Fjala  e Saimir Tahirit në aktivitetin e zbatimit të “Komisariatit Dixhital”

"Siguria nuk mund të jetë kurrë një sipërmarrje vetëm e jona, vetëm e institucioneve, vetëm e Policisë së Shtetit, por duhet të ishte një sipërmarrje e shoqërisë, ku individi ka një rol kyç në këtë drejtim.
Ne e dinim që vështirësitë për të mbërritur deri këtu kanë qenë kolosale në të kaluarën përsa kanë të bëjnë me besimin, përsa kanë të bëjnë me transparencën, përsa kanë të bëjnë me efektivitetin, përsa kanë të bëjnë me korrupsionin, përsa kanë të bëjnë me burokracinë.
Ne e dinim që kjo mund të bëhej vetëm duke ndërtuar një hapësirë teknologjike, për t’i dhënë qytetarëve një instrument të fuqishëm në dorë, të thjeshtë por të  fuqishëm.
Kjo nuk mund të bëhej pa dedikim, nuk mund të bëhej pa pasionin  dhe  dedikimin për të ndërtuar këtë hapsirë ku qytetari është zot i iniciativës së tij, ku mund t’i japë fuqi veprimit të tij, ku qytetari e ndien efektivitetin, eficencën e veprimit të tij.
Ne e dinim që do shkonim deri këtu vetëm duke ndryshuar rrënjësisht mundësinë që na jep qytetari për të vepruar në kohë me efektivitet.
Ne e dinim që mënyra më e mirë ishte  të ndërtonim “Komisariatin Dixhital” që nuk është vetëm një zgjidhje teknologjike e thjeshtë në dorën e njeriut, nuk është vetëm “polici virtual” në dorën e njeriut, por është një mënyrë tërësisht tjetër për të ndërtuar botëkuptimin tënd rreth zbatimit të ligjit, për të ndërtuar një qasje tjetër për qytetin, rrugët, për të ndërtuar një mënyrë tjetër më efektive për të respektuar ligjin vetë ti, dhe për të pritur nga të tjetër që të respektojnë ligjin po njëlloj.
Një instrument që sigurisht nuk njeh të pabarabartë, nuk njeh korrupsion, nuk  njeh kufizim në hapësire apo kohë, nuk njeh barriera burokratike, nuk njeh ndalesa.
Një instrument që të ndryshon botëkuptimin rreth teje, të ndryshon mënyrën e të të perceptuarit të veprimit tënd në raport me njerëzit, në raport me institucionet, në raport veçanërisht me Policinë e Shtetit.
Të mundëson që t’i japësh fuqi veprimit tënd, për të respektuar rregullin, për të respektuar ligjin, dhe të presësh po njëlloj nga të tjerët që të respektojnë rregullin, të respektojnë ligjin dhe që bashkërisht ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt, një qytet më të qetë ku ligji respektohet nga të gjithë njëlloj, ku institucionet vihen vazhdimisht në test për të respektuar ligjin dhe ku ti merr mbrapsht raportimin ose përgjigjen e institucionit për të qenë aty, për ty, në momentin kur kjo ndodh.
Ne mendojmë që me “Komisariatin Dixhital” vërtet ndërtuam një instrument  të thjeshtë ku bashkë me ekspertët më të mirë të Vodafonit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit analizuam sjelljen e derisotme të institucioneve, të institucionit  në tërësi, të Policisë, të punonjësit të policisë, raportin që ky krijon me detyrën, raportin që ky krijon me qytetarin, raportin që krijon qytetari me veprimin e policisë.
Dhe menduam që zgjidhja më e mirë ishte krijimi i një hapsire ku nuk pengohet dot nga veprimi i njeriut dhe fitorja më e madhe e “Komisariatit Dixhital” është mungesa e çdo pengese që vjen kryesisht nga sjellja e njeriut atëherë kur kjo nuk shkon në të njëjtin drejtim me pritshmërinë e qytetarit.
Dhe me “Komisariatin Dixhital” ne kemi dhënë mundësinë njeriut  që të bëjë një sërë denoncimesh për çështje konkrete  të ditës, mund të denoncosh një parking të paligjshëm, mund të denoncosh një ndërtim pa leje, mund të denoncosh një vjedhje, mund të denoncosh një fenomen dhune, mund të denoncosh çdo lloj gjëje që të shqetëson duke pritur që policia të veprojë, por mbi të gjitha mund të denoncosh edhe vetë policinë, mund të denoncosh  punonjësin e policisë që nuk vepron dhe këtë vetëm duke përdorur telefonin tënd me një klik, mund të aktivizosh një sistem të tërë, që është Policia e Shtetit, një makineri të tërë me njerëz në zyra që janë në shërbim 24 orë  në 24 për të bërë të mundur që denoncimet e qytetarëve të marrin përgjigjen e duhur, përgjigjen e  duhur në kohë, me efikasitet dhe  është kjo arsyeja pse “Komisariati Dixhital” sot është një histori suksesi duke gjetur pikat e dobëta të raportit ndërmjet njeriut dhe institucionit, të raportit ndërmjet njeriut dhe ligjit të raportit, të raportit ndërmjet njeriut dhe Policisë së Shtetit, të sjelljes së Policisë së Shtetit dhe pritshmërisë së publikut për të ndërtuar dhe investuar besim te institucionet dhe veçanërisht te Policia e Shtetit.
“Komisariati Dixhital” u shndërrua në aplikacionin numër 1 në Play Store dhe në Appstore brenda një jave duke kapërcyer edhe aplikacione të tjera shumë më sociale sesa vetë “Komisariati Dixhital”  të tilla si Facebook , si ëhatsaap e  të tjera me radhë.
Pra, “Komisariati Dixhital” u shndërrua  shpejt në një mundësi të fuqishme për qytetarin për të denoncuar dhe për ta bërë jetën e tij shumë më të qetë për të parë dhe për të vepruar ndaj paligjshmërisë që shpesh ishte aty, na vriste sytë dhe nuk kishte mundësinë apo besimin për të vepruar.
“Komisariati Dixhital” ka ndërtuar besim te qytetarët, është kjo arsyeja, pse sot janë mbi 45 mijë shkarkime.
Është kjo arsyeja pse ka rreth 14 mijë denoncime, është kjo arsyeja pse njerëzit vazhdojnë të denoncojnë në “Komisariatin Dixhital”.
Duke na kthyer mbrapsht mirënjohjen për aplikacionin që kemi ndërtuar dhe mundësinë të kuptojnë si mund të jemi më efektiv ndaj qytetarëve.
45.000 mijë shkarkime të “Komisariatit Dixhital”, janë 45.000 mijë qytetarë që sot kanë një mundësi më shumë për të vepruar ndaj paligjshmërisë, sot kanë një mundësi më shumë për të qenë të fuqishëm të aktivizojnë mekanizmin e Policisë së Shtetit, e institucioneve në tërësi, për të pasur veprim në kohë efektivitet dhe për të ndëshkuar paligjshmërinë, por ndërkohë për të monitoruar veprimin e Policisë, për të monitoruar mundësinë që ka Policia e Shtetit për të vepruar dhe kjo bëhet nëpërmjet një seti të tërë sistemesh, njerëzish, të cilët janë aty 24 orë në 24 për të bërë të mundur që qytetari të marrë mbrapsht benefitin e të investuarit në sigurinë e përbashkët.
Dhe mbi të gjitha kjo bëhet edhe nëpërmjet transparencës.
Ju e dini fort mirë se sa e vështirë ka qenë në të kaluarën që të ndërtoje besimin tek institucionet apo tek Policia e Shtetit, duke qenë i sigurtë që je anonim dhe duke qenë i sigurt që ti ke mundësinë të monitorosh Policinë e Shtetit.
Ju e dini se sa e vështirë ka qenë qasja e individit tek institucionet, tek Policia e Shtetit. Sa e vështirë ka qenë marrëdhënia ndërmjet denoncuesit dhe punonjësit të Policisë që e priste.
Detyroheshe të shkoje tek institucioni, detyroheshe të prisje me orë të tëra, detyroheshe të flisje me njerëz që shpesh herë përgjigjeshin pa etikë ose në mënyrë jo korrekte, me njerëz që ndoshta nuk vepronin në kohë.
“Komisariati Dixhital” i jep zgjidhje këtyre fenomeneve, por mbi të gjitha është i pakorruptueshëm.
“Komisariati Dixhital” nuk ka një shef nuk ka një drejtor, nuk ka një njeri të cilin mund ta marrësh në telefon dhe t’i kërkosh kompromis, apo t’i kërkosh një nder, apo t’i kërkosh që të fshehë gjobën, mos ta bëj gjobën në emër të miqësisë, në emër të korrupsionit.
“Komisariati Dixhital” nuk i ka të gjitha këto, është praktikisht një instrument që fillon dhe mbyllet tek veprimi i qytetarit, tek fuqia e tij për të vënë në test Policinë e Shtetit që të zbatoj ligjin dhe të garantoj siguri për të gjithë njerëzit.
“Komisariati Dixhital” nuk të jep mundësinë që të bësh kompromise me paligjshmërinë.
Kjo shprehja që keni pas meje (i pakorruptueshëm) nuk është e shpikur, është e vërtetë.
Është e vërtetë që njerëzit as e konceptonin përpara se sa të lindte “Komisariati Dixhital” se mund të kishin një instrument të cilit nuk ja gjenin dot anën, nuk e korruptoje dot, nuk ja merrje dot me miqësi me kompromis.
“Komisariati Dixhital” është thjesht një mundësi automatike, transparente për të bërë të mundur që qytetarët të jenë aktiv, të ndërrojnë botëkuptimin e tyre në raport me veten, në raport me rregullin në qytet, në raport me paligjshmërinë, në raport me të pandëshkueshmit deri më sot.
“Komisariati Dixhital” është thjesht një mundësi e jona, për të qenë më të mirë, e për të ndërtuar një mjedis më të mirë rreth nesh, një Shqipëri shumë më të sigurtë dhe ku paligjshmëria ndëshkohet.
“Komisariati Dixhital” është thjesht një ndër ne, nuk ka një fytyrë të vetme.
“Komisariati Dixhital” ka fytyrën e secilit prej nesh. Ka fytyrën e çdo qytetari që mundohet të jetë më aktiv për të ndërtuar sigurinë e përbashkët, më aktiv për të mos lejuar paligjshmërinë, ka fytyrën e qytetarit që do dhe ka mundësi të ndëshkojë ata që nuk bëjnë si vetë ai, pra ata që shkelin ligjin.
“Komisariati Dixhital” është mundësia jonë për të qenë më të mirë në raport me institucionin, në raport me detyrën, në raport me pritshmërinë e publikut, në raport me ligjin, në raport mbi të gjitha me qytetarët dhe pritshmërinë e tyre.
Është kjo arsyeja pse sot “Komisariati Dixhital” është sot një mundësi e thjeshtë, tepër e fuqishme në dorën e qytetarit për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë.
Është kjo arsyeja pse ne mendojmë se duhet të shkojmë në nivelin tjetër dhe të fillojmë të promovojmë nivelin pozitiv të qytetarëve aktiv që kontribuojnë bashkë me ne për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë dhe brenda pak kohësh “Komisariati Dixhital” do të ofrojë mundësinë, që qytetari që denoncon dhe denoncimi është pozitiv, pra i vërtetë dhe ndëshkohet nga policia, qytetari të shpërblehet, të shpërblehet ndoshta me kohë bisede falas, me mesazhe falas, me internet falas dhe kjo jo për të shpërblyer denoncimin, por për të konsoliduar modelin, modelin e njeriut pozitiv dhe aktiv në raport me qytetin në raport me paligjshmërinë, njeriun që kontribuon bashkë me institucionet, bashkë me Policinë e Shtetit për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë.
Unë dua të falënderoj pa masë të gjithë ata në Policinë e Shtetit që punojnë 24 orë në 12, për të garantuar efikasitetin e “Komisariatit Dixhital”.
Dua të falënderoj pa masë ekipin e Vodafonit që na ndihmoi që kjo nisëm të ishte e tillë dhe sot të shërbejë si model për policinë e vendeve partnere në Bashkimin Europian na kërkojnë modelin që ndërtuar për ta implementuar edhe ata në shtetet e tyre.
Dua të falënderoj mbi të gjitha qytetarët që besojnë dhe vijojnë e besojnë se kjo mundësi që lind tek telefoni yt, që investon në Policinë e Shtetit dhe një sistem të tërë njerëzish, zyrash, mekanizmash dhe që përfundon tek kapaciteti ynë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurtë.
Faleminderit shumë të gjithëve!" - tha Tahiri

Fjala  e Edi Ramës në aktivitetin e zbatimit të “Komisariatit Dixhital”

"Sot ishte një moment për të bërë një bilanc të kësaj strukture të re, do ta quaja, që është thjesht një aplikacion, por që në 10 javë ka përfshirë një numër shumë të madh qytetarësh, në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, për të parandaluar apo për të ndëshkuar sjellje dhe veprime te paligjshme.
Faktikisht 14 mijë denoncime në 10 javë janë një shifër fantastike, për të besuar se ky aplikacion është një histori suksesi dhe për të besuar se në historinë e suksesit që po shkruan çdo ditë Policia e Shtetit, ka ende një hapësirë të madhe për t’u përmirësuar, për t’u sofistikuar dhe për t’u bërë shumë më të efektshëm në kohë reale në dhënie përgjigje të shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve, por edhe në konsolidimin e rezultateve.
Konsolidimi i rezultateve është pika më domethënëse që duhet të synojmë, në mënyrë që atë që arrijmë sot të mos e shohim të zhbëhet nesër, por nesër të vazhdojmë të ndërtojmë mbi atë që arritëm sot.
Sot, Policia e Shtetit me këtë instrument të ri që ka në dispozicion, ka arritur realisht që në kohë reale t’i japë përgjigje një numër të konsiderueshëm shqetësimesh dhe ankesash. Po ashtu në kohë reale të shënojë një numër suksesesh në parandalimin edhe të vrasjeve, për shkak të denoncimeve të menjëhershme të qytetarëve aktiv.
Ishte me rëndësi të kurorëzonim këtë moment publikisht për të vazhduar të punojmë në një drejtim që është drejtimi më i vështirë; drejtimi i ndërtimit të vazhdueshëm të besimit të qytetarëve që në rast se angazhohen në një bashkëpunim me policinë, ia vlen. Pra, ajo çka ata bëjnë me dije në stacionim më të afërt të policisë, nuk është një mundim i kotë dhe nuk është një përpjekje pa rezultat, përkundrazi është një mundim që ia vlen dhe është një përpjekje me rezultat.
Shifrat e këtyre dhjetë javëve flasin vetë. Tha diçka përfaqësuesi i Vodafone. Tha diçka Ministri i Brendshëm. Por, nëse hymë në të gjithë përmbajtjen e bazës statistikore, ka shumë gjera për të kuptuar dhe për të thënë. Sigurisht, koha është krejtësisht e pamjaftueshme për t’i rreshtuar të gjitha gjërat që janë për t’u thënë mbi bazën e asaj që kuptohet. Por, thelbi është që krijimi i këtij institucioni virtual në smartphone-ët e çdo qytetari, që e ka shkarkuar këtë aplikacion, ka sjellë një vlerë të shtuar me një rëndësi të madhe për Policinë e Shtetit.
Sigurisht që, ka ende përmirësime për të bërë nga pikëpamja e reagimit. Ka ende përmirësime për të bërë nga pikëpamja e monitorimit, qoftë të ankesave dhe të denoncimeve, qoftë dhe të cilësisë së reagimit, por është e sigurt që nëse në dhjetë javë ia kemi dalë të vendosim këtë gur themeli pa asnjë dyshim, gur-gur do të ngrihet një mur i madh i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve për të frenuar jo vetëm krime që çojnë në pasojë deri dhe humbjen e jetëve, por edhe sjellje që i bien ndesh ligjit dhe veprime të paligjshme, që i bien ndesh dëshirës të përbashkët komuniteteve për të jetuar në mjedise ku rendi ligjor është i padiskutueshëm.
Vlen që të përsëritet në vijimësi që Policia e Shtetit gjatë kësaj periudhe të këtij viti, po fillon të marrë frytet e një pune të ndërtuar me themel për rimëkëmbjen dhe rilindjen e saj në kuptimin më të mirë të fjalës. Nuk është pak, përkundrazi, është një e dhënë shumë inkurajuese që në gjashtëmujorin e parë të vitit ne kemi 50% në pak vrasje krahasuar me çdo vit qysh se kemi një regjistër statistikash. Pra, praktikisht, qysh nga viti 1992 dhe deri sot, çdo vit ka, krahasuar me gjashtë mujorin e parë të këtij viti, 50% më shumë vrasje. Kjo rënie drastike e numrit të vrasjeve është një e dhënë shumë inkurajuese. Ashtu sikundër është një e dhënë shumë inkurajuese vazhdimi me intensitet dhe me rezultate të prekshme ditë pas dite i betejës kundër drogës dhe trafikut të drogës. 
