Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka sjellë në vëmendje një nga fjalimet më të rëndësishme të parlamentarizmit shqiptar që prej krijimit të tij.
Përmes Inteligjencës Artificiale ai ka publikuar fjalimin e Luigj Gurakuqit në mbledhjen e parë të Kuvendit të datës 21 janar të vitit 1924.
“Fjalët që formësuan shtetin, vizionet që i dhanë drejtim kombit! Sot nisim një cikël të veçantë, duke sjellë fjalimet më të rëndësishme të parlamentarizmit shqiptar që prej krijimit të tij.
Përmes mundësive që na jep Inteligjenca Artificiale, e nisim me Mbledhjen e parë të datës 21 janar 1924, me një prej mendjeve më të ndritura të kombit, Luigj Gurakuqin, i cili përcolli vizionin e tij për shtetin që po lindte.
Fjalët e tij nuk janë vetëm histori janë busull për të sotmen dhe për të ardhmen. Janë kujtesë se Shqipëria ndërtohet me punë, me përgjegjësi dhe me unitet”, shkruan Peleshi në Facebook.
Fjalimi i Luigj Gurakuqit në mbledhjen e parë të Kuvendit në 21 Janar të vitit 1924
Mbledhja e sotme ka një qëllim ndryshe, jo historik kaq të madh, por për jetën qytetare të kombit shqiptar ka një vlerë edhe më të madhe. Populli shqiptar, këto tre muajt e fundit bëri zgjedhjet me qetësi. Tregoi se ka një opinion publik dhe tha: "Themelet që janë vënë shtetit tonë, ato mendime që janë bërë, duhet të kenë siguri, duhet të forcohen, duhet t'i japim këtij shteti drejtimin e duhur, t'i japim formën e tij."
Ky është qëllimi i mbledhjes së Kuvendit Kushtetues që sot për herë të parë hap dyert e veta, ku janë mbledhur përfaqësuesit e kombit shqiptar.
Detyrë e madhe është, zotërinj të nderuar, kjo që kemi marrë përsipër: të formojmë themelet e shtetit tonë e t'i japim drejtimin e duhur popullit tonë. Kjo me të vërtetë është një detyrë e shenjtë, dhe një detyrë e rëndë, sepse duhet të marrim parasysh gjithë jetën e kombit tonë, që të dimë ta rregullojmë për të ardhmen e tij. Që të mund t'i sigurojmë një jetë të ndritur, përparimin e qytetërimin.
Të gjejmë rrugën e mesme, që të mos shkojë dikush para e dikush mbrapa, por të veprojmë të bashkuar, duke marrë parasysh zakonet e të gjitha fiseve të Shqipërisë, duke marrë parasysh nevojat e të gjitha krahinave, që të ecim në një udhë që të na bashkojë, që të na udhëheqë të gjithëve në një ligj të përbashkët, duke siguruar jo vetëm mbijetesën e popullit tonë, por edhe përparimin dhe qytetërimin e tij.
Komente











