Fjala e Plotë e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

FJALA E PLOTË E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME SAIMIR TAHIRI

Më lejoni që falënderimeve të partnerëve ndërkombëtarë për punën e shkëlqyer të zëvendësministres dhe Koordinatores Kombëtare për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore t’i bashkohem edhe unë, me një falenderim fare të sinqertë. Dhe ta mirëkuptoj që në këtë rrëmujën e shifrave dhe të pavërtetave, atë 3700 kg, ta bëjmë ton, sa pa e marrë ndonjëri ta hedhë në Facebook!

Në fakt nuk ka, as për t’u habitur në qoftë se dhe e vërteta që sapo u bë publike këtu nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të cilin gjejë rastin ta falënderoj, nuk do mbylli rubinetin e shpifjeve nga ata që bëjnë politikë me krimin, pa pasur asnjë ndjeshmëri dhe asnjë detyrim ndaj të vërtetës.
Kjo që patë ishte vetëm një kronologji e shkurtër, por e saktë e të vërtetës minutë pas minute, mbi një operacion policor që përfundoi  me arrestimin e trafikantëve dhe me sekuestrimin e lëndës narkotike.

Jam shumë i bindur që për ju dhe punonjësit e policisë së shtetit, ky nuk ishte ndër operacionet më të vështira. Siç jam plotësisht i bindur që sikur vëmendja e medias dhe e publikut të ishte kaq e lartë për çdo operacion policor të zhvilluar në këto muaj, ku janë kapur jo dy individë, por organizata kriminale mjaft të rrezikshme dhe ku janë sekuestruar jo qindra kile, por tonelata lënde narkotike, pa asnjë dyshim, shoqëria do ishte më e qetë nga turbullira që i ka shkaktuar vrulli i të pavërtetave që i prodhojnë vetë dhe pastaj i konsumojnë vetë.

Partnerët ndërkombëtarë edhe këto ditë, i kanë bërë thirrje politikës të rrijë mënjanë dhe të lërë rehat Policinë e Shtetit të bëjë punën e saj. Këtë qytetarët e kuptojnë.
Po e përsërisin sa herë se janë të kënaqur nga niveli i bashkëpunimit me policinë shqiptare, që ka cuar në finalizimin me sukses të operacioneve që deri dje rrinin pezull pikërisht pse nuk kishin besim ose akoma më keq, tradhtoheshin nga kupola e Policisë së Shtetit. Edhe këtë qytetarët e kuptojnë. 
Po e thonë dhe kësaj radhe, lërini hetimet të vazhdojnë, lërini institucionet të punojnë, lëreni Policinë e Shtetit të bëjë detyrën dhe të hetojë. Këtë qytetarët e kuptojnë përsëri.
Sepse si në asnjë vend të botës, si kurrë më parë, për fat të keq, politika nuk i është sulur krimit, por policisë që lufton krimin. Por edhe këtë qytetarët e kuptojnë. 
Po mundohen të ngrenë pyetje komplikim pas komplikimi, çdo herë përtej kufirit të absurdes, duke dashur patjetër të implikojnë Policinë e Shtetit, institucionet në tërësi, se me demek kemi të bëjmë me një trafik shtetëror të drogës!

A thua se shqiptarët nuk janë aq të mençur sa të bëjnë të paktën një pyetje, që është shumë më e thjeshtë se të gjitha këto pyetjet që ngrenë: - Po mirë, kur qenka i gjithë shteti në këmbë, përfshirë dhe policinë, për të bërë trafik droge, kush do e merrte mundimin të lodhej duke ulur një avion në rërë për të trafikuar drogë?! Kur qenka dhe shteti, dhe policia madje dhe ushtria e pëfshirë nuk do të ishte vallë më e lehtë të bëhej ky trafiku i drogës!?

Bota e qytetëruar ka zgjedhur kohë më parë e as duhet ne të bëjmë ndonjë shpikje; ka zgjedhur qytetarinë, arsyen shtetformuese e mbi të gjitha, bashkimin e të gjithëve në luftë kundër krimit me besim tek institucionet dhee, me më shumë arsye, me besim te Policia e shtetit që është në ballë të luftës kundër krimit të organizuar. 
Është për këtë arsye që nuk akuzoi njeri kurrkënd, kur policia franceze kapi pak muaj më parë, në Paris, në aeroportin kryesor të Parisit, në 11 shtator 2013, në një avion që siç e quajnë, të linjës së flamurit, ‘Air France’, jo një kile, as disa kile, por 1.3 ton kokainë. Me standardin e llumit këtu, Manuel Vals atëkohë Ministër i Brendshëm, nuk do të kishte shpëtuar dot, pa kaluar si kryetrafikanti i drogës në Bashkimin Europian dhe Euro-Azinë! 
 
