Fjala e plotë e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla 

E kërkova fjalën për të replikuar me liderin zyrtar të qeverisë së vjetër dhe opozitës së tanishme, Sali Berishën sepse e di që sot ka pasur një hall të madh, sikurse i ka të shpeshta hallet edhe për shkak të moshës. 

Sot në publik, e tha edhe kolegu Braçe, ka dalë një provë tjetër shumë e rëndë që fajëson babain dhe të birin, Saliun dhe Lulin, për një pakt të turpshëm në dëm të interesave të Shqipërisë. 

Sot është momenti për t’i rikujtuar Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të datës 28 maj 2014 për këtë pakt detar. Po bëhen gati dy vjet qëkurse Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes një dosjeje shumë të mirëpërgatitur nga juristët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të bazuar tërësisht edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që ka depozituar në Prokurori këtë kallëzim, përkundrejt ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Lulzim Bashës. Por me faktet që kanë dalë sot tregon që është pikërisht Sali Berisha personi që është vënë nën presion atëherë për të nënshkruar një marrëveshje. Marrëveshje e cila sipas Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi ka qenë e paligjshme. Falja e trojeve shqiptare në këtë marrëveshje është e bazuar tërësisht si vepër penale në kodin penal të Shqipërisë. Është e pakuptueshme që ende pas dy vitesh, ndoshta presin mandatin 3-vjeçar të mbylljes së dosjes, që Prokuroria ende nuk po vepron për këtë dosje kaq të rëndësishme. 

Së dyti, një hall tjetër i Saliut sot është një fakt tjetër i rëndë i bërë publik. Sot është bërë publike nga ana e Izet Haxhisë, urdhri personal i Sali Berishës për djegien e gazetës “Koha Jonë”, me emër me mbiemër dhe personat e përfshirë në djegien e gazetës. Sali urdhëruesi dhe me radhë, Agron Kuliçaj dhe persona të tjerë të përfshirë në djegien e gazetës “Koha Jonë”. 

Unë e mirëkuptoj Saliun që sot pa asnjë shkak u largua me opozitën nga Parlamenti. Ndërkohë që të gjithë kërkesat e tyre të parashtruara për disa seanca me radhë, duke gjuajtur me vezë, me letra, me lecka, e të tjera me radhë, sot të gjitha kërkesat e tyre u pranuan, por ata përsëri ikën nga Parlamenti. Ikën nga Parlamenti për çfarë? 

Ndërkohë që ata që gjoja kanë marrë përsipër të flasin në emër të të varfërve, sot kishin një arsye për të ardhur në Parlament dhe për të thënë faleminderit për diçka që nuk ishte bërë për vite me radhë në këtë vend. Prej dje çdo familje e varfër shqiptare që nuk ka njeri të punësuar dhe merr trajtim për të papunët, do të marrë 110 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Erjon Braçe tha që merrnin 20 mijë lekë (të vjetra), jo, jo, kryetarët e komunave të Saliut jepnin edhe 8 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Prej dje ndihma ekonomike  është 110 mijë lekë. Ky është ndoshta shkaku përse opozita sot u largua nga parlamenti sepse ndoshta nuk kishin çfarë të thonin. 

Do kisha dashur shumë që Astrit Patozi të ishte në këtë sallë dhe t’i kërkoja miqësisht, meqenëse i vetmi shqetësim që kishte PD sot ishte Asambleja jonë Kombëtare, ta pyesja dhe njëherë se përse nuk votoi nënkryetari i partisë, kur Lulzim Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike? Përse Astrit nuk votove për Lulin kryetar? T’ja thuash edhe një herë publikut shqiptar përmes foltores së Parlamentit se si Sali Berisha e kishte emëruar Lulzimin në krye të PD-së. 

Por megjithatë, në kujtesë edhe të kolegëve që janë në këtë sallë, duhet të dimë që ne kemi nënshkruar një marrëveshje politike me Partinë Demokratike në dhjetor të vitit 2014, ku të vetmin angazhim që kishte dhe ka Partia Demokratike është të qëndrojë në sallë dhe të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Ndaj arsyeja se përse ato ikën sot ka të bëjë me atë që tha kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me mungesën e kauzës. Tërësisht në mungesë kauze një parti që vjen në Parlamentin e Shqipërisë dhe merret me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ne na bën mirë sepse japim leksione demokracie dhe për ata që demokracinë nuk e njohin në partinë e tyre. 

Faleminderit!

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut