Flamuj, fjalime dhe histori

Flamuj, fjalime dhe histori
Në reklamat televizive të ditëve në prag në 100 vjetorit të shtetit shqiptar tre elementë dominojnë: reklamat me flamuj, lajmet e fjalimet politike mbi festimet dhe tendenca për të zbuluar e krijuar histori. Rrallë herë më parë qytetarët, media, publiku e politika kanë investuar kaq shumë në tregun e flamujve, shumica jashtë standardit ligjor të formës zyrtare të flamurit. Palët politike u grindën për disa javë rreth autorësisë së nismës “një ballkon një flamur” dhe pasi ballkonet e mbushën, palët llogaritën secilin flamur, pra secilën familje, si mbështetëse të saj. Të tjerë shkuan edhe më tej, rrethuan Lanën me flamuj, mbushën pemët, fasadat e ndërtesave, deri edhe xhamat e makinave.

Një patriotizëm virtual, për qëllime tërësisht elektorale, me mjetet e sjellje jo shumë qytetare, por në fund të fundit, me një rezultat pozitiv: tërhoqën vëmendjen e fëmijëve dhe krijuan një kolorit kuq e zi, dominues mbi çdo ngjyrë tjetër që ofrojnë politika, qytetet e betonizuara, lumenjtë e papastër, makinat e përdorura dhe ndërtesat e stilit socialist. Në mungesë të suksesit në biznesin privat, rënies ekonomike, krizës në menaxhimin e aseteve publike dhe rritjes së papunësisë, marrja me flamujt dhe fitimet në tregun e flamujve shënuan sukses të jashtëzakonshëm. Në Tiranë një flamur kushton rreth 40 euro, sa gjysma e një pensioni, sa mesatarja e faturës mujore të energjisë, dhe të paktën 10 herë më shtrenjtë sesa një flamur gjerman në Berlin apo amerikan në New York. Të prodhuar me nxitim në Kinë apo Turqi, rrallë ndodh që flamujt tanë të pavarësisë të kenë simbole të njëjta, përmasa të njëjta dhe cilësi të njëjtë, gjithsesi për një shoqëri që vrapon të derdhë kursimet e veta tek Sudja, është e pritshme që standarde të njëjta të zbatojë edhe në fushata të njëjta të reagimit kolektiv, siç është edhe moda aktuale e patriotëve dhe pavarësisë.

Çdo ditë kemi lajme pafund për përurime patriotike, ekspozita, botime, ceremoni nderimi, fjalime dhe nisma, të gjitha në emër të 100 vjetorit. Nëse lexon fjalimet patetike që bëhen në çdo qytet e ngjarje, të krijon përshtypjen se pavarësia dhe ekzistenca e shtetit shqiptar është vendosur aty, në atë sallë, nga folës të tillë dhe paraardhës të tyre, të cilët nuk kursejnë të thurin lavde pafund për këdo që flitet, të lartësojnë figura deri periferike sipas ftesës dhe financuesit, të krijojnë mbivendosje vlerash me firmëtarët e vërtetë të pavarësisë dhe të krijojnë përshtypjen e gabuar se 100 vjet u drejtuam vetëm nga burra shteti, patriotë dhe vizionarë. Shteti republikan u vu në rresht me fjalime patetike për të nderuar mbretin, veteranë të luftës u hakmorën duke na thurur lavde për E.Hoxhën, socialistët shumëzuan me zero monarkinë dhe lartësuan viktimat e saj politike, miliona qytetarë në Shqipëri e Kosovë u ndanë në kampe politike duke lartësuar liderit e vet preferencial dhe denigruar liderit e tjetrit.

Seminare, konferenca, takime, paraqitje dhe kumtesa pafund, shumica jashtë çdo kriteri shkencor e profesional, shumë fjalë dhe pak fakte, shumë elozhe dhe pak profesionalizëm, ishin mënyra që justifikoi miliona euro të investuara nga ende publike, shtetërore e private në përkujtimin "dinjitoz" të 100 vjetorit. Buste jashtë standardit profesional që ndërtohen në Tiranë, Shkup, Prishtinë apo Vlorë, koncerte me vargje folklorike e veshje kombëtare në nivele nga më amatoret, libra folklorikë dhe media që garon për zbulimin e dokumenteve dhe lajmeve, që na fakt, janë zbuluar e botuar dhjetëra herë në këto 100 vite.

Së fundi, një panair libri ku tregtohej pafundësisht histori. Shumë tituj, shumë reklamë, shumë lëvdata për një nivel minimal botimesh, shumica e tyre pa prova arkivore, pa kritere historie, pa fakte dhe risi, pa elementët bazë që e bëjnë një libër të referueshëm sot, nesër e pas 100 vitesh. Thjesht, secili flet e shkruan një variant të historisë personale, të përjetimit sesi atij i pëlqen të shprehet për historinë, figurat historike dhe ngjarjet historike. Dallim bëjnë një kolonë librash dokumentar dhe profesional që lidhen kryesisht me vitet 1910-1914 nga historianë e studiues të sprovuar. Ata dhe kryesisht ata i dhanë njëfarë kuptimi 100 vjetorit dhe panairit të librit, që ai të mos degradohej në një treg pazari ku gjithçka shitet e blihet në varësi nga reklama e shitësit. Të tjerët, në shumicë autorë e libra të pompuar, njësoj si kënga e Sinanit, një hit 72 orësh pa gjurmë në kujtesë dhe historiografi. Alibia se një produkt gjykohet nga shitja është njësoj si të pranohet se gazeta më e suksesshme në historinë shqiptare është "Paloma" sepse kishte tirazhin më të madh në treg! Gjithsesi ky bilanc kritik nxori në pah një problem të madh standardi që kanë institucionet dhe entet publike që prodhojnë histori, paguhen të krijojnë standarde profesionale historie dhe kanë burimet e duhura njerëzore e financiare për të ofruar një produkt shumë më solid, më profesional dhe të referueshëm nga studiuesit brenda e jashtë vendit, nga studentët dhe publiku i përzgjedhur elitar i një shoqërie.

Pak ditë kanë mbetur nga 100 vjetori. Jubile të tilla lënë gjurmë dhe krijojnë një traditë të referueshme në 50 apo 100 vitet e ardhshme. Çfarë do të mbahet mënd nga ky përvjetor? Torta gjigante në një qytet me papunësi 40%; mishi i pjekur falas në bulevard në një vend anëtar në NATO; flamujt me shqiponja të ndryshme që kanë rrethuar lumin e ujërave të zeza në Tiranë; fjalimet patetike dhe populiste të politikës mbi historinë, vlerat, shtetin dhe themeluesit; fushatat e ngritjes apo zhvendosjes së busteve folklorike dhe miteve të rrema; grindjet pa sens, fakte e përmbajtje për mbretin dhe republikën; kriza absurde politike për tre ligjet apo qarkun e Fierit; abuzimet masive në fonde publike nga zyrtarët që kanë në dorë paratë tona publike; botimet komerciale me histori e flamuj ka ndikim në historiografi; nismat private parlamentare dhe ekzekutive për të nderuar lista personalitetesh sipas oreksit personal, njohjeve familjare dhe përkatësisë krahinore; rivaliteti provincial midis Vlorës e Tiranës për festën dhe darkën zyrtare; listat qesharake populiste me qytetarë nderi që në shumicë nuk i sjellin asnjë nder qyteteve; politikë që baltos kulturën e debatit dhe helmon mendjet e fëmijëve me propagandë si në periudhën komuniste apo shteti që mbush 100 vjet pushtet, një kalvar dhimbjeje, sakrifice, aventure, regjimesh autoritare, lufte për mbijetesë dhe për ribashkim pas gjashtë shekujve me Evropën?

Pak nga të gjitha, si në jetën e njeriut. Normale për një shoqëri ende të brishtë ma kulturën e kujtesës dhe nderimit, pa vizion të qartë për të ardhmen, gjithsesi jonormale për një shtet dhe shoqëri që pretendon një vend të merituar në bashkësinë e shteteve demokratike ku sundojnë institucionet, qytetarët, morali politik, virtyti njerëzor, kujtesa historike, respekti ndaj tjetrit dhe hierarkia e vlerave.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Biznesmenit Ago Gjolaj i sekuestrohet biznesi në Koplik, Report Tv sjell pamjet

Biznesmenit Ago Gjolaj i sekuestrohet biznesi në Koplik, Report Tv sjell pamjet