Është laboratori më i madh edhe më modern i kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin. Jam këtu për të falënderuar drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësit e policisë që u morën imtësisht, ditë për ditë, me profesionalizëm dhe përkushtim për arritjen e këtyre rezultateve të shkëlqyera, duke konkluduar me mjaft sukses këtë operacion.
Është një hetim i plotë dhe i gjithanshëm që dëshmon më së miri profesionalizmin e oficerëve të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe veçanërisht krimit të organizuar, në luftën kundër grupeve kriminale, në luftën trafikimit të lëndëve narkotike, siç është dhe kjo.
Pas Lazaratit, pas Dukagjinit, pas punës që bëri Policia e Shtetit për të zhdukur çdo rrënjë kanabis në Republikën e Shqipërisë, rezultatet flasin mjaft fortë për suksesin e Policisë së Shtetit kundër drogave të forta, siç është edhe sasia e kapur në këtë operacion.
Operacion që, nga ana tjetër, tregon edhe integritetin e Policisë së Shtetit dhe flet shumë qartë për prerjen e lidhjeve ndërmjet botës së krimit dhe Policisë së Shtetit. Këtu flasim për një hetim disamujor, i konkluduar me sukses, por që nuk do të ndodhte kështu, siç nuk ka ndodhur në të kaluarën, në rast se Policia e Shtetit do të ishte e zhytur, siç ka qenë në të kaluarën, deri në fyt në lidhje me botën e krimit. Rezultate të tilla flasin për punë pa dekonspirim, për punën me integritet të lartë dhe me përkushtim të lartë, duke goditur në zemër krimin e organizuar, siç është edhe ky operacion.
Operacion që gjithashtu flet më së miri për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe policive të vendeve të rajonit, sepse është një operacion disamujor që zhvillohet bashkë me partnerët, gjë që flet për besimin e partnerëve në Policinë e Shtetit. Gjë që deri dje nuk ka ekzistuar, sepse informacioni në Policinë e Shtetit
shitej për shkak të lidhjeve kriminale dhe për shkak të zhytjes deri në fyt të Policisë së Shtetit në botën e krimit. Hetimi do të vazhdojë. Do të vazhdojë edhe me pasuritë dhe asetet kriminale që ka prodhuar ky aktivitet kriminal, sepse ne besojmë shumë fort që goditja më e madhe që mund t’i japim botës së krimit është hetimi dhe sekuestrimi i pasurive që vë bota e krimit si pasojë e aktivitetit kriminal.
Ndërsa për sa i takon vajtoreve politike që keni dëgjuar shpesh, ky operacion flet shumë më qartë dhe shumë më fortë sesa çdo deklaratë politike e deritanishme. Ndaj unë jam këtu për të bërë dhe njëherë një thirrje për të gjithë ata që shfrytëzojnë çdo gjë dhe dalin sulmojnë Policinë e Shtetit nga vajtoret politike, të heshtin dhe të lënë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën e saj, në mënyrë të qetë; të lënë punonjësit e Policisë së Shtetit të bëjnë detyrën e tyre pa presionin e politikës dhe pa sulmet e politikës, që sot kanë mundësinë të dëshmojnë rezultatet ekzemplare dhe historike të suksesit të punës së Policisë së Shtetit që deri dje nuk ndodhnin.
Droga këtu ka qenë, siç është rasti i kanabisit. Drogat e forta këtu kanë qenë, siç dëshmon edhe ky rast. Por tani, ajo që ka ndryshuar është profesionalizmi i punonjësve të policisë, përkushtimi i punonjësve të policisë, pastërtia dhe integriteti i punonjësve të policisë, të cilët sot luftojnë krimin dhe nuk bëjnë atë që bënin deri dje, që ndanin paratë e drogës, ca për botën e krimit dhe ca për shefat e policisë.
Ky është një operacion që duhet të na bëjë krenarë të gjithëve, sepse dëshmon më së miri që Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe në ballë të luftës kundër krimit të organizuar, kundër mafies, duke goditur në zemër ata që deri dje kanë si kanë dashur se Policia e Shtetit s’ka qenë në krye të detyrës.