E pra këtë që thashë, Gëzuar festën, do mundohem ta argumentoj jo me fjalët e mia, por me fjalët e tua. Këtu e katër vjet më parë, ju pikërisht kryeministri i vendit, në këtë foltore që jam unë sot keni thënë në ligjëratë të drejtë:
Gënjeshtra 1 - “Angazhohem se do të rishqyrtoj tërësisht legjislacionin e vendit, kodet, ligjet, procedurat ligjore, për t’i përshtatur ato me standardet ligjore”.
Sot e kësaj dite, pas katër vjetësh, në mbyllje të mandatit tënd politik, ke dorëzuar vetëm muajin e fundit katër copë.
Gënjeshtra 2 - Juve pikërisht në këtë foltore para katër vjetësh në faqen 5 të programit keni lexuar: “Objektivi ynë do të jetë renditja drejt grupit të 20 vendeve të para me korrupsionin më të ulët”.
Jo sipas nesh, por sipas atyre që na vëzhgojnë dhe monitorojnë ne, je vendi i fundit në Europë.
Gënjeshtra 3 - “Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar”, keni thënë juve në faqen 6.
Në krahasim me 2005-n numri i krimeve është 2.3 herë më i lartë.
Gënjeshtra 4 - “Do krijojmë 6 parqet industriale”, e ke thënë në faqen 8.
Nuk është vënë në punë asnjë nga 6 parqet e premtuara para 4 vjetësh.
Gënjeshtra 5 - “Revolucioni fiskal dhe reforma financiare publike. Do të vazhdojë pandërprerë reduktimi i mëtejshëm i barrës fiskale, si heqja e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet në arsim, në shëndetësi si dhe reduktimin e taksave mbi dividentët. Reformimi tërësisht i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore”, e keni pasur në faqen 8.
Nuk ka asnjë reformë nga këto që ke cituar zoti kryeministër pas katër vjetësh, duke përfshirë edhe atë të pensioneve.
Gënjeshtra 6 - “Objektivi jonë madhor për katër vitet që vijnë është që në Shqipëri, në parqet industriale, energjetike, portet, veçanërisht në portin e ri të Vlorës, në autostrada dhe në aeroporte do të punësojmë 160 mijë vetë”, e keni lexuar nga faqja 9.
Të punësuarit kanë rënë me 51 mijë vetë dhe kjo ishte gënjeshtra e gjashtë.
Gënjeshtra 7 - “Shfrytëzimi i qymyreve të vendit apo të importit për të ngritur termocentralet me qymyr, që do ndërtohen në Shqipëri ashtu si në gjithë Europën”.
Për fat të mirë nuk kemi asnjë TEC sot zoti kryeministër.
Gënjeshtra 8 - “Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Parakupto një infrastrukturë të re transmetimi dhe lidhjeve energjetike me rajonin, si linja Elbasan-Podgoricë. Do fillojnë dhe do të përfundojnë linjat Tiranë-Prishtinë, Elbasan- Shkup, linja nënujore Shqipëri-Itali”. I keni të shkruara në faqen 9.
Sali Berisha jeni përgjegjës direkt për dështimin e linjës Tiranë-Prishtinë, por edhe për linjën nënujore siç ke theksuar para katër vjetësh.
Gënjeshtra 9 - “Brenda vitit 2010 synohet që çdo qytetar shqiptare të ketë një ndihmë ekonomike mbi dy dollarë në ditë dhe pensionet në fshat të barazohen me pensionet në qytet”.
Ndihma ekonomike aktualisht sot është 0.33 dollarë në ditë.
Gënjeshtra 10 - “Një ligj i veçantë do të miratohet brenda vitit 2010, i cili do të garantojë kujdesin dhe trajtimin e merituar dhe dinjitoz të personave të moshës së tretë dhe problematikave të tyre specifike”, ke thënë në faqen 12.
Sot e kësaj dite nuk ka ende asnjë ligj të tillë.
Gënjeshtra 11 – “Do të hiqet TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat”.
Në dhjetor të 2010 u vendos TVSH-ja për shëndetësinë me 10%.
Gënjeshtra 12 – “Zgjidhjen brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, të bazuar në ligjin 7501 si dhe përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të 2010-s”, e keni në faqen 16.
Nuk kanë gjetur zgjidhje as titujt e pronësisë sipas 7501-shit, ndërsa legalizimet janë realizuar më pak se 10%.
Gënjeshtra 13 – “Ndërtimin e portit të Vlorës si një ndër portet më të mëdha të Mesdheut, për kontenierët si dhe ndërtime të tjera portuale”, po ju citoj juve.
Nuk është bërë asnjë gjë.
Gënjeshtra 14 – “Ndërtimi i një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë”.
Nuk i dihet adresa se ku.
Gënjeshtra 15 – “Lidhje hekurudhore me Maqedoninë dhe hartimi i projektit për lidhje hekurudhore me Kosovën”. Është në faqen 17 të premtimeve të tua.
Ku janë? Nuk dihet asgjë.
Gënjeshtra 16 – “Këtë katërvjeçar brenda 2 viteve që vijnë do të përfundojmë autostradën e rrugës së Arbrit, autostradën Levan – Vlorë, Levan – Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Qafë Plloçë-Qukës, Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh-Kuçovë-Berat-Kardhiq-Delvinë-Konispol-Sarandë, autostrada Fushë-Krujë-Ura e Limuthit, si dhe shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë”, janë në faqen 17.
Përveç Levan - Vlorë, të tjerat ku janë? Ose 10%, ose 20%, ose 30%.
Gënjeshtra 17 – “Brenda vitit 2013 do të përfundojë së ndërtuari Unaza e Madhe e Tiranës, unaza veriore dhe juglindore e vendit, me trajektore: Shkodër-Theth-Valbonë-Krumë- Kukës-Peshkopi-Librazhd-Kolonjë-Përmet-Delvinë; autostradat Fierzë-Koman, Shkodër-Vermosh, segmenti Berat-Memaliaj i boshtit të Jugut”.
Nuk është bërë asgjë.
Ujë 24 orë për familjet shqiptare në fshat dhe në qytet, duke ndërtuar apo rindërtuar mbi 800 ujësjellësa. Në projektbuxhetin e vitit 2013 qeveria premton se furnizimi me ujë do të jetë në masën 70% dhe jo 100%.
Atëherë të vij te tema e rendit të ditës, se e filloi kryeministri me të ashtuquajturën kushtetutë të Tiranës. Kushtetuta e Tiranës t’u dorëzuar nga Edi Rama 6 muaj para zgjedhjeve dhe nuk e miratove. Kurse sot zoti kryeministër e diskutuam atë projektligj që ju keni paraqitur dhe në emër të grupit parlamentar, zoti Fino që mori fjalën dha qëndrimin tonë. Meqë ju nuk e keni dëgjuar po ua u citoj edhe një herë se “nga vitit 2009 kur është miratuar ai ligj për territorin dhe deri më sot ju e keni bllokuar. E keni bllokuar, e keni bllokuar duke paralizuar gjithë ndërtuesit shqiptarë, gjithë arkitektët shqiptarë, gjithë pushtetin vendor në Shqipëri dhe të gjithë qytetarët shqiptarë”. Kjo ishte arsyeja që zoti Fino në emër të grupit parlamentar tha: “Megjithëse kemi vërejtje esenciale, që ky projektligj i ngjan më shumë një rregulloreje se sa një projektligji, megjithëse kemi vërejtje esenciale se ky projektligj në qoftë se do ishte marrë në konsideratë kërkesa e deputetëve të opozitës që të dëgjoheshin një herë përfaqësuesit e pushtetit vendor në komisionin përkatës, të dëgjoheshin grupet e interesit në komisionin përkatës sigurisht që do të ishte përmirësuar. E megjithatë është një hap për të bllokuar këtë bllokadë që ju bëtë me një qëllim të caktuar, për katër vjet. Në shërbim të qytetarëve shqiptarë, në shërbim të ndërtuesve shqiptarë, në shërbim të pushtetit vendor për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit, opozita do t’u japë votën pro këtij projektligji.
Së dyti, trajtuat problemin e heqjes së takës për inputet bujqësore dhe trumbetuat me të madhe si akt pendesë, kërkesë ndaj opozitës. Si ka mundësi. Këtë projektligj që ju paraqisni sot, pjesërisht, jo tërësisht, opozita shqiptare ua ka prurë si projektligj të veçantë tre herë. Në dhjetor 2011, në mars-prill 2012 dhe në dhjetor 2012. Dhe pikërisht ju, personalisht ju, ministrat tuaj këtu kanë argumentuar të kundërtën e asaj që thua ti. E pra dita e gënjeshtrave është sot. Mirëseerdhe. Në të përshëndesim edhe për aktin e pendesës së zotërisë tënde, por ama këtyre propozimeve që sot janë të pjesshme, nuk janë tërësore, se mungon akciza e naftës, ajo e ilaçeve, që janë të plota në paketën tonë të dhjetorit të 2012-s që ti dhe votën kundër bashkë me mazhorancën tënde. Sot mirëserdhët juve te propozimi jonë. Prandaj unë ua thashë dhe radhën e parë. Fjalë, shumë fjalë. Demagogji, shumë demagogji. Në momentet e fundit të largimit tënd si kryeministër tregohu pak, qoftë edhe një herë serioz në paraqitjen e publikut se ai ka veshë e dëgjon, ka sy e shikon dhe ka mendje e gjykon për ato që ke premtuar, për ato që ke bërë para tre muajsh, për ato që votuar kundër para tre muajsh, për ato që i ke pështyrë para tre muajsh, dhe për këto që i lëpin sot.