxhet, i cili reflekton përparësitë që i jep MPB dhe qeveria luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe mirëfunksionimit të strukturave të Policisë së shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Gjendjes civile, Shërbimit të Emergjencës civile si dhe strukturave të tjera në varësi të MPB.

Përsa i intereson objektit të punës së këtij komisioni, unë po fokusohem te 4 zëra kryesorë, që janë Gjendja Civile, ku ka një rritje të buxhetit të parashikuar për vitin 2015, prej 29.6% i cili është i specifikuar sipas zërave kryesorë të shpenzimeve: shpenzime personeli 40%, shpenzime të tjera 55%, shpenzime për investime 5%.

Me këtë buxhet parashikuar për vitin 2015 arrijmë të mbajmë në mënyrë eficente dhe efektive përditësimin e regjistrit të gjendjes civile si dhe

funksionim e sigurt të infrastrukturës aktuale të regjistrit kombëtar të gjendjes civile, si dhe përditësimin e kësaj infrastrukture. Në lidhje me të ardhmen e këtij regjistri dhe të regjistrit kombëtar të adresave.

Ngritjen e “back up”-it të regjistrit të Gjendjes Civile, bëhet fjalë për mekanizmin e sigurisë që garanton dhe të dhënat e regjistrit kombëtar të Gjendjes civile nga çdo lloj fatkeqësie potenciale. Vijimin e punës për plotësimin e informacionit të nevojshëm për adresarin, 31 njësi. Si dhe shfrytëzimin dhe garantimin e sistemit eficient dhe të sigurt për autorizimin dhe certifikimin e aplikimeve për lëshimin e dokumenteve të identiteti, letërnjoftimeve dhe pasaportave.

Dua të theksoj pranë këtij Komisioni se objektivi ynë themelor është mbështetja financiare për shkrirjen e regjistrit të gjendjes civile dhe regjistrit të adresave. Ky është një objektiv madhor që i jep fund njëherë e mirë kaosit me shtetasit të cilët kanë më shumë se një rezidencë të deklaruar, një vendbanim permanent të deklaruar. I jep fund njëherë e mirë kaosit me listat e zgjedhësve, i jep fund njëherë e mirë edhe paqartësisë në të dhënat parësore për sistemin fiskal apo për çdo të dhënë tjetër që mund t’i duhet çdo lloj institucioni. Pra në qoftë se sot regjistri i Gjendjes civile dhe regjistri i adresave janë dy gjëra të ndryshme, vështirësisht të komunikueshme, shkrirja e këtyre dy regjistrave në një të vetëm do na lejojë përfundimisht të bëjmë përputhjen definitive ndërmjet njerëzve dhe pasurive në këtë vend.

Ky është një objektiv madhor që kërkon financim i cili nuk përballohet nga buxheti i vitit 2015, megjithatë garantojmë një nisje të mirë. Gjithsesi jemi duke punuar paralelisht me partnerët për të financuar dhe buxhetuar këtë projekt, duke qenë se një projekt i tillë kërkon edhe ekspertizë të theksuar të cilën ne sot nuk e kemi.

Në buxhetin e gjendjes civile është parashikuar edhe një shumë përsa i takon shpërblimeve të lindjes. E theksoj këtu që kemi trashëguar një borxh prej 600 milionë lekë... ...nga qeveria e kaluar. Këtë shumë të trashëguar si borxh e kemi kaluar në kuadër të detyrimeve të cilat priten të shlyen nga qeveria dhe presim nga Ministria e Financave përgjigje definitive për tu financuar brënda këtij viti. Sa i takon prefekturave dhe funksioneve të deleguara në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ajo shumë buxheti që është kërkuar edhe nga vetë prefekturat. Përsa i takon emergjencave civile në vitin 2014 është bërë financimi i 23 projekteve që kanë të bëjnë kryesisht me ndërhyrje parandaluese dhe rehabilituese në infrastrukturë publike si ura, mure mbajtëse etj. Sigurisht kjo është shumë larg nga kërkesat e njësive të pushtetit vendor është shumë larg edhe nga kërkesat tona, por me buxhetin e vitit 2014 kjo ishte mundësia jonë për ti dalë përpara fatkeqësive potenciale.

Në vitin 2015, totali shpenzimeve është 779 mijë lek i shpenzuar sipas zërave kryesorë, personel e shpenzime të tjera i ndarë respektivisht 74 dhe 26%. Në lidhje me tavanin e shpenzimeve për emergjencën civile buxheti i planifikuar është 110 milionë lekë për situatat emergjente. Kemi detyrime të prapambetura në këtë zë për situatat e krijuara nga fatkeqësitë natyrore në të kaluarën dhe borxhi trashëguar është 1.8 miliardë lekë, të cilin ne nuk mundemi ta financojmë dhe ky është po kështu një detyrim që është përfshirë në kërkesat tona për ministrinë e Financave dhe që shpresojmë të kemi një përgjigje definitive për financimin e tij brenda këtij viti. Sa i takon rezervave të shtetit, ka një rritje prej 11% buxheti në raport me buxhetin e vitit 2014. Duke shpresuar që gjendjen skandaloze që gjetëm në rezervat e shtetit ta përmirësojmë disi jo vetëm me imput buxhetor, por edhe me rrugë alternative së bashku me sipërmarrësit për të qënë në gjendje të garantojmë minimumin e rezervave në raste fatkeqësish."