Mjafton kaq për të kuptuar se integrimin në BE dhe standardet europiane, devotshmërinë deklarative në luftën kundër krimit të organizuar e ca kanë thjeshtë për fasadë, për të fshehur mbeturinat e modelit komunist, që trashëgojnë nga e shkuara.

Është e qartë se politika po përpiqet të përbaltë luftën dhe  punën e sukseset e Policisë së shtetit. Sepse ndoshta piëkrisht ato sukseset e policisë në këto muaj, i kanë dhembur shumë jo vetëm atyre që janë arrestuar, por njëlloj dhe mos më shumë, atyre që deri dje kanë përfituar nga paligjshmëria dhe nga veprimtaritë kriminale. 
Kanë përfituar herë vota, herë parà, ndere, imunitet, e kështu me radhë.

Por është po kaq e qartë, se politika e mbrapshtë e sulmit të paprinciptë ndaj Policisë së shtetit, kur policia është në luftë kudnër krimit, ka për synim dekurajimin e vetë policisë për t’i garantuar frymëmarrje krimit, siç i garantonin dje, jo vetëm frymëmarrje por edhe imunitet.
Rezultatet që lexoi Zv. Ministrja Gjebrea janë aty, janë aty për të gjithë, për ne, për qytetarët, për partnerët ndërkombëtarë, dhe flasin qartë për punën e Policisë së Shtetit. Dhe jo vetëm që nuk kanë asnjë krahasim me të kaluarën, por janë sinjali më i mirë se Policia e Shtetit është në krye të detyrës, siç premtuam, siç u angazhuam para qytetarëve dhe e siç po bëjmë dita-ditës.

Unë nuk besoj se ka njeri dyshim se lufta kundër drogës, drogë do kapë! Dhe tani që policia po kap drogën, po na thonë se dale, paska drogë në Shqipëri! Këta që bërtasin, gati sa nuk po thonë, nuk do flasim në qoftë se nuk kapni drogë!

Sepse kështu kanë bërë në të shkuarën... e kanë lënë të mbillet, kultivohet, të trafikohet, policia nuk e ka kapur, e as debat nuk kanë bërë e as ka pasur!
E vërteta është se po kapim kanabis të mbjellë pa hesap kur shteti dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme, jo vetëm që nuk e luftonte, por e ndihmonte, në mos e drejtonte sipërmarrjen e drogës.

Harta që prodhoi misioni italian, i dha një pasqyrë të qartë qeverisë, që shkoi, për çdo pëllëmbë tokë të mbjellë me hashash. 
Për të asgjesuar drogën e mbjellë jo vetëm në Lazarat, por në shumë parcela tokë, që nga Tropoja në Sarandë, sigurisht ata nuk e përdorën. E siç po rezulton nga droga që po kapim ne në këto muaj, e kanë përdorur për t’i vënë taksën kriminale të pushtetit!

E kam biseduar vazhdimisht me partnerët ndërkombëtarë, pas 23 qershorit, Shqipëria duket sikur u zgjua me parcela drogë siç kurrë nuk kishte parë historia e saj. Në fakt aty ishte. Ajo që u mboll, na takoi ne dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për ta ndaluar të trafikohej.

Bëhet fjalë për sasi të paimagjinueshme, të kapura nga policia jonë, dhe nga partnerët tanë, në bashkëpunim me ne. Dhe ju siguroj se pas çdo kileje të kapur nga Policia e Shtetit, është pakorruptueshmëria, vendosmëria, kurajoja dhe suksesi i çdo punonjësi të ndershëm të Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Që më shumë mbetet për t’u bërë, kjo nuk ka asnjë diskutim. Por jam shumë i sigurt se gjatë këtyre muajve u kemi treguar shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, vendosmërinë tonë për të luftuar pa asnjë kompromis kriminalitetin në vend dhe veçanërisht trafikun  e paligjshëm të lëndëve narkotike.

Kemi hartuar bashkë me partnerët, një strategji të plotë kundër lëndëve narkotike, më një vëmendje të veçantë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Faza e parë, është kjo që po shihni, lufta kundër hashashit të kultivuar e prodhuar gati për trafikim. Për këtë arsye kemi qenë të fokusuar me të gjitha energjitë, për të mbyllur shtigjet e trafikimit brenda vendit dhe bashkë me partnerët në Itali, Greqi e kështu me radhë.

Ka disa javë që ka filluar faza e dytë e strategjisë. Në të cilën është parashikuar veprimi i bashkërenduar i Policisë së shtetit, me pushtetin vendor, shoqërinë civile, komunitetet specifike lokale dhe të gjithë atyre që kanë influenca lokale çdo zonë, dhe që kanë ndikim në parandalimin e kultivimit dhe luftën kundër lëndëve narkotike. 

Faza e dytë është sigurisht po aq e vështirë, në mos më e vështirë sesa e para, por jemi duke planizuar bashkë me partnerët, një sërë masash radikale të cilat po shqyrtohen, dhe me radhë do i bëjmë me dije për publikun, duke filluar nga sensibilizimi dhe veprimi shoqëror, duke filluar me masa ndëshkuese që mund të shkojnë deri te heqja e titullit të pronësisë mbi tokën që mbillet me kanabis. 

Jemi të fokusuar të dënojmë rrjetet kriminale, jo argatët e tokës. Ata që nuk janë as në Lazarat, as në parcele toke, por që përfitojnë duke drejtuar apo duke dhënë mbështetje, nga kultivimi dhe trafikimi i lëndës narkotike.

E gjitha ama, mbështetet mbi vetëdijen shoqërore se lufta kundër krimit, nuk është luftë vetëm e policisë, nuk është luftë ekskluzive e shtetit. Por është mbi të gjitha luftë e shoqërisë në tërësi.

Policia e shtetit qëndron në ballë të luftës kundër krimit të organizuar. Mirë do ishte që dhe politika të ishte në krah të policisë, por ky nuk është kusht i domosdoshëm.
Policia e shtetit do bëjë detyrën si kurrë më parë, për të garantuar atë standard sigurie që deri dje ishte i paimagjinueshëm, por që sot është baza mbi të cilën mbështetemi ne për t’u krahasuar me veten.

Dhe shumë të tjera, akoma më shumë rezultate të paimagjinueshme do vijnë, meqë deri dje ishte e paimagjinueshme kjo që në po bëjmë sot.
Po u tregojmë qytetarëve se Policia e Shtetit është shërbim për qytetarët në luftë kundër krimit, dhe jo kamzhik për qytetarët më të dobët dhe shërbëtore e krimit. 
Po luftojmë korrupsionin brenda radhëve të Policisë. Po dekriminalizojmë Policinë e Shtetit. Eshtë për këtë shkak që në këto 6 muaj, janë depozituar në prokurori 180 kallzime penale për punonjës policie, të lidhur me veprimtari antiligjore në mos kriminale.

Sepse ne besojmë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka si parakusht pastrimin e radhëve të Policisë nga ata që nën rrobën e policisë, janë mësuar në të kaluarën të bëjnë pazare herë me politikën, dhe herë me krimin. 

Sot është e qartë përtej çdo dyshimi se kujtdo që i shkon në mend të korruptojë a korruptohet apo të përfshihet në sipërmarrje kriminale duke keqpërdorur besimin që i kanë dhënë qytetarët për të luftuar krimin, nuk ka më asnjë mbrojtje nga drejtuesit e policisë, por përkundrazi, herët a vonë do dalë para drejtësisë, njëlloj siç kanë dalë ata deri më tani.

Sepse ne po rilindim Policinë e Shtetit jo si depozitë punësimi dhe as si strehë krimi, por si shërbim sigurie për qytetarët dhe sipërmarrësit.

Dëshiroj ta mbyll duke falenderuar punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit që dhe në këto momente që flasim u takon të jenë në luftë kundër krimit, fatkeqësisht me një sy e një vesh nga politika që do patjetër t’u ngjallë panikun e pasigurisë në luftë përballë krimit.

Ata që nuk flasin kurrë, përveçse me vepra, me suksese, dhe që kjo është sigurisht më fisnike sesa vrulli i shpifjeve nga politika. Por qytetarët shikojnë dhe dëgjojnë.
Dua t’u drejtohem që këtu, juve që jeni në sallë që keni marrë pjesë edhe në operacionin e para pak ditëve dhe nëpërmjet jush, çdo punonjësi të ndershëm të Policisë së Shtetit: - mos u demoralizoni! Mos iu nënshtroni pushtetit të frikës që do të ngjallë politika!

E vërteta është sigurisht më e fortë se gënjeshtra. Ligji është më i fortë sesa krimi. Drejtësia është më e fortë sesa padrejtësia. Shteti është më i fortë se krimi. 
Barra për ta dëshmuar këtë na takon ne. Dhe këtë do e bëjmë patjetër. I takon Policisë së Shtetit. Dhe unë kam shumë besim që në fund të ditës, do jetë e qartë për të gjithë, për ne, për punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, se qytetarët e ndershëm të këtij vendi, me punën tonë do të jenë krenarë dhe bashkë me ta edhe fitimtarë.

Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS