Fjala në Kuvend e deputetit
të PS-së, Taulant Balla

Fjala në Kuvend e deputetit<br />të PS-së, Taulant Balla
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuara deputete dhe deputetë,
Të nderuara zonja e zotërinj të ftuar,

Do doja t’i thosha diçka zotit Berisha dhe deputetëve të Partisë Demokratike, që ikin sapo del nga salla zoti Berisha, se humbjen edhe vdekjen që Berisha e tha sikur e festojnë shqiptarët në fakt e festojnë serbët. Shqiptarët nuk e festojnë. Kjo shprehje ka ngelur nga festa që serbët bënë kur humbën Betejën e Fushë Kosovës. Kështu që zoti Berisha e di që i ke merak shumë ritet dhe traditën serbe por mos ua ngarko atë në kurriz shqiptarëve se nuk e kanë. Ne shqiptarët e qajmë vdekjen, ndërsa kur humbim betejën bëhemi gati të fitojmë betejën e radhës.
Zgjedhjet janë leksioni që populli një herë në katër vjet i jep politikës. Leksioni në këto zgjedhje ishte i qartë:
Më 23 Qershor shqiptarët votuan në një mazhorancë historike për Rilindjen, kundër Rrënimit. Por në fakt as kolegët në opozitë dhe as deputeti Berisha nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Madje vazhdojnë të sillen sikur janë akoma në pushtet. Kryetari de facto dhe kryetarët e komanduar të Partisë Demokratike, zoti Paloka dhe zoti Basha, ankohen se Rilindja po kthehet në revansh. 
Mos u ankoni më kot. Rilindja jonë nuk është revansh, as urrejtje, por nuk është as amnisti. Të jemi të qartë në këtë pikë për raportin tonë me dëmet e kohës tuaj: Ne nuk kemi mandat për të amnistuar krimet e pa gjykuara që janë bërë. Ne deputetët e Grupit Parlamentar Socialist mbështesim angazhimin e Kryeministrit Edi Rama se mandati na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, katër protestuesit e vrarë më 21 janar në bulevard, kolegun tonë Fatmir Xhindi të vrarë në oborr, kryekomunarin Remzi Veseli, të vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Dhe këtë nuk e bëjmë se duam të hakmerremi për të shkuarën, po nuk duam që Rilindja t’i hyjë në hak të ardhmes.
 
Zoti kryeministër i shkarkuar, Berisha! Gjuha jote kërcënuese nuk na bën fare përshtypje, fare. Ne nuk duam të bëjmë politikë me drejtësinë. Por do të bëjmë çmos që drejtësia të mos jetë aneksi i punëve të pista të kryeministrit të shkarkuar, sikurse është deri më sot. 
Ne nuk do të marrim kurrë rolin e prokurorëve dhe të gjykatësve, por ne nuk do të rrimë duarkryq, as përpara shfaqjeve të përsëritura në sallat e gjyqeve, të triumfit të vrasësve të qytetarëve të pafajshëm, as të pafajësimit të killerave; as përballë goditjeve të çekiçit të gjykatësve që ligjërojnë padrejtësira flagrante në dëm të këtij vendi dhe të shumë qytetarëve të pambrojtur; as ndaj spirales së korrupsionit në drejtësi që tërë këto vite e ka tërhequr poshtë e më poshtë pushtetin gjyqësor në Shqipëri. 
Kam qenë shpesh këto kohë në gjykatë i thirrur nga kalamajtë e babit kryeministër i shkarkuar. Tashmë kryeministri Berisha është larguar por kam parë me sytë e mi se si gjyqtari, Ridvan Hado quhet, sapo mbaroi gjyqin e dënimit të një deputeti të opozitës ditën tjetër mori emërimin në një gjykatë më të lartë. E shpërbleu djali i babit kryeministër. E na akuzoke sot këtu se ne paskemi qeveri familjare! Po vetëm Sali Berisha s’mund të flasë për qeveri familjare. Vajzën zëvendëskryeministre, djalin zëvendëskryeministër. Kjo ishte qeveria juaj. 
Por ne nuk do të merremi më kurrë me ju, sepse kryeministri Edi Rama tha një fjalë që është realisht motivi ynë: Puna e opozitës është fjala. Fjala e qeverisë sigurisht është puna. 
Zonja dhe zotërinj, ky mandat plebishitar na është besuar nga shqiptarët për të bërë transparencë të plotë të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion dhe krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur.  E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pasuritë publike të shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në Kuvend. 
Sot është dita t’ju ripërsërisim shqiptarëve qëndrimin tonë, se çdo akuzë për korrupsion që ne kemi bërë gjatë tetë viteve tona në opozitë ne do ta verifikojmë.
 
Ky është leksioni i 23 Qershorit. Sepse lufta kundër korrupsionit është një ndër sfidat më të mëdha të Qeverisë sonë. 
Këtë vit Shqipëria zbriti edhe 18 vende të tjera në renditjen e Indeksit të Korrupsionit të organizatës prestigjioze Transparency International, duke u klasifikuar si vendi më i korruptuar në Evropë. Madje më të korruptuar se ç’ishim në 2005 kur në këtë foltore foli si kandidat për kryeministër dhe kryeministër i dekretuar Sali Berisha, i cili ju premtoi qytetarëve shqiptarë “Qeverisje me duar të pastra”. 
Qeveria jonë do të intensifikojë ndjeshëm luftën kundër korrupsionit, duke çmontuar murin e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë. Shqiptarët presin prej nesh rezultate konkrete në ndëshkimin e korrupsionit. Për këtë qëllim, lufta jonë kundër korrupsionit do të jetë një luftë pa kompromis, e cila do të kërkojë një rishikim të plotë edhe të kuadrit ligjor; lufta jonë kundër korrupsionit do të kërkojë angazhim total dhe aktiv të të gjithë institucioneve shtetërore. 
Prokurori i Përgjithshëm (Institucioni i Prokurorisë në tërësi) duhet ta kuptojnë se nuk është më dhe nuk do të jetë më “magazina e Arkivës së Shtetit” për kallëzime që mbyllen pa bërë qoftë edhe një verifikim të vetëm. Krimi i korrupsionit duhet dhe do të konsiderohet një krim i rëndë, do të hetohet si një krim i rëndë, do të ndëshkohet si një krim i rëndë. 
Prandaj Rilindja nuk është revansh, por nuk është as amnisti. Duhet të ngremë një sistem të ri ku kultura e pandëshkueshmërisë do të zëvendësohet më një histori të re ndëshkimesh, pa dallim ngjyrash politike.  
Korrupsioni nuk ka ngjyrë politike, prandaj nuk do të ketë më as edhe ndonjë formë pandëshkueshmërie, as për ne si mazhorancë, as për ju si opozitë. Shiko sallën e Kuvendit, të kthyer në një “Call Center” nga uria e shfrenuar për të kryer edhe një tender tjetër. Çdo kompjuter i blerë këtu është blerë tre herë më shtrenjtë sesa vlera reale e tregut. Ja pra manushaqe se ku do ti gjejmë paratë. Do t’i gjejmë paratë duke shkurtuar shpenzimet kot dhe vjedhjen e në kurriz të parave dhe fondeve publike të shqiptarëve. Ku do i gjejmë paratë pyeti ish kryetarja e Kuvendit, ku do i gjejmë paratë i tha ministrit të Jashtëm në diplomaci? Po është shumë e thjeshtë! Do largojmë dhëndrin, do largojmë djalin, do largojmë vëllain nga konsullata në Milano, dhëndrin nga ambasada në Paris. Ja pra ku do ti gjejmë paratë, duke shkurtuar emërimet nepotike në diplomaci. 
Ne do të marrim një sërë masash anti-korrupsion. Qeveria dhe mazhoranca jonë parlamentare, do të kalojmë në sitë të gjithë legjislacionin ekzistues. U mburr ministrja e integrimit se e paskemi legjislacionin. Madje paskemi dhe një kryekordinator kombëtar anti korrupsioni. Kush është, ku është ky, ku e keni futur se keni tetë vjet që nuk e gjeni!  Premtuat 100 ditët e para do të ç’rrënjosni korrupsionin, ndërkohë që korrupsioni ju zuri brenda dhe ju shembi shtëpinë. Dhe shqiptarët sigurisht ju dënuan me 1 milionë shuplaka më 23 qershor. 
Ne do të ndëshkojmë çdo praktikë korruptive dhe do të vendosim përpara përgjegjësisë çdo shkelës të ligjit. Ne do të propozojmë një reformim të thellë të sistemit të ndjekjes penale kundër korrupsionit dhe do të mbështesim fuqimisht partneritetin polici – prokurori në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, duke përfituar sigurisht dhe gjej rastin ti falënderoj partnerët ndërkombëtarë në vënien në zbatim të praktikave më të mira për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. 
Në katër vitet e ardhshme ne synojmë që qeveria jonë të punojë me përparësi për ta shndërruar sistemin gjyqësor, një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit sot. Reformimi i sistemit gjyqësor dhe vendosja në vend e dinjitetit të tij të cenuar do të nxisin angazhimin profesional të gjyqtarëve për t’i shërbyer bërjes drejtësi dhe për të shmangur praktikat e deritanishme korruptive. 
Zonja dhe zotërinj deputet një çështje e rëndësishme që kryeministri i shkarkuar Sali Berisha dhe as ministri i Brendshëm i shkarkuar nuk patën kurajon sot të flisnin është çështja e rendit publik. Ne po gjejmë një situatë të rendit publik në kushte e një emergjence kombëtare. Armë-mbajtja pa leje në nivelin më të lartë historikë. Armët janë bërë si celularët, janë nëpër makina, klube, shkolla. Një ndër arsyet kryesore të nivelit të lartë të kriminalitetit në Shqipëri mbetet pikërisht niveli i lartë i armëve në duar të grupeve kriminale por edhe të shtetasve të tjerë. Ne do ti sulmojmë çdo grup kriminal me qëllim shmangien e kësaj situate shumë të rëndë krimi në vend.
 
Nivel i lartë i vrasjeve. Në vitin 2009 numri i vrasjeve ishte 72, në vitin 2011 u rritën dyfish, 135 vrasje, ndërsa 8 mujori i vitit 2013 ka rekordin më tragjik që prej vitit 1997. Nga 23 qershori deri më sot 34 vrasje. Ky është rekordi, regjistri që ne trashëgojmë nga kjo qeveri e paaftë. Nisur nga analizat e rrethanave të shumë krimeve, rezulton se mungojnë masat parandaluese. Ka shumë krime që mund të ishin parandaluar, por policia nuk është. Besueshmëria shumë e ulët publike ndaj Policisë së Shtetit. Sot Policia e Shtetit shihet si një ndër institucionet më të korruptuara. I dyti më i korruptuari, sepse sigurisht që i pari ishte qeveria e Sali Berishës. 
Krimi Ekonomik është në një nivel akut. Shqipëria në këto katër vite u shit e gjitha për skrap. Nja dy uzina u zhdukën brenda natës por policia nuk mori asnjë ditë të vetme as edhe një masë për të parandaluar vjedhjen për skrap të Shqipërisë. Bandat në Bulqizë administrojnë pasuritë minerare, ndërsa Policia administron viktimat e përplasjeve ndërmjet bandave. 
Krimi i vjedhjes është në gradën më të lartë.
·       Janë rritur grabitjet.
·       Janë shtuar grabitjet me vrasje.
·       Janë përhapur pothuajse në gjithë Shqipërinë vjedhjet e makinave.
·       Po vidhen çdo natë transformatorë dhe kilometra tela të energjisë elektrike. Madje nga një fshat i Librazhdit më morën në telefon dhe thanë nuk të shohim dot sepse vodhën mbrëmë telat e energjisë elektrike dhe nuk ka energji elektrike në fshat. 
Lufta kundër prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.  Të gjitha raportet e agjencive të specializuara thonë të njëjtën gjë: Shqipëria vend prodhues për një grup drogash dhe tranzit i drogës. Kapjet e kanabisit në kufi, që në më të shumtën kanë qenë rastësore dhe jo të organizuara, reflektojnë një situatë të dendur kriminale. Lazarati është shembulli më i qartë i humbjes së kësaj beteje. 
Policia Rrugore dhe kontrolli i shkeljeve të Kodit Rrugor, tërësisht  të dështuara. Niveli i lartë aksidenteve rrugore fajëson përveç mungesës së sigurisë rrugore, fajëson edhe strukturën përgjegjëse të Policisë së Shtetit. Më shumë se 2300 të vdekur vetëm në aksidentet rrugore në katër vitet e fundit.
 
Emërimet në Policinë e Shtetit dhe SHKB. Emërimi i militantëve shkatërroi Policinë e Shtetit. Në cilin rast SHKB-ja përveç të ndaluarve për korrupsion apo për kalim kompetencash ka ndaluar ndonjë koleg për rrjedhje informacioni dhe dekonspirim të përgjimeve? Duhet të dini një gjë, elementi që ka tradhtuar punën e Policisë së Shtetit përveç militantëve të futur me zor në polici, ka qenë tradhtia brenda vetë policisë. 
Zonja dhe zotërinj! Kemi dëgjuar këto ditë kokën tek SHQUP-i dhe koka të tjera këtu të opozitës të ankohen se pritet që të fillojë një fushatë spastrimesh në administratë. Sot kam sjellë një dokument që është me kokë, me vulë, firmë. Partia Demokratike e Shqipërisë, dega Librazhd: Propozim për emërim në detyrë Drejtorisë së Rrugëve Rurale. Për dijeni kryetarit të Qarkut Elbasan, kryesia e PD dega Librazhd vendosi të propozoj largimin nga puna si punonjës të mirëmbajtjes së rrugëve rurale si më poshtë: “Largohet Istref Nezha, vendi ku punon –Stravaj dhe zëvendësohet nga Haxhi Bedeli, më poshtë lista. Në fund grupi i punës Qarku Elbasan,  kryetari Arben Imami, sekretari i degës Flamur Cekani, kryetari Luan Hasa, deputeti i zonës Rahim Çota”. E shikoni si keni funksionuar, si një bandë në pushtet që merrnit njerëzit në qafë. Ju hiqnit bukën e fëmijëve dhe ju thoshit ikën ky dhe vjen ky. Kjo është skema, ministri i Mbrojtjes heq një lopataxhi dhe e zëvendëson me një të zgjedhur. Njërin pa bukë dhe tjetrin pasi ka marrë lekët për t’a futur në punë. Kjo është situata që ne po trashëgojmë. 
Një gjë e them plotë me bindje. Asnjë prej nesh, asnjë deputet i Partisë Socialiste, kurrë në këto 4 vite nuk ka për të firmosur një dokument të tillë. Pse? Sepse nuk është në sjelljen tonë për sa i përket pushteti.  
Dua të them diçka tjetër edhe për sa i përket një fushe tjetër të rëndësishme. Sepse lufta kundër korrupsionit është e lidhur dhe me një fushë tjetër, madje dhe cilësia e demokracisë është e lidhur me cilësinë e mediave në Shqipëri. Nuk po lëmë jashtë vëmendjes sjelljen tuaj me mediat në këto 8 vjet. Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizioni Shqiptar janë shembuj më flagrantë të moszbatimit të ligjit nën qeverisjen e PD-së. Sipas ligjit, të dyja këto institucione duhet të ishin të balancuara dhe anëtarët duhet të jenë të zgjedhur nga shoqëria civile, por në realitet, sot AMA është tërësisht politike dhe e njëanshme.
 
Personazhe qesharakë si Endira Bushati në krye të AMA-s apo si Kopani i TVSH-së, do të mbeten referenca të standardeve të papranueshme, që nuk duhen përsëritur më kurrë. Reklamat qeveritare kanë qenë gjithmonë korruptive dhe nuk u ndanë asnjëherë në bazë të vlerës së tregut, numrit të audiencës së kanaleve televizive dhe radiofonike apo numrit të tirazhit të shitjeve të shtypit të përditshëm, por në bazë të lidhjeve klienteliste dhe korruptive që ka qeveria me kanale televizive e radiofonike dhe gazeta afër saj. 
Grupi mediatik pranë qeverisë i shiti mbështetjen qeverisë së shkarkuar për 18 milionë dollarë reklama. Po përse duhet të paguante Ministria e Mbrojtjes reklamë në televizione? Vetëm në një datë të vetme, 26 Maj 2013, më pak se 27 ditë nga dita e zgjedhjeve, Ministria e Mbrojtjes me një urdhër të firmosur nga kryetari i grupit të punës Arben Imami u kalonte televizioneve 1 miliard lekë reklama. Dhe nga këto 600 milionë ja kalonte televizionit KLAN pranë qeverisë. Pjesa tjetër e ndarë ku përsëri merrte i një njëjti grup mediatik. 
Por hallet e medias shqiptare lidhen edhe me incidentet e dhunës kundër gazetarëve dhe presioni mbi mediat nga politika apo biznese afër saj. Ne do të vendosim kritere objektive krejtësisht transparente, jodiskriminuese të licencimit e një proces licencimi të drejtë dhe transparent, të administruar nga një organ realisht i pavarur rregullator. Aksesi në lehtësitë e transmetimit do të jetë një kusht i rëndësishëm licencimi, ku rregullatorit të ristrukturuar do t’i ofrohet një mandat i qartë për të parandaluar pasojat negative të monopolizimit. 
RTSH do të ristrukturohet, duke e kthyer atë në një stacion realisht publik dhe duke i dhënë këtij sektori forcë nëpërmjet zhvillimit të televizionit shtetëror ashtu siç e meritojnë shqiptarët. Dixhitalizimit, edhe ky është një proces që duhet të vazhdojë, po jo sipas metodave të Gencit që për çdo tender bënte pazarin pastaj zhvillonte tenderin. Por sipas një procesi që do të jetë tërësisht transparent.
Zonja dhe zotërinj, secili prej nesh përfiton nga prezenca në këtë sallë të parlamentit për të falënderuar në radhë të parë ata që na kanë sjellë këtu. Dhe unë kma nderin dhe krenarinë që për herë të tretë në këtë foltore të flas në emër të votuesve të rrethit të Librazhdit, të cilët i falënderoj dhe jam krenar për votën që më kanë dhënë.
Faleminderit shumë.

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve