Pandeli Majko i është përgjigjur Sali Berishës, duke i bërë të qartë se nuk mund të përfitojë politikisht nga problemet e Partisë Socialiste, pasi nuk përfaqëson një alternativë për të ardhmen e vendit. Reagimi vjen pasi Berisha e sulmoi sot gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, duke iu referuar deklaratave të Majkos në Asamblenë e PS-së për lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar dhe videot e sekuestruara nga SPAK, të cilat kreu i PD-së i përshkroi si plot me skena erotike.

Në një postim në Facebook, Majko i kujton Berishës se studentët e bënë lider, por zgjedhjet e tij e çuan drejt shpalljes non grata. Sipas tij, socialistët mund të rrëzohen e të ringrihen, por Berisha nuk mund t'i mundë, sepse nuk është një shpresë për të ardhmen europiane, as për të rinjtë që protestojnë sot. Ai e sfidon gjithashtu për lirinë e debatit brenda PD-së.

Reagimi i plotë i Majkos:

“Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…!

I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të ‘moshuara’!

Këtë individ, e bënë lider, studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë, ‘non grata’!

E vetmja pyetje që duhet ti bëj vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flas si unë tek partia ime?

Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen!

Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë!

Arsyja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndër për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot!

Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”

Gjatë seancës së sotme parlamentare Sali Berisha iu referua deklaratave të Pandeli Majkos në Asamblenë e PS-së, duke akuzuar socialistët për video komprometuese.

“Po denoncimi Majkos? Kaq naiv Gjinua nuk është, që të ngatërrojë skenat erotike me skena të tjera. I keni edhe ato dhe do u dalin”, deklaroi Berisha

Por vetë Majko ka sqaruar se me deklaratën e tij kishte folur për lidhjet e politikës me krimin e organizuar, jo për jetën private të kolegëve, duke kritikuar faktin që vëmendja mediatike ishte përqendruar te videot erotike dhe jo te shqetësimi që kishte ngritur.