Jemi sot në Kavajë për të hapur një tjetër kapitull të legalizimeve që ka të bëjë me legalizimet masive në këtë zonë.  Zoti Kryeministër, pellgu i Kavajës përfshin rreth 100 mijë banorë, janë dy bashki dhe disa komuna që mbulohen në këtë zonë, e cila përfshin një numër të konsiderueshëm vetdeklarimesh për legalizime. Për fat të keq pjesa më e madhe dërrmuese e tyre kanë mbetur për aq e aq kohë pa i parë asnjeri dhe pa u marrë njeri me to. Por është momenti që të ndryshojë tërësisht kjo situatë dhe këtë e tregon ky moment sot ku ne jemi mbledhur për të shpërndarë një numër të konsiderueshëm lejesh.

Ndryshimi  ka filluar nga një moment shumë i rëndësishëm, nga rioriganizimi që iu bë institucionit. U bë hapja e një dege të veçantë për Kavajën, që ka një numër punonjësish 10-11 veta, por po mendojmë të sjellim një grup tjetër shtesë që të merret me problemet e kësaj zone, duke synuar që ta sjellim procesin sa më afër qytetarëve, njerëzve dhe problematikave të tyre. Për fat të mirë Kavajës i ka rënë një fat sivjet, sepse në ndryshimet që iu bënë edhe hartës së vlerës së trojeve, zona ka përfitim sepse ka ulje të çmimit të trojeve. Pra ata familje që e kanë ndërtuar në truall që nuk është i tyre, çmimi ka rënë deri në 3-4 herë.

Ndërsa ata që e kanë në truallin e tyre legalizimi është falas i gjithi. Vlera e këtij procesi është tek dokumentacioni që në shumicën e rasteve ka qenë shumë i komplikuar në këto zona, për shkak të problematikave të trashëguara të pronësisë, për shkak të mosregjistrimit të tokës, të hipotekave e kështu me radhë, problematika që kanë filluar të përmirësohen në këtë periudhë.
Integrimi mes institucioneve me njëri-tjerin ka bërë që të lehtësohet më tepër puna dhe kjo gjë është parë me rezultatin e arritur.