Është fakt që Shqipëria ka ndryshuar pozicion edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, nga një vend ku bashkëjetoi me drogën dhe me trafikun e drogës si me një normalitet të paatakueshëm, në një vend ku luftohet përditë, ku përditë ka rezultate, ku sigurisht ka ende shumë për të bërë, po padyshim mesazhi është shumë i qartë që; Nuk ka paqe në territorin e Republikës sonë mes atyre që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike dhe mes Policisë së Shtetit e qeverisë sonë. S’do të ketë paqe deri kur ky fenomen të bjerë në kuotat e konsideruara normale në mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.
Ashtu sikundër, nuk do të ketë paqe edhe beteja brenda Policisë së Shtetit me të gjithë elementët që nuk i përshtaten as moralit as vlerave dhe as objektivave që ka sot Policia e Shtetit. Janë 36 efektivë të Policisë së Shtetit që janë arrestuar vetëm në këtë 6-mujor si rezultat i kundërveprimit të vetë policisë ndaj elementëve që janë të padenjë për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe që meritojnë të ndëshkohen në bazë të ligjit. Është 11% e trupës që ne trashëguam sasia e elementëve të përfshirë në aktivitet të paligjshëm brenda Policisë së Shtetit. Në këtë aspekt nuk do të ketë paqe deri kur shkelja e ligjit nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit të jetë një eveniment dhe jo pjesë e rutinës së punës së përditshme. Në këtë aspekt, besoj, që ka ende shumë për të bërë. Po ashtu, urojmë që të shohim sa më shpejt të dalë në dritë dhe një tjetër hap i rëndësishëm i Ministrisë së Brendshme në drejtim të vënies në shfrytëzim dhe teknologjisë së re për të rritur cilësisht shërbimin dhe rezultatet e Policisë së Shtetit.
Hapi që konsiston në transformimin fizik të trupave të policisë që gjenden në terren përmes lidhjes me teknologjinë e re dhe përmes lidhjes online të çdo polici dhe të çdo efektivi, që është në terren me sallën operative të monitorimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Ky është një projekt shumë ambicioz, është një projekt i kushtueshëm, por që ne jemi të vendosur ta realizojmë dhe që do të fillojë, besoj, në vjeshtë me Tiranën. Gjithë efektivët e policisë së Tiranës do të jenë në terren, nuk do të jenë më të shkëputur, në asnjë sekondë, nga salla operatvie, por do të jenë të lidhur përmes kamerave që do të kenë në trup. I gjithë aktiviteti i çdo efektivi policie në terren do të jetë i monitorueshëm sekondë për sekondë në të gjitha aspektet, që nga vendndodhja, lëvizja, komunikimi me qytetarët, deri tek reagimi ndaj çdo sjelljeje apo veprimi që bie ndesh me ligjin në zonën e mbuluar nga çdonjëri prej efektivëve të policisë. Kjo do të sjellë, pa as më të voglin dyshim, një mundësi më të madhe për drejtuesit e policisë për të kuptuar efektivitetin e planit të shpërndarjes së forcave të policisë në terren, për të kuptuar efektivitetin e çdo patrulle dhe çdo efektivi që ka një detyrë në terren dhe për të kuptuar, po ashtu, edhe nivelin e efektivitetit në përdorimin e të gjitha mjeteve, automjeteve dhe mjeteve të tjera dhe për të pasur mbi këtë bazë statistika shumë të qenësishme që do ta ndihmojnë trupën drejtuese që të përmirësojë në vijimësi punën e saj në planifikimin, organizimin dhe koordinimin e forcave. Por, kjo do të ndihmojë në mënyrë të veçantë që askush të mos ngrejë telefonin për të pretenduar se polici apo patrulla e policisë i ra në qafë kot. Askush të mos ngrejë telefonin për të pretenduar se sjellja e policit apo patrullës së policisë ishte e pahijshme apo brutale dhe nga ana tjetër askush nga punonjësit e policisë të mos mund të mbrohet duke gënjyer apo duke u përpjekur të manipulojë drejtuesit kur ka një ankesë, sepse çdo ankesë do të jetë e verifikueshme me zë dhe me figurë në çdo sekondë të zhvillimit të një ngjarje.
Polici i pajisur me teknologjinë dixhitale dhe i lidhur në mënyrë dixhitale me sallën e drejtimit, do të jetë i monitorueshëm në çdo sekondë të veprimtarisë së tij. Kështu, do të jetë e mundur të kuptohet edhe niveli i komunikimit të përgjithshëm për të promovuar ata që kanë standardin e dëshiruar të komunikimit dhe për të penalizuar ata që nuk ia dalin të sillen me një standard komunikimi që është standardi që ne duam për Policinë e Shtetit. Ky është projekti që do të fillojë në Tiranë dhe pastaj do të përhapet shkallë-shkallë në të gjithë Shqipërinë.
Ne brenda një periudhe pak vjeçare do të kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë një efektiv policie të lidhur online nga çdo cep i vendit dhe përmes koordinimit të sallave të drejtimit do të jetë plotësisht e mundur që pastaj qendra të organizojë dhe të koordinojë edhe operacione që kërkojnë ndërveprim, por mbi të gjitha të jetë në gjendje të monitorojë dhe të korrigjojë mënyrën se si operojnë drejtoritë e policisë apo komisariatet në pikëpamje të shfrytëzimit të burimeve njerëzore. Paralelisht me këtë, ne besojmë shumë që Akademia e rilindur e Sigurisë do të na japë në pak vite atë që na mungon dëshpërimisht; një ripërtëritje jo vetëm nga pikëpamja sasiore, por nga pikëpamja cilësore të trupës së policisë.
Kemi trashëguar policinë më të vjetër në moshë, policinë më të paarsimuar në Europë dhe policinë me numër më të vogël në shkallë territori. Të tria këto janë pika të dobëta, pika shumë të dobëta ku ne po përpiqemi çdo ditë të ndërhyjmë dhe të korrigjojmë.
Por Akademia e Sigurisë është mbështetja pa të cilën është e pamundur që korrigjimi të ndodhë në kohën që ne dëshirojmë dhe të ndodhë me cilësinë që ne synojmë.
Reforma tërësore në Policinë e Shtetit është ende një kantier i hapur dhe mbi bazat e forta që janë vendosur ka ende shumë për të ndërtuar. 
Fakti që Ministria e Brendshme, nën lidershipin e Ministrit të Brendshëm, është bërë sot lokomotiva e inovacionit brenda qeverisë sonë, është një fakt për t’u lëvduar me zë të lartë dhe që na inkurajon shumë fort, sepse ajo çka tregoi komisariati dixhital është shumë e thjeshtë; sot jetojmë në një kohë ku distancën me vendet e zhvilluara kemi fatin ta shohim si një distancë që mund ta mbyllim shumë më shpejt se sa çdo mund të mbyllej 10 apo 20 vjet më parë, pasi pavarësisht prapambetjes sonë mundësitë që na jep epoka dixhitale janë aq të mëdha saqë mjafton të vrapojmë me vizion, me ide dhe me vendosmëri dhe t’i vëmë në shfrytëzim këto mundësi për t’u gjendur shumë më shpejt se çfarë do ta kishim imagjinuar në një situatë krejt të re, në çdo sektor. Ky sektor është padyshim një nga zonat më kuptimplota të suksesit dhe të mundësive të mëdha për akoma më shumë sukses.
Mua s’më mbetet që tjetër vetëm të them që i përgëzoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë projekt, të gjithë ata që janë përfshirë në skuadrën e inovacionit të Ministrisë së Brendshme, por mbi të gjitha të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit që pa rezerva e kanë përqafuar këtë filozofi të re dhe me përgjigjen që kanë dhënë për qytetarët në urën e komunikimit virtual përmes Komisariatit Dixhital kanë dhënë një provë jashtëzakonisht inkurajuese të vetëdijes së tyre se tanimë jemi në një kohë që jo vetëm që s’mund të zgjidhim dot gjithçka thjesht dhe vetëm duke përdorur efektivat në terren, por mund të zgjidhim shumëçka dhe shumë më shpejt duke vendosur mes vetes dhe efektivëve qytetarin. Qytetarin, si një forcë aktive që, siç e tregon Komisariati Dixhital, ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe ende shumë të pashfrytëzuar. Shfrytëzimi i këtij potenciali do na çojë më herët se vonë në një situatë tërësisht tjetër të raportit të vendit tonë me krimin, të raportit të vendit tonë me korrupsionin dhe të raportit të komuniteteve tona me bashkëjetesën demokratike brenda kuadrit të palëvizshëm të një rendi të vërtetë ligjor.
Shumë faleminderit!" - tha Edi Rama