Situata ishte ajo që dinim të gjithë, e gjetëm Shqipërinë të mbjellë pëllëmb e drogë.
Një nga gjërat kryesore që theksonin të gjithë partnerët, ishin rezultatet konkrete në luftën kurndër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Ndërkohë që në të gjithë raportet ndërkombëtare, pa përjashtim, Shqipëria konsiderohej vend origjine dhe tranziti për trafikun e lëndëve narkotike.
Është për këtë arsye që Kryeministri, qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, renditën menjëherë si prioritet absolut, luftën pa asnjë kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Na u desh që deri në dhjetor 2013, të ndërprisnim me të gjitha mundësitë tona, rrugët e trafikut të drogës, që ishte mbjellë e korrur përpara se qeveria të mandatohej nga Parlamenti dhe unë vetë të merrja detyrën.
Ashtu siç u desh të rifitonim besimin e humbur të partnerëve ndërkombëtarë, që e kishin humbur për shkak të mungesës së vullnetit dhe rezultateve, por edhe të rasteve kur informacioni i shkëmbyer nga agjensitë partnere, këtu shitej si në pazar për grupet kriminale.
Siç na u desh të pastronim rradhët e Policisë nga punonjësit e lidhur me kultivuesit dhe trafikantët e lëndëve narkotike.
Por ndërkohë, objektiv ende më i rëndësishëm ishte të ndalonim që historia të përsëritej duke lejuar që droga të mbillej përsëri.
Filluam një fushatë intensive sensibilizimi, takimesh me komunitete vendore, mbledhje informacioni dhe përgatitje operacionale për të gjitha veprimet që do të kryente policia.
Kishte raste kur veprimet e policisë keqkuptoheshin, apo disa të tjerë që edhe habiteshin dhe ironizonin se si mund të bënte një lojë futboll Policia në Lazarat.
Sot është e lehtë të kuptohet që ishte e gjitha pjesë e një skenari të mirëmenduar, planifkuar e për të cilin ishim shumë të vendosur ta çonim përpara.
Ndërkohë, i kërkova ambasadorit Gaiani dhe më pas ministrit të Brendshëm të italisë, ndihmë konkrete me misionin e Guardia di Financa për të fotografuar nga ajri çdo parcelë.
Veprimet konkrete kundër kultivimit të drogës i filluam menjëherë, duke asgjesuar parcelën e parë në mars 2014 në qarkun e Beratit. Ky moment shënonte dhe fillimn e veprimeve operacionale të policisë në çdo cep të Shqipërisë.
Organizuam aksionin më të madh anti drogë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, por pa asnjë dyshim edhe aksionin me të madh në Europë, operacionin në Lazarat.
Simboli i paprekshmërisë dhe sfidës ndaj Shtetit dhe ligjit, u bë njëkohësisht dëshmia më e qartë e vullnetit tonë për të mos bërë asnjë hap pas në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Pas tij, një tjetër operacion i shkallës së gjerë në Dukagjin, që ndonëse larg syve të publikut, ishte më i vështirë dhe më problematik se aksioni në Lazarat.
Edhe aty, MPB dhe Policia e Shtetit tregoi vendosmërinë për të shkatërrruar çdo rrënjë drogë, në çdo cep të Shqipërisë.
Nga marsi i këtij viti deri sot, në mbyllje të kësaj faze operacionale, janë shkatërruar plotësisht 2214 parcela të kultivuara me lëndë narkotike në të gjithë vendin.
Gjatë këtyre muajve, janë asgjesuar gjithësej 530.177 rrënjë kanabis, që janë më shumë se rrënjët e shkatërruara gjatë 6 viteve të fundit, 2008 - 2013 të marra bashkë.
Gjatë këtyre muajve, janë sekuestruar 101.7 tonë marjuanë, që janë më shumë se sasia e marijuanës së sekuestruar gjatë 8 viteve të fundit, 2005 - 2013, të marra së bashku.
Janë proceduar penalisht 1918 shtetas, 1058 prej të cilëve të arrrestuar, 604 në gjendje të lirë dhe 187 në kërkim.
Janë shkatërruar 41 grupe kriminale dhe proceduar 9 të zgjedhur vendorë.
E them jo pa krenari, se në pak muaj punë, me rezultate të pakrahasushem edhe me vite të tëra të marra së bashku, Shqipëria nuk është më vend origjinë për lëndët narkotike.
Kjo falë punës së gjithësecilit prej jush, çdo punonjësi policie që ka sakrifikuar shumë në luftën kundër parcelave të drogës, falë angazhimi dhe vullnetit për ta hequr përfundimisht Shqipërinë nga harta e zezë e vendeve origjinë për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, falë asistencës së partnerëve ndërkombëtarë, Guardia di Finanza dhe Ministria e Brendshme e Italisë më së pari, PAMECA dhe ICITAP dhe të gjitha agjencive partnere që mbi punën tonë, gjetën shtratin e duhur për të rikthyer besimin te ne.
Nëqoftëse nuk do shkatërrohej nga ne por do të dilte në treg, qoftë këtu por akoma më shumë në tregun evropian ku edhe ka pasur destinacionin, vlera monetare e drogës së asgjesuar dhe sekuestruar, do ishte 6.4 miliard euro.
Ku kanë shkuar në të kaluarën kaq shumë para? Unë e kam një përgjigje. Për të furnizuar botën e krimit. Për të krijuar mbretërinë e aseteve kriminale. Për të korruptuar drejtësinë. Për të korruptuar politikën.
Të gjitha bashkë, për të dërrmuar demokracinë dhe shtetin ligjor, për të mbajtur në këmbë informalitetin dhe korrupsionin, për të ndërtuar një shoqëri të deformuar, jo të barabartë dhe as të drejtë.
As mjaftohemi me kaq, dhe as do ndalojmë me kaq. Trafiku i drogës vijon të mbetet kërcënim real për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Kemi shumë për të bërë, në një luftë absolute me drogën dhe paratë e pista të botës së krimit që ajo sjell në shoqëri. Ky është vetëm fillimi.
Do vazhdojmë të mos lejojmë asnjë rrënjë kanabis, por njëkohësisht, të marrim në hetim pasurinë e pashpjegueshme dhe të pajustifikuar, deri në sekuestrimin e aseteve kriminale, veçanërisht aseteve të vëna nga mbjellja dhe trafiku i drogës.
Këto janë rezultatet e një Policie të varfër, pa infrastrukturë e pa logjistikë. Por me vullnet për të përmbushur misionin e saj pavarsisht sfidave dhe vështirësive.
Ndaj kam një thirrje edhe për partnered: Bashkë me falënderimin për gjithçka keni bërë deri më sot, për asistencën profesionale, për besimin dhe aksionet e përbashkëta, duhet akoma më shumë ndihmë profesionale, teknologjike dhe infrastrukturore.
Duhet ta luftojmë të keqen në themel, që do të thotë më mirë të luftojmë këtu mbjelljen e kanabis sesa të luftoni në vendet tuaja me botën e krimit që shpërndan drogë.
Së fundi, kam disa falenderime me rastin e mbylljes së kësaj faze operacionale:
- dëshiroj të falënderoj punonjësit e Policisë, secilin prej tyre që ka ruajtur veten larg tentimit të parasë së drogës dhe akoma më shumë, për secilin punonjës policie që ka marrë pjesë në operacionet e vështira kundër kultivimit dhe trafikimit
- të falenderoj çdo pjesëtar të FNSH dhe repartit RENEA
- të falenderoj të gjithë drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe Drejtorin e Përgjithshëm që nuk ndodhet sot për arsye të një vizite në selinë e EUROPOL, për angazhimin dhe sakrificën.
- të falenderoj të gjithë punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kolegët, deputetët, veçanërisht Komisionin parlamentar të Sigurisë dhe Kryetarin e Komisionit që nuk hezituan dhe të dilnin vetë në terren.
- të falenderoj partnerët ndërkombëtarë, Ministrinë e Brendshme të Italisë dhe programin e zbatuar nga Guardia di Finanza dhe Universitetin e Napolit.
- të falenderoj ICITAP dhe PAMECA, të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik që ndenjën pranë nesh dhe ndihmuan Policinë e Shtetit në momente të vështira.
Gjithçka kemi bërë sot, është vetëm gur themeli, mbi të cilin duhet të ndërtojmë një histori suksesi të vazhdueshëm në luftën e ashpër me botën e krimit dhe të drogës.
Faleminderit!