Fjalimi prekës i djalit të Moikom Zeqos: Ku je tani babi? Si ike kështu? Realizova ëndrrën, por humba tim atë!

Djali i Moikom Zeqos, Epidami ka mbajtur një eulogji prekëse për të atin përpara përcjelljes për në banesën e fundit pas homazheve te Muzeu Kombëtar. "Kjo nuk është një eulogji standarte. Im atë është një figurë unike, sui generis, pra aspak standarte (edhe pse i thjesht dhe i kuptueshëm). Sa më mungon o babi! Ku je tani babi? Si ike kështu në mënyrë të pakthyeshme? Po Pandorës të vogël c’farë ti them unë tani, ku ti them iku gjyshi që ajo e ka pikë të dobët dhe e ka shumë xhan xhan? Tani e thërras gocën BABI; ke uri babi; të lexojmë librat e gjyshit babi vogël? Kam veshur sot të njëjtin kostum që kisha në dasmën time në vitin 2015.

Kur erdhe në Londër për dasmën dukej që ishe i sëmur - kishe leukemi kronike. Luftove për pesë vite si askush - sa krenar jam për ty o ba! Ti Moikom je këtu me ne përjetësisht! Ne të gjithë duhet t’ia përciellim gjeneratës së re këtë dritëuri për të shpëtuar Shqipërinë nga gjëndja toksike në të cilën ndodhet. Moikomi veshi shumë kapele profesionale (edhe kapele republike) gjatë jetës së tij: nga notar - peshkatar - punëtor hekurudhor - shkrimtar - redaktor - mësues - arkeolog - arkeologu i parë nënujor shqiptar - Ministrër i Kulturës - Deputet - piktor - Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Por karriera e tij profesionale, ndryshe nga ajo letrare dhe publicistike, ishte shumë e shkurtër në krahasim me karrieren e të tjerëve që i këndojë politikës ose e mbajnë gojën mbyllur.

Ai meritonte shumë më tepër! Ah, sa shumë meritonte Moikomi kur ishte akoma gjalle! Sa dritëshkurtër politika! Mendoni se një komb mund të ndërtohet ose të mbahet i bashkuar pa idealizëm? Pa De Radën e Naimin dhe pa Migjeni e Moikomin? Pragmatizmi është zgjidhja e vetme, thoni ju? Kujdes! Mos harroni se duhet një gjeneratë për të unifikuar një komb, dhe dy gjenerata për t’a zhdukur atë. Moikom punoi vetëm për të mirën e madhe të kombit shqiptar dhe të njerëzimit, dhe jo për interesat e tij personale apo edhe familjare. Misioni i tij ishte të ndikonte tek njerëzit përmes dijes. Moikomi i mrekullueshëm gjithnjë ofronte një perspektivë unike në çdo debat për cdo temë: nga gjuhësia dhe arti deri tek ekonomia dhe gjeologjia. Eshtë e vërtetë që një komb mund të kuptohet si agregat i miliona njerëzve. Por një komb në fakt përkufizohet vetëm nga një group i vogël individësh. Im atë është më i frytshmi midis tyre.

Pse Moikom nuk u bërë pragmatik si ne të tjerët? Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SH.B.A. kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive por e mrekullueshme dhe kuptim-plotë në të njejtën kohë. Sa shpresëdhënëse por shpresëmarrëse. Po unë, Epidamn Zeqo? Ndoqa ëndrrat e mia vetëm për t'u zgjuar në një makth. Mora Green Kartën Amerikane - realizova ëndrrën e të gjithëve - por humba tim atë! Oh mërgim, si e ndave çdo familje shqiptare! Sa shumë dramë shkaton, sa shumë dhimbje, dhe sa shumë pishmane.

Duhet të përqendrohemi tek gjërat që kanë vërtetë rëndësi si familja e shëndeti dhe natyra e dritëuria. A do të lexohet vepra e Moikomit nga brezi i ri? Familja ime dhe mbështetësit e shumtë të Moikomit do të sigurojmë që kjo të ndodhë. Të rijntë dhe të vjetrit duhet të bëhen më të mirë në mënyrë që Shqipëria të shërohet. Duke lexuar Moikomin forcohet vetëdija kombëtare dhe njerëzore. Ku është tani Moikomi? Ku je babi im? Në parajsën e mbushur me re të bardha? Jo, Moikomi është duke punuar cdo ditë si përherë - Moikomi është Ministri i Përjetshëm i Kulturës Shqiptare, Europiane, dhe Botërore. Ai është kujdestari fisnik i Bibliotekës Njerëzore. Amen".


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Moikom Zeqo, fjalimi prekës i djalit: Amaneti i tij s'u përmbush! Ku je tani babi? Si ike kështu? Meta: Ishte misionar (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal