Fjala e plotë e ministrit Tahiri për
avionin e bllokuar në Divjakë

Fjala e plotë e ministrit Tahiri për<br />avionin e bllokuar në Divjakë
Po dal para jush për të konfirmuar ato që dje ishin vetëm dyshime paraprake dhe që pritej të zbardheshin nga hetimet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda: është tashmë e konfirmuar se avioni i ulur në Divjakë dhe makina e kapur nga policia së bashku me ngarkesën e drogës, ashtu siç edhe të dy shtetasit, piloti italian dhe shtetasi shqiptar, kanë bashkëpunuar për të organizuar atë që mbeti një tentativë për trafik të lëndës narkotike.

Shtetasi italian ka qenë i proceduar më parë në shtetin italian, ndërkohë që shtetasi shqiptar, nuk ka qënë as i dënuar më parë qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Itali.

Dje Policia e Shtetit ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin e Aviacionit Civil dhe agjensive shtetërore që ndajnë përgjegjësi për fluturimet ajrore, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për të nxjerrë në dritë mekanizmin e kësaj ngjarje që mbeti në tentativë falë punës së institucioneve dhe Policisë së Shtetit.

Nuk ka një avion fantazëm. Përkundrazi, ka një avion të regjistruar pranë autoriteteve përkatëse, me leje për të hyrë dhe dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Janë sinjalizuar institucionet që në momentin kur avioni shkëputi komunikimin me kullën e komandimit ajror dhe të gjitha institucionet janë vënë në lëvizje sipas përgjegjësive të veta.

Të gjitha sistemet e kontrollit në pikat kufitare, kanë qenë dhe janë funksionale përgjatë 24 orëve, përfshi këtu edhe 24 orët e fundit.

Dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit ka kohë që ushtron kontrolle të përforcuara në kufi dhe po kështu, në gadishmëri të plotë në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës.

Është për këtë arsye që sasia e drogës së kapur gjatë kësaj kohe që ne jemi në krye të detyrës, është shumëfish më e lartë, krahasuar me periudhën kur në qeveri ishin ata që sot bërtasin për trafikun e drogës.

Siç është edhe për këtë aryse që edhe tentativa e djeshme nuk u konkludua.

E deklaroj me përgjegjësi të plotë, se historia e kësaj ngjarje, është dëshmia fatale, por më e qartë se si nxiten instiktet kriminele të individëve nga politika e papërgjegjshme e kriminalizimit të vendit, e kriminalizimit të institucioneve, e nxitjes së krimit dhe trafikut të drogës, e deklaratave të papërgjegjshme dhe absurde nga goja e atyre që vetëm pak muaj më parë ishin jo vetëm në krye të punëve të vendit por edhe ca punëve të tjera.

Sot jemi më të fortë pikërisht pse u japim qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë një standard sigurie, deri dje të paimagjinueshëm.

Ndaj dua të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që sot janë në ballë të luftës kundër kriminalitetit në tërësi dhe trafikut të drogës në veçanti duke dhënë shembuj të pamohueshëm, deri dje të pakonceptueshëm, jo më të arritshëm, dhe kjo falë një numri të konsiderueshëm të sukseseve tona në betejën për të ndërtuar siguri për qytetarët në luftë kundër kriminalitetit.

Ata po synojnë t’i bëjnë qytetarët shqiptarë të verbër dhe të shurdhër dhe që sot kanë kurajo të deklarojnë se ky është dështim i Policisë së Shtetit, apo një konfirmim i asaj që kanë deklaruar, siç kanë përbaltur çdo sukses të derisotëm të policisë, bëjnë mirë të heshtin.

Policinë e Shteti nuk e përkulin dot dhe standardin e sigurisë që po ndërton qeveria, nuk e zhbëjnë dot.

Opozita sot do t’i bëjë shqiptarët të besojnë se kur policia kap drogë, do të thotë që ka trafik drogë. Ndërkohë po deklarojnë të paimagjinueshmen, se meqë vetë nuk kanë kapur drogë, nuk ka pasur drogë. Kjo është filozofia e strucit.

Ne besojmë se puna e Policisë së Shtetit në kuadër të luftës kundër drogës, tregon përgjegjshmërinë tonë, tregon angazhimin e Policisë së Shtetit në luftë kundër trafiqeve të paligjshme të drogës. Fakti që nuk ka ndodhur deri dje kur në krye të punëve të vendit ishin qeveria e shkuar, do të thotë që droga aty ka qenë, por thjesht nuk kapej nga Policia.

