Fjala e Tahirit në Komisionin e Sigurisë

Ju faleminderit i nderuar Kryetar, dhe të nderuar deputetë, si Ministër i Punëve të Brendshme kam respektuar kërkesën e Komisionit të Sigurisë, për të raportuar lidhur me ngjarjet e fundit në Lazarat, edhe pse, sado e çuditshme të duket, deri diku, ka të vërteta ajo që thatë ju, por edhe ajo që tha zotëria, lidhur me sekretin hetimor. Dhe është kjo arsyeja, e para, Komisionit, Ministria e Punëve të Brendshme i ka paraqitur një material të klasifikuar për njohje për të gjithë deputetët që janë të pajisur me certifikata sigurie, dhe në rast se do të duhet që mbi atë material, të ketë kërkesa apo pyetje të tjera, ne mund të vazhdojmë por gjithsesi duke ruajtur sekretin dhe duke ruajtur mbi të gjitha sekretin hetimor. Pra jo vetëm lidhur me marrëdhënien që ka komisioni, institucionet me publikun, por mbi të gjitha dhe sekretin që kanë hetimet lidhur me personat e marrë në hetim.

Ju falënderoj gjithashtu juve edhe deputetët për sensibilitetin e vazhdueshëm lidhur me ecurinë e aksionit policor në Lazarat kjo jo vetëm me këto ngjarje, por edhe me aksionin e një vit më parë, kur pas një historie kriminaliteti të shtresëzuar për më shumë se dy dekada ne i dhamë fund përfundimisht kriminalitetit masiv në atë zonë ku shteti nuk vepronte.

Ky komision i nderuar ka anëtarë ish ministra të Brendshëm, ish zëvendësministra të Brendshëm  dhe njerëz që para vitit 2013 kanë qenë në detyra të larta shtetërore në institucionet e qeverisjes dhe nuk besoj se është e re po t’ia u them unë se në vitin e kaluar Policia e Shtetit i dha fund nëpërmjet një aksioni goxha impenjativ, masiv dhe profesionalisht të realizuar me sukses për eliminimin përfundimtar të kultivimit masiv të lëndëve narkotike në Lazarat.

Bëhet fjalë për prodhimin e lëndëve narkotike që shkonin në miliona euro, po t’ju llogaris shifrat e përafërta të vlerësuara nga policia, por ndërkohë shifrat e përllogaritura nga partnerët sipas vlerës që kishte lënda narkotike në shitjen me pakicë në rrugë, shkolla dhe tregjet kriminale të lëndëve narkotike në Europë, shifra kapërcente miliardat e eurove.

Këto ishin para që pa asnjë dyshim korruptonin Policinë e Shtetit, korruptonin vendimmarrjen institucionale dhe pse jo edhe vendimmarrjen publike dhe politike.
Me këtë nuk po them që kjo ishte arsyeja pse Lazarati ishte lënë ashtu, por sigurisht në vlerësimin që bën ky komision i nderuar dhe më pas parlamenti për veprimtarinë e qeverisë dhe Policisë së Shtetit lidhur me atë situatë kriminale aq haptazi në sytë e publikut dhe institucioneve shtetërore që trashëguam kur morëm detyrën, pa asnjë dyshim ka të bëjë edhe gjendja në të cilën ishte katandisur ajo zonë nga pikëpamja e kurbës kriminale ashtu siç ka të bëjë edhe influenca apo ndikimi i parave të pista që prodhohej nga prodhimi, kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotikë në atë zonë apo kudo në Shqipëri.
Kur kam marrë detyrën kam gjetur në zyrë raportime të partnerëve ndërkombëtar që vinin nga fluturimet dhe fotografimet ajrore të cilat viheshin në dispozicion të ministrit të Brendshëm të asaj kohe dhe misionet e partnerëve ndërkombëtarë për fluturimin ajror  kishin zgjatur disa vite, ku dallohej qartë me të gjitha koordinatat gjeografike çdo parcelë kanabisi në Republikën e Shqipërisë dhe sigurisht edhe Lazarati.

Për këto parcela jam informuar me partnerët ndërkombëtarë që përveç  Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në atë kohë kishin informuar autoritetet më të larta shtetërore deri tek Kryeministri. Unë nuk kam përgjigje se përse nuk ishte vepruar në atë kohë, por ne gjetëm një situatë që referuar edhe fotografive, pra fotografive të partnerëve ndërkombëtarë, Shqipëria ishte zhytur në kultivimin dhe prodhimin e paligjshëm e lëndëve narkotike.

Kjo sigurisht kishte pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike, sigurisht kishte pasoja të rënda për jetën e qytetarëve këtu por edhe në vendet e Bashkimit Europian ku shitej, por kishte dhe pasoja të rënda për sistemin e sigurisë, drejtësisë dhe sistemin politik në Shqipëri.

Një fluks kriminal i atyre përmasave dhe mbi të gjitha një fluks financiar kriminal i atyre përmasave nuk mund të gjente dot kurrë zgjidhje definitiv pa një aksion të tillë policor siç ne organizuam vitin që kaloi.

Dhe ishte viti që kaloi kur ne morëm masa për t’i dhënë përfundimisht  fund situatës jo vetëm në Lazarat por në të gjitha zonat e Shqipërisë ku kultivohej lënda narkotike dhe kjo është një betejë që ende vazhdon sepse ende në Shqipëri, ka  aktivitet jo të vogël të kultivimit të lëndëve narkotike. Që do të thotë  përpjekja jonë për të garantuar që Shqipëria të mbetet, siç arritëm vitin e kaluar,  të mbetet në listën e  vendet e sigurta, pra të vendeve jo origjinë për kultivimin  dhe prodhimin e lëndëve narkotike, kërkon vendosmëri  e mbi të gjitha qëndrueshmëri në raport me institucionet, në raport  me publikun dhe me parlamentin  padyshim, sepse unë besoj kjo është një përpjekje jona e përbashkët pa dallim partiak.

Këtë vit Policia e Shtetit që pas operacionit të vitit të kaluar ka vazhduar mbajtjen konstante të forcave speciale të Policisë, forcave të Ndërhyrjes së shpejtë në fshatin e Lazaratit sepse siç do e gjeni dhe në informacion ndonëse më shumë se gjysma e njerëzve  që ishin në kërkim policor u arrestuan, kishte ende qytetarë të tjerë dhe vijonin të ishin në kërkim apo kishin konsumuar në ndërkohë dhe vepra të tjera penale, ndër to edhe  vepra shumë të rënda penale, të cilat janë proceduar nga policia dhe shtetasit janë mbajtur në kërkim, disa tyre janë arrestuar, disa vijonin të ishin në kërkim.

Ngjarja që ndodhi është ajo që ju dini dhe jeni informuar  nga media dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme  dhe Policia e Shtetit. unë më tej se aq nuk besoj se  mund t’ju informoj, sepse përbën sekret hetimor për veprimet që janë kryer dhe vijojnë të kryhen. Ajo që ndodhi ishte fatkeqësi e rëndë për të gjithë, pasi humbja e një punonjësi policie të forcave Renea është një goditje e rëndë për sigurinë publike dhe shtetin në tërësi. Ishte një ngjarje që pa asnjë dyshim gjeti rrugëzgjidhjen e duhur duke arrestuar autorët  dhe ata që organizuan sulmin ndaj forcave Renea, ishte pabesi e organizuar për të cilat policia nuk kishte informacion, po kështu nuk kishte informacion as nga Shërbimi Informativ,  por që u morën masat për ta zgjidhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme.  Dhe siç jeni në dijeni u arrestuan dhe organizatorët dhe ata që bënin pjesë në grupin që goditën ndaj policisë.

Sfida për të garantuar rend dhe siguri në Lazarat dhe në çdo fshat në Shqipëri, në çdo qytet të Shqipërisë, në çdo kilometër katror të Shqipërisë nuk është e përfunduar kurrë njëherë e përgjithmonë. Nuk mund të themi që kemi mbyllur një herë e mirë punë.

Sfida e luftës kundër kriminalitetit, kundër krimit të organizuar,  kundër kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike,  nuk është mbyllur kurrë njëherë e përgjithmonë dhe këto parime vlejnë për çdo vend të globit  që sot përballen me kërcënimin e kriminalitetit. Ajo që është e sigurt sot dhe që nuk ishte e sigurt dje është që sot shteti është në detyrë, Policia e Shtetit është në detyrë, dallimi është rrënjësor. Në qoftë se dje Lazarati ishte republikë brenda republikës apo parcelat e kanabisit ishin zona ku nuk mund të futej Policia e Shtetit, sot nuk është më kështu. Policia lufton me kriminalitetin, lufton me krimin e organizuar, lufton me kultivimin e trafikimit e lëndëve narkotike dhe lufton me të gjithë ata që I bëjnë bisht ligjit apo shkelin ligjin në kurriz të qytetarëve të ndershëm të vendit.

Dhe në këtë kuadër unë do kërkoja mbështetjen e Komisionit të Sigurisë siç ka qenë deri më sot dhe në vijim për ta bërë këtë përpjekje, një përpjekje të përbashkët pa dallim partish apo politik.

Ndonëse qeveritë e kaluara nuk kanë bërë atë që duhet të bënin me Lazaratin apo me kultivimin e lëndëve narkotike, kjo nuk na pengon që këtej e tutje ta shohim këtë si një betejë të përbashkët.

Ajo që kemi bërë në Lazarat, ajo që kemi bërë në çdo cep të Shqipërisë kundër kultivimit të lëndëve narkotike nuk është nuk është aset i qeverisë, nuk është aset i maxhorancës, por është një arritje e përbashkët, ku dhe opozita pa asnjë dyshim mund të ndjehet që ka kontributin e vet. Sepse mbi të gjitha është një arritje për qytetarët shqiptarë dhe si e tillë nuk na pengon gjë që ta shohim këtë si një rruge të përbashkët. Ka plot vend për të bërë politikë për ta parë njëri-tjetrin me dallimet politike, por jo te Policia e Shtetit, jo te lufta kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Unë kam shumë besim që edhe ish ministrave të Brendshëm që janë në këtë sallë, edhe ish drejtuesve të lartë të institucioneve qeveritare dhe politike në këtë sallë, bashkarisht, i kemi bërë një favor, qytetar më së pari sepse kemi çliruar vendin nga lënda narkotike, politik, patjetër, sepse kemi çliruar politikën nga tentimi për të bërë politikë dhe për të ndërtuar pushtet mbi parcelat e drogës. Kjo me koston e arsyeshme dhe kjo është një kosto shumë e kollajtë për t’u përballuar, për të gjithë ata që kanë pasur një detyrë shtetërore përpara meje dhe nuk e kanë ushtruar atë, duke lejuar që Shqipëria të kthehej në një parcelë gjigante droge. Ky çmim është çmimi i arsyeshëm që duhet të paguajnë të gjithë ata që kanë pasur një detyrë siç e kam unë, përpara meje, përballë benefitit publik që kanë qytetarët për ta pasur vendin njëherë e mirë të çliruar nga dhuna e kriminalitetit masiv lidhur me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, dhe për ta pasur njëherë e mirë të çliruar sistemin e sigurisë dhe mbi të gjitha sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, të çliruar nga dhuna dhe pengmarrja e parave të pista kriminale që prodhonte tregu masiv i paligjshëm i lëndëve narkotike.
 Ju faleminderit shumë!
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona