Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço

Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço

Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë në tërësi. Në këtë drejtim, nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, të shoqërisë civile, apo ato të opinionit publik, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga të gjithë aktorët e drejtësisë. Institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shfaqin dukshëm problematikë në funksionimin e tyre dhe për këtë arsye, të ndërgjegjshëm për situatën tepër kritike, ne bëmë disa ndryshime në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndërkohë që jemi po kaq të vetëdijshëm që këto ndryshime nuk e ezaurojnë thelbin e reformës në sistemin e drejtësisë, por erdhën më së shumti si një nevojë për të frenuar papërgjegjshmërinë në funksionimin e këtij Këshilli. Këto ndryshime, në thelb, nuk janë asgjë tjetër, veçse transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë KLD ka miratuar me vendime të tij, por faktikisht të pazbatuara. Ligji i ri parashikoi qartë që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të mos transferohen ose ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, si dhe një vit pas mbarimit të këtij mandati. Kjo me qëllimin e vetëm për parandalimin e konfliktit të interesit, pasi në praktikën e deritanishme ka raste të promovimit të vetë anëtarëve të KLD-së përgjatë ushtrimit të mandatit të tyre, siç është rasti i:

1. Emërimit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës,

2. Emërimit të anëtarit të KLD-së në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës,

3. Emërimit të një anëtari të KLD-së në Gjykatën e Apelit, por që u la në heshtje dhe nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, për shkak të presionit pozitiv të faktorit ndërkombëtar,

4. Emërimit të një anëtari të KLD-së, anëtar i Gjykatës së Lartë.

Po kështu ky ligj parashikon qartë që shqyrtimi i procedimit disiplinor të bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi në praktikën e zakonshme të këtij Këshilli kërkesat për procedim disiplinor të Ministrit të Drejtësisë nuk janë shqyrtuar nga KLD-ja dhe për më shumë se dy vjet. Kjo në këto raste: rasti i Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Kukës dhe një gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe një të Apelit Shkodër etj.

Ndryshimet e miratuara normojnë qartë veprimtarinë e KLD-së me afate të qarta ligjore, ndryshe nga praktika e deritanishme, ku kërkesa për procedimin disiplinor të gjyqtarëve mbahej peng për vite të tëra për qëllime presioni. Po kështu, ndryshimet ligjore përcaktojnë se mbledhjet e KLD-së do të mbahen çdo muaj, duke synuar rritjen e efiktevitetit dhe shmangien nga praktika e deritanishme, ku:

* Për më shumë se dy vjet nuk u trajtua çështja e emërimit të studentëve të magjistraturës;

* Kërkesa e ish- Prokurores së Përgjithshme për rikthimin në detyrë si gjyqtare sipas ligjit përmbi një vit,

* Kërkesa e ish- Kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila për më se një viti dhe pse kishte bërë kërkesë nuk përfshihej në rendin e ditës.

Si Ministër i Drejtësisë i kam kërkuar prej disa muajsh KLD-së përfshirjen në rendin e ditës të kërkesës për ish Kryetaren e Gjykatës së Lartë. Në ndryshimet e miratuar janë përcaktuar rregulla të qarta, për vendet vakante për pozicionin e Kryetarit të gjykatës, duke garantuar që i gjithë procesi i emërimit të një Kryetari Gjykate të përfundojë brenda 3 muajve. Në shtator të vitit 2013, konstatova se nga 28 kryetarë gjykatash, 21 kryetarë vazhdonin të komanduar, të deleguar për 3, 4, 5 apo 6 vjet. Ndryshimet e miratuara do t’i japin fund përfundimisht praktikës abuzive dhe antiligjore të komandimit të Kryetarëve të Gjykatave për vite të tëra, në krye të tyre për qëllime presioni dhe klienteliste, si dhe garantimin e transparencës në veprimtarinë e KLD-së. Në frymën institucionale të bashkëpunimit dhe ligjshmërisë kushtetuese të institucioneve të pavarura, nën parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve nga njëra anë, por dhe të parimit të ligjshmërisë nga ana tjetër, u bënë ndryshimet ligjore në Këshillin e Lartë i Drejtësisë, ku me propozim të Presidentit të Republikës, si zëvendës kryetar i KLD-së, të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Një praktikë kjo e konsoliduar, që nga viti 2002, e përforcuar me qëndrimin e mbajtur nga ish Ministri i Drejtësisë, në kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës në vitin 2012, ku shprehej qartë se “zv/ kryetari i KLD-së duhej të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi”. Këto ndryshime ligjore kanë riprodhuar ekzaktësisht, pa i hequr asnjë presje, qëndrimin zyrtar të mazhorancës së djeshme. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës, në procedurën e përzgjedhjes së zv/ kryetarit aktual të KLD-së. Këto ndryshime jo vetëm që nuk prekin pavarësinë e këtij institucioni, por në të kundërt vendosin disa rregulla, të cilat përmirësojnë veprimtarinë e këtij Këshilli.

Të nderuar të pranishëm,

Këto ndryshime ligjore nuk ezaurojmë konceptin dhe vizionin e qeverisë për reformën në drejtësi. Vizioni i qeverisë shqiptare mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Reforma jonë do të përqëndrohet në këto shtylla:

* Reformimi i Gjykatës Kushtetuese;

* Reformimi i Gjykatës së Lartë;

* Reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;

* Reformimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare;

* Reformimi i Këshillit të Prokurorisë;

* Reformimi i Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar;

* Reformimi i Organizimit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

Për arritjen e këtij objektivi madhor kërkohet kontributi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë në këtë proces, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të shoqërisë civile, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të misioneve të asistencës të partnerëve ndërkombëtar (veçanërisht misionit Euralius ) përfshirë Komisionin e Venecias, ndërveprimi i Legjislativit me Ekzekutivin dhe ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore (përfshi edhe një grup ekspertësh të nivelit të lartë) pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Si fazë e parë kërkohet që për kryerjen e reformave të identifikohen problematikat konkrete duke ofruar masat konkrete ligjore, institucionale dhe organizative për konsolidimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë së sistemit të drejtësisë. Në vijim, problematika e evidentuar do t’i nënshtrohet ekspertizës së një Komisioni të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, pranë Kuvendit, ku në përbërje të tij do të ketë ekspertët më të mirë vendas, të shoqërisë civile, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, si një instrument i përshtatshëm kushtetues për të ecur përpara drejt gjetjes së një konsensusi në evidentimin e problematikave dhe adresimin e tyre. Gjithashtu, organizimi i tryezave të diskutimit me aktorë të sistemit të drejtësisë, të opozitës, të shoqërisë civile, dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, do të jetë një garanci për një proces sa më gjithpërfshirës, që ndikon pozitivisht në realizimin e një reforme cilësore në fushën e drejtësisë.

Reformimi i Gjykatës Kushtetuese do të konsistojë në:

* emërimin në mënyrë transparente, në bazë të meritave dhe profesionalizmit të gjyqtarëve të kësaj gjykate,

* përmirësimin e kritereve për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese si dhe statusit të tyre,

* përcaktimin e rregullave për publikimin vendimeve gjyqësore

* përcaktimin e rregullave për kuorumin e nevojshëm të votës në vendimmarrje etj.

Reformimi i Gjykatës së Lartë do të konsistojë në:

* Emërimin në mënyrë transparente, në bazë të meritave dhe profesionalizmit të gjyqtarëve të kësaj gjykate,

* Përmirësimin e kritereve për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Lartë si dhe statusit të tyre.

Pjesë e përmirësimeve ligjore, që lidhen me përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, do të jetë krijimi i një këshilli të pavarur, jashtë ndikimit të politikës, duke iu referuar modeleve ekzistuese të vendeve anëtare të BE-së.

Ky Këshill, do të ketë në përbërje të tij jurist nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Këshilli do të përpilojë një listë të renditjes së kandidaturave, sipas një sistemi pikëzimi, të cilën do t’ja paraqesë Presidentit të Republikës, përpara se ky i fundit të dekretojë kandidaturat, me të cilat i drejtohet për pëlqim Kuvendit të Shqipërisë. Një opsion i hapur për ne, mbetet edhe vendosja e Gjykatës së Lartë brenda kornizës së kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në lidhje me emërimin, vlerësimin profesional dhe përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të kësaj gjykate. Ky variant është në një linjë me modelin ekzistues të shumë vendeve të BE-së, ku Gjykata e Lartë është e përfshirë brenda strukturës së KLD-së dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë ka një rol të posaçëm në drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Natyrisht kjo ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe ne mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët në këtë drejtim.

Reformimi i thellë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të synojë nga njëra anë ruajtjen e pavarësisë dhe rritjen e përgjegjshmërisë së këtij institucioni, por nga ana tjetër evitimin e emërimit dhe të promovimit në karrierë të gjyqtarëve në bazë të sistemit koorporatist, nepotik dhe klientelist.

Ka ardhur koha që anëtarët e KLD-së, përfaqësues të legjislativit, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të jenë të depolitizuar dhe ndoshta duhet të zgjidhen me një shumicë të cilësuar në Kuvend dhe të parashikohen kritere të qarta në ligj për emërimin e tyre. Formula ekzistuese e KLD-së ka dështuar dhe kjo është një çështje fakti. Në këtë kuadër, mund të rishikohet edhe roli i Ministrit të Drejtësisë, në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke forcuar njëkohësisht rolin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë në drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këto ndryshime nuk cënojnë pavarësinë, përsa kohë që është e garantuar maxhoranca e gjyqtarëve në vendimmarrjen e KLD-së, por një gjithëpërfshirje dhe një përfaqësim më i plotë i institucioneve të drejtësisë në KLD-në do të ishte i mirëpritur për ne.

Të nderuar të pranishëm,

Sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve, nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe nuk i përgjigjet realitetit. Konkretisht ka përfunduar vlerësimi për gjithë gjyqtarët për vitin 2005-2006, dhe aktualisht KLD ka filluar vlerësimin e gjyqtarëve për vitin 2007- 2009. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë, ka përgatitur projektligjin “Për sistemin e vleresimit të gjyqtareve”, nëpërmjet të cilit synohet që gjyqtarët të kenë rol aktiv në procesin e vlerësimit. Sistemi i ri do të bazohet në vetvlerësim, të kryer nga vet gjyqtarët dhe më pas nga një verifikim nga ana e Inspektoriatit të KLD-së. Projekti është shpërndarë për mendim tek të gjithë aktorët e drejtësisë dhe organizmat ndërkombëtare, që na asistojnë në reformën në drejtësi. Reforma në sistemin e drejtësisë nuk është e shkëputur nga forcimi i sistemit të inspektimit dhe procedimit disiplinor, si dhe transparenca në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë drejtim. Ka ardhur koha që të përcaktohen qartë me ligj kompetencat ndërmjet Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtesisë dhe atij te KLD-së, të harmonizohen dhe të mos kenë mbivendosje dhe pse jo dhe të kenë kontrolle me tematikë të përbashkët.

Reforma në Konferencën Gjyqësore Kombëtare do të konsistojë më së shumti në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD-së. Kjo reformë do të konsistojë në drejtim të një selektimi më të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshme, midis të zgjedhurve prej tyre dhe Konferencës Gjyqësore.

Reforma në Këshillin e Prokurorisë do të ketë objektiv kryesor zbatimin e njëjtë të parimeve në:

* përzgjedhjen,

* emërimin,

* ecurinë në karrierë,

* fuqizimi i rolit të Këshillit të Prokurorisë, duke e transformuar Këshillin ekzistues të Prokurorisë nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës përsa i përket emërimit dhe disiplinës për prokurorët.

* ristrukturimi i prokurorisë me qëllim përmirësimin e organizimit hierarkik dhe territorial të Prokurorisë, pavarësisë së saj dhe statusit të prokurorëve etj.

Pjesë e reformës do të jetë edhe reformimi i Shkollës së Magjistraturës, si struktura që furnizon gjykatat dhe prokurorinë me elementë të rinj. Në këtë aspekt, rishikimi i ligjit për Shkollën e Magjistraturës, me qëllim rritjen e pavarësisë dhe cilësisë programore të këtij institucioni dhe përcaktimi në ligj i kritereve për përzgjedhjen dhe karrierën e trupës pedagogjike të kësaj shkolle, janë masa legjislative që mund të konsiderohen si të dobishme. Unë kam bindjen, dhe besoj se ndaj të njëjtin mendim me Ju, që edhe ne, kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të cilët nuk korruptohen as politikisht dhe as ekonomikisht dhe që gjej rastin t’i inkurajoj dhe falenderoj publikisht. Për këtë arsye jemi po kaq të vendosur, që të ndërmarrim hapat e nevojshme, për mbështetjen e sistemit gjyqësor me burime të mjaftueshme finaciare dhe njerëzore, në përmirësimin e sistemit të gradave dhe karrierës së gjyqtarëve, si dhe rritjen e ndjeshme të pagave.

Dhënia e statusit të vendit kandidat na shton angazhimin për përmbushjen e reformave në sistemin e drejtësisë, me vullnetin e përbashkët politik të maxhorancës dhe të opozitës, për të kryer reformat, duke respektuar në çdo rast Kushtetutën dhe standardet më të mira Evropiane. Shqipëria është e të gjithëve dhe integrimi i saj është emëruesi i përbashkët, që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese, pasi në rrugën tonë nuk jemi vetëm, por bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë si Komisioni Evropian, OSBE, Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, USAID, PAMEKA, Slin Faundeishen (Slynn Foundation) dhe gjithë projektet e tjera, që mbështetin reformën në sistemin e drejtësisë, ku gjej rastin t’i falenderoj publikisht. Shpreh bindjen se konkluzionet e kësaj konference do të shërbejnë si një premisë për fillimin e një procesi gjithpërfshirës të reformës në sistemin e drejtësisë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën dhe vëllanë e tij