Deklaratat që bën ish-kryeministri dhe përfaqësues të lartë të opozitës janë më së paku qesharake, për të mos thënë dhe kriminale.

Por mbi të gjitha, janë deklarata që ne na konfirmojnë arritjet e derisotme dhe na inkurajonë ne, të vijojjmë luftën tonë kundër kriminalitetit, me të gjitha forcat tona, duke na bërë me dije se lufta kundër trafiqeve të paligjshme të drogës paska shqetësuar më shumë se vetëm autorët.

Hetimi i çështjes konkrete vijon, detajet e tjera do bëhen të ditura në vijim.

Unë do ta shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë dhe medias një thirrje, që në vrullin e mbledhjes së informacionit t’i përkushtohemi të vërtetës.

Pyetje: Zoti ministër, kur do të jepni dorëheqjen?

Ne sot jemi më të fortë, sepse u dëshmojmë shqiptarëve një standard sigurie që as imagjinohej nga ata që deri dje ishin në qeveri. Dhe ju sot në mendimin tim, duhet të vlerësoni angazhimin e institucioneve ligjzbatuese dhe të Policisë së Shtetit, që në kuadër të përmbushjes së detyrës së tyre si kurrë më parë, në kuadër të përmbushjes së punës së tyre sot kanë rezultate të tilla mbresëlënëse, në luftën kundër lëndëve narkotike, që qeveria e djeshme nuk i garantonte.

Nëqoftëse do të duhet t’i drejtonit këtë pyetje dikujt, bënit mirë t’ia drejtonit atij që deri dje mbante detyrën e Ministrit të Brendshëm, deri dje mbante detyrën e kryeministrit, dhe që drogën e lejonin të kalonte pa e kapur.

Fakti që sot Policia e Shtetit ka arritje të tilla duke sekuestruar sasira të tilla të lëndëve narkotike, tregon që deri dje institucionet kanë fjetur gjumë, siç tregon që dimensioni kriminal i atyre që në 8 vitet e kalura kanë bërë qejf me trafikun e drogës sot po hasen në vështirësi të mëdha për shkak të luftës nga Policia e Shteti dhe intitucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar.

Ka një të vërtetë në deklaratat e opozitës, po ndodh e paimagjinueshmja, sepse tentativa e parë për të bërë atë që ish-kryeministri deklaronte, trafik të lëndëve narkotike me avion, u ndalua në mënyrë të suksesshme nga Policia e Shtetit dhe institucionet shqiptare.

Me shumë gjasë pse e kanë thënë edhe kur SHISH e mohonte, do të thotë që kanë dijeni, që kanë pasur dijeni kur kanë qenë në detyrë dhe nuk kanë bërë detyrën siç

sot Policia e Shtetit, institucionet ligjzbatuese dhe qeveria shqiptare po e bën, për t’i garantuar qytetarëve shqiptar një standard sigurie deri dje të paimagjinueshëm.

Pyetje: A do hetoni Albcontrolin për raste të tjera të ngjashme të trafikut me avionë? Çfarë do bëni me Lazaratin?

Policia shqiptare po zhvillon hetime të plota për ngjarjen e cila mbeti në tentativë, falë punës së institucioneve shqiptare, përmbushjes së detyrës në mënyrë shembullore dhe angazhimit të Policisë së Shtetit.

Natyrisht hetimet do vijojnë dhe rezultatet do ju bëhen me dije. Presim që si pasojë e hetimeve për këtë çështje të shqyrtojmë edhe më gjerë problematikën, por mund t’ju garantoj se që nga dita e parë që kam marrë detyrën kjo është tentativa e parë dhe e vetme për të organizuar trafik të lëndëve narkotike nëpërmjet avionëve.

Tentativa e parë dhe e vetme që dështoi falë punës së institucioneve shqiptarë dhe punës së Policisë së Shtetit. Patrullat e Policisë së Shtetit, përkundër asaj që deklarohet nga ish-kryeministri brenda pak minutave kanë qenë pranë vendngjarjes.

Nëpërmjet burimeve të Policisë së Shtetit, një skenar të tillë e prisnim jo në atë vendndodhje por disa km më larg, gjithësesi patrullat e para kanë shkuar vetëm pak minuta më vonë dhe këtë e kanë dëshmuar dhe qytetarë, për kamerat tyaja. Në po në të njëjtën kohë është bërë dhe ndalimi i shtetasve me lëndë narkotike.

Gjë që dëshmon gadishmërinë tonë, të Policisë së Shtetit për të përmbushur detyrën, në kuadër të luftës kundë trafikut të paligjshëm të drogës. Mund t’ju garantoj se partnerët ndërkombëtarë janë më shumë se të kënaqur me rezultatet e Policisë së Shtetit.

Agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere janë në bashkëpunim të plotë me ne. Shumë prej operacioneve të zhvilluara këtu janë bashkë me ata, shumë prej operacioneve të zhvilluara në Greqi dhe Itali janë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit duke shkëmbyer informacion me Agjencitë ligjzbatuese dhe me EUROPOL-in, për të garantuar një standard sigurie që kurrë nuk mund të mbetet vetëm brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë por shkon përtej kufijve, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar trafikun ndërkufitar të drogës.

Sepse të jeni të bindur se askush në Shqipëri, Greqi, Itali, apo në cilindo vend, nuk mund të korrë suksese të plota pa bashkëpunuar me partnerët. Policia e Shtetit

është e angazhuar të luftojë trafikun e lëndëve narkotike, qoftë kjo në tentativë për t’u zhvilluar nga toka, nga ajri, nga deti, në çdo dimencion të vetin.

Rezultatet e dëshmojnë në mënyrë fare të qartë, mjafton t’ju përmend faktin se nga Janari në Mars të këtij viti, nga Policia e Shtetit është sekuestruar një sasi e tillë lënde narkotike, që është shumë më shumë seç është sekustruar nga Janari i vitit të kaluar deri në Shtator.

Pra, ajo që kemi bërë ne në 3 muaj, është shumë më shumë se ajo që ka bërë qeveria e kaluar në 10 muaj. Kjo e konfirmuar edhe nga shifrat, që janë online, dhe fare mirë nga partnerët ndërkombëtarë, sepse ky është angazhimi jonë për të garantuar siguri për qytetarët.

Ka të drejtë opozita kur thotë po ndodh e paimagjinueshmja, sepse deri dje as ata, as e imagjinonin dot të luftonin trafikun e drogës. Po ndodh sot e paimagjinueshmja, sepse po ndodh sot të kemi suksese të tilla në luftën kundër narkotikëve.

Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të luftuar trafikun e drogës me çdo mjet.

Pyetje: Po për ngjarjen e fundit, kë do të bëni përgjegjës?

Unë nuk jam këtu të nxjerr përgjegjësi. Kjo i takon hetimeve. Di t’ju them me bindje, se qëndron në atë që deklarova pak më parë, deklaratat e papërgjegjshme që kanë nxitur instikte kriminale tek njerëz që deri dje as e kishin imagjinuar të zhvillonin veprimtari kriminale.

Pyetje: Ku qëndron suksesi i Policisë kur një avion bie se iu prish goma apo helika? Kishte informacion Policia, ishte informacioni juaj?

Preferoj që përballë meje të më citoni drejt, ndërsa në edicionet e lajmeve mund të bëni çdo lloj gjëje. Policia e Shtetit me burime informacioni, ishte e angazhuar dhe jo vetëm tani, për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës edhe duke shtuar forcat në kontrollin e terrritorit dhe në kufi.

Ndërkohë që po ua ritheksoj, që gadishmërinë tonë dhe të Agjencive ligjzbatuese dhe të qeverisë shqiptare, për të luftuar kriminalitetin në tërësi dhe trafikun e lëndëve narkotike në veçanti.

Pyetje: A ka të inkriminuar nga Policia në këtë trafik, sot apo në vitet e mëparshme?

Nuk ju këshilloj t’i merrni për referencë deklaratat e opozitës, jo vetëm sepse çdo sukses është përpjekur ta përbaltë, jo vetëm sepse çdo arritje të qeverisë është përpjekur ta përbaltë, por sepse vetëm pak muaj më parë, ishin në krye të qeverisë dhe të punëve të vendit dhe shifrat flasin vetë, trafikun e drogës jo vetëm që nuk e kanë ndaluar, por përfaqësues të kupolës së Policisë së atëhershme ishin dhe të përfshirë dhe sot janë nën hetime.

Ndërkohë në rast se opozita ka të dhënë konkrete, i mirëpresim që të na i japin. Ne zhvillojmë hetime të plota së bashku me Prokurorinë, për ne nuk ka rëndësi kush është përgjegjës, për ne ka rëndësi kush është përgjegjës - të mbajë përgjegjësinë që i takon përballë ligjit e drejtësisë.

Pyetje: Pse u tallët në Kuvend me akuzat e opozitës, pse nuk i morët në konsideratë?

Në rast se ju përsërisni pyetjen, unë nuk kam ndërmend të përsëris përgjigjen, të cilën e dhashë.

Pyetje: A ka patur probleme sistemi TIMS? A ka rënë avioni nga mbingarkesa apo avari teknike?

Është e pavërtetë që sistemi TIMS nuk funksionon. Në 24 orët e fundit ka funksionuar dhe në të gjitha rastet sistemi TIMS, ka një back up, i cili nuk e lë njeriun të manipulojë sistemin.

Është një sistem elektronik ndër më të sigurtët që menaxhohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë, dhe që nuk është kaq e lehtë sa çe bën ish-kryeministri në dalldinë e vetë në facebook, që mund të fikësh a thua se është çelës kioske, sistemin e menaxhimin të dhënave të kufirit, TIMS, sepse është ndërtuar i tillë, për të mos u manipuluar nga njeriu.

Ndërkohë, është e pavërtetë që avioni ka rënë nga mbingarkesa. Kjo është fantazia e shfrenuar e ish-kryeministrit që mbase deri dje mund t’i ketë parë në realitet këto ëndërra, por sot ëndërrat e tij, nuk mund të kthehen në makth për qytetarët.

Pyetja: Piloti nuk figuron i rregjistruar, sepse ka hyrë si pilot i aviacionit. Është e vërtetë?

Ne po zhvillojmë hetime në lidhje më këtë çështje. Ka detaje të cilat po i marrim parasysh. Por nuk mund të jap detaje sepse hetimet janë në vijim edhe për këtë çështje, mbetet për t’u konsideruar dhe do t’ju bëjmë me dije në vijim.

Por në të dhënat tona paraprake, nuk ka asnjë paligjshmëri në këtë moment.

Pyetje: Nëse policia ka qenë në krye të detyrës pse nuk u kap më parë personi që transportonte drogën, nga Kruja në Divjakë? Pse u mbajt media dhe prokurorët rreth 40 minuta larg vendit të ngjarjes?

Pyetjes pse personi është shoqëruar pak momente pas kapjes, kësaj mund t’i përgjigjem, duke thënë që personi iku në pyll dhe u kap nga Policia. Nuk iku në drejtim të paditur, policia e arrestoi. Policia e Shtetit nuk ka shoqëruar njerëz që në mendjen e ish-kryeministrit janë njerëz që paskan pare, dhe ne tani po u mbyllim gojën.

Nuk ka sot njerëz që me instrumenta policorë mund t’u mbyllet goja, siç nuk ka të vërtetë që nuk del në dritën e publikut, siç nuk ka as gënjeshtër të ish-kryeministrit që nuk përgënjeshtrohet nga të vërtetat.

Nuk është e vërtetë që prokurorët janë mbajtur larg nga Policia. Kjo është një gënjeshtër. Është e pamundur teknikisht, procuderialisht, ligjërisht, pra është e pamundur. Mos ja bëni këtë pyetje kërkujt sepse është e pamundur.

Ndërkohë zona është rrethuar për të kapur shtetasin shqiptar që është larguar nga vendi i ngjarjes. U rrethua nga Policia, pikërisht për këtë shkak, të gjitha rrugët janë bllokuar thuajse në të gjithë sipërfaqen e pyllit të Divjakës për të bërë të mundur ndalimin e personit.

Jam shumë i sigurtë që edhe në eventualitetin kur nuk do kishim bërë rrethimin e zonës, ju mbase nuk do pyesnit pse nuk u lanë gazetarët, por mbase do pyesnit pse nuk u kap personi. Ne preferojmë, të bëjmë të parën. Të rrethonim zonën dhe të kapnim personin përgjegjës.

Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë