TIRANE- Ardhja për herë të parë e sekretares amerikane të shtetit në vendin tonë, Hilari Klinton, "shkundë" Kuvendin e Shqipërisë për të lënë një shije pritjeje sa më dinjitoze nga ana e këtij institucioni.  E gjithë seanca është ndjekur nën masa të rrepta sigurie.

Ndryshe nga ditët e tjera, administrata e Kuvendit është ngarkuar me një detyrë të veçantë. ku që në orët e para të mëngjesit(ora 08:00), punonjësit e Kuvendit nisën kontrollet e imtësishme të gazetarëve që janë të akredituar për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahej sot në orën 11:00 në sallën e seancave plenare.

GAZETARET  NE PARLAMENT KONTROLLOHEN ME QEN

Ora 10:00 “Që nga ora 08:00 media ka pritur te nënshkalla e hyrjes, në një korridor të ngushtë. U kontrolluam dy herë, kontroll fizik dhe me qen. Kur erdhën specialistët të kontrollonin kamerat na nxorren jashtë nën shi. Na ngjiten lart në orën 9:30. Këtu lart qeni ka kontrolluar 5 herë, tha stafi i Kuvendit. Ne tani nuk lejohemi më të zbresim poshtë, as për të shkuar në banjo, derisa të largohet Klinton.

Amerikanët nuk lejuan gazetarët që të uleshin sipas dëshirës, kërkuan që të mbusheshin plotësisht rreshtat e para për t'u ulur te ato më lart.”- kështu e përshkruan situatën gazetari i Tv A1 Report Indrit Maraku i cili ndodhet aktualisht në Parlament për të ndjekur fjalimin e mbajtur nga zonja Klinton në Parlament.

PUNONJËSIT ME VESHJE SERIOZE
Në të njëjtën kohë punonjësit e Kuvendit u lajmëruan se në këtë ditë të veçantë, që ka lidhje me festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, duhet të visheshin në mënyrë sa më serioze me funde të zinj ose pantallona si dhe me këmishë e xhaketë. Ndërkohë që për punonjësit është urdhëruar që të jenë të gjithë me kostume të zinj. Një lajmërim për një veshje sa më të përshtatshme është bërë dhe për gazetarët që do të merrin pjesë në seancën e sotme. Paraqitja e tyre duhej të ishte në mënyrë sa më serioze në veshje njëkohësisht dhe me pajisjen e mjeteve identifikuese. Rregullimi dhe pastrimi përreth godinës së Parlamentit u bë ditë që është vënë në fokus të punonjësve të pastrimit të bashkisë.

Ndryshe nga çdo vizitë tjetër e zyrtarëve të lartë të shteteve të huaja në Shqipëri, ardhja e Klintonit do të bëjë rreshtimin e administratës së Kuvendit në gjithë bulevardin kryesor "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytet dhe po ashtu të gjithë njerëzve që do të jenë të pranishëm.

ah/sg/shqiptarja.com)