Fjala e Ramës në Pukë

Faleminderit që jeni mbledhur këtu. Unë jam shumë mirënjohës për Gjonin, kryetarin e ri të Bashkisë së Pukës, i cili ashtu si kolegë të tjerë në Shqipëri kanë përballuar punëra nga më të ndryshmet dhe më të ngatërruarat, por nuk kanë lënë mënjanë një punë që është vonuar për 25 vjet, dhënia e akteve të pronësisë mbi tokën të gjithë atyre që jetojnë në fshat. Ndonëse e kanë marrë tokën në përdorim, por asnjëherë nuk kanë pasur mundësi t’i gëzohen asaj si pronës tyre legjitime, të trashëguar nga të parët e tyre, por edhe të merituar për shkak të punës, mundit, sakrificave të gjithë këtyre viteve me tokën.

 

Ky është një moment vërtetë solemn për familjet që më në fund bëhen pronare të tokës, por ju siguroj se ne nuk do të rreshtim deri kur familja e fundit në territorin e Shqipërisë, që jeton me token, të mos jetë bërë pronare e saj, duke e pasur tokën jo vetëm fizikisht në përdorim, por edhe si titull legjitim pronësie në hipotekë.

 

Më vjen shumë mirë po ashtu që në këtë bashki, ku për vite e vite te tëra nuk u vu dorë, sot po jetohet fillimi i një transformimi të ndjeshëm dhe të dukshëm për të gjithë dhe pse, sigurisht, problemet e të gjitha natyrave janë të mëdha dhe zgjidhjet e tyre kërkojnë shumë më tepër kohë, sesa koha që ka pasur në dispozicion kryetari i ri i bashkisë.

 

Një gjë që është e vërtetë, është një gjë që duket, që preket dhe që unë kam mundur ta shoh edhe nga puna me kryetarin bashkisë, qoftë me Gjonin në Bashkinë e Pukës, qoftë në Franin në Bashkinë e Fushë Arrzit.

 

Jam i kënaqur që këtu rruga e solli që të mos jem vetëm. Kam ardhur me disa miq nga Malësia e Madhe, me kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, Toninin, të cilët po i bëjnë vërtetë të gjithë respektin zgjedhësve të tyre, me një punë shumë serioze. Me Gjonin e Bashkisë së Pukës, një kryetar bashkie që nuk di vetëm të ankohet dhe të kërkojë, por mbi të gjitha di që ankesat dhe kërkesat t’i shoqërojë me projekte. Bashkia e Pukës është një bashki që renditet ndër më cilësoret sot, nga pikëpamja e administrimit të vetvetes, sepse është nga bashkitë që ka përgatitur në një kohë të shkurtër, shumë projekte, nga të cilat ne me shumë bindje se do t’i vijnë në ndihmë të madhe këtij komuniteti kemi financuar disa prej tyre, do vazhdojmë të financojmë edhe të tjera.

 

Mos mendoni që rruga për të ardhur deri këtu do të jetë kështu. Do bëhet edhe kjo patjetër, sepse është një rrugë që lidh qendrën e bashkisë me një komunitet shumë të madh këtu në Gjegjan. Sigurisht të gjitha duhen, por çdo gjë me radhën e vet.

 

Së shpejti do fillojë puna në terren për një projekt shumë të rëndësishëm dhe besoj se do ketë një impakt të madh për Pukën, projekti i transformimit rrënjësor të gjithë qendrës së Pukës, e cila sot është tërësisht e lënë në harresë qysh prej kohës së mëparshme, kam parasysh para fillimit të demokracisë dhe ka një potencial shumë të madh për shkak të liqenit. Projekti do të jetë një projekt pak i pazakonshëm në kuadrin e projekteve të Rilindjes Urbane për qendrat e bashkive të reja. Në fakt do të jetë e dyta bashki e re, që qendrën do e ketë të lidhur me liqenin, siç po ndodh edhe me Bashkinë e Belshit.

 

Është një fat shumë i madh për një qytet të vogël që të ketë një pasuri aq të madhe, saç është një liqen në mes të qytetit. Ne do ta kthejmë këtë, në një fuqi ekonomike të rëndësishme, sepse do të behet motor i një transformimi të Pukës nga një zonë e harruar, e varfër, pa mundësira reale zhvillimi në këto kushte, në një prej destinacioneve të rëndësishme turistike të Shqipërisë së veriut. Besoj se ju jeni ngopur e mbingopur duke dëgjuar nga ata që vijnë nga Tirana, 25 vjet rresht duke ju thënë “Puka turistike”, por, në fakt, turistike Pukën e bëri vetëm Zoti apo natyra, për ata që s’besojnë në Zot, se po të jetë për njeriun, ai këtu bëri çfarë mundi. Flas për të gjithë ata që patën mundësi të bënin diçka për Pukën - këtu kam parasysh në radhë të parë, qeveritë në Tiranë, - që vetëm turistike të mos ishte kjo zonë.

 

Patjetër që nuk është vetëm qendra, nuk është vetëm qyteti. Bashkia e re sot është dhe qytet dhe fshat bashkë. Falë reformës administrative-territoriale, ne sot kemi një potencial të madh edhe njerëzor, edhe natyror, edhe ekonomik, në raport me çfarë kishim me ndarjen e vjetër, ku njësitë ishin shumë të vogla, shumë të fragmentuara dhe nuk kishte mundësi për të bërë as politika të vërteta zhvillimi dhe as investime që të ndiqnin njëra-tjetrën, me një rend të arsyeshëm. E vërteta është që po të marrësh e të llogarisësh paratë që janë shpenzuar në vite në të gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe këtu, në raport me çfarë ka mbetur këtu, është për të vënë duart në kokë.

 

Sidoqoftë, le të mos flasim për të shkuarën, të flasim për çfarë duhet të bëjmë përpara. Duke iu përgjigjur me kënaqësi ftesës të Gjonit që të vija deri këtu, -unë e di pse më solli Gjoni këtu, ka bërë gati sot rreth 700 certifikata, - por më edhe që të provoj gjithë vuajtjet e rrugës. Sidoqoftë nuk do harroj këtë udhëtim “turistik” që bëra për të ardhur deri këtu.

 

Përveç certifikatave, ne duam shumë të angazhojmë bashkitë për një program të ri të qeverisë për zhvillimin e familjeve të fshatit nëpërmjet investimeve. Buxheti i shtetit, sikur me mendje se bashku të bëjmë një projeksion sa do rritet buxheti në 50 vjet, e ka pamundur të mbulojë nevojat që ka çdo familje në fshat për të investuar në bujqësi e blegtori. Edhe Gjermania, edhe Franca, edhe vendet e mëdha superfuqi ekonomike, kur vjen puna tek bujqësia, tek blegtoria, tek mbështetja ndaj fermerëve nuk bazohen thjeshtë te buxheti shtetit, por tek format alternative të financimit.

 

Ne kemi garantuar një fond që është potencialisht i barabartë me aq sa buxheti i shtetit nuk do mund të mblidhte as në 50 vjet, për të mbështetur familjet fermere. Një fond i garantuar në bashkëpunim më Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe gjashte banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Fondi është në dispozicion të të gjithë atyre që do aplikojnë për zhvillim në bujqësi dhe blegtori, jo vetëm të atyre që janë sipërmarrës të mëdhenj, që kanë ferma e struktura të mëdha të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, por dhe të më të vegjëlve. Ky është qëllimi.

 

Ndryshimi nga më parë, - sepse bankat aty kanë qenë edhe më parë, - është se, nëse më parë për një fermer ishte e pamundur të trokiste në derën e bankës për shkak se interesat dhe kushtet janë normalisht të pafavorshme dhe nuk del llogaria, sot ne kemi krijuar një fond kombëtar garancie, pra, shteti ka vendosur një sasi parash në dispozicion të fermerëve si fond garancie. Që do të thotë që kreditë e marra nga bankat do të jenë të garantuara nga shteti. Janë disa skema brenda këtij programi, duke filluar nga pagesa e drejtpërdrejtë e interesave që bën shteti për llogari të fermerit, deri te zbutja maksimale e tyre e me radhë të tjera.

 

Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast, jo vetëm për ju që jeni këtu, por edhe për t’i thënë të gjithë atyre që jetojnë në fshat, që është një kohë e re, nuk mund të presim çdo gjë nga shteti. Por ndërkohë shteti ka bërë një lëvizje të madhe në drejtimin tuaj, duke garantuar kreditë për ju. Prandaj duhet filluar menduar pak ndryshe, jo duke pritur subvencionet e famshme, por duke bërë projekte dhe duke aplikuar për të marrë kredi të favorshme. Kredi të favorshme që nuk do t’i merrni ju nëpër banka, por do t’ i marri shteti, qeveria, për llogarinë tuaj. Ju thjeshtë duhet të depozitoni projekte dhe të bëni aplikimet tuaja, me ndihmën e bashkisë tek Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e cila do të bëjë ndërmjetësin ndërmjet jush dhe bankave.

 

Janë 300 milionë euro të mundshme për t’u marrë. Ato mund të rrinë aty edhe pesë vjet, në qoftë se nuk jemi ne të interesuarit që të nxisim këtë proces dhe nëqoftëse familjet fermerë nuk lëvizin në këtë drejtim. Nuk janë financime që kanë barrë të madhe përgjegjësie dhe krijojnë pasiguri. Janë financime shumë të buta dhe shumë të sigurta, por kërkohet pak më shumë vëmendje dhe më shumë investim brenda për brenda fermës, për të ditur ekzaktësisht si bëhet një projekt, në qoftë se do të shtosh krerët e dhenve, në qoftë se do të kultivosh një kulturë të caktuar, apo si aplikohet në një bankë. Për këtë, edhe bashkia do të bëjë asistencën e vetë.

 

Dua t’ ju siguroj që ne kemi bërë jo pak, por nëse këtu në këtë sallë do të bënim një garë se kush është më i pakënaquri, e fitoja unë garën. I pakënaqur, në kuptimin sa shumë gjëra duhet të bëjë qeveria jonë për njerëzit, për zona të ndryshme, për komunitetet. Ka komunitete sot që akoma nuk kanë parë asnjë lloj ndryshimi dhe nuk janë pak. Ka fshatra që mund të shohin në televizor gjëra të bukura që bëhen, mund të dëgjojnë për ndryshime që ndodhin, por njerëzit mund të thonë po tek ne nuk ka ndodhur asgjë.

 

Është e vërtetë dhe besoj nuk është e parëndësishme që ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Unë jam shumë i vetëdijshëm për këtë, por, nga ana tjetër, ashtu sikundër fara e grurit që prodhon bazën e jetës së njeriut thuajse mezi duket kur e sheh me sy, për t’u bërë bukë në tavolinë ka nevojë për një punë, ka nevojë për një hyzmet, ka nevojë për një kohë, ashtu dhe transformimi i një realiteti nga ai që ne trashëguam, me një mal me borxhe, me një situatë energjetike që ishim në prag të kolapsit, me rrezikun që Shqipëria në nëntor-dhjetor të vitit 2013 të mund të mos paguante më rrogat dhe pensionet, me situatën në çdo sektor të degraduar në maksimum.

 

Mjafton të thoni një sektor dhe është shumë thjeshtë që t’i kthehemi mbrapa memories tonë vetëm tre vjet, për të parë se ndryshimi që ka ndodhur është realisht një ndryshim me rëndësi. Ju të gjithë sonte do jeni nëpër shtëpi, të gjithë keni probleme, mungesa, nevoja dhe nevojat i përballoni duke pasur parasysh mundësitë financiare dhe duke i shpenzuar të ardhurat aty ku është më e domosdoshme, me shpresën se nesër do keni më shumë. Kështu është dhe Shqipëria që kemi trashëguar, një shtëpi si secila nga shtëpitë tuaja. Është një shtëpi e varfër, me plot probleme, me plot mangësi, por që gjëja më e rëndësishme është që sot nuk rri mbi themele tërësisht të kalbura, si ato që ne gjetëm, që rrezikonin ta shembnin shtëpinë, borxhet të pafundme e një situatë rrënimi në çdo sektor.

 

Sot, ne jemi të vetëdijshëm që kemi forcuar themelet e shtëpisë sonë të përbashkët, duke filluar të bëjmë shtet. Të bëjmë shtet në mënyrë që qytetarët të mos jenë vetëm dhe në çdo sektor të kenë shtetin në krah. Jemi ende larg asaj që besoj unë do arrijmë sëbashku, por kush ka sy dhe kush ka vesh e kush ka arsye për të bërë krahasimin, e bën kollaj dhe e kupton që gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. Punët po bëhen me përkushtim, me gabime patjetër, me të meta patjetër, por me përkushtim dhe me rezultat.

 

Dje ishim në Malësi të Madhe. Filluam një rrugëtim nga poshtë deri në majë në Vermosh. Edhe aty ka patjetër shumë probleme, por krahasuar me udhëtimin e parë që kemi bërë, pasi fituam zgjedhjet, me Paulinin, situata është krejt ndryshe për nga pikëpamja e shumë gjërave, edhe nga vetë shpresa dhe bindja e njerëzve që gjërat kanë filluar të lëvizin. Sot, në atë aks lëvizin shumëfish më shumë njerëz, udhëtuar, turistë. Kanë filluar dhe po shtrihen bujtinat mikpritëse, që i kthejnë familjet e varfra dhe të izoluara në biznese familjare. Ka filluar interesimi i atyre që kanë ikur, për të investuar në atë zonë. Me përfundimin e rrugës së re deri në majë, kjo do të shtohet dhe kështu do të ndodhi edhe këtu dhe në të gjitha zonat e tjera.

 

Ajo që është shkatërruar në 20 e kusur vite nuk mund të ribëhet vetëm për 3 vjet dhe të bëhet ashtu siç duhet të ishte sot, po të kishin filluar këto reforma  dhe kjo punë 20 e kusur vite më parë. Por nëse u dogjëm 20 e ca vjet, nuk kemi pse të përsërisim po të njëjtën histori dhe të digjemi dhe për 20 e ca vite të tjera.

Reformat që duheshin bërë dhe nuk u bënë, tani po bëhen. Reformat janë të dhimbshme, janë të vështira, janë të bezdisshme. Ato nuk janë festa, nuk e sjellin rezultatin menjëherë, por ama kanë filluar që tani të japin rezultate.

 

Deri dje, ne nuk kishim më investime asgjëkundi në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Sot kemi filluar të investojmë vetë. Deri dje, ata që paguanin energjinë, e paguanin edhe për ata që nuk e paguanin, ose e vidhnin. Dhe e paguanin dyfish, sepse paguanin faturën e vet, paguanin edhe nëpërmjet qeverisë 150 milion dollarë çdo vit që të mbushej gropa që hapej e hapej nga mospagesat e vjedhjet. Sot këto para spostohen në drejtime të tjera, për të bërë më shumë punë, për të bërë më shumë për njerëzit.

 

Unë ju jam shumë mirënjohës juve dhe të gjithë atyre që duke e kuptuar dhe duke e parë me dashamirësi punën tonë, padyshim edhe dukë vënë re gabime dhe të meta, janë baza motivuese e gjithë kësaj punë të madhe dhe shumë të vështirë. Kështu që unë ju jam mirënjohës. E di shumë mirë se në çfarë vështirësish jetoni në këtë komunitet, por të jeni të sigurt që, nëse 20 e kusur vite ju u harruat dhe u tradhtuat, të paktën një gjë është e sigurt, askush nuk ju harron.

 

* * *

 

Në Gjegjan të Pukës u shpërndanë 700 certifikata të pronësisë mbi tokën bujqësore. Në shpërndarjen e tyre ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama. Njësia administrative Gjegjan përbëhet nga 10 fshatra, me afërsisht 5000 banorë. Si edhe në shumë zona të tjera të vendit, edhe në Pukë, kjo çështje përbën një nga problematikat kryesore të familjeve në fshat. Përfituesit e sotëm nënvizuan faktin se për një periudhë 7 mujore u arrit të pajisen me certifikata pronësie, gje që nuk është bërë për 25 vjet. 

 

Në mbyllje të takimit, Kryeministri i garantoi për mbështetjen e plotë të qeverisë për projektet që do të shtrihen në të gjithë bashkitë e reja të veriut. “Bashkinë Pukë, në bashkinë Fushe-Arrëz, zonën e veriut në tërësi, ne e kemi plotësit në vëmendje. E plotësisht në vëmendje do të thotë që në mënyrë konstante komunikojmë me kryetarët e bashkive, komunikojmë me prefektët, për të bërë më të mirën. Më e mira do bëhet, vetëm mos harroni, duhet punë, duhet mundim, duhet dhe pak më shumë durim, sepse kur njeriu ka 25 vjet që pret, edhe durimi ka sosur.”   ​

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri