Fjalimi i munguar i Lulzim Bashës

Fjalimi i munguar i Lulzim Bashës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalim e tij të parë pas humbjes në 25 prill

Unë jam Lulzim Basha!

Të dashur demokrate dhe demokratë. Unë u zgjodha kryetar i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike, partisë që rrëzoi komunizmin, udhëhoqi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO dhe shumë e shumë procese të tjera shtetformuese dhe themelore për një vend demokratik. Partia jonë hodhi themelet e pluralizmit, tregut të lirë dhe të drejtave të njeriut. Dhe ia doli me sukses.

Megjithatë do të ishte e pasinqertë dhe hipokrite nëse nuk do të pranonim, në të njëjtën kohë, edhe përgjegjësitë tona gjatë kohës kur kemi qenë në qeveri – nga piramidat, tek ndërhyrjet në zgjedhje, tek korrupsioni, tek Gërdeci, tek 21 Janari – por edhe në opozitë – nga protestat e dhunshme, tek braktisja e parlamentit, tek bojkoti i zgjedhjeve, e plot episode të tjera përgjegjësie të vogël dhe të madhe. Sa më shumë t’u fshihemi përgjegjësive tona, aq më shumë do ta vuajmë barrën e tyre. Aq më shumë do të na lidhin këmbët dhe do të na pengojnë të ecim drejt pushtetit.

Ju drejtohem sot me bindjen e palëkundur se Partia Demokratike është e vetmja që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga bataku i korrupsionit, trafiqeve, nepotizmit, prapambetjes, koncesioneve korruptive (përfshi ato të firmosura nga ne kur ishim në qeveri), zhvillimit çalaman e pa vizion, sidomos prej kësaj qeverie por edhe të tjerash. Partia Demokratike lindi nga etja e shqiptarëve për liri dhe demokraci dhe është e vetmja që mund t’I udhëheqë ata drejt një lirie shumë më të madhe dhe një demokracie shumë më të mirë. Partia Demokratike dhe askush tjetër.

Këto javë partia jonë është përfshirë në një vorbull të fortë. Është një vorbull që filloi pas vendimit tim – të cilit i qëndroj sot edhe më shumë, edhe më fort, edhe më me bindje se sa kur e shpalla – për të përjashtuar deputetin Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Partia jonë nuk do të shkojë dot drejt pushtetit me Sali Berishën dhe historinë e tij të shkeljeve të rregullave demokratike, të korrupsionit, të shantazhit ndaj drejtësisë. Imagjinoni qasjen e tij ndaj demokracisë kur thotë se do të jetë edhe kandidat edhe do të garantojë garë të lirë. Hipokrizia nuk mund të dilte më lakuriq se kaq.

Ju drejtohem sot edhe për të marrë përgjegjësinë e plotë për dështimet e mia dhe tonat në përballjet elektorale. Partia Demokratike i humbi zgjedhjet. Po, siç tha ODIHR, pati tjetërsim votash, pati shkrirje të shtetit me partinë, pati përdorim të paligjshëm të të dhënave personale të bashkëqytetarëve, pati trysni mbi administratën publike. Asnjë nga këto nuk ishte e re. Kanë ndodhur edhe kur ishim ne në qeveri si dhe sot që ne jemi në opozitë. Kanë ndodhur prej vitit 1996 e deri më 25 prill, 2021. E megjithatë, Partia Demokratike i humbi zgjedhjet.

Sot jam më I motivuar se kurrë për betejën që kemi përpara. Do të jetë e vështirë beteja e përditshme për të ringritur Partinë Demokratike, shpresën e çdo shqiptari, për ta modernizuar dhe çliruar atë, për ta çuar atë në mënyrë të sigurt drejt pushtetit. Sali Berisha e solli atë në pushtet dy herë, por shqiptarët e ndëshkuan me 1 milionë vota në vitin 2013. E dini ju siç e di edhe unë se atë e ndëshkuan 1 milionë shqiptarë pikërisht për arsyet që përmendi Sekretari i Shtetit të SHBA, aleatit më të palëkundur të Partisë Demokratike nga viti 1991 dhe të Shqipërisë prej më shumë se 100 vjetësh.

Beteja jonë është vetëm e jona, nuk është as e SHBA dhe as e ndokujt tjetër. Dhe ne do ta bëjmë atë betejë. Dhe ne do ta fitojmë atë betejë. Dhe unë jam sot para jush më i sigurt se kurrë se unë kam aftësinë, energjinë, dhe vendosmërinë për t’ju udhëhequr ju drejt fitores në këtë betejë dhe drejt pushtetit nesër.(SI)

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen