Ju keni qenë dhe jeni gjithmonë, forca jonë më frymëzuese, forca jonë më transformuese, më lëvizëse, forca e ndryshimit dhe motivimi ynë i përditshëm për një Shqipëri më të sigurt, për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të begatë që u jep shanse të gjithëve dhe në radhë të parë të rinjve dhe të rejave tona.
Të dashur të rinj dhe të reja! Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mundet të jetë një fatkeqësi për vendin. Pra, e ardhmja e atij vendi nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen sociale, për stabilitetin dhe përmirësimin e vendit të tij dhe të qytetarëve të tij.
Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur, as me arrogancën e njërës palë, as me ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara nga të gjithë.
Ndaj ne nuk do të kursejmë të gjitha energjitë tona, nuk na dhimbsen as karriget tona, që nga karrigia e Ilir Metës, Ministrave të LSI-së, për t’i dhënë një zgjidhe të ndershme politike Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për t’u mos u bërë turpi i Evropës në vitin 2017.
Ne duam të bëjmë dhe kemi detyrim të bëjmë çdo gjë për të rinjtë tanë. Për fëmijët tanë. Duhet t’i japim një shans të gjithë të rinjve dhe të rejave të këtij vendi që nuk e kanë njohur diktaturën. Që e ardhmja e tyre të mos shqetësohet nga hijet e së kaluarës. Që e ardhmja e tyre të mos pengohet nga arroganca dhe njëkohësisht nga kokëfortësia, që vetëm e vonon Shqipërinë dhe shqiptarët të jenë një vendin normal, një vend në paqe, një vend i stabilizuar dhe një vend funksional.
LSI është krenare, sepse është forca politike që ka investuar dhe promovuar më shumë te të rinjtë për përfaqësimin e tyre në Parlament. Dhe unë dua të falënderoj Kejdin dhe Silvën për përfaqësimin, që ata u kanë bërë të gjithë juve. Për përfaqësimin në pushtetin vendor. Mjafton të kujtojmë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës për të kuptuar besimin që LSI u jep të rinjve, por edhe modelin shembullor që përfaqësojnë të rinjtë e LRI-së dhe LSI-së kudo ku ata janë.
Unë kam besuar gjithmonë te të rinjtë, te forca dhe energjia e tyre transformuese dhe i kam nxitur gjithmonë që të marrin përgjegjësi. Të krijojnë modelet shembullore, sociale dhe politike të suksesshme, bazuar në aftësitë e tyre profesionale, në meritokraci dhe në vendimmarrje. Ishte fuqia e të rinjve dhe studentëve që ndryshoi regjimin më të izoluar dhe më të ashpër të Evropës në vitin 1990 dhe jam i bindur se është fuqia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që nuk do të lejojë askënd që të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend.
Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë, sepse më krijon bindjen, se puna dhe sakrificat që unë kam bërë gjithë këto vite në politikë nuk kanë shkuar dëm.
Gëzohem kur dëgjoj Floidën, kur dëgjoi Klevin, kur dëgjoi Fionën, kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja të cilët tregojnë se Shqipëria ka të ardhme, se rinia e Shqipërisë do të marrë në dorë fatet e saj dhe fatet e vendit.
Ju keni hartuar një manifest vizionar për arsimin dhe punësimin e të rinjve dhe ne e mbështesim atë plotësisht. Ju keni qenë dhe do të jeni gjithmonë zëri i gjimnazistëve për një Maturë Shtetërore, që i jep shansin çdo të riu dhe të reje që të shkojë në universitet sipas meritës dhe dëshirës pas një procesi të drejtë dhe transparent provimesh dhe testesh pranimi. Ekonominë e dijes që duhet të përqafojmë dhe të zhvillojmë vendin tonë nuk mund ta realizojmë nëse vrasim
edhe ëndrrën e një maturanti të vetëm për të patur shansin të studiojë në profilin që dëshiron dhe meriton.
Ashtu sikurse asnjë maturanti të talentuar nuk mund të t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij apo e saj nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të vazhduar studimet dhe t’i detyrojmë të shkojnë në universitete private. Jo!
LRI dhe LSI janë të bindur se reforma në arsim nuk është thjesht një set ligjesh dhe rregullash në letër, por mbi të gjitha duhet të jetë një reformë e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë sonë për 20-30 vitet e ardhshme.
Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore në universitetet publike për t’u dhënë një shans më shumë të gjithë studentëve dhe familjeve të tyre, të përballojnë kostot e studimeve, duke rritur ndjeshëm buxhetin për arsimin si një nga prioritetet tona absolute për të ardhmen.
Është obligimi ynë më madhor të investojmë sot tek edukimi i rinisë dhe të krijohen modele sociale të suksesit për të rinjtë tanë se vetëm kështu ju do të jeni të aftë t’i fitoni sfidat e ardhshme dhe Shqipëria të jetë e sigurt në lidershipin tuaj.
LSI ka një plan integral investimesh për arsimin ku synohet ringritja dhe fuqizimi infrastrukturor dhe akademik i gjithë sistemi tonë, nga ai parashkollor deri te kampuset universitare moderne, që ende na mungojnë. Për ne, politika jonë për arsimin nuk do të ishte e plotë nëse nuk do t’i kushtonim rëndësinë që meriton revolucioni të dijes, inovacionit dhe mbështetjes financiare për sipërmarrjet e reja të drejtuara nga të rinjtë dhe të rejat në të gjithë Shqipërinë.
Për ne si LSI dhe LRI, deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe për një familje të shëndetshme.
Prandaj të dashur të rinj dhe të reja të LRI-së, kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.
E atyre që dinë të ndezin dhe të mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim u thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit.
Është koha për të goditur një herë e mirë apatinë dhe mosbesimin për t’i dhënë një shans të gjithë shqiptarëve për të folur me votën e tyre se si duan të qeverisen.
Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën, sepse kanë lindur në pluralizëm dhe që nuk mund të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë, ku kanë të drejtë vetëm të votojnë formalisht, por jo të zgjedhin.
Ndërsa politikanët zihen e shahen dhe harxhojnë energji të pashtershme me retorikat e tyre boshe, njerëzit e thjeshtë, prindërit tuaj, por edhe ju vetë kërkoni një shans për një edukim më të mirë dhe për punësimin tuaj për të mundur varfërinë dhe kostot e jetesës.
Të gjithë ju dhe të gjithë ne kërkojmë një Shqipëri pa drogë, dhe një Parlament që të përfaqësojë qytetarët dhe jo krimin e organizuar apo lobet ekonomike, që po atrofizojnë lirinë ekonomike dhe të sipërmarrjes në vend përmes monopoleve, përmes koncesioneve dhe ekraneve të kapura.
Në 18 qershor qytetarët shqiptar kërkojnë një shans që pas 4 vitesh politikanët të heshtin dhe ata të dëgjohen dhe ata të vendosin. Ndaj kjo është koha juaj, e të rinjve dhe të rejave. Është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Lum kush e dëgjon zërin e tyre dhe reflekton se ne kurrë nuk mund të lejojmë që zgjedhjet e lira dhe demokracia të bëhen kurban në këtë vend.
Në mënyrë që liria e medias dhe e fjalës së lirë të mos kthehet në një farsë. Në mënyrë që liria ekonomike të mos mbetet në letër. Në mënyrë që drejtësia e pavarur të mos kapet nga askush. Ndaj jemi sot më të vendosur se kurrë që vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara dhe kurrsesi drejt një zgjedhjeje arrogante dhe arbitrare.
Sepse demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë.
Rroftë Lëvizja Rinore për Integrim.
Faleminderit për gjithë mbështetjen që i jepni LSI-së, që i jepni LRI-së dhe ju ftojmë që sa më shumë përfaqësues të LRI-së të jenë në Parlamentin e ardhshëm, sepse Shqipëria ka nevojë për deputet të rinj dhe të reja me vizion, me pasion dhe atdhedashuri. Ka nevojë për intelektualë, nuk ka nevojë Shqipëria për deputetë me rekorde kriminale, nuk ka nevojë Shqipëria për deputet biznesmenë, që vijnë vetëm për tendera dhe për t’i vënë gjoba qeverisë dhe Parlamentit.
Edhe një herë faleminderit shumë, përshëndetje të gjithë familjeve tuaja, të gjithë të rinjve dhe të rejave dhe suksese në